SHBA-ja? Dje ka qenë më kriminale se Japonia, sot është më e rrezikshme se Kina. Alarmi ndaj së cilës është një përrallë. Flet Noam Chomsky, intelektuali “anti” dhe guruja i të majtës amerikane e asaj botërore.

Nga NGA PIO D’EMILIA, l’Espresso

Përpara tij janë vetëm Aristoteli, Marksi, Shekspiri dhe pak të tjerë. Pastaj në klasifikimin e intelektualëve më të cituar vjen ai, Noam Chomsky, profesor emeritus i filozofisë dhe linguistikës pranë prestigjiozes MIT (Massachusetts Institute of Technology). Gjithmonë “ndërgjegja kritike” e politikës amerikane, Chomsky vazhdon të mësojë, shkruajë dhe udhëtojë nëpër botë, a thua se ka veç gjysmën e 85 viteve të tij. E takuam në Tokio, ku ishte ftuar për një seri konferencash në të cilat, si gjithmonë, vendet e të pranishmëve ishin prenotuar prej kohësh. Titulli i konferencës: “Kapitalizmi dhe demokracia: perspektivat e mbijetesës”. Që janë të pakta, sipas Chomsky-t. 

-Çfarë ju solli në Japoni, profesor?

Jam interesuar për Japoninë që në vitet 30-të. Kur isha adoleshent, kam lexuar për krimet japoneze në Mançuri dhe Kinë. Më acaronte dallimi i trajtimit që u bëhej japonezëve në shtypin tonë, krahasuar me nazistët. Të dy përshkruheshin si të ligj, padyshim, por nazistët mebeteshin gjithnjë arianë, pra të gjatë, bjondë, “njerëzorë” me fjalë të tjera. Ndërsa japonezët ishin majmunë, madje më keq: Krimba, milingona që duhen shtypur. Do të thosha se standardi i dyfishtë vazhdoi për shumë kohë: Të gjithë i kërkojnë Japonisë të kërkojë ndjesë, dhe me të drejtë; por askush nuk flet për krimet tona të luftës. Bombat ndezëse që rrafshuan Tokion ishin më keq se ato të Drezdenit, dhe shkaktuan shumë më tepër viktima sesa në Hiroshima e Nagasaki, për të cilat ende asnjë president amerikan nuk ka kërkuar falje. Por edhe Japonia ka një të shkuar që rëndon ende mbi fqinjët e saj, një e shkuar që vazhdon të manipulohet, “zvogëlohet”, madje edhe mohohet. Fjala vjen, roli i ushtrisë dhe shtetit në detyrimin e mijëra femrave koreane, kineze e kombësive të tjera të prostituojnë për “të shplodhur trupat në front”. 

-Drejt. Por si i thonë fjalës, çdo vend ka anët e tij të errëta. Në Itali, pak vetë e dinë psh, se kemi qenë ne të parët që përdorëm në një luftë armët bakteriologjike dhe gazin. 

Shumë e vërtetë. Vetëm se një gjë është injoranca, mungesa e kësaj të dhëne në tekstet shkollore, dhe tjetër gjë është mohimi. Ta them ndryshe: Nëse në Gjermani shkon në burg po mohove holokaustin, në Japoni, po mohove masakrën e Nankinit (kryeqyteti kinez i 1937-ës që u pushtua nga japonezët duke shkaktuar 300 mijë viktima, mes tyre mijëra gra e fëmijë të masakruar), rrezikon të bëhesh kryeministër…

-Është fakt që gjithnjë e më shumë njerëz besojnë se po shtohet mundësia e një konflikti global, teksa po përjetohet rënia e fuqisë dhe ndikimit amerikan, dhe ngritja e një superfuqie si Kina. A është Kina një kërcënim?

Para së gjithash, nuk besoj tek rënia e superfuqisë amerikane. Shtetet e Bashkuara e kanë zënë këtë vend pas luftës, dhe që atëherë e ruajnë me dhunë dhe arrogancë të pandalshme. Le ta lëmë për një çast situatën këtu në Lindje, ku SHBA shpreh “shqetësimin” për faktin që Kina kërkon të përforcojë ndikimin e vet në ujërat rrotull saj dhe jo në Karaibe apo në Kaliforni; por a jemi të ndërgjegjshëm për çka po ndodh në Kirme?

