Ne, studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës, duke marrë shkas nga publikimi i Draftit për Reformimin e Arsimit të Lartë në Prill të 2014 e gjykojmë të domosdoshme t’ju drejtohemi me një kërkesë tonën ndaj këtij drafti. Prej më shumë se dy muajsh, ne si grupi studentor i nismës “Për Universitetin” kemi organizuar tryeza publike tek Fakulteti i Shkencave Sociale (UT) dhe po ashtu pranë ambienteve të Korpusit Qëndror Universitar mes studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve mbi Idenë e Universitetit, mbi Raportin e tij me Shoqërinë dhe mbi Reformimin e arsimit të lartë.

Si produkt i këtyre tryezave kemi arritur në përfundimin se është i domosdoshëm një qëndrim i unifikuar, zyrtar dhe publik i Universitetit të Tiranës, në të cilin mohohet drafti i paraqitur prej këtij komisioni si dokumenti bazë për reformimin afatshkurtër dhe afatgjatë të arsimit të lartë. 

Kemi dalë në këtë përfundim për arsyet e mëposhtme: keqkonceptimi i proçesit të reformimit të arsimit të lartë dhe mungesa e legjitimitetit të komisionit të krijuar, mangësitë formale të draftit dhe mendësia e gabuar që përshkon të gjithë dokumentin. Për ne i gjithë proçesi aktual është nisur për së mbrapshti.

Komisioni aktual është krijuar para diskutimit publik e nuk përfaqëson studentët dhe pedagogët e Universiteteve Publike dhe as shqetësimet e tyre. Sipas nesh një komision legjitim për reformimin e arsimit të lartë do të duhej të ishte produkt i një diskutimi të gjerë dhe intensiv publik i pikërisht këtyre dy aktorëve themelues të Universitetit. Në ketë mënyrë, komisioni do të përfaqësonte studentët dhe pedagogët, e do të reflektonte shqetësimet dhe zgjidhjet e tyre në formulimin e një drafti paraprak për reformimin e Arsimit të Lartë.

Për më tepër, Drafti aktual nuk e ka seriozitetin e duhur nga ana formale të një dokumenti bazë për reformimin afatgjatë të arsimit të lartë. Dokumentit i mungojnë referencat studimore të domosdoshme për çdo raport, ka probleme drejtshkrimore, ka formulime të paqarta dhe hedh kuturu fakte dhe opinione personale të pavërteta dhe të pabazuara si përshembull: “Pagesat e studentëve. Deri tani këto pagesa kanë qenë minimale dhe si të tilla nuk janë bërë një përqindje e konsiderueshme e të ardhurave të Universiteteve Publike. Në të ardhmen komisioni vlerëson si të pashmangshme rritjen e kontributit të këtyre tarifave në buxhetin e IAL-ve.” Duke pasur parasysh se shkruesit e draftit janë figura akademike kjo është për të ardhur keq dhe duhet të dënohet publikisht.

Nga ana substanciale, dokumenti nuk merret me problematikat reale të arsimit të lartë. Kushtet e jetesës dhe kushtet e studimeve të studentëve në Universitetet publike do duhej të ishin baza e shqetësimit të një reforme të thellë në arsimin e lartë. Ndërkohë, ky draft flet qartë për rritje tarifash duke e konsideruar të papërfillshme rritjen e përvitshme aktuale dhe si zgjidhje jep zhytjen në borxhe përmes kredisë studentore. Më tej, Universitetet Publike e kanë më të domosdoshme se kurrë rritjen e mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit. Për më tepër, në dokumentin e sipërpërfolur sugjerohet konkurrimi mes Universiteteve Publike dhe Private për fonde publike. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është organizimi i brendshëm i Universitetit, që sipas nesh është ekskluzivitet i universitarëve (pra studentëve-pedagogëve). Ndërkohë, në draft organizimi i universiteteve propozohet të bëhet me një frymë të tillë anti-demokratike dhe përjashtuese ku thuhet “Skema e zgjedhjeve duhet të ndryshojë në themel. Demokracia e gjerë nuk është zgjidhja perfekte për vende që nuk kanë demokraci të stabilizuar.” Gjithashtu dokumenti sugjeron vendosjen e bordeve të drejtorëve/menaxherëve/aksionerëve si aprovues apo mohues të politikave akademike të Universitetit dhe Universitarëve. Liria akademike dhe demokratizimi i brendshëm i Universiteteve Publike janë detyrë dhe e drejtë e vetë Universitarëve për t’i organizuar e jo të imponohen nga jashtë.

