Gazetaret u qëlluan nga një oficer policie, patën raportuar nga shumë konflikte në dekadat e fundit

Dy gazetare të agjencisë së lajmeve “Associated Press” (AP) u qëlluan nga një komandant policie në Afganistanin lindor dhe njëra prej tyre mbeti e vrarë në vend.

Anja Niedringhaus vdiq, ndërsa kolegia e saj, Kethi Ganon (Kathy Gannon), mbeti e plagosur. Sulmi ndodhi në qytetin Khost pranë kufirit me Pakistanin. Gazetaret gjendeshin aty për të raportuar mbi zgjedhjet presidenciale të vendit që po zhvillohen sot (të shtunën). Ato po udhëtonin me një karvan të punonjësve të zgjedhjeve që mbroheshin nga forcat e sigurisë së Afganistanit. Misioni i karvanit ishte të dorëzonte materialin zgjedhor në një distrikt në afërsi të Khost.

Ato qenë në makinën e tyre me një përkthyes dhe një gazetar vendas që punonte për AP. Gazetari vendas tha se patën mbërritur në një bazë të mbrojtur rëndë kur ndodhi ngjarja. Ndërsa ato po prisnin në sediljen e pasme që karvani të nisej, një komandant njësie bërtiti “Allahu Akbar” (Zoti është i Madh) dhe hapi zjarr ndaj tyre.

Atentatori u dorëzua menjëherë dhe u arrestua. Anja Niedringhaus, 48 vjeç, një fotogazetare gjermane, ishte pjesë e skuadrës që fitoi çmimin “Pulitzer” për raportimin nga lufta e Irakut. Kethi Ganon, 60 vjeç, e lindur në Kanada, është shefja e byrosë së AP për Afganistanin prej shumë vitesh dhe korrespondente speciale për rajonin. Ajo u godit nga dy plumba. Ganon iu nënshtrua operacionit dhe raportohet se është në gjendje të stabilizuar.

“Anja dhe Kethi së bashku kanë kaluar shumë vite në Afganistan duke raportuar nga njerëzit dhe konflikti atje”, tha shefja ekzekutive e AP, Ketlin Keroll (Kathleen Carroll). “Anja ishte një gazetare e gjallë dhe dinamike shumë e dashur për fotografitë e saj, zemrën e ngrohtë dhe gëzimin për jetën. Ne jemi në zi për humbjen e saj.”

Edhe Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, shprehu hidhërimin e vet për ngjarjen dhe premtoi hetim të plotë. Ministria e Brendshme e Afganistanit tha se oficeri që qëlloi gratë komandonte një njësi të policisë, e cila ka qenë nën sulme me mortaja prej 48 orësh nga kryengritësit përgjatë kufirit me Pakistanin.

Ai mund të ketë qëlluar gabimisht, duke menduar se makina kishte kryengritës, pasi policia nuk kishte dijeni se gazetarët po udhëtonin në zonë.

Rajoni ku ndodhi ngjarja gjendet në kufi me krahinën e Uaziristanit, një zonë e Pakistanit me aktivitet të dendur kryengritës.

Dhuna është rritur në të gjithë Afganistanin gjatë kohëve të fundit dhe gazetarët e huaj kanë qenë nën shënjestër.

Një reporter i lartë i agjencisë franceze të lajmeve AFP, Sardar Ahmad, u vra bashkë me tetë njerëz të tjerë, kur një taleban hapi zjarr ndaj një hoteli në Kabul më 21 mars. Më 11 mars, një gazetar me nënshtetësi të dyfishtë suedeze dhe britanike, Nils Horner, u qëllua dhe u vra në Kabul.

Aktualisht Afganistani ka ndërmarrë operacionin më të madh të sigurisë, që nga rënia e talebanëve një dekadë më parë, duke nxjerrë në terren gati 200 mijë trupa.

Për zgjedhje konkurrojnë tetë kandidatë. Presidenti aktual, Hamid Karzai, nuk mund të kandidojë, pasi ka ezauruar tashmë dy mandate. Nëse nuk do të ketë fitues në raundin e parë, do të zhvillohet balotazhi.

2 Komente

një komandant njësie bërtiti “Allahu Akbar” (Zoti është i Madh) dhe hapi zjarr ndaj tyre.

ministria e brendshme  thote:

Ai mund të ketë qëlluar gabimisht, duke menduar se makina kishte kryengritës, pasi policia nuk kishte dijeni se gazetarët po udhëtonin në zonë.

Pjesa e Afganistanit ngjitur me Pakistanin, eshte nje nga zonat me te egra, ku ligjin e ben kallashnikovi ne duart e njerzeve te papergjegjeshem dhe te prapambetur. Tani qe ushtria amerikane po tkurret dhe shum trupa po largohen nga Afganistani, kam pershtypjen se talibanet do rigrumbullohen. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).