Nuk kish ndodhur që libri të shtinte në ngasje kaq shumë politikanë sa në Festivalin e Librit dhe Artit Pamor. Vëmendja e shtetit ishte gjithashtu për t’u admiruar. Megjithëse kjo ngjarje kulturore nuk arriti të konkurronte në numër vizitorësh Panairin tradicional të vjeshtës, e arriti me vizitorët ministra dhe deputetë (të majtë, që të kuptohemi).

Këta të fundit ishin dhe blerësit më të mëdhenj të librave. Dikush mund të thotë se, meqë ishin deputetë i merrnin librat falas. Jo në fakt, i blinin edhe pse do gëzonin si fëmijë nëse ndonjë botues do tregohej zemërgjerë dhe t’ua dhuronte, siç më pohoi njëri prej tyre kur e pyeta. Jo vetëm për shkak të hyrje-daljeve të shumë politikanëve gjatë dhe pas Festivalit  nisi të artikulohej pyetja: A ishte ky një aktivitet politik më shumë sesa kulturor? Ardhja e Kryeministrit dy herë në dy ditë e përligji dyshimin. Madje nën zë thuhej se kishte qenë vetë Rama që kishte ideuar ekspozitën e paMur-it para se të nisej në Vatikan. Se çfarë roli do të luante shteti në organizimin e këtij festivali u la të kuptohej me mbështetjen financiare që i dha Ministria e Kulturës këtij eventi dhe refuzimin për të vepruar njësoj me Panairin e Librit të Tiranës.

Por le të kthehemi te pyetja e fillimit: Ishte apo jo aktivitet politik Festivali i Librit dhe Artit Pamor? Për Shoqatën e Botuesve Shqiptarë kjo nuk ka pikë dyshimi. Vetëm pak orë pas mbylljes së Festivalit të Librit, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, që drejtohet nga Petrit Ymeri, doli në një deklaratë për shtyp. “Të dielën në mbrëmje u ulën çarçafët e bardhë e të baltosur në Muzeun Kombëtar, të Festivalit të Librit e të Artit, që për disa ditë u bë streha e qeverisë së kulturës Kumbaro-Dudaj. Për fatin e keq të dashamirësve të paktë që besonin që ky do ishte një akt kulturor, ky ishte një aktivitet arrogant, banal e kokëfortë i shtetit. Ky aktivitet u drejtua nga shteti, u menaxhua nga shteti dhe u pagua nga shteti. Është e palejueshme që Ministria e Kulturës e ka konsideruar këtë aktivitet si prioritetin e saj, duke u marrë intensivisht me organizimin dhe menaxhimin e tij, që normalisht duhet të jetë i një shoqate librore, dhe jo shoqatë e shtetit. Duhet të bëjmë të qartë që Ministria e Kulturës, me arrogancën e saj të sëmurë, nuk e kupton që shteti nuk duhet të merret me veprimtaritë e shoqatave joqeveritare, duke i klasifikuar ato në shoqata proqeveritare ose antiqeveritare! Ministria e Kulturës stimulon dhe mbështet OJF që i konsideron proqeveritare dhe lufton haptazi me pretekste qesharake, shoqatat apo individët që nuk i vinë pas avazit. Besoj e kuptojnë të gjithë pse-në e abuzivizmit shtetëror të MK dhe qëndrimet kundërvënëse ndaj Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Jemi duke pritur të bëhen publike fondet që janë shpenzuar nga shteti për këtë aktivitet”.

Arlinda Dudaj, kryetare e Shoqërisë së Librit Shqip, organizatore e Festivalit të Librit dhe Artit Pamor, mendon se ky aktivitet e kreu misionin ndaj publikut në mënyrën më të mirë të mundshme. Sipas saj, Festivali ishte një risi në një moment boshllëku në sferën e kulturës në kryeqytet. Po si e komenton Dudaj etiketimin si ‘Festivali i shtetit’.

