Në të vërtetë s’është se Adriatiku nuk cilësohet më si vend turistik, por këtë herë italianët kanë menduar t’ia kthejnë seriozisht nderin e humbur prej ekspansionit të frikshëm turistik turk. Italianët kanë rrëshqitur në vendin e pestë në renditjen botërore si atraksion turistik dhe ndjejnë nga afër gjithnjë e më shpesh dihatjen e fuqive të tjera turistike botërore. Pulia, në kuadër të

“Adristorical Lands” (Viseve Adriatike), ku bën pjesë edhe Lezha, ka marrë zemër, të ngrejë standardin e saj përmes një turizmi, që duhet thënë se lë ende për të dëshiruar... Megjithatë, trullët, ndërtimet, religjioni, deti, flora mesdhetare dhe gatimi i magjishëm pretendojnë t’ia kthejnë nderin e Italisë edhe nga Pulia.

Trageti grek, që lundron nga Durrësi me flamurin ‘aventurier’ maltez, mbërrin në mëngjes. Një ditë e bukur e nxjerr më në pah Barin, që nga larg duket shumë më i madh sesa imazhi ‘shpërfillës’ krijuar prej shqiptarëve. “Më është dukur si Nju Jorku, kur fekste nga larg”, kujtoj zërin e një mikut, që iku me anijet në vitin 1991. Atëkohë, ishte udha e parë që bënte dhe Bari patjetër do i linte këtë përshtypje. Sot 20 e ca kusur vite më tej, Bari s’ka ndryshuar shumë nga ana arkitekturore. I konsoliduar me ndërtimet e vjetra dhe planin uniform urbanistik, ai thjesht është bërë pak më i ashpër me shqiptarët. Këtë kujtoj, teksa në kuadër të projektit mesdhetar “Viset Adriatike”, po dal në port me disa kolegë të huaj. Bashkatdhetarët e mi, ngjeshur para një porte ku kontrollohen pasaportat, presin me minuta deri në orë të tëra, derisa të kalojnë pjesa tjetër e tragetit, që s’ka pasaportën “e frikshme” shqiptare. Fytyrat e tyre të lodhura dhe të murrëtyera të një nate fjetur në sallën e madhe të tragetit, më ndjekin me pezm, teksa kaloj fare i lirë me grupin miks britaniko-italian. “Po pse kështu”, pyes një ndihmës-police, që është shqiptare. “Hajde ec, paske muhabet ti”. Tre fjalët e mia i duken muhabet gruas që dërdëllit ngado, por që në fund e justifikoj se ia bën fora, kur i kthehet policit italian. Ky më këqyr pasaportën. E rrotullon. E afron para syve sikur të ketë ndonjë pergamenë të vjetër, për gati 7 minuta me radhë. Vizat e mbetura nga koha e Murit i japin një lloj garancie dhe pastaj pyet çalë anglisht. “Pse? Çdo bësh këtu?”. I gjegjem shkurt. Indiferent. Një shqiptar me pasaportë italiane më sqaron, teksa dalim të dy. Të tjerët, më thotë- do bëjnë dhe një kilometër udhë derisa të dalin nga porti. Dhe më keq akoma, kur do udhëtojnë pas në Shqipëri. Po është logjike? “Për këta është. E dinë se me traget udhëtojnë të varfrit!” Hekurani, që përfaqëson bashkinë e Lezhës në “Viset Adriatike” dhe që e bën shpesh udhën, më shpjegon imtësisht. Ankimin ia përcjell konsullit shqiptar, që e dëgjoj befas një ditë më vonë, teksa flet me një shqiptare në hollin e hotelit. Prezantohemi. Më fton në konsullatë. Dashamirës. I them të bëj diçka. Po e kam prioritet, më thotë. Ndahemi. Eh, sikur!

 

