“Nuk ka gjë më të bukur se kujtimi për të/ Që mbledh dritën si bën gota/ Si bën gota kur i zbret dielli i mbrëmjes/ dhe errësira ende mijëra kilometra larg…”. Këto janë disa vargje nga poema “Ditari i Vitit të Buallit, shkruar nga poeti i njohur amerikan Charles Wright, përkthyer në shqip nga Gentian Çoçoli. E shkruar në dhjetor të vitit 1985, Wright ka futur në këtë poemë gjithë shqisat e tij, për të rrëfyer filozofinë e gjërave të thjeshta në jetë, të një burri i cili sapo i kishte kaluar të 50-at. Tashmë përvojat personale u ngjanin librave poetikë që kishte lexuar në rininë e hershme, dhe i tregonin qartas të ardhmen. Charles Wright e ka fshehur gjithnjë jetën e tij nëpërmjet vargjeve, duke vendosur pas çdo rreshti një skenë të jetuar dikur. “Kushdo do të donte që vepra e tij të tërhiqte vëmendjen e të tjerëve, por unë e urrej vëmendjen personale. Unë thjesht dua që gjithkush të lexojë poezi. Dua që poezitë e mia të jenë në vëmendjen e së gjithë botës, por unë vetë të mbetem një anëtar anonim…”, shprehet ai.

Një burrë i gjatë, veshur me këmisha të bardha, Charles dukej nga larg teksa futej në kafenenë pranë Universitetit, për të porositur çaj. Kjo ndodhte paraditeve, kur pas mbrëmjeve të zhurmshme shoqëruar me alkool, ai duhet t’u shpjegonte të rinjve letërsinë amerikane. Ai besonte te thënia e Bukovskit, se “letërsia e madhe nuk mund të bëhet pa pak alkool”. Vetmia është ushqimi më i mirë i poezisë, dhe Charles e ndjeu këtë që në kohën e hershme kur endej në leximin e librave në Bibliotekën e Universitetit. I vlerësuar si një ndër poetët më të talentuar amerikanë të brezit të tij, Charles Wright lindi në vitin 1935 në Pickwick Dam, Tennessee. Wright studioi në Davidson Collage dhe më vonë ndoqi kursin e poezisë pranë Universitetit shtetëror të Iowa-s. Për katër vite, ka shërbyer në ushtrinë amerikane pranë bazave të saj në Itali dhe pikërisht në këto kohë, ai filloi leximet e thelluara të poezisë bashkëkohore, si dhe të shkruante poezitë e veta. Vepra e tij e parë e rëndësishme është “Varri i dorës së djathtë”, 1970, libër i cili u prit shumë mirë nga kritika e kohës dhe do të printe një sukses të pandërprerë, libër pas libri të këtij poeti. Më pas ai botoi libra të tjerë, si “Ana tjetër e lumit” (1984), “Chickamagua”(1995), “Apalashet” (1998), “Histori e shkurtër e hijes” (2002) dhe “Këmbëvogli” (2009). Kritiku David Young e përshkruan veprën tërësore të Wright “një prej krijimeve më të mira përgjatë gjysmës së dytë të shekullit XX në poezinë amerikane”.

Për shumë kritikë fëmijëria në hapësirat rurale të Tennessee, ka një rol vital në formimin dhe temat e veta poetike të Charles. Megjithatë, hapësira poetike e poezive të këtij poeti, shpesh e kapërcen horizontin e vendlindjes me rrënjët në jug dhe shtrihet deri në peizazhet e Italisë e sërish prapa deri në rrafshinat e Virginias. Poezitë e tij kërkojnë idealen dhe janë një alkimi e habitshme, një mësymje e drejtpërdrejtë e nëndheshme, e lirikës që të shpie pas tek gjuha e Hopkins. Ezra Pound është influenca më e hershme dhe e fuqishme që e has shpesh në librat e parë të Wright. Pas librit të parë, Wright do të gjejë zërin e vet poetik, zë që dalëngadalë do ta shquajë, mes poetëve të brezit të tij. Tashmë influenca e Paund fillon të venitet dhe del në pah një ton më eksperimental dhe po ashtu shfaqet një tipar tjetër i poetit, bashkimi i fragmenteve të imazheve nga më të ndryshmit, duke ftuar kështu lexuesin për një pjesëmarrje aktive në procesin krijues. Edhe kur qëllon që këto bashkime fragmentesh nuk krijojnë efekte të suksesshme, ato janë të begata në aludimet dhe nuancat lirike dhe manifestojnë fuqishëm prirjen e Wright për ta shpënë poezinë drejt “një përfundimi vetjak”. Gjithë përvojat e tij të shkuara, ëndrrat, momentet e lutjeve, çastet erotike, apo kujtimet e një gruaje bashkohen në një dritë që vjen natyrshëm në vargjet e poetit.