“Absolutisht jo, e kam të qartë që kjo u fabrikua si e tillë nga disa njerëz të caktuar, që çfarë nuk bënë për ta penguar këtë aktivitet. Njerëz që gjithë këto vite kanë pasur monopolin e një panairi të vetëm, që zhduknin fondet pa i dhënë kujt llogari, e sot bërtasin për gjoja politizim. Në këtë Festival ka qenë i ftuar çdo botues, e kam thënë mëse një herë, çdo botues që boton në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Kjo ndarje që bëhet sot është shumë e qëllimshme, dhe unë gjej rastin ta theksoj, nuk ka botues të majtë e të djathtë, bindjet janë personale, e në këtë festival nuk është bërë një ndarje e tille, që mbjell vetëm një përçarje të kotë e të panevojshme”. Megjithatë, Dudaj bie dakord në atë se Ministria e Kulturës me politikat e saj duhet të mbështesë sa më shumë aktivitete për librin. Sipas saj, këto politika që nxisin leximin, kontaktet e librit me lexuesin, me autorët, shfaqjen e artistëve të rinj, në fund të fundit dhe të afrojnë rininë te kultura duke mbështetur veprimtari të tilla, tregojnë që gjërat po ndryshojnë e efektet pozitive do të ndihen në kohë.

-------------

A ishte aktivitet politik festivali i librit?

- Agron Gjekmarkaj dhe Iris Luarasi përballen me argumentet e tyre

 

Agron Gjekmarkaj:

Vendi ynë, fatkeqësisht nuk i ka të shumta aktivitetet kulturore dhe kur ato bëhen, mendoj se duhet të jenë të mirëpritura. Do të ishte bukur në qoftë se do të kishim shumë panaire apo festivale siç e quajtën këtë të fundit, ndoshta edhe për faktin se janë të pakët, shikohen me lupë. Debati i brendshëm ndërmjet shoqatave nuk më intereson dhe shqetëson se kjo është një histori që përsëritet, por edhe shteti përsërit vetveten. Veç asaj që u duk, një gjallërim i qendrës së Tiranës dhe një mundësi më tepër për të blerë libra, ajo që duhet parë është efikasiteti, ligjshmëria dhe transparenca e fondeve që jepen për të tilla aktivitete. Ky është detyrim ligjor dhe etik ndaj taksapaguesit pa paragjykuar askënd. Si pedagog i Fakultetit të Histori-Filologjisë, institucion që prej shtatë vitesh organizon më 23 prill Ditën Botërore të Librit, një panair për të cilin është i patentuar nga Instituti i Markave dhe Patentave, u ndjemë të konkuruar në mënyrë të shproporcionuar pse jo dhe të sfiduar. Ne i përkushtohemi shumë asaj dite dhe atij panairi, dhe jo pa sakrifica ia kemi dalë të kemi sukses në brendi me konferencat tona dhe promovimet e botimeve të ndryshme por edhe së jashtmi me tezgat e panairit në mes studentëve. Ministrja Kumbaro, të cilën e çmoj dhe e përsëris me ëndje këtë mendim, e di këtë gjë se vitet e mëparshme si kolege ka qenë krah nesh dhe pritshmëria jonë së paku ka qenë të mos ketë mbivendosje të tilla, sepse botuesit nxituan të shkonin te festivali që në sabah për të qenë hazer në darkë, pra i përqendruan forcat atje, duke lënë në hije një aktivitet me traditë 7-vjeçare e duke zhgënjyer pritshmërinë e studentëve tanë. Unë jam i mendimit se Festivali mund të bëhej më parë ose më vonë, duke i dhënë vendit një frymëmarrje më të gjerë kulturore kur dihet se për muaj të tërë nuk ndodh asgjë. Nuanca të majta sigurisht kishte në këtë event, por kultura është sistem i hapur dhe i ka brenda të gjitha nuancat, por kur ka një përkujdesje për të ndërtuar simbole kulturore me sfond ideologjik do të thotë që paragjykimin politik ta shndërrosh në gjykim kulturor. Këto janë artifice e nuk është se ndodhin së pari tek ne, por nga ana tjetër nuk janë risi apo modernizimi që presim.

