Marrëdhëniet e Ministrisë së Kulturës me Shoqatën e Botuesve. Mungesa e financimit për panairin e librit, puna e nisur për aktivitetin e nëntorit dhe debatet për emërimet në ministri. Festivali i Librit dhe Artit dhe një shoqatë e dytë që premton një aktivitet të madh libror.

Do të ketë mbase 20 milionë lekë të vjetra më pak në buxhet, por kjo nuk do të thotë se panairi i librit rrezikon organizimin. Megjithatë lajmi i javës së shkuar se ndër projektet fituese të Ministrisë së Kulturës për këtë vit nuk figuronte panairi i nëntorit, bëri mjaftueshëm bujë. Dukej e panatyrshme që i vetmi aktivitet i madh libror i kryeqytetit, i përkufizuar shpesh si i vetmi vend ku shqiptarët prisnin të blinin libra – pa shtuar që panairi është edhe një pasqyrë e mbarëvajtjes ose jo të tregut të librit – të mos përkrahej nga ministria. Zhurma nisi qysh me njoftimin e parë të Shoqatës së Botuesve Shqiptare, e cila i kërkonte Ministrisë së Kulturës arsyet se përse panairi nuk do të përfitonte asnjë qindarkë sivjet. “Nuk e kuptojmë se si Ministria e Kulturës nuk mbështet aktivitetin më të rëndësishëm kulturor të vitit, sikurse është Panairi i Librit, Tirana 2014”, thuhej në komunikimin e shkurtër të Shoqatës. “Nuk po nxitohemi ende të përdorim epitetin e merituar për këtë qëndrim, të cilin e konsiderojmë të nxituar dhe ende të mundshëm për t'u korrigjuar”.

Por në përgjigje të kësaj, Ministria e Kulturës siguroi me një tjetër njoftim se nuk kishte asgjë për t’u korrigjuar. Nuk bëhej fjalë as për ndonjë gabim. Projekti për Panairin e Librit “Tirana 2014” nuk ishte përzgjedhur sepse nuk plotësonte, sipas ministrisë, një nga kushtet kryesore të dokumentacionit të kërkuar. “Konkretisht mungon buxheti i justifikuar me zëra dhe kosto të përcaktuar qartë për shumën e kërkuar për financim nga Ministria e Kulturës, thuhej në përgjigjen e ministrisë. Zëri i kërkuar nga ju për financim nga MK "arredim panairi" me shifrën total dhe të padetajuar 200 000 lekë të reja, (në fakt bëhet fjalë për 2 milionë) nuk e përmbush këtë kërkesë të domosdoshme për mirëadministrim të projekteve kulturore dhe artistike me fonde publike”. 

Ndoshta historia do të ishte mbyllur me kaq sikur në listën e fituesve të mos figuronte një tjetër shoqatë, për më tepër rivale e Shoqatës së Botuesve, e cila do të organizojë Festivalin e Librit dhe Artit, një aktivitet ku përmblidhet edhe një panair libri. Kjo i shtoi akoma më shumë zërat se një klimë e ftohtë bashkëpunimi ishte vendosur mes ministrisë dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. “Por, sinqerisht ne si shoqatë jemi shumë të kënaqur nëse do të ketë shumë aktivitete për librin”, thotë kreu i kësaj shoqate, Petrit Ymeri në këtë intervistë për Klan. Ama kjo nuk do të thotë se botuesit dhe ministria i kanë punët edhe aq vaj me njëri-tjetrin. Dhe arsyeja duket se nuk ka të bëjë vetëm me panairin e librit. 

-Shumë zhurmë për Panairin e Librit sivjet. Zyrtarisht Ministria e Kulturës nuk do ta përkrahë financiarisht dhe sqarimi zyrtar është se kërkesa juaj nuk ishte e specifikuar me zëra. Është kjo një pakujdesi nga ana juaj apo çfarë?