-Kjo ishte pyetja ime e radhës…

Ja pra, ju paskam lexuar mendimet. Këto ditë po lexoj editoriale të fantaksura, si të Luftës së Ftohtë. Gjëra të pabesueshme. Po si mund të krahasohet veprimi i Putinit në Krime sot, me Hungarinë, Çekosllovakinë, Afganistanin. As Xhorxh Oruelli nuk do ta kishte imagjinuar një mekanizëm të tillë të “mendimit uniform”. Si mund të shkruhen këto gjëra? Si mundet Perëndimi, që ka sulmuar dhe pushtuar Irakun, bombarduar Afganistanin, asistuar duarkryq (në mos e ka provokuar) shpërbërjen e Jugosllavisë, të protestojë dhe indinjohet, madje të ndërmarrë sanksione kundër Rusisë për ngjarjet e Krimesë, ku nuk rezulton të jenë kryer as masakra, as spastrime etnike, madje as akte dhune? Unë pyes veten përse vazhdojmë ta konsiderojmë krejt globin si territorin tonë, sikur paskemi të drejtën, pothuajse “detyrën” të kontrollojmë e modifikojmë zhvillimet sipas interesave tona.

-Por rritja e vazhdueshme e shpenzimeve ushtarake kineze; tentativat për të filluar hapjen e bazave ushtarake jashtë vendit, për shembull në Zimbabve…

Të mos bëjmë shaka. Përtej historisë së bazës ushtarake kineze në Zimbabve, që më duket një përrallë; por edhe sikur të jetë e vërtetë, çfarë do të ndryshonte? Një kundër njëmijë? Kina nuk ka asnjë bazë ushtarake nëpër botë, nuk pretendon të imponojë modelin e vet social-ekonomik tek askush, e mbi të gjitha, përveç një cic-mici me Vietnamin në kohën e Ten Hsiao Pinit, nuk më rezulton të ketë pushtuar askënd. Sa për shpenzimet ushtarake, sado që të rriten, nuk kanë të krahasuar fare me ato të Shteteve të Bashkuara. Shpenzimet tona ushtarake janë të barazvlefshme, pak a shumë, me ato të gjithë pjesës tjetër të botës. Pa harruar pastaj, që SHBA ka aleatë gjithandej nëpër botë, nga Europa në Japoni, ndërsa Kina është vetëm. Pra, të krahasosh fuqinë ushtarake të SHBA-së me Kinën, nuk ka sens. Siç nuk kishte sens krahasimi me BRSS-në në kohën e vet. 

-Megjithatë, bota ka frikë nga Kina.

As mos e ço nëpër mend. Këto janë fiksimet e zakonshme perëndimore, të amplifikuara nga një shtyp i robëruar prej sensacionalizmit e që është i aftë veç të ushqejë stereotipe, në vend që të studiojë e deshifrojë realitetet konkrete. E megjithatë, të dhënat ekzistojnë. Së fundmi kam lexuar rezultatet e një sondazhi të zhvilluar në Europë, një anketim publik që e ka cituar edhe BBC. Njëra prej pyetjeve ishte se cili vend perceptohet si rreziku më i madh për paqen.

-Më lini ta gjej: Ishte SHBA-ja?

Po, por me një shkëputje gjigande, mbi 70%. Në vend të dytë ishte Pakistani, pastaj India, dhe në fund Kina me 10%. Europianët janë ekspertë luftrash, dhe dinë të dallojnë një kërcënim qesharak nga një i vërtetë. Sa për shkatërrime e pushtime, jeni të vetmit…

-Më zutë mat. Por le t’i kthehemi Lindjes. Si e shikoni çështjen koreane? A ka ndonjë shpresë që Obama të çojë përpara atë që Bill Klinton arriti të inciojë, pra një negociatë serioze dypalëshe me synim final firmosjen e traktatit të paqes?

Bëtë mirë që kujtuat për çfarë periudhe flasim: Ishte viti 1994, u arrit një marrëveshje dhe sekretarja e Shtetit asokohe, Madlin Ollbrajt, shkoi në Phenian ku u prit me respekt dhe seriozitet. Flitej madje për një takim të afërm mes Klintonit dhe liderit Kim Jong Il. Por pastaj Klinton u përqëndrua tek paqja në Lindjen e Mesme, bisedimet e zgjatura në Kamp Dejvid që shkuan keq, dhe dosja koreane mbeti në sirtar. Pastaj erdhi presidenti Bush, dhe e dimë si rrodhën ngjarjet. Le të jetë e qartë, kanë qenë Shtetet e Bashkuara ato që thyen marrëveshjet dhe provokuan rendjen drejt teknologjisë bërthamore të koreanoveriorëve. Kur erdhi Bushi në pushtet, Pheniani nuk i kishte predhat bërthamore. Sot thuhet se ka tetë syresh. Këto janë faktet. Por nëse lexon analizat e shtypit të gjithë botës, apo po të pyesësh rrotull se cilët janë përgjegjësit, të thonë se “të ligjtë” janë vetëm koreanoveriorët e askush tjetër. Mënyrë e çuditshme e rrëfimit të historisë.