Iris Luarasi:

Në këndvështrimin tim nuk mund të ketë një festival libri politik. Mund të ketë festival me shtëpi botuese të kënaqura e të pakënaqura, me autor të kënaqur e të pakënaqur, por përpjekja për të kthyer edhe një festival libri në protagonizëm politik më duket arkaike dhe për më shumë primitive. Kjo do të ishte fyese për të gjithë autorët që shkruajnë apo përkthehen e që zgjedhin të marrin ose të mos marrin pjesë në një festival. Nëse festivali bëhet politik për shkak të financimit të tij nga Ministria e Kulturës, mendoj se do kishim një qasje kritike nëse Ministria nuk do të ishte kontribuese në një event të tillë. Nuk ka asnjë rëndësi për mua nëse një qeveri e majtë apo e djathtë mbështet një festival libri. Shqetësimi do të ishte i madh nëse aktivitete të tilla që kanë të bëjnë me frymëmarrjen e jetës artistike e letrare në vend nuk do të kishin mbështetjen e qeverive. Kur shkojmë të shohim tituj të rinj e të blejmë librat që na duhen apo i interesojnë shijeve tona nuk marrim fare në konsideratë se kush e drejton tani qeverinë, por thjesht gjykojmë librin sipas shijeve e interesave. Prurjet e reja, cilësia e librit, apo cilësia e përkthimit të një autori është ajo që duhet të na shqetësojë realisht. Nuk di se si mund të bëhet politikë edhe me këtë. Botuesit që kanë pa dyshim dashamirësitë e urrejtjet e tyre politike nuk kanë motiv votën se për kë do votojnë në një festival libri, por sa libra do prezantojnë e do shesin. Nuk besoj se ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri që libri refuzohet për t’u lexuar se pronari i një shtëpie botuese është i majtë, i djathtë apo i qendrës. Të pëlqen një autor, të pëlqen e të duket interesant libri i tij, të shërben në punë teoria e një studiuesi, kaq na mjafton për të vendosur nëse do e marrim një libër apo jo për ta bërë pjesë të bibliotekës sonë.

 

Kultura/politika kush e bën ‘promovimin’

 Agron Gjekmarkaj:

 E majta, kuptohet, pas 8 viteve opozitë e ka nevojë emocionale të shpërblejë ikonat e veta të vërteta dhe të rrejshme, ndjejnë nevojën për një shfrim emocional. Në këtë vështrim kjo u bë. Por operacione të tilla nga pikëpamja kulturore nuk janë gjithmonë fatlume. Hierarkia në kulturë matet me vepra, jo me fjalime dhe vullnete politike. Kush i kujton më dekoratat dhe kartolinat që shpërndau Jozefina Topalli, ndonëse nuk kanë kaluar veç 10 muaj, duke pretenduar që bindjen personale ta shndërrojnë në imponim hierarkik në kulturë. Çudi sesi grotesku nuk shndërrohet në leksion. Po të gjykosh nga emrat, gjithçka u vërtit tek Qosja, Blushi, Klosi, Vehbiu, një përzierje e soc-realizmit me neomaoizmin metropolitan. Por edhe për të majtën vetë; A e kanë ata peshën e një Dritëroi Agolli apo Petro Markos, ndërsa në raport me kulturën kombëtare, çfarë peshe kanë ndaj Kadaresë, për të cilin pati heshtje të plotë? A mund të ketë festë të librit pa Kadarenë në këtë vend? Të tilla qasje ofrojnë kurthe kësodore që e provincializojnë botën kulturore shqiptare e të duket se ora ndalet. Prej dy vjetësh në Shqipëri jepen çmimet “At Zef Pllumi” në katër gjini, ngjarje kjo e mirëpritur nga bota kulturore e ajo mediatike dhe ju e dini që Pllumi ishte fenomeni kulturor i këtyre 24 viteve, ideologu i lirisë kundër tiranisë, martir me rezistencën e tij ndaj totalitarizmit dhe jo viktimë e vetvetes, i botuar në vendet kryesore të Perëndimit, dhe këto dy edicione nuk patën vëmendjen as të qeverisë së djathtë e as asaj të majtë, sepse Pllumi s’ka punuar për asnjë Parti por për Shqipërinë dhe kujtesën e saj, kjo nuk është patetike por fakt, ndaj mund të them që politika i bën gjithmonë qokat e veta ndaj besnikëve partiakë…këtë e mora si shembull konkret për pyetjen tuaj duke shpresuar që gjërat të ndryshojnë. Të tilla qëllime mund t’i kenë edhe shoqata botuesish edhe fondacione që të promovojnë sa të duan e sa të munden vepra dhe njerëz në të cilët besojnë e kjo nuk është aspak gjë e keqe përsa kohë shteti dhe politika rrinë dorëjashtë. Politika, në qoftë se me këtë nënkuptojmë institucionet që dalin prej saj dhe kanë tagrin kushtetues të menaxhojnë dhe financojnë jetën kulturore, sigurisht që mund të bëjnë shumë për librin, së pari duke lexuar ata vetë të parët, domethënë politikanët, se bëhen më mendjehapur dhe kështu mund të ripozicionohen në mënyrë më shpirtërore ndaj kulturës, duke mos ndërhyrë në treg, domethënë dikë ta favorizosh e dikë jo, duke mos i bërë hosana diletantit.