Pulia

Kur pak ditë më vonë do gjendem në një konferencë turizmi, kujtoj fjalët e konsullit instiktivisht, pasi Paulo Spada, një koleg nga Milano, po shpalos punën e Lezhës dhe të qyteteve të Pulias, si edhe sfidat e turizmit, sipas botëkuptimit të tij prej blogeri. U bën të ftuarve një pasqyrë të resurseve të Italisë së sotme. Ajo që kuptoj është se Italia vuan nga tradicionalizmi i vjetër dhe mënyra e avashtë sesi e përthith në të vërtetë turizmin e shekullit të ri. Këtë e shpalosin të gjithë speaker-at. Turizmi i sotëm është ai i globalizmit. Kurse italianët edhe pse e kanë vendin të mbjellë me ndodhi perandorirash, histori mbresëlënëse, vende pelegrinazhesh, shenjtësh, tragjedira, kisha, ky lloj turizmi nuk u thotë ende asgjë. Shumica as nuk flasin anglisht. Janë refuzues. Më kujtojnë disi kinezët, por këta të fundit po çalltisin ndryshe. Italianëve, në masë, u mungojnë akseset moderne të kibernetikës edhe pse operatorë të rinj kërkojnë të avantazhohen. Tradita krenare nuk e lë Italinë të bëj kthesat e Turqisë ndaj një varg vendesh mesdhetare po mësyjnë të ofrojnë destinacione, që i tërheqin më shumë turistët e sotëm. Imazhet e power point-it të specialistëve të ndryshëm tregojnë sfidën, defektet por më shumë se kaq çka mbetur si sfidë. Ani të ndalosh vendet e tjera dhe të risësh Italinë s’është e lehtë...”Po, ç’të bësh këtu, më thotë një specialist, janë plot 70.000 të huaj vetëm në Pulia”. Ksenofob? “Jo, ç’ne”. Pulia është rajoni më jugor i Italisë që mbart pjesën vërtetë të thembrës së Çizmes dhe që përfshin detin Adriatik në Lindje, detin Jon dhe ngushticën e Otrantos me Gjirin e Tarantos në jug. Është gati sa dy të tretat e Shqipërisë, ndërsa sot jep e merr veç saj edhe me Bosnjën, Kroacinë, Malin e Zi. Pietro, një koleg tjetër, që vetëm qesh më shpjegon se hapësirën e saj, që e përshkojnë pak lumenj, gjithsesi, i japin prodhimet më të mëdha bujqësisë italiane edhe pse popullsia pulieze përbën vetëm 7% e vendit. I kanë të gjitha, më thotë. Që nga Mikenasit e vjetër, Grekët e lashtë, Roma, Hanibali, Gotët, Saraçenët, Lombardët, Normanët dhe deri te Bizanti, residentët e perandorëve të Hohenshtaufen, kryesisht Frederik II, që e ka mbjellë vendin me kështjella impozante kudo. A mjaftojnë? “Me sa duket jo”. Kohët e fundit i kanë hequr namin e vetes si dembelë dhe vreshtarë, pasi tani merren edhe me prodhimin e çelikut, veshjeve, tekstile etj. Pa harruar industrinë ushqimore dhe kështu me radhë. Jo më kot, s’votojnë më për Berluskonin, më thonë por për një Parti ekologjike. Në fakt, s’jam aq i zoti, të kuptoj udhëzat në xhunglën politike italiane...

 

Alberobelo

Por, shqiptarët që janë këtu i dinë mirë. Ata janë kudo në Pulia dhe në përgjithësi, të mbeturit (shumë ikin në veri), shquhen si punëtorë të mirë dhe seriozë. Madje, një pjesë janë të lidhur me italianë. Ndajnë punën. Ndajnë jetën. Fizionomia antropometrike është gati e njëjtë. Kur e pyes, dikë, më përgjigjet se Pulia është e mrekullueshme për resurset e saj. Bisedën makro na e mbyll ciceronia e grupit, që do të na prezantojë me Trullot e famshëm. Kryeqendra e tyre është pikërisht Alberobello, ku vijmë nga Bari, një ditë plot me diell. E rrethuar me 1500 shtëpi të tilla si prej të dala nga ndonjë përrallë, me çatitë konike të bëra me rasa guri, në majë të të cilave vendosej diçka që mbyllte qerthullin dhe që ishte më e lehtë pastaj të prisheshin. Mjeshtrat lokalë nuk përdornin llaçin dhe trullot vlerësohen sot veç mrekullisë, edhe se kanë izolim fantastik ndaj ujit dhe vapës. Sot e kësaj dite përdoren ende nga banorët, ku një pjesë jetojnë ende, ndërsa pjesa tjetër i përdor si vende bed&breakfast. Janë rreth 1500 Trulle në një hapësirë urbane, që të duket si butafori skene.

Disa prej tyre përdoren për dyqane, restorante dhe deri banesa me qira, madje në disa ende jetojnë banorë, që janë shumë miq me turistët. Paskuale më fton në një syresh dhe më thotë se është i hapur për turistët. “Le të kënaqen të gjithë”, më thotë altruist 70 vjeçari. Jemi dhjetë veta, që i rrotullohemi nëpër këmbë, por s’reagon aspak keq. Italian i mirë, si të gjithë të thjeshtit e këtij vendi. Alberobello, falë trullove ka hyrë në trashëgiminë botërore dhe ruhet prej UNESCO-s, por ende nuk e ka tërheqjen që duan italianët. Habitshmërisht ka edhe dy zona trullo rreth bazilikës së Sovranos dhe kishës së Shën Antonit. Hirësia e tyre të ndjek kudo. Vendasit e kanë kuptuar rëndësinë e tyre, ndaj në qytet zhvillohen disa festivale: një i tillë folku ndërkombëtar, jaz, dans-teatër, street-teatër etj. Enotekat shesin mallra që nga djathi, proshuta, gatime dhe grapa. Jam inferior sa i përket mënyrës së gatimit dhe llojshmërisë së tij. Kurse të gjithë kolegët e huaj janë të specializuar. Rupert u bën zbor kuzhinierëve. Karolina pyet për verën. Pietro qesh. Spikat vaji i ullirit, antipastat e mrekullueshme ku dalin në pah prodhimet vendase dhe vera...