Nga ata që duan ta kuptojnë është mëse e qartë se ky është një pretekst, jo arsye. Medemek nuk kemi detajuar zërat. Ka vetëm një zë dhe një zë nuk mund të detajohet. Ky zëri është arredimi i Panirit të Librit, Tirana 2014. Edhe në faturën që bëjmë me kompaninë që bën arredimin ka vetëm një zë: arredimi. Nuk ka nënzëra. Ky është vetëm një justifikim për një vendim të paramenduar, të paracaktuar të Ministrisë së Kulturës për të mos e mbështetur panairin e librit. Por nuk ka asgjë tragjike në këtë histori, madje mua më vjen çudi se pse merren kaq shumë me të. Realisht më shqetëson më shumë mendimi i të tjerëve për këtë gjë. E kemi pasur edhe herë të tjera probleme të këtij lloji. Kemi pasur situata edhe më të vështira në mesin e viteve 2000. Na ka ndodhur që administrata e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, e ndihmuar nga policia, ka mbyllur dyert e panairit të librit sepse një nga stendat ishte me ngjyrë të kuqe. Pra ka edhe situata të tilla, të cilat ne i kemi përballuar dhe panairi është hapur pas dy orësh. Nuk është pra ndonjë çudi e madhe kjo që ka ndodhur. Mua thjeshtë më vjen keq që Ministria e Kulturës mban këtë qëndrim, këtë anësi, gjë që nuk është normale.

-Pse thoni që është një vendim i paramenduar? Çfarë nënkuptoni se fshihet pas kësaj?

Ne e shikojmë klimën që ekziston.

-Dhe si është klima?

Klima është ajo e një mungese dëshire për bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve, e cila është e vetmja shoqatë me shumë përvojë në vend. Që nga viti 1992 shoqata ka mbi 120 projekte të bëra, ka mbrojtur interesat e botuesve, dhe jo vetëm të anëtarëve të saj, ka punuar dhe luftuar për krijimin e një legjislacioni bashkëkohor, për krijimin e ligjit “Për Librin”, ka luftuar kundër piraterisë, kundër informalitetit, ka bërë aktivitete pa fund dhe këto nuk janë në të mirë të vetëm një individi apo botuesi. Këto janë në të mirë të gjithë komunitetit botues dhe nëpërmjet tyre në të mirë të lexuesve. Pra Shoqata e Botuesve është përpjekur që nga dita e themelimit të saj, pavarësisht kush ka qenë kryetar i saj, për të arritur rezultate shumë të mria me librin. Dhe kjo është keqardhja jonë që ministria e Kulturës sillet sikur ka të bëjë me një subjekt të parëndësishëm. 

-Dhe pse mendoni se ndodh kështu?

Nuk dua ta personalizoj këtë çështje. Ne i kemi thënë zyrtarisht vërejtjet tona edhe në komunikimin që kemi pasur me ministrinë, në nivelet më të larta, edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Librit, edhe për mënyrën se si drejtohet, edhe për një veprim jashtëzakonisht të gabuar që ka bërë Ministria e Kulturës për mbylljen e Drejtorisë së Librit dhe Bibliotekave. Për këtë ministria thonë se nuk është mbyllur por është ndërruar emri, në Drejtoria e Krijimitarisë së Fjalës dhe Përkthimit, por ky ndërrim ka të bëjë me ndryshimin e veprimtarisë së saj. Po ta zbërthesh këtë, i bie të jetë Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nuk dimë ndonjë rast tjetër që të ketë drejtori përkthimi dhe krijimtari fjale. Në praktikën evropiane, një nga drejtoritë kryesore të punës në një ministrie kulture është drejtoria e librit dhe bibiotekave, madje ka vende si në Itali dhe Francë, që kjo drejtori është e vendosur pranë kryeministrisë. Për mendimin tim duhet të jenë dy shtylla kryesore: Shoqatat e botuesve profesionalë dhe biblioteka kombëtare. Asnjërën prej tyre nuk shoh të jenë të pranishme në tavolinë për të biseduar për këtë problem. Nuk mund të merren vendime kaq të rëndësishme për punën me librin me një të rënë të lapsit. 

-Ditën e publikimit të listës së projekteve që do të mbështeteshin nga ministria dolën fjalë, sipas të cilave, përjashtimi i panairit ishte rrjedhojë e debateve që keni bërë në Këshillit Kombëtar të Librit. Sa qëndron kjo thashethemnajë?

