Në prag të 20 Majit, ditës së jetimëve, akuza të rënda për abuzimet me ta parashtron Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, z.Ilir Çumani. Ai mendon se thelbi i ndryshimit është që të riformulohet sërish ligji për “Statusin e Jetimit”. Sipas tij, deri më tani, përfiton vetëm një shoqatë, nga 26 syresh, por kurrsesi fëmijët jetimë...

Për çdo 20 Maj, situata e tyre paraqitet e njëllojtë. Akuzues. Të akuzuar. Mëshirues. Bamirësi. Ndërkohë, jetimët thjesht përdoren. E dinë rolin e tyre, por më së shumti, duan që kjo ditë të mbarojë sa më shpejt. Të kthehen në fatin e tyre. Të vërtetë. Disa aktivitete, që fryhen për lloj-lloj interesash, janë shumë pak për të treguar vlerësimin për këtë kategori realisht të pambrojtur. Dhe, jetimët e dinë mirë, më mirë se kushdo tjetër realitetin. Sapo mbaron kjo ditë, rrjedha shkon në vendin e vet dhe gjithçka kthehet si më parë për ta. Përbuzje. Veçim. Indiferencë. Për hir të së vërtetës, prej 18 vjetësh, ka një ligj “Për statusin e jetimit”, por kjo kategori sociale, pothuaj gëzon shumë pak përfitim. Të paktën, me këtë që shprehin njerëzit e saj. Gracka e parë është vetë terreni i ligjit, ku pushteti lokal në politikat mbrojtëse është i kufizuar për shkak dhe të përplasjeve institucionale me pushtetin qendror. Ligji de jure mbron më shumë interesat e një pakice fëmijësh, sipas Ilir Çumanit, drejtorit të Institutit Kombëtar të Jetimëve.

Ndërkohë janë plot 31.000 jetimë, prej të cilëve në një shembull që paraqet juristi për median, as edhe18% syresh, nuk e gjejnë veten të përfaqësuar me ligjin “Për Statusin e Jetimit”. Në arsyetimin e Çumanit, shumica e jetimëve janë të përjashtuar nga shërbimet sociale, pasi ligji është i pazbatueshëm. Duhet një draft i ri “’Për Statusin e Jetimit’ në mënyrë të mos vazhdohet si në këto 17 vitet e fundit, ku subvencionohet në mënyrë parazitare një shoqatë joqeveritare, që çdo vit përfiton padrejtësisht në emër të kauzës së jetimëve nga qeveria dhe nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë shumën prej 30.000.000 lekë të vjetra”. Në argumentimin e tij, i vetmi paragraf i  Ligjit nr. 8153, dt. 31.10.1996,  “Për Statusin e Jetimit”   që funksionon në mënyrë parazitare  është neni 18,  ku  shteti aksidentalisht  subvencionon njërën prej shumë shoqatave të  jetimëve. Duket se pikërisht, ky nen, e shqetëson drejtorin e Institutit të Integrimit të Jetimëve. Ky nen, sipas tij ka favorizuar gjithnjë vetëm një shoqatë dhe jo të tjera. “Në këto 18  vjet, shpesh herë dhe në mënyrë manipulative,  individë të veçantë, drejtues të kësaj shoqate,  duke luajtur me trafikun të influencës përballë fondacioneve,  ambasadave, biznesit dhe donatorëve, e kanë dhe e përdorin rëndom faktin  e financimit nga shteti në mënyrë të shëmtuar për  përfitime personale,  duke e prezantuar  këtë shoqatë  se kinse  ajo varet nga  shteti,  por që në fakt,  ajo  është  një shoqatë që ka status  si të gjitha organizatat joqeveritare  dhe të pavarura nga shteti.  Kësisoj, me rregullimin e “Ligjit për Statusin e Jetimit” dhe heqjen e nenit 18 të këtij ligji, mendoj se korrigjohet një  gabim jo i vogël dhe një padrejtësi që në  vetvete,  përbën thelbin e  vërtetë të parimit  të shtetit të së drejtës në demokraci,  zhdukjen e  elementit diskriminues,  që ka të bëjë me pabarazinë mes  OJF – ve,   të cilat në fakt,  janë  dhe duhet të jenë  në një  garë dhe treg konkurrues,  me shanse të barabarta mes tyre nëpërmjet programeve dhe projekteve të besueshme e serioze në dobi të grupeve që ato përfaqësojnë”.

