Fragmente nga Libri-Katalog “Rievokim”
"Jaffa Port", Jannis Kounellis

Sinori i ëndrrës

…Kisha lindur vërtet në këtë botë dhe isha 22 vjeç. Atdheu quhej i
lavdishëm, por unë kisha dyshuar paksa nën ndikimin e ëndërrimit heretik.
Perandorinë, që kombinonte lirinë e detyruar me punën e detyruar të qytetarit,
e kisha pandehur një makth të trilluar. Mirëpo ky makth më trokiti një ditë
me shumë zemërim, më zgjoi nga pandehmat e më dhuroi të drejtën për të
parë me sy hapur…
Gjuhën e ëndërrimit nuk do ta ngatërroja më me prozën e përditshme
të botës së shndërruar në truall. Për habinë time, sa më thellë që do ta
shkelja këtë truall, aq më qartë do t’i dëgjoja zërat nga lart:

BOTËN NUK TA MERR DOT ASKUSH…Vendin e lindjes nuk je i
lirë ta zgjedhësh vetë, për sa kohë që liritë tradicionale interferojnë me vuajtjet nga dashuria
për troje. Të parët e tu i dhanë këmbës për mijëvjeçarë të tërë, ndalën në truallin që
emërtuan atdhe dhe vazhdojnë të ëndërrojnë për mijëvjeçarë të tjerë. Në këtë garë qëllove
disi dembel, por BOTËN NUK TA MERR DOT ASKUSH. Bota e lirisë fillon
me garën e ëndrrave, ku pjesëza e truallit nderohet për aq sa ofron.

 

1975
Qosheve të kryeqytetit flitej për një periudhë ferri. Salltaneti i këtij ferri
ishte përqendruar në Lagjen e Ndaluar ku vazhdohej të buzëqeshej. Kobrat i
buzëqeshnin njëra-tjetrës dhe rrëshqisnin me elegancë. Për t’u mbushur me
frymë, duhej dalë sa më shpesh në periferi, ku, së paku, bëzëqeshej më
rrallë...
Ndërkohë Çështja Lubonja bënte progres. Përkrahja e kulturës
perëndimore që me përmasat e vitit ’73 kishte marrë trajtat e një kundravajtjeje
të rëndë, tashmë po përmbushte figurën e “krimit”. Përballë “mbretit” apo
“ushtarit” (një trung i tërhequr nga mali në fushë), shahu në Lagjen e Ndaluar 

dukej një lojë mizorisht fatale për çdo lëvizje të gabuar, ndërsa rrugët përqark

vilave sajonin kuadrate-fantazmë…
Gjatë muajve të pranverës, në buzëqeshjet e asaj arene dalloja ëmbëlsinë
që i ofrohet viktimës… Ndërsa në ditët e para të verës, do të dëbohesha
nga kryeqyteti për 15 vjet…

Mbijetesë
Si lëndë e parë i ndesha më 1976, kur një tufë policësh civilë më hynë në
shtëpi për të rrëmuar. Qëndronte brënda normës: babai do të pushkatohej
e do të varrosej pa adresë. Këshilli do të urdhëronte sekuestrime e konfiskime
pasurish. Lugë, pirunj, pantallona… Pikturat e mia shpëtuan pasi shefi me
kobure i gjykoi “të vika dorësh të bësh majmunë”, dhe i la e shkoi. “Këtej
e tutje do punosh thellë nëntokë, atje ku nxirren 20 ton në 8 orë dhe
normalisht merret silikoza” më pat thënë të nesërmen brigadieri.
Thellë nën tokë, shkëmbinjtë ofrojnë pastër pamjen e krijesave të
dhunshme. Mimetizimi i brazdave shkëmbore shumëfishon me lehtësi ato
tipare njerëzore që panteoni i statujave të mermerta nuk i realizoi kurrë…
Mermeri është mburracak, është diktator që thyhet. Statujat e mermerta
thyhen, ndërsa brazdat e gjalla, përmes thyerjes, ditëkan të mbijetojnë.

…Në punë
Kepi Gjon ngrihej si piramidë mbi banesat e punëtorëve. Në faqe të
shkëmbit, thonin se ndodhej një vrimë ku mjalti i bletëve të malit rridhte
lumë. Kurrkush s’kishte arritur dot të ngjitej; ishte i lartë dhe i rrëpirët. Çka
është e ndaluar, është e ndaluar… Në krahun tjetër ja se ç’predikonte filozofia
e thjeshtë e nëntokës:

Gjithkush punon n’fabrik e n’minierë. N’dash me hor buk, s’ka rrugë qetër.
Bakri çan bllokadën. Merr varen e modhe e bje n’at gur, n’e thefsh…Pr’at drit e ke the!

Ene qetrin, vrik, vagjonat dun mush nji m’nji!