Nuk e besoj. Unë nuk kam pasur përplasje me njeri. Kam ngritur disa probleme në emër të Shoqatës së Botuesve. Ne i kemi bërë një letër zyrtare Ministrisë së Kulturës për një zgjedhje shumë të gabuar dhe në kundërshtim me ligjin “Për konfliktin e interesave” për emërimin e një njeriu të papërshtatshëm nga çdo pikëpamje për të drejtuar një sektor shumë të rëndësishëm. 

-Kush është ky njeri dhe cili sektor?

Ky quhet Gentian Çoçoli dhe është i papërshtatshëm sepse ai ka veprimtari private, ka një shtëpi botuese, ka një revistë, është përkthyes, edhe drejtor e menaxher i fondeve publike. Nga mënyra sesi ka punuar duket që ka shkelje. Këtë e kemi thënë edhe në prani të zotit Çoçoli. Nuk kemi asgjë personale. E para e punës, ai nuk ka qenë një punonjës i dalluar në Ministrinë e Kulturës. Edhe kur ka qenë në këtë ministri, edhe kur ka qenë drejtor në gazetën “55”, rezultatet e tij në punë kanë qenë të dyshimta, të dobëta. Por mbi të gjitha, problemi është se Çoçoli është në kundërshtim me ligjin “Për konfliktin e interesave”. Fjala vjen në çmimet që u dhanë në fundvit – ai e drejtoi në hije jurinë – i dha çmim një libri të botuar prej vetë atij. Ai dëmtoi punën për panairin e Lajpcigut, shkatërroi çmimin e bibliofilisë që iu dha shtëpisë botuese “Ombra” e kështu me radhë. Dhe tani po të vësh re në këto projekte që janë dhënë kanë përfituar njerëz e bashkëpunëtorë të tij. Pra ai është i përzier. 

-Sa e rrezikon mungesa e mbështetjes së Ministrisë së Kulturës organizimin e panairit të librit sivjet?

Arredimi i panairit kushton rreth 3 milionë lekë të reja, ne i kërkuam ministrisë 2 milionë, pra një pjesë të një zëri. Por kjo nuk ndikon në organizimin e panairit. Do të ndikojë në disa elementë të arredimit të kateve të Pallatit të Kongreseve, por vetëm kaq. Pastaj ne presim edhe mbështetës të tjerë, por ne donim që të kishim Ministrinë e Kulturës. Edhe vitin e kaluar kemi dashur që të ishte ministria mbështetësja jonë, pra shteti shqiptar të ishte bashkëpunëtor i Shoqatës së Botuesve. 

-Dhe kështu ka qenë. Ministria e Kulturës ishte madje edhe protagoniste në këtë panair me një sërë aktivitetesh. Por mund të dojë të jetë edhe sivjet. Kam parasysh që 2014 është shpallur viti i De Radës. 

Së pari kjo puna e De Radës është një rebus më vete sepse është shpallur dhe nuk është shpallur, janë bërë komisione dhe nuk janë bërë, kush do ta botojë e kush jo. Ky është një rebus më vete. Akoma është mjegull kjo punë. Shumë botues janë të interesuar për botimin e kësaj kolane, jo unë sigurishte sepse kam vendosur që për sa kohë të jem në Këshillin Kombëtar të Librit të mos kërkoj fonde për shtëpinë time botuese – që nga viti 1991 kur “Dituria” ka nisur punën, nuk kam marrë asnjë qindarkë nga Ministria e Kulturës – por shumë botues të tjerë të rëndësishëm, me përvojë në botime të tilla, si “Onufri”, “Ombra GVG” janë shumë të interesuar të marrin pjesë në këtë tender të hapur që duhet bërë për këtë kolanë me vepra të De Radës, por që nuk kanë asnjë informacion se si do të veprohet. Ndërkohë javët dhe muajt kalojnë. Ndërsa sa i takon bashkëpunimit që ministria mund të kërkojë me panairin, sigurisht që dyert janë të hapura. Unë e kam thënë disa herë, ne duam të bashkëpunojmë me institucionet e shtetit shqiptar. E kemi kërkuar gjithmonë, pavarësisht se herë e kemi pasur e herë jo. 

