Sapo është bërë anëtare e Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës. Inva Mula tregon përjetimet e kësaj ngjarje, duke u ndalur edhe tek aktiviteti artistik, Shqipëria dhe shqiptarët, si dhe duke dhënë një mesazh të qartë: Vendi ynë duhet të bëjë më shumë për të përfituar nga arritjet e shquara të shqiptarëve në të gjitha fushat dhe kudo në botë.

Zonja Mula, është lajm i orëve të fundit pranimi juaj si anëtare e Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës. Çfarë do të thotë për ju ky fakt?

Eshtë një lajm shume i gezueshëm për mua, pasi është një nder qe i bëhet një pune disavjeçare dhe një karriere, e cila ndonëse filloi në një vend të vogël me halle e probleme, u zhvillua në një terren i cili krijoi të gjitha mundësitë të zhvillohet dhe të marrë përmasa ndërkombëtare. Të zgjidhesh anëtare e Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës  konsiderohet si një nga nderet më të larta që mund t’i akordohet një shkenctari apo artisti, sidomos kur mendojmë që themelues dhe ideatorë të Akademisë, në vitet 1950, kane qenë Albert Einstein, J.Robert Oppenheimer, John A. Fleming dhe të tjerë. 

Kjo Akademi është organizata më e nderuar botërore e këtij lloji dhe shërben si një forum për reflektim mes shkencëtarëve, artistëve dhe dijetarëve, për të biseduar për problemet jetësore të pavarësisë njerëzore, ndaj kufinjve politikë ose limiteve, qofshin ato shpirtërore ose fizike. Ky është një forum ku këto probleme mund të diskutohen objektivisht, shkencërisht, botërisht dhe të lira nga interesat apo ndjenjat rajonale, për të kontribuar në konsolidimin e të drejtave universale të njeriut dhe për t’u shërbyer interesave të të gjithë njerëzimit. Akademia Botërore e Artit dhe Shkencës është themeluar në besim tek fuqia e ideve krijuese, tek ide reale me fuqi efektive për të ndryshuar botën. Motoja e saj është “lidershipi në mendim, që çon në veprim”. Shpirti akademik mund të shprehet në fjalët e Ajnshtajnit “krijimtaria e mendjeve tona duhet të jetë një bekim dhe jo nje mallkim per njerëzimin”. Duke qenë fillimisht anëtare e Akademise Shqiptare të Arteve dhe Shkencës, kisha marre nocionin për të qenë përkrah e për të diskutuar me personalitete të shkencës dhe artit. E kam vlerësuar shumë këtë ekperiencë të re për mua!

Në fakt propozimi ishte bërë përpara dy viteve dhe nuk e dija që procedura ishte kaq e gjatë.  Ngaqë nuk kisha më lajme nga akademia, mendoja se kanditatura do ishte rrëzuar. Në fakt procedura qe vërtet e gjate dhe kalonte mes seleksionesh dhe një studimi rigoroz të veprimtarisë dhe personalitetit të kandidatit . Kur mora lajmin që bordi drejtues i Akademisë kish pranuar kanditaturën time dhe më ftonin të konfirmoja dëshirën time për të konkretizuar këtë anëtarësim, mbeta pa fjale. Mu deshën disa ditë heshtje nga ana ime, për të realizuar më mirë në mendje këtë dhuratë që më ishte bërë nga akademikë të nderuar botërorë të artit dhe shkences. Kjo nuk është vetëm një artitje ime personale, por ashtu siç e ka vlerësuar një nga anëtarët e shquar të Akademisë Shqiptare të Artit dhe Shkencës, ku unë jam anëtare, një arritje e njerëzve të shquar të kombit tonë. Dhe për këtë jam krenare!

Tashmë u mbushën vite që jetoni dhe punoni larg Shqipërisë. Si e keni përjetuar këtë dyzim, mes atdheut dhe pjesës tjetër të botës? A mund të thuhet se tashmë, dy dekada pas hapjes së vendit, se edhe shqiptarët janë tashmë qytetarë të botës?

Në fakt u bënë 22 vite nga largimi im nga Shqipëria dhe në jetën time janë bërë transformime në aspektin profesional e personal. Gjithë kjo eksperiencë është kthyer tashmë në konkluzione, të cilat nuk mbarojnë kurrë së përditësuari. Nuk kam jetuar kurrë në dyzim midis Atdheut dhe botës tjetër, por kam përqafuar tërësisht atë botë, e cila hapi mundësitë dhe potencialin tim krijues. Ishte ai start që më bëri të shkoj përpara dhe të nxjerr nga vetja pa rezerva, atë që dija dhe ato që mësova, në botën e madhe të artit. Për të thënë sot që shqiptarët janë qytetare të botës, absolutisht që përgjigja ime do të ishte “Po”. Nuk mund të themi që Shqipëria është si vendet e tjera të zhvilluara, por mund të themi me plot gojën se shqiptaret jane qytetare të botës.

 

Sa dhe si i përcillni lajmet nga Shqipëria? Si jeton një artist shqiptar i formatit ndërkombëtar, me aktualitetin gri të vendit të tij?

Ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet që ndodhin në Shqipëri, trishtohem dhe gëzohem ashtu si çdo qytetar për ato që shoh dhe dëgjoj. Tashmë lajmi nuk ka më kufi dhe kohë, ai është kudo dhe po kaq i shpejte, si të jetosh në Tiranë, apo Paris. Nganjëherë, kur lajmet pasojnë me ngjarje të shëmtuara njëra-tjetrën, preferoj të mos hap më gazetat, por kjo nuk vazhdon gjatë.