Iris Luarasi:

Në teoritë e marketimit qëllimi justifikon mjetet e nëse politika mund të promovojë sadopak librin, në një vend ku politika është një temë e rëndësishme, pse jo. Si shtëpi botuese apo si autor do të përdorja të gjitha metodat që libri im të shitej, pa harruar asnjëherë se politika luan një efekt marketimi por pa marketimin e përmbajtjes çdo përpjekje për të shitur politikisht një autor do të ishte e kotë. Njerëzit e sotëm që janë të suksesshëm me shitjet nuk qëndrojnë të fshehur nëpër zyra, po dalin jashtë tyre për të takuar sa më shumë njerëz. E njëjta vlen edhe në politikë. Politikanët e suksesshëm nuk mbyllen në zyra e shkruajnë plane strategjike, por dalin e flasin me sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Sot në gjë është e qartë. Nuk ka rëndësi se çfarë shet, libra, politikë, ide, shërbime apo produkte. Gjithë thelbi është të jesh proaktiv duke parë përpara për mundësi të reja e për të pasur kontakte me njerëzit.

Jo më kot thashë më sipër se politika mund të marketojë një autor, por kjo nuk ka efekt nëse nuk kemi vetë marketimin e përmbajtjes së një libri të këtij autori. Marketimi i përmbajtjes ndryshe nga format e tjera të marketimit nuk përpiqet të manipulojë njerëzit të blejnë një libër. Marketimi i përmbajtjes ka lidhje të drejtpërdrejt me faktin se sa i zoti je t’ju tregosh njerëzve se ke diçka të dobishme për ta në librin tuaj. Ka më shumë lidhje me dhënien sesa me marrjen.

 

Libër (botues) i majtë apo i djathtë?

Agron Gjekmarkaj:

Deri tani libri ose më saktë botuesi i tij është parë si i majtë ose i djathtë, e pas kësaj kqyrjeje i ka ardhë qari dhe gjederi. Ka ardhë koha që kjo traditë e shëmtuar të prishet. Kam uzdajë që Kumbaro do të ndreqë diçka ndonëse Festivali i fundit, e përsëris i dobishëm, ishte vazhdimësi në menaxhim dhe debat. Politika për vetë natyrën e saj mbështet një palë kundër një tjetre, por në kulturë, në qytetërimin që aspirojmë t’i bashkohemi, janë të kujdesshëm për të pranuar diversitetin si vlerë. Në vendin tonë e sidomos në raport me librin, politika duhet të “denatyrohet” duke ndjellë diversitetin dhe jo përjashtimin, përndryshe denatyron kulturën, e cila për njëmijë arsye edhe kështu e ka të vështirë të bashkëjetojë me shoqërinë, ku herë shihet si luks e herë si lopë për t’u mjelë, e pak herë si nevojë shpirtërore që na përcakton identitetin