Kështu, duke marrë parasysh pikat e mësipërme, kërkojmë edhe njëherë që Rektorati i Universitetit të Tiranës të dalë me një qëndrim zyrtar dhe publik të unifikuar ku të mohohet drafti për reformimin e arsimit të lartë të publikuar nga komisioni i pavarur i krijuar me urdhër të kryeministrit si dokumenti bazë për reformimin e sistemit. Pozicioni jonë nuk është anti-reformë. Përkundrazi, reforma është domosdoshmëri. Ne po tentojmë të hapim mundësinë që reformimi i arsimit të lartë të vijë si produkt i një diskutimi të gjatë dhe intensiv të vetë Universitarëve (pra i studentëve dhe i pedagogëve) të Universiteteve Publike. Ndaj, pozicioni i qeverisë duhet të jetë ai i gatishmërisë maksimale për ta mbështetur planin e ardhshëm të universitarëve publik.

Theksojmë!
I japim Rektoratit një javë kohë të mbajë këtë qëndrim publik dhe zyrtar si Universiteti i Tiranës. Pas një javë, paralajmërojmë protesta masive para rektoratit ku forcës së argumentit do ti shtojmë edhe argumentin e forcës për t’ia detyruar këtij institucioni qëndrimin tonë. Ndërkohë, gjatë kësaj jave organizohen takime mes studentësh dhe pedagogësh në fakultete të ndryshme mbi kritikën ndaj draftit dhe ndarjen e mendimeve mbi reformimin e arsimit të lartë.

Kontakti:
FAKULTETI I SHKENCAVE SOCIALE 
Facebook, “Për Universitetin”

_______

Dërguar redaksisë së ppu me shënimin:

Fotolajm: Qëndrimi përballë Rektoratit të një grupi studentësh kundër draft-reformës për arsimin e lartë. Te linku do të gjeni foton dhe deklaratën. Do ndihmonit shumë nëqoftëse e pasqyroni lajmin.

9 Komente

"Pagesat e studentëve. Deri tani këto pagesa kanë qenë minimale ... Në të ardhmen komisioni vlerëson si të pashmangshme rritjen e kontributit të këtyre tarifave"

S'keni pa gje akoma, tha.smiley

 

Pagesat e studenteve...strehimi i studenteve. Ketu e kane hallin te leku, jo te shtyllat thelbesore te reformes. Kudo ne bote studentet mblidhen bashke 2-3 e strehoen me te ardhurat e tyre jo ne kurriz te shtetit cdo gje. Ne fund..i japin ultimatum nje jave kohe.. keta. Ehh cvete, secilit i duket vetja i rendesishem ne ate vend.

Ta kishte bere Saluku kete reforme do quhej Pinocet. Po rilindja eshte si hallve qe con poshte cdo gje. 

E ke shume gabim dhe mos bej komente kur ske fare ide nga fusha e arsmit. Ne vendin tone reforma ne arsim eshte imediate, dhe duhet te filloj nga arsimi privat qe ka hapur fakultete mjeksie e stomatologjie pa kurfare karari dhe mbi te gjitha me pa kritetere pranimi. Nderkohe qe ne Fakultetin  e mjeksise shkonin nxensit me mesataren me te larte aty shkonin ngelsit qe pas nje viti me afera korruptive transeroheshin tek Universiteti shteteror. Ligji parashikon dhe rritjen e tarifes por ne menyre graduale. 

ne emer te popullit,

populli do beje c'themi ne, -

thane politikanet dhe kete

e quajten shtet.

Per te ardhur keq, studentet duhet te mesojne e jo te merren me protesta. Cuditem kush i ben keto reforma shkel e shko.

Pas një javë, paralajmërojmë protesta masive para rektoratit ku forcës së argumentit do ti shtojmë edhe argumentin e forcës për t’ia detyruar këtij institucioni qëndrimin tonë.

C´do te thote kjo?

Do te perdorin dhunen?

Ndaj kujt?

Hehehe, 

esh' botu nje "draft" dhe keta i japin Rektoratit nje jave kohe qe te shprehet, nen kercenimin e forces! smiley

Dhe ksaj marreje i jep platforme Peshku! 

Te radikalizohet gjendja me qdo menyre! 

Lazer Filipi!

Bravo Peshku!

nese rektorati nuk eshte ne gjendje te flase per studentet, atehere studentet duhet te flasin vete. dhe studentet po flasin. nisur nga gjendja ne universitetet publike ne shqiperi mua 1 jave kohe me duket shume. pozicionimi i rektoratit ne krah te studenteve nuk duhej te merrte asnje sekonde kohe.

kercenimi i forces eshte dalja ne proteste. legjitime edhe kjo. gjendja eshte radikalizuar prej kohesh ne formen e institucioneve te marra peng nga politika qe me sa duket njeh vetem kunderpergjigje radikale. peshku nuk po ben ashtu si dhe studentet asgje te gabuar deri tani.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).