-Një sugjerim për Obamën, nëse do të donte të mbetej në histori për diçka më shumë sesa miratimi i reformës shëndetësore?

Të ristartojë dhe të përqëndrohet personalisht tek bisedimet direkte, e ndërkohë të nxisë Korenë e Jugut t’i rikthehet politikës së ashtuquajtur “sunshine policy”, të dialogut dhe hapjes ndaj Veriut, përmes shkëmbimeve kulturore e ekonomike. Dhe të paktën të pushojë së kryeri, dy herë në vit, stërvitje masive të përbashkëta ushtarake nën hundën e Phenianit. Madje këtë vit simuluan edhe një “bombardim parandalues” në veri të kufirit. Sa i çmendur duhet të jesh për të shpikur diçka të tillë? A e keni idenë se çfarë kanë provokuar, gjatë luftës së Koresë, bombardimet amerikane? Veriu u rrafshua gjer në rrëzë, dhe në shumë raste u përdorën bomba speciale dhe armë kimike, me “receta” të ofruara nga kriminelët japonezë të luftës që i kishin studiuar dhe prodhuar në Kinë, e që për këtë “bashkëpunim” u liruan nga akuzat dhe u integruan në shoqëri: Disa u bënë edhe ministra…

-Profesor, le ta zgjerojmë bisedën. Dikur Çërçilli tha se demokracia nuk është sistemi perfekt, por më i miri që njihet. Por ja që “demokracia”, ka shprehur përmes votës dhe zgjedhjeve të lira, produkte si Berluskoni në Itali apo Thaksin Shinavatra në Tajlandë. A është koha të kërkojmë një sistem “më demokratik” të demokracisë?

Problemi nuk është demokracia. Problemi është se çfarë kemi bërë me të. Demokracia nuk është një fjalë boshe. Nënkupton disa gjëra. Për shembull, nënkupton që punëtorët duhet t’i menaxhojnë vetë fabrikat e tyre. Po citoj një ikonë të liberalizmit klasik, Xhon Stuart Mill, që padyshim nuk ishte bolshevik. Demokraci do të thotë të drejta njerëzore dhe përmirësime sociale. Nuk do të thotë, siç ndodh sot në Europë, që qytetarëve europianë t’iu kufizohen e madje anullohen të drejtat e shenjta, të arritura me vite e vite të tëra betejash shoqërore, dhe ata t’u nënshtrohen diktateve të Brukselit dhe Bundesbankut. Ju përmendët Berluskonin, që sigurisht nuk përbën një faqe të ndritur të historisë suaj. Po kush e zgjodhi Mario Montin? Po Mateo Rencin? Bundesbanku. Kjo nuk është demokraci. Lexoja ca ditë më parë një editorial interesant të Wall Street Journal, një gazetë aspak “subversive”. Aty shkruhej, mendoj me të drejtë, se tashmë nuk bëhet më fjalë për politikë dhe parti të së majtës apo të djathtës, aq më pak për të qendrës së majtë apo të djathtë. Cilado qeveri që “zgjidhet” në Europë, është pak a shumë e detyruar të lëvizë brenda kafazit të imponuar nga Brukseli. Mendoni se çfarë i ndodhi Papandreut, kryeministrit socialist grek që për ndonjë muaj provoi të sfidojë Brukselin. Vetëm për faktin se deklaroi që do ta hidhte në referendum politikën e masave shtrënguese, Papandreu u kryqëzua, dhe de fakto u përjashtua nga skenari politik europian.

-Duke u kthyer tek Japonia: Ç’mendoni për çështjen bërthamore? Tre vjet pas Fukushimës, qeveria duket se kërkon t’i rindezë reaktorët… 

Eh, nuk është kaq e thjeshtë. Të flasësh për rindezje reaktorësh në një vend që ende po përjeton emergjencën e provokuar nga incidenti i Fukushimës, e kuptoj që është problematike. Por edhe shtimi i karburanteve fosile ka risqet e veta. Është në lojë shkatërrimi mjedisor, dhe kjo është serioze. Gjëja më e mirë është të përqëndrohemi me të gjitha burimet njerëzoe, financiare e teknologjike, tek energjitë alternative, siç po vepron Gjermania. 

-Një pyetje e fundit, lidhur me specializimin tuaj të parë, linguistikën. Çfarë gjuhe duhet t’u mësojmë fëmijëve e nipërve tanë? Të vazhdojmë me anglishten, apo të kalojmë tek kinezçja?