 Iris Luarasi:

Ky them se nuk është një përcaktim i saktë. Sigurisht, unë nuk mendoj se ka qenie politike asnjanëse Pa dyshim, që nga momenti që votojmë për një parti të caktuar mund të themi se kemi një parti ndaj së cilës jemi dashamirës, por unë nuk mendoj se parimi për të lexuar një libër ka lidhje me qëndrimin politik që mban autori apo shtëpia botuese që e boton atë. Një libër është i mirë ose i dobët e kjo nuk ka kurrfarë lidhje me faktin se për kë parti voton autori apo pronari i shtëpisë botuese. Jeta dhe historia e letërsisë na ka treguar se ajo që ngelet në fund nuk është jeta e veprimet individuale të një autori por vepra që ai lë pas. Nuk ka asnjë rëndësi fakti nëse Gabriel Garsia Markez kishte një miqësi të madhe me diktatorin Fidel Kastro, nuk ka fare rëndësi sa antipatik e me thonj të pisët ishte Balzaku. Njerëzimi iu është mirënjohës për pasurinë e madhe kulturore që na kanë lënë pas.

9 Komente

Si doli? Kush e kishte me te madh panairin?

Kam uzdajë që Kumbaro do të ndreqë diçka...

uzdajë what?

UZDAJË f. sh. krahin. shih SHPRES/Ë,~A. Kam (mbaj) uzdajë shpresoj. E mban uzdaja. 

Si perfundim, kush liber u klasifikua si me i miri, kush u pa qe shitej me shume. Ka ndonje statistike. Nga artikulli mesuam se shum shqiptare nuk e kane te qarte akoma nocionin Shtet dhe Qeveri, qe jane dy gjera krejt te ndryshme. Per librin duhet te kete gjithmon subvencionim, pasiv ose aktiv. 

Si perfundim, kush liber u klasifikua si me i miri, kush u pa qe shitej me shume.

 

-VQ!.smiley

Urrejtja ndaj kësaj veprimtarie, atje ku u shfaq, në media vizive apo të shkruar, nuk lë mëdyshje se është politike, ashtu siç është politike vetë Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Petrit Ymeri, me ndihmësat dhe njerëzit që ka pas vetes, janë individë me tesera partie në xhep dhe është pikërisht ky shkaku dhe vlera që e "shtrëngon" të mbajë postin e kryetarit. Ka ditur mjeshtërisht të vjelë nga funksioni "shoqëror" të mira materiale në favor të shtëpisë së tij botuese dhe miqve të afërt, (si 55-a psh.)të cilëve kurrë nuk u kërkoi tarifë prenotimi për panairet. Pas 8 vjet fonde panairesh e përfitimesh, i mësuar tashmë me "natyrshërinë" e tyre, tani i duket sikur po ja vjedhin pronën e tij.

Dhe këta janë aq gomerë sa nuk kuptojnë se në pushtet ka ardhur një ekip i ri që ska lidhje me sherbëtorët e ekipit të vjetër qeverisës.

 

me pelqeu gjekmarkaj deri ku ja keputi me ate konservatorizmin e tij.. petro marko dhe dritero agolli - thote, apo kadare.. po pse do te ngece shqiperia ne histori pse gjekmarkaj ka preferenca muzeale? le tu jepen shanse te rinjve.. te jete per ate pune i japim kadarese nga dy cmime cdo vit, e driteroit nje, markos, shuteriqin etj. i gezojme me cmime per vit, por edhe ata do ta perqeshnin kete servitude se qe tani u plas teshtima kur u permenden emrat pa vend

pastaj, shperblime politike do te kete, eshte e pashmangshme se jane preferenca jo vetem individesh por edhe vlerash.. 

Kam njo si parandjellë qe Festivali i Kenges ne RTSh do jet i papamur ket vit.

Qeverija komuniste e Tiranes duhet te filloje te mendoje per nje Plenium per Artet. Keshtu nuk vazhdohet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).