 

Keni pasur rast të prekni me dorë këto vite realitetin artistik shqiptar. Çfarë mendoni për të? Sa e lehtë apo e vështirë është të bësh art sot në Shqipëri?

E kam thënë dhe më parë që realiteti artistik shqiptar nuk është vetem ai që ndodh brenda Shqipërisë, por dhe ai që artisti shqiptar performon jashtë kufinjve gjeografikë. Ai është shprehje e genit të vendit të tij, e shkollës, e prindërve, e shoqërisë, ai është vulë dhe markë e vendit të tij dhe ne këtë e ndjejme në çdo moment të punës tonë. Pastaj, të bësh art në Shqipëri;  janë dhe një mijë probleme të tjera, që lidhen me kushtet dhe vëmendjen që ka shoqëria jonë për artin e shëndoshë dhe të bukur! Përse arritjet më të mira janë nga artistët shqiptarë jashtë vendit? Përgjigjja është e thjeshtë, kushtet e krijuara, konkurenca, përkrahja, niveli ku ata performojnë etj etj.

 

Shqipëria vijon të lëkundet në një situatë ku shpresa dhe skepticizmi duket sikur sfidojnë njëra-tjetrën. Ju si e shihni këtë dilemë egzistenciale të kohës që jetojmë? Duhet të jemi më shumë optimistë apo pesimistë, sipas jush?

Ne si komb jemi optimistë dhe shpresa dihet, vdes e fundit. Këto dy dekada kanë kaluar nga optimizmi në skepticizëm dhe mendoj se ashtu duhet të vazhdojmë, deri sa të kuptojmë që secili nga ne ka përgjegjësinë për të ndryshuar dhe kontribuar për një jetë më të mirë. Kur ta kuptojme këtë dhe mos ta gjejmë gabimin te tjetri, atëhere kjo dilemë do të zgjidhet një herë e përgjithmonë. Deri sa të kemi këtë gjendje, këtë meritojmë dhe këtë e them me shumë dhimbje!

 

Lista e shqiptarëve të famshëm bëhet gjithnjë e më e gjatë, me kalimin e viteve. Ka në të artistë të njohur, shkrimtarë, shkencëtarë, mjekë, inxhinierë dhe sportistë me famë. Shumë vende investojnë tek ky fond i vyer njerëzor. A mendoni se po bëhet mjaftueshëm, që kjo masë personash me emër dhe influencë, të ndikojë për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë? Nëse jo, çfarë duhet bërë sipas jush?

Kam kënaqësinë të them se ka arritje kolosale të shqiptarëve në botë në fusha të ndryshme. Unë e përjetoj nga afër këtë realitet dhe ndjehem e lumtur dhe krenare. Shqiptarët janë shumë të talentuar dhe jo vetëm kaq, kanë dhe veti të vyera që i veçojnë nga të tjerët. Pyetja është përse brenda vendit nuk është e njëjta arritje?! Sigurisht që duhet investuar për t’i sjellë këto arritje, në funksion të përmirësimit të imazhit të vendit.  A ka vend për ne? Ftesa janë bërë, por me sa di unë, mbi baza vullnetarizmi. Mendoj se kjo nuk shkon, për të thithur vërtetë eksperiencat më të mira që na ndriçojnë sot.

 

Prej vitesh vendi ynë përpiqet të avancojë në axhendën e afrimit me Europën. Ju jetoni prej vitesh në Perëndim. Çfarë na mungon, përtej standarteve të njohura demokratike, që i dukemi kaq të largët europianëve të sotëm?

Fakti që shtyhet tashmë me vite pranimi në Bashkimin Europian, nuk është rastësi, por një realitet që duhet të na shkundë nga kjo apati, apo lënia e fajit atje ku mundemi. Tashmë duhet të kuptojmë që nuk na e ka njeri me hile, por hile po ia bëjmë vetes sonë dhe të ardhmes së brezave që po rrisim, të cilët aspirojnë Shqipërinë në Europë dhe kanë të drejtë të jenë pjesë e saj.

 

Ksenofobia është një temë e ditës në Francë dhe vendet e tjera të mëdha europiane. Sa ndjehet atje ky fenomen dhe sa të shënjestruar janë shqiptarët, nga tendenca e përjashtimit?

Nuk mendoj se Franca është kryeksenofobja. Tradicionalisht Franca ka qenë dhe është një “Terre d'asile” (vend pritës). Jo rastësisht, artistët e mëdhenj, shkrimtarët, mendimtarët, politikanët e desidentët, janë mirëpritur historikisht në Francë. Por, nëse në ditët e sotme ka akoma njerëz që për arsye ekonomike, kërkojne azil politik dhe ngatërrojnë të drejtat e njeriut, me të drejtat ekonomike, si uria e strehimi, nuk e ka fajin Franca “ksenofobe”, por disa rregulla dhe ligje që demokracitë e zhvilluara europiane janë të detyruara t’i venë në jetë.

 

3 Komente

Sikur te ishte shkrim ne leter do merzitesha per shperdorimin e saj.Te njejtat gjera te riperseritura deri ne pafundesi..

Te fala Molit.

Martesa e dyte e saj me ka habit paksa , nejse zgjedhja e saj

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).