-Megjithatë, ka kohë, sidomos këto vitet e fundit, që ankoheni se libri nuk po kalon ditë të mira. Në një intervistë të mëparshme jeni shprehur optimist për ndryshime pozitive, por e filloni vitin me një projekt të rrëzuar. Përtej panairit, ç’po ndodh me librin shqip?

Më vjen keq të them që nuk po shohim ende ditë të mira për librin, për shkak të krizës ekonomike. Jemi në një situatë shumë të vështirë ekonomike dhe shtëpitë botuese janë me borxhe. Mos harroni që në janarin e këtij viti tatimi mbi fitimin për shtëpitë botuese u rrit me 50 për qind, në një kohë kur ne kemi TVSH mbi librin më të lartën në kontinent, 20 për qind. Një taksë që nuk ka të bëjë me sistemet demokratike. 

-Meqë diskutimi bëhet mbi panairin e librit, di që e keni filluar punën që tani. Si do të jenë prurjet e këtij viti, pjesëmarrja etj?

Kemi filluar prenotimet aktualisht. Ka kërkesa pa fund për pjesëmarrje dhe ka shumë mundësi të zgjerohemi më shumë se dy kate. 

-Ndërkohë ka edhe një aktivitet tjetër libror që do të jetë këtë muaj. Një tjetër shoqatë dhe ndër të tjera edhe një tjetër panair libri.

Nuk e dimë se çfarë do të jetë. Të shohim. E dimë që ka një entuziazëm shumë të madh nga Ministria e Kulturës, një hare, dhe ne na pëlqen kur kjo shkon bashkë me librin. 

-Ndërsa me shoqatën rivale të themi, Shoqëria e Librit Shqip, nuk është se jeni krejt të panjohur. Pak vite të shkuara patën një konflikt pikërisht gjatë ditëve të panairit të librit.

Sigurisht që njihemi me ta sepse janë kolegët tanë. Në mos gabohem janë 2-3 shtëpi botuese dhe 2-3 ojf.

-E vështirë të besohet se jeni krejtësisht indiferentë përballë faktit se një shoqatë tjetër libri fitoi projektin, ndërsa ju jo...

Problemi nuk është se iu dhanë atyre. Bënë shumë mirë madje. Sinqerisht ne si shoqatë jemi shumë të kënaqur nëse do të ketë shumë aktivitete për librin. Por këtu ka një pikëpyetje tjetër: Përse ministria nuk e bën publike shumën që i ka dhënë këtij projekti? Ashtu sikurse, përse krahas projekteve fituese nuk vuri edhe shifrën e parave që janë dhënë? Pse nuk e bën këtë? Ka frikë? Nuk e besoj këtë. Do të ketë ndonjë pasiguri. Por kjo është koha e transparencës, çdo gjë duhet të jetë e hapur. Ne i kemi kërkuar Ministrisë së Kulturës të bëjë publike të gjithë projektet që kanë fituar ose të gjitha shumat dhe subvencionet që janë dhënë nga ministria këto 10 vitet e fundit. Le të jenë publike dhe njerëzit t’i dinë. 
 

Një festival për librin dhe artin

Pavarësisht se ende nuk dihet zyrtarisht shuma e akorduar, një prej projekteve fituese në Ministrinë e Kulturës është edhe Festivali i Librit dhe Artit. Një aktivitet për të cilin është folur çdo pranverë këto tre vitet e fundit, qysh ditën kur disa shtëpi botuese (Dudaj, Toena, Skanderbeg Books, Instituti i Librit dhe Komunikimit, OMSCA-1 etj), u ndanë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë për të krijuar Shoqërinë e Librit Shqip në shenjë rebelimi, sepse siç pretendonin botuesit nuk përfaqësonte interesat e botuesve dhe të librit. Atëhere SHLSH drejtohej nga i ndjeri Ardian Klosi, ndërsa qysh prej të enjtes së kaluar kryetare e kësaj shoqatë është zgjedhur botuesja Arlinda Dudaj. Këtë mesjavë SHLSH deklaroi se më në fund projekti i tyre për një aktivitet libror dhe jo vetëm, ishte përkrahur nga shteti. Ditën ndërkombëtare të librit do të çelet në Muzeun Kombëtar, Festivali i Librit dhe Artit (23-27 prill). “Janë njoftuar të gjitha shtëpitë botuese të marrin pjesë”, ka thënë Dudaj. “Personalisht i kam njoftuar të gjithë. Vetëm dy shtëpi botuese nuk kanë shprehur interes”. Zyrtarisht në panairin që do të organizohet këtë fundmuaji do të marrin pjesë rreth më shumë se 45 botues dhe qeraja e stendave nuk do të kushtojë më shumë se 30-40 euro. Bashkë me panairin do të oragnizohet edhe Festivali i Artit Pamor i titulluar “paMur”, me kurator Vladimir Myrtezaj. Prej këtij aktiviteti do të shpallen dy çmime: “Danish Jukniu” për artet pamore dhe “Ardian Klosi” për librin.