Problemi institucional mbetet i lodhshëm, ndërkohë që fati i jetimëve mbetet i njëjtë. Në këtë rast, duhej të ishte roli i Agjencisë Shtetërore të Mbështetjes së Shoqërisë Civile, (AMSHC),  e cila mbështet me fondet e qeverisë shqiptare organizatat që paraqesin projekte, e cila duhej të menaxhonte si duhet. Dihet mirë se spekulimi me “kartën sociale të mëshirës” nga individë dhe matrapazë social prej 22 vjetësh e ka shëmtuar disi ndjeshmërinë dhe sensibilitetin në lidhje me jetimët. Kjo e bën realitetin të mbetet shumë i hidhur. Ndaj, edhe pse atyre duhet t’u rimbursohet 100% receta mjekësore, të kenë shërbimet falas në udhëtime, 50% në ato interurbane, strehimin, shkollimin, “Ligji për Statusin e Jetimit” mbetet gati i pazbatueshëm në kuadrin e decentralizimit të këtyre shërbimeve...
 
Çfarë duhet bërë
Ajo që deri më tani e konfuzon problemin duket se është e lidhur direkt me kuadrin ligjor. Ku theksi është të bëhen “disa reforma  në  të gjithë institucionet e shërbimeve rezidenciale dhe komunitare për fëmijët jetimë. Duhet të përmirësohet cilësia dhe niveli i kuadrit, i specialistëve multidisiplinar që ofrojnë shërbimet,  në  mënyrë  që  kur këta fëmijë  të  dalin nga institucionet ku kanë  qëndruar deri në  moshën 16 vjeç, të  jenë  të  gatshëm  që të  përballojnë sfidat e  jetës dhe të  mos bien pre  e situatave të  ndryshme keqbërëse që i viktimizojnë ata. Duhet ti vihet theks i veçantë  kuadrit ligjor që  ka të  bëjë  me kujdesin ndaj fëmijëve jetimë biologjikë dhe atyre që vijnë nga  familjet me probleme sociale”, sipas Çumanit. Pasi vërtetë fëmijët me probleme sociale kanë prindër, por ata janë krejt jashtë kujdesit prindëror si pasojë  e një sërë problematike të gjerë. Një nga mjetet e ndihmës, që propozohet nga individë të ndryshëm jetimë është zgjerimi i atributeve të rrjetit të Qendrave Residenciale Rinore, por edhe mbështetja dhe shërbimet në komunitet për të rinjtë 16-22 vjeç. Por, edhe pse aktiviteti i strukturave të Jetimëve, ku përfshihet dhe Institutit që drejton Çumani bashkëpunon me Ministrinë e Punës,  Shërbimi Social Shtetëror, Avokatin e Popullit, qendrat rezidenciale Shtetërore dhe ato joqeveritare, qendrat komunitare, Komiteti Shqiptar i Birësimit,  dikasteret e ndryshme e të gjitha niveleve të  pushtetit qendror dhe atyre lokal, etj., problemi dhe më tutje mbetet në zbatimin e politikave të decentralizimit të shërbimeve sociale, pasi pushteti lokal  shpesh herë është  inekzistent  ndaj zbatimit të këtyre politikave mbrojtëse e mbështetëse në favor të fëmijëve jetimë.

Drejtori i Institutit të Integrimit shton edhe faktin se enti shtetëror buxhetor AMSHC duhet t’i shikojë në të ardhmen në një konkurrim edhe më të ndershëm dhe me kushte të barabarta organizatat e jetimëve (janë 26 syresh) që paraqesin projekte të qarta dhe të besueshme në dobi të jetimëve. Të tilla që në Shqipëri i ka prezantuar si duhet “UNICEF”-it,  “Save the Children”, Fshati “SOS”, “Bethania”,  “Shpresë për Botën”, “Kryqi i Kuq”, “Caritas Shqiptar”, apo dhe Fondacione të vendeve mike  Arabe në vendin tonë, etj., por kurrsesi shoqata të shuma parazitare,  pa background, të cilat s’kanë asnjë rezultat pritshmërie për grupin e interesit të jetimëve.
 