Të tjerat

Vera është sfida e italianëve, por problemi, që më shpjegon një operator turistik është se qeveria e tyre, në kuadër të një marrëveshje me kinezët, ua ka deleguar patentën e disa llojeve të verës së Pulias, madje me etiketën e saj. Këtë mundohen të na e shpjegojnë ndryshe në Konversanio, një qytet antik 30 km në juglindje të Barit dhe 7 kilometra nga bregdeti i Adriatikut. Kurse një banor më sqaron sesi kontët e Konversanios zotëronin një grazhd, që e përdornin të mbarështronin hamshorë me racë të përzierë Neapolitane dhe Andaluziane. Kuajt e tipit Lipizaner, më thotë një banor. Për këtë njihemi, në histori, më thotë krenar. I shpjegoj se jam profan në gjuhë. E vetmja lidhje ‘kombëtare’ është se qyteti, Norba e dikurshme, u themelua prej Japegëve ilirë. Kujtoj se Tv Norba, që duhej të emëtohej nga ky vend, emancipoi realisht seksualisht shqiptarët. Kolegët e mi bëjnë pyetje të specifikuara ushqimesh, unë mbetem te trashëgimia. Paolo Spada, miku im i ri, më informon dhe falë anglishtes së tij orientohem disi në mrekullitë e qytetit. Ciceronët i lënë vendin njëri tjetrit. Ashtu si emrat. Kolonitë Greke. Pastaj Norba u pushtua nga Romakët më 268 para Krishtit. U abandonua gjatë invazionit Visigot të Italisë. Emra më hynë nga njëri e më dalin në tjetrin vesh. Bernardino Xhentile, Engien, Luksemburg, Sanseverino, Barbiano, Orsini...Dhe familja e Norman-Hohenshtaufen në perandorinë e Siqelisë. Ka një kështjellë simpatike, që tashmë është futur duralumini. I kanë shtuar një kullë. Ka pasur një manastir Benediktin, dikur më i fuqishmi në Pulia. Dhe, interesante është se Çisteranët, murgeshat nga Greqia, u lejoheshin të mbanin veshur simbole religjioze mashkullore, të tilla si mitra.

Dhe të tjerët...

Interesi im, nuk i bën përshtypje italianëve. Më duken si jetime kishat e vendit tonë. Të ndërtuara keq dhe krejt patetike. Maria, një grua e vjetër, burri i të cilës ka botuar dikur librat e Oriana Fallaçit, më shpjegon me nge. Milanezja vjen për herë të parë këtej. “I frynë pak këta, por Italia sërish është e bukur”, më sqaron. Kjo s’mjafton, për turizmin, i them. Lezha, më duket, se po të jetë më fleksible, mund të krijojë atraksione moderne. Por, sikur! Një orë më vonë në Monopolis, kam mundësi të shikoj sesi perandorët e Bizantit nga kështjella Santo Stefano këqyrnin këtë strehë të sigurt anijesh që shkonin drejt Tokës së Shenjtë nën menaxhimin e Kavalierëve të Maltës. Mbetem te stilet e kishave të ndryshme. Një katedrale romaneske feks. Vendi më 1401 u bë një feud i Familjes Orsini, vazhdon ciceronia. Ishte nën Aragonët, kurse venedikasit e shtruan sundimin e tyre në të gjithë Adriatikun. E habitshme, kur më thonë se më 1530 banorët paguan nga xhepat e tyre plot 51.000 dukate Karlit të V Habsburg, thjesht të ishin të lirë. Ciceronët nuk mësyjnë të na mbushin mendjen për Muratin, mareshalin e Bonopartit, por sesi do bëjnë turizëm me atraksionet e tyre. Secili nga këta qytete të vogla pulieze mund të ishte një krenari për Shqipërinë, nëse do ishte në territorin tonë.

Polinjano a Mare, kur mbërrijmë në darkë, ku shtatorja e Domeniko Modunjos shquan, është fundi. Modunjo s’ka pasur lidhje të mira me qytetin, që ruan ende pjesën e vjetër të qytetit, që duket  si gati për dekoret e filmave neorealistë. Vendasve u mjaftojnë turistët e paktë, bujqësia dhe peshkimi. Diku kanë një vend ku bëjnë garën e hedhjeve në ujë. Një strukturë e tërë shkon deri në det. Nuk e di sesi, po de Sika me planet e tij të neorealizmit e ka pasur gati këtë vend.