18 Komente

interesant ky karakteri i cocolit, kishte disa poezi gjimnazistesh tek peshkupauje.. mos e ka mamane drejtoresh te shtepia botuese e librit shkollor? keta duket qe jane njerez te librit

Cocolin e kam pas student dhe ka qen nje nder me te miret... djal punetor dhe i perkushtuar.

Ndersa ty nuk te njoh, biro, se vetem nje nofke je...

c'lidhje ka nofka ime ketu?

ketu behet fjale se jane dy shoqata qe luftojne per ato pak leke te ministrise se kultures, e me sa duket Dudaj ka marre perparesi ne kete sherr (Klosi i ndjere ishte i lidhur me keta) .. por une nuk kuptova perse sulmon Cocolin kur ky gjithashtu ka qene i 55? ..

pastaj cfare jane keta poete qe ngulen si gozhda ne administraten qendrore? shume shume qeveria mund te jepte ndonje post mbikeqyres ne ndonje bord e ti linte kohe per meditim e prodhim.. kam njohur nja dy te tille, eshte administrata qe te ben te mykur e te heq frymezimin.. nga do e marresh frymezimin njeher? nga buka e thekur dhe furrnella elektrike poshte kembeve te grave nepunese? duhma e rakise, cigarja e kafja tek klubi i ministrise, apo nga grate rondokope te biznesmeneve qe popullojne zyrat dengas me letra?

Ministria e Kultures eshte pak si e papergjegjeshme dhe e vetmja merite qe ka eshte servilizmi familjar ndaj Rames personalisht.

Duhen ndare keto dy gjera sepse zonja ne fjale nuk ka asnje detyrim politik per cka ben dhe kush jane reagimet qe provokon. As ka premtuar gje e as ka detyrim per te mbajtur ndonje fjale perce se ndjek trajektoren e forcimit te lidhjeve personale me Ramen.

E cuditeshme se si nuk hapin gojen deputetet e PS-se per nje njeri qe ka punuar kunder tyre qe nga dita qe kjo biba besoi qe kur flet ajo te tjeret habiten.

 

Ka vetëm një zë dhe një zë nuk mund të detajohet.

30 milion leke (te vjetra) per aredim dhe ky thote "eshte nje ze, nuk detajohet".Si ore nuk detajohet? Detajohet qe c'ke me te, x leke per stenda, x per ndricues, x per tavolina,x per foni, x per kokteil, x per postera, x per transport..Apo te gjitha keto shpenzime i mbulojne vete subjektet pjesmarrese ne panair dheleket arredohen ne xhepin e Petritit? Ka ndonjeri info si funksionon?

Ish drejtori i gazetes 55 do beje politike kulturore per cmimin Ardian Klosi?

Vertet qe kjo zonja ministre te le pa goje.

Nqs ky poeti-perkthyesi-botuesi ka punuar ke 55 dhe eshte djath-tist nuk ka ndonje cudi.Administrata eshte pertej te majtes dhe te djathtes lol. Po a ke ndonje info si funksionon panairi per te dekonstruktuar kete "zerin e padetajueshem" te Ymerit?
 

Per cdo projekt ne bote, qe nga me i thjeshti te fillosh, duhet te behet i detajuar nje parashikim per shpenzimet, te cilat ne formate te ketij lloji jane shume pak te ndryshme nga realizimi.