 Ai duket sikur është gjithnjë në kërkim të formave poetike. “Poezia ime fillon me atë që shoh sesa me ndonjë ide që mund të kem në mëndje: është ideja ajo që ndjek atë që kam parë dhe shoh dhe jo e kundërta”, thotë ai. Kritiku David Baker vëren se “tek poezitë e Wright nuk ndodh asgjë. Ky është boshti apo qendra e secilës poezi dhe në këtë mungesë, vendin qendror e zë meditimi, evoluimi i tij drejt përfundimit linear, dramatik”. Një tjetër tipar i rëndësishëm i krijimtarisë së tij, është ndërlidhja e poezive me njëra-tjetrën, si brenda një libri ashtu edhe në opusin tërësor të krijimtarisë prej poezisë së parë e deri tek më e reja e botuar. Në këtë pikëpamje preokupimi i tij poetik është i ngjashëm vetëm me Wallance Steven-in dhe me asnjë poet tjetër amerikan bashkëkohor. Sipas natyrës së secilit libër, Wright i ka mbledhur ata në tri përmbledhje, përkatësisht “Muzikë Country”, “Bota e dhjetëmijë gjërave” dhe “Blu negative”, të cilat edhe ato vetë përmblidhen në një titull të vetëm: “Libri Apalshian i të Vdekurve”. Ky është projekti më ambicioz i kohës, gati-gati, dantesk, i cilësuar nga kritika si një prej krijimtarive madhore të poezisë amerikane të shekullit XX, e në vijim.

Por ambicia e Wright nuk ndalet pas përmbylljes së një krijimtarie të vështirë dhe aq të strukturuar si përmbledhja “Libri Apalazhian i të vdekurve”, pasi ai ka botuar edhe tre libra të tjerë ku të njëjtat veti të artit dhe synimeve metafizike vijojnë shtyhen edhe më tej, duke e lënë gati-gati të vetëm ndër poetët bashkëkohorë në këto preokupime që te brezat më të rinj të poetëve as nuk mendohen. Krijimtaria e tij ka marrë vlerësime si çmimin “Pulitzier”, Çmimin Ndërkombëtar Griffin, Çmimin Kombëtar të Librit dhe Çmimin Kombëtar të Rrethit të Kritikës, Çmimin Ruth Lilly Poetry Prize. Ai është zgjedhur Kancelar i Akademisë së Poetëve të Amerikës dhe Sounder Family, profesor i letërsisë Amerikane në Universitetin e Virginias, post që ai e mbajti për afro 30 vjet dhe tashmë sapo është tërhequr.

Përkthimi ka qenë një tjetër gjini ku Charles është ndalur gjatë karrierës së tij. Ai ka përkthyer në anglisht Montalen, duke e sjellë atë ashtu të errët e plot tinguj. Përkthimi sipas tij, i ka mësuar shumë gjëra. “E ndjej se kam mësuar… si ta lëviz një rresht, si ta kaloj një imazh nga një nivel në një tjetër. Si të krijoj ura imagjinare mes imazheve dhe strofave dhe pastaj si t’i ndërlidh mes tyre, si t’i bëj ata realë, imazh për imazh, bllok vargjesh për bllok vargjesh…”, thotë ai. Charles Wright është poeti i gjendjeve. Ai i fsheh historitë, duke dashur të mos identifikojë personazhet, ashtu si në jetën reale, e në të njëjtën kohë i zbulon ata në mënyrë të përsosur…

 

3 Komente

“Nuk ka gjë më të bukur se kujtimi për të/ Që mbledh dritën si bën gota/ Si bën gota kur i zbret dielli i mbrëmjes/ dhe errësira ende mijëra kilometra larg…

Ndoshta prej perkthimit, po imazhi ketu eshte shume i zbehte dhe pa fuqi. 

Shkrimi informativ por i merzitshem. 

Çfarë dini ju Av nga struktura e një biografie të përmbëdhelur të një shkrimtari? Pse hiqesh (me siguri pa e lexuar) sikur shkrimit i mungon diçka jetësore, mungesë që ty ta paska bërë të mërzitshme? Po sikur t'ju them hirësia juaj letrare se ky është versioni zyrtar i biografit të tij!?

Do pergjigjesha edhe pse s'te kam ndonje borxh per tonin e perdorur, por shoh qe s'paska mbetur gje per mua. Vete i paskeni bere pyetjet, pergjigjet dhe konkluzionet.

E merzitshmja nuk ka atdhe. Aq me keq dmth nese ky qenka versioni zyrtar.

Me te mira.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).