...

Kanë mbetur edhe disa ditë. Italia është një mrekulli në të gjithë atraksionet e saj. Puna e tyre për turizmin, edhe kaq, e kalon shumë përpjekjen e vakët tonën. Kjo më vjen mirë për fillimin e Lezhës që edhe me mjetet e kursyera përpiqet të futet në vallen e ”Viseve adriatike”...Por, a do t’ia dalë vallë? Vështirë të thuhet, megjithatë është partnere e njëllojtë para Evropës. Këtë kujtoj teksa bashkatdhetarët e mi shtyhen, njësoj si më 1991, për të dalë të parët nga Rinasi.

Pranverë 2014.

 

23 Komente

Vaccarizzo Albanese, Hora e Arbëreshëvet-Portella della Ginestra, San Constantino Albanese 

Varkarizo Albaneze smiley

keta duhet te jene arbereshet me pak te asimiluar smiley

Edvini, ku bie kjo, me thuaj afer kujt qyteti. 

Rrofsh Edvini, ndersa Makje, me doli disa piketime me Googlen. 

shumica as nuk flasin anglisht

pseudo-kozmopolitit shqiptar i duket habi!

mkitre qe nuk u mburr me ate debilizmin,qe,shqiptaret dine te gjithe italishtsmiley,apo ju pre vrulli kur mori vesh qe pepinot nuk ja fershellejne anglishtes.

Pepinot smiley

o shqiptari i vjeter, po lere njehere dyfekun ne gozhde o byrazer, se tu be grope supi smiley

o xheladini me halle,

xheladin moreeee, 

vish e xhish ato gjerdane,

xheladin moree 

 

 

 

 

Domethene, mendon se eshte mire ne rast se nuk dine anglisht?
 

Po edhe me u majmunizu si ne qe hapemi bythsh si shimpanze para te gjithve sa gjuhe dime mooo.  Bolemedhenjt as e rrujn te mesojne gjuhe te huaja, vetem fakirat. Kta arbereshet e varikarizos duhet te vijne nga vlora apo laci. 

Seriozisht i shkruani juve keto gjera? Gjuha e huaj eshte aftesi, nje pasuri personale. Sidomos ne nje vend aq te vogel sa shqiperia ku suksesi eshte i varur nga gjerat qe ndodhin jashte.

pse ,ti e konsideron problem mosnjohjen e anglishtes?  e bejne qellimisht,se po tu flasin anglisht ,u duket vetja si nga uganda! you nowsmiley

you *know....

...dhe po, ne kohen e sotme per nje te ri qe do te behet me shume se coban me dhi, anglishtja eshte dicka pozitive, sic ne fakt eshte cdo gjuhe e huaj, e cdo shkence...

ja,80% e afrikes anglisht flet,dhe perseri jane cobane me anglishtesmiley

anglishtja sot eshte si turqishtja dje. do vije nje dite qe nuk do tregoni qe dini anglisht!

se mos merzitesh qe te shame gjuhen e nenes ore ,se e terheq une

Anglishta eshte e duhur, por jo ne vetvete e mjaftueshme... Eshte nje aftesi, e eshte budallek me argumentuar qe eshte me mire te mos ta kesh kete aftesi.

Domethene duan te heqin shpenzimet e transportit.

Kujtoj se Tv Norba, që duhej të emëtohej nga ky vend, emancipoi realisht seksualisht shqiptarët.

Mendoj qe kete pune e ka bere TV KLAN-i me mire me porno hard the soft franceze dhe amerikane dhe jo vetem me femra lakuriq qe ferkoheshin pas krevatit si tek TV Norba.

Ti japim Hakën për këtë punë atij që e ka HAK .

Të mos harrojmë se në kohën e errësirës Totale shpesh merrnim edhe Lajme të Gëzuara nga Tellallët e Lagjes të dërguar mystekil nga qeveria Berisha nëpër lagje për mbrëmje ngazëllyese

Ndizni degjeneratorët .Tv Shijaku ka filma me ...ashtu smileyKush është ky Klan TV para Shijaksburg TV ?

asnje kompliment per bashkine Lezhesmiley(

o shkinaks, ti ishe perfaqesuesi i bashkise se Lezhes qe citon autori, mo..?smiley

"Hekurani, që përfaqëson bashkinë e Lezhës në “Viset Adriatike”.

normal mo, kaq shume emra te tille ka lezha!

Po ç'patet ore te uruar qe keni hequr gjith keto komente. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).