Dhe abuzimet e tjera
Por, sikur të ishte kaq, do ishte “mjaftueshëm”, nëse nuk do të kujtoheshim për lojërat e shëmtuara  politike  nga disa matrapazë socialë, që i kanë përdorur fëmijët nëpër fushata elektorale për kapital politik.  Dhe, më shumë akoma, ajo që është tronditëse, mbetet edhe fakti që përshfaq drejtori Çumani: “Fëmijët jetimë sot janë  të  rrezikuar  edhe nga elementë pervers e pedofilë të  infiltruar në  shoqërinë  civile,  të cilët, sapo legalizojnë  një pseudoshoqatë  fantazmë me një vendim gjykate, me një copë certifikate QKR - je, nisin të bubërojnë skutave të errëta të mashtrimit dhe orgjive me vese e sjellje antisociale duke viktimizuar pikërisht këtë kategori të dobët dhe të pambrojtur  të shoqërisë. Këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre,  me sjelljet e tyre të hapura, spekulative dhe abuzive,  i kanë sjellë  një kosto të lartë dhe dëm të konsiderueshëm  integrimit dhe kauzës së fëmijëve jetimë”. Ndaj, apeli sot, i jetimëve shkon direkt tek Prokurori i Përgjithshëm i Republikës dhe Avokati i  Popullit,  që të hetojnë në thellësi dhe në gjerësi  situatën dhe  të trajtojnë  seriozisht  jo vetëm çështjen e fëmijëve romë, por edhe çështjen e fëmijëve jetimë të abuzuar, pasi jetimët në Shqipëri  janë  shumë  herë  më  të  rrezikuar dhe të viktimizuar  nga çdo grup tjetër shoqëror në vendin tonë, e përmbyll bisedën i vrerosur drejtuesi i jetimëve, që e ka nisur vetë jetën nga shtëpitë e jetimëve.
 

5 Komente

Eh...kush do t'ia dije per jetimet? Nje shoqeri qe mosperfill biresimin dhe strehimin e ketyre femijeve te harruar, si do ndihmohen nga nje shtet rrenjesisht te kalbur dhe te painteresuar per njeriun e vogel?! 

duket qe nga komentet ......smiley

nje gje nuk kuptoj dhe s'kam per t'a kuptu kurre , car zemre kan ca shtriga qe kan pas punu ne jetimore edhe per ato qe punojne edhe sot qe flasin me femijet jetime si harbute

mos u merr me kte ti ( per  femijen 7 vjec) se kjo t'jep uje ne bisht te luges!  smiley

.........femija --> jo me jo, (buzeqesh) ....kjo teta me ngjan me mamin qe e kam pa vetem  ne enderr se kshu se kam njoft asiher dhe pranej doja qe te flinte sonte me ne , po te dush silli edhe gocat e tuja  smiley

smiley Ne Shqiperi, te drejtat dhe mireqenia e femijes ne pergjithesi nuk respektohen... Trajtimi i pameshirshem i tyre, mungesa e ngrohtesise njerezore qe nga prindi e deri tek kujedstarja apo mesuesi/mesuesja, lere pastaj shtetin dhe ligjin qe mungojne, jane te gjithe faktore per gjendjen e mjerueshme te femijeve dhe te rinjve sot. Jetimet jane nje kategori krejtesisht tjeter, te menjanuar nga shoqeria qe i konsideron si qytetare te klasit te dyte; jo te denje per te bashkejetuar mes tjereve me te priviligjuar. E turpshme!

 

Po ky Drejtori i Pergjithshem pse u qahet gazetareve dhe jo Prokuroreve te Pergjithshem, KMse ...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).