Pastaj vazhdohej me pyetje gjithfarësh:
A e ke pa naj her Enverin? Po yt’at ç’mutin desh ma shum?

Aberracioni i lavdisë
Në trojet tanë, për shekuj me radhë ngjarjet mbetën defektorezonancë
e shprehur me shpenzime të kursyera historike. Komunizmi oriental kultivoi
mbi këtë bazë edhe 50 vjet konvencione patetike, ndërsa morali popullor
egalitarian iu ngjit pas kësaj çmendurie në formën e tij brohoritëse. U kultivua
rroftë dhe daulle, aq sa veshët e shtetasit buçasin ende nga ritmet “tru
shplarëse”. Perversioni sadist nuk u kufizua vetëm tek psikologjia e individit,
që, në fakt, nën fasadën e pushtetshme, fshihte esencën e dobsisë së tij.
Perversioni i vërtetë sadist arriti të bëjë karrierë me shtetin, brenda shtetit,
dhe një shtet me anamnezë të shquar për dobësi kronike nuk mund të mos
shquhej edhe për sindromin e një diktature, si ajo që provuam.

Baballarë të pavarrosur∗

U kthyem në kryeqytet për të rifituar komoditetin e vendlindjes dhe
për t’u siguruar që internimi kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ishte
viti 1990. Regjimi diktatorial u përmbys dhe në kryeqytet bashkë me ne
vërshuan jabanxhinjtë, aq shumë jabanxhinj sa nuk ishin parë që prej mbarimit
të luftës…
Në vitet ’40 dhe baballarët tanë patën vërshuar në kryeqytet si jabanxhinj.
Gjyshërit tanë korçarë, shkodranë apo elbasanllinj i patën dërguar djemtë
në perëndim për të studiuar, për t’u diplomuar dhe për t’u kthyer pastaj në
vendlindje, ku do të administronin pronën e trashguar në familje. Mirëpo
gjyshërit nuk e parashikuan mirë historinë. Baballarët tanë, mbasi u kthyen të
diplomuar në atdhe, zgjodhën të luftonin okupatorin, fituan dhe nuk morën
në dorë fatin e pronës familjare. Ata pranuan diktatin e një shteti lindor, iu
futën punës për të krijuar të mirat e pronës kolektive dhe për të ndihmuar
bindjet e tyre, u vendosën përfundimisht në kryeqytet. Kështu rrodhën
ngjarjet, pra, që ne lindëm në Tiranë…
Baballarët tanë iu kushtuan punës për 30 vjet dhe u dënuan me vdekje,
sepse guxuan të përkujdeseshin me ndershmëri për pronën kolektive. Ne
shpresojmë se vendlindja jonë do të kujtohet ndonjëherë për eshtrat e
baballarëve tanë të torturuar. A nuk është e guximshme të pranosh
komoditetin e vendlindjes, pa varrosur më parë eshtrat e baballarëve?
Është viti 2003. Ne jemi në pritje të komoditetit më të domosdoshëm
që vendlindja duhet t’i ofrojë një kryeqytetasi. Shpresojmë se një ditë, ndoshta,
internimi ynë psikologjik do të marrë fund njëherë e përgjithmonë…

*Këtu aludohet për Koço Theodhosin dhe Abdyl Këllëzin, eshtrat e të cilëve ende nuk
dihet se ku ndodhen.

 

Arben Theodhosi lindi në Tiranë më 1953.
Në fillim të viteve ’70, mbasi mbaron Liceun
artistik, në degën e piktures, filloi studimet në
Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, por
goditja e të atit, Koço Theodhosit, në atë kohë
ministër i industrisë, bëri që Arbeni të
përjashtohej dhe së bashku me familjen të
internohej në Kurbnesh të Mirditës. Për 15
vjet, si i internuar, punoi në minierën e bakrit
dhe rikthehet në Tiranë më 1990-ën. Përfundon
studimet e larta dhe i përkushtohet pikturës.
Mbas një periudhe pune në Institutin e
Monumenteve të Kulturës dhe dy vjetësh pune
në galeritë artistike të Athinës, tani Arben
Theodhosi, i rikthyer në Tiranë, është një prej
piktorëve të afirmuar shqiptarë që njihet dhe
në vende të tjera. Arti i tij ka shumë të gjallë
përvojën e punës nëntokë, pra të vuajtjes 15-
vjeçare. Ka botuar librin-katalog “Rievokim”
(2001) dhe është në përfundim të një libri me
reflektime mbi përvojën e tij të jetës, të titulluar
“Komentarët”.

 

2 Komente

Epo, keshtu e kishte ai regjim sociopatik. Po deshte, internim, po s'deshte, litar...

E çuditeshme kjo, mos gjetja akoma e eshtrave te Koço Theodhosit dhe Abdyl Kellezit. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).