Po më pyesni se kush do ta udhëheqë botën në të ardhmen e afërm, drejt? Shtetet e Bashkuara. Kina jo vetëm që nuk është një kërcënim ushtarak e aq më pak politik, por nuk është as superfuqi ekonomike. Rritja e saj e jashtëzakonshme varet akoma nga teknologjia e huaj: Japonia, Korea, Tajvani, SHBA-ja dhe Europa. Vendi po rritet dhe do të vazhdojë kështu, por të shpresojmë se ndërkohë do t’i rikthehet rritjes edhe Perëndimi. Sa për gjuhën, për ca si ne amerikanët, kinezçja është e vlefshme. Por për gjithë të tjerët besoj se mësimi i anglishtes, edhe për ca kohë do të jetë prioritar. Por ky është thjesht mendimi im, dhe siç e dini mirë, unë prej 80 vjetësh kam qenë dhe jam në anën e gabuar! 

Gjuhëtari në luftë

Deri në kohën e luftës së Vietnamit, Noam Chomsky ishte thjesht një gjuhëtar- paçka se një linguist gjenial. I lindur në Filadelfia më 1928-ën nga prindër hebrenj rusë, konsiderohet babai i linguistikës moderne falë studimeve të tij mbi “gramatikën gjenerative”, e cila kërkon të identifikojë strukturat e brendshme të gjuhës natyrale, pavarësisht nga karakteristikat e gjuhëve të veçanta. 

Nga vitet 60-të, ky profesor i lingustikës në MIT u shndërrua në një guru të së majtës amerikane e botërore, një prej kritikëve më të mprehtë të politikës së jashtme amerikane. Konferencier dhe polemist i palodhur, nuk e humbet rastin për t’iu kundërvënë kapitalizmit, neoliberalizmit, superfuqisë së masmedias në përgjithësi dhe asaj të kontrolluar amerikane në veçanti, përgjegjëse për krijimin e një “fabrike të konsensusit” që manipulon realitetin në shërbim të qeverisë së SHBA-së. 

6 Komente

-Një pyetje e fundit, lidhur me specializimin tuaj të parë, linguistikën. Çfarë gjuhe duhet t’u mësojmë fëmijëve e nipërve tanë? Të vazhdojmë me anglishten, apo të kalojmë tek kinezçja?

Ne 12 pyetje qe ju drejtuan gjuhetarit, kjo ishte e vetmja pyetje, qe niset me premisen per ta kerkuar pergjigjen nga gjuhetari dhe nuk i reziston tundimit per tu  kthyer perseri ne nje pyetje per anarko-politikanin.

Guru?

Po, por i kujt?

Se Chomsky gjuhetar ka vdek me kohe, ky qe bredh nga kontineti ne kontinent eshte Chomsky anarko-politikan.

Problemi i gjuhes eshte me teper se problem politik, eshte problem providencial, qe del sheshit ne kete rast te diskutuar "cila gjuhe do te kete prioritetin ne te ardhmen?".

Dhe nga kjo pikpamje, Chomsky me pergjigjen e dhene del qe ne thelb nuk eshte nje anarkist, por nje imperialist amerikan qe hedh neper gjithe planetin bomba ekologjike te mbushura me eshenshell nr.1, nr.2, nr.3, nr. 4.

Dmth qe eshte e veshtire te mohohet gjuha qe te kane kenduar ne djep duke zgjat doçkat drejt lodres: xhingell be, xhingell be, o rue o rue, o he o he o he ...

 

Chomsky guruja i te majtes botrore? smiley

E mer se duhet dhe nje per te marre syun e keq.smiley

Heretik i nderuar si gjithnje ( me pak perjashtime smiley qellon ne shenje . Mire a keq , e gjen nje verige nga prurja.Po si ibehet me vandaket e " syrit te keq " qe do gjejne nje sebep te lene nje sigel .."Jom ne un ktuna "

një prej kritikëve më të mprehtë të politikës së jashtme amerikane...

Une kete vleresova se pergjigjet jane te tijat .Por qe perputhet me Kohen duket nga vleresimi 

Problemi nuk është demokracia. Problemi është se çfarë kemi bërë me të. Demokracia nuk është një fjalë boshe. Nënkupton disa gjëra. Për shembull, nënkupton që punëtorët duhet t’i menaxhojnë vetë fabrikat e tyre. Po citoj një ikonë të liberalizmit klasik, Xhon Stuart Mill, që padyshim nuk ishte bolshevik. Demokraci do të thotë të drejta njerëzore dhe përmirësime sociale.....

Dhe poshte saj ca mesime per filloristet , euforike e Llafazane Mitingjesh tane qe e kane Kuptuar " Se Miraklliu i Fridomiut zotrie . Na kem Feisin e Bukit plot fendsa" dhe si zakonisht kane analiza te thella me perfundime demokratike per gjithe Popullin

Poshte Komunizmi .Tahiri ka dashnore ! Duam paret tona ! Pse u ndrua me grusht !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).