Shoqata duhet ta kishte bere e nese nuk mundej dot ta bente te kerkonte ndihme. Detyra e ketij te gazetes 55 nuk eshte te beje karshilluk, por ta zgjidhe ngercin sepse mbeshtetja e librit nuk eshte thjesht detyrim administrativ, por detyrim per kulturen e jo vetem si rrjedhoje. Nese sabotohet kjo nga zyrtari i perzgjedhur prej Kumbaros, me e pakta qe duhet thene, eshte paaftesi ne mos po duhet ta coj mendjen qe zonja ministre eshte nje teveqele e certifikuar e lakmon administrimin e cdo gjeje qe mban era evro.

Tani do ja leme Taqi Oil ta sponsorizoje panairin e librit?

Nuk  ka sabotim .Thjesht kane ndryshuar preferencat.Ka fituar nje subjekt tjeter.Duhet te hane te gjithe ka nje cik.

Mire mer mire, arrij ta kuptoj ne vija te trasha, por nuk arrij te kuptoj c`pune ka me cmimin "Ardian Klosi" per librin nje ish drejtor i gazetes 55  qe ka vjell vrer per te deri diten qe e kallen ne dhe te vetvrare? 

Nuk ma ndjen per Ymerin mu qe eshte Fuga i librit dhe hiprokrizine e tyre.  Une kam frike hipokrizine e spikatur te zonjes ministre qe ecen me llogjiken qe yçi te zhvillon mendjen apo qe ne kabinetin Rama ka ministra qe flasin frangjisht.

 

Znj Kumbaro eshte ministrja me e mire qe ka patur ndonjehere Shqiperia. kaq mjafton e teprone them une.
Sa per Klosin, thone se po te kish pir ilacete nuk do kishte perfundu ashtu... smiley Gjnaf... zoti e ruajt!

Ndersa Arlinda Dudaj eshte nje vajze puntore , e zgjuar , simpatike dhe perseri puntore... dhe kur del ne tv eklipson gjitheshka tjetere.
Suksese , ju do ta nxirrni Shqiperine nga erresira mesjetare , ju do e rilindni!

pertej formes agresive sesi i shpreh ymeri mendimet e veta, ai ngre dy akuza te forta:

- implikon nje nepunes te shtetit (cocolin) per korrupsion pasiv e konflikt interesi: dhe

- duke e quajtur normale paraqitjen e nje projekti pa preventiv, do thote qe kjo procedure nuk eshte kerkuar me pare ne pranimin e projekteve. kjo hipoteze duhet pare. nese ligj thote qe projektet duhet te kene nje preventiv te detajuar dhe kjo nuk eshte ndjekur, kemi korrupsion nga qeveria e meparshme.

prokuroria duhet t'i marri keto seriozisht se jane thene ne publik. kjo eshte drejtesia, dhe vendosja e saj. nuk ka brire dhe nuk duhet t'i vije keq asnjerit kur behen raporte nga nderkombetaret se ne cfare niveli eshte. 

 

 

Nuk ka projekt pa buxhet te detajuar, sado i thjeshte te jete ai.Kudo ndiqet kjo praktike.Edhe kur nje biznes kerkon te beje bamiresi per te financuar nje aktivitet, bie llafi, ta kerkon te detajuar menyren e shpenzimit te fondit. Nqs praktika me pare ne kete ministri ka qene jep nje dore paresh pa buxhetin e detajuar te projekt-propozimit, kjo eshte tjeter gje.30 milion leke , e sa do shpenzohen per aredim kur, mesa di une, shtepite botuese i sjellin vete stendat dhe gjithcka tjeter qe u duhet, me perjashtim te ndricimit dhe aktiviteteve qe i takojne oragnizatorit .Ja pese aktivitete promovuese me ca  cibuk dhe coca-cola, sa kostojne? 

Pastaj a eshte thene qe do thyhen monopolet?smiley

Vetem ne fund te artikullit e morrem vesh se kur zhvillohet panairi i Librit, ne fund te prillit, me vjen keq qe nuk ndodhem ne Shqiperi ne ate kohe. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).