Në ciklin e pabotuar në shqip, Martin Camaj, me gjuhën më të ashpër dhe dëshpërues për fatin e poetit. Simbolika e diktaturës që lexohet në poezitë e mëposhtme japin kontrastet ashtu si edhe në kontekstin e titullit. Në kapitullin “Të pabotueme”, botuar për herë të parë në “Me pendlat e korbit të bardhë”, Wieser Verlag, Klagenfurt, 1999, përkthyes e botues Hans-Joachim Lanksch, këto poezi përfshihen bashkë me “Nji fyell ndër male”, “Kanga e vërrinit” si dhe dorëshkrime e variante, 2012

Shkushullim

Kush iu kujtue territ
Që bie në luginë mbas fikjes së yjeve
Para agimit?
Shkatrruesi i vetes, nji krip –bardhë
E gjeti se koha e mungët
mes dritave
i hyn në palcë gurit
dhe ashtit njerëzor.

Terrin mes dy dritave
s’e duron ylli që shkoqet,
as njeriu.

 

Skulpturë me sy krype

Mjekër –pakrehun plak
dhe i shkujdesun me qafë të vjedhun
atleti

shikon përmes dy kokrra krype
në largësi
dhe hana as dielli s’u ndalën
nji timtë, dy tri mijë vjet,
në shtegun e prendimit
me i ndritë.

 

Fije mëndafshi

Fije mëndafshi n’ajër nxe
Nga dielli i mbasditës
Ndalen e rrijnë pezull

mandej ulen e lodrojnë
ndër veti mashkull e femën
nëpër sende që ndryshe
nuk bien askurr në sy

Në muzg kur ulet era
Pushojnë fjollza fjollza
Bardh, mbi thepa drizash
Krahas me lule.

 

Djega e vjeshtës së dytë

Në lulimin e mbramë
drandofillja ndrroi bulzën
prej saj zbërthyen fletë vezake

Njomza në vjeshtë, e shkurtë,
rrezja e fikun në sy të ligshtë
nuk ishin sendegja të trishta!

Djega lashtë, egoiste,
vesë mengjesi ndër gjethe t’zverdhuna
shkrihej me dyllin e tretun
dhe ulej ndër rranjë

 

Vrasja e poetit

Liria e fshehun ndër vargje
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrinin galuc roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë ka drita në qelq
andej kufijve të botës
njerëzore

Çdo hymje n’ishull u mbyll
spitali dyer hekuri u mbyll
e çmendorja për qen, pranë

Përmbas horizontit-heshtimi,
mes flokësh kaçurrela resh
zbardhen sy qeni
në suazën e veshëve lopata.

Banorët e ishullit enden
Shkushullueshëm
nëpër ishull sa nji qeth buke
në hartë
para qenit të sëmunë,
enden me vargoj qeni në dorë
dhe era u vjen djersë qeni.

1 Komente

Banorët e ishullit enden
Shkushullueshëm
nëpër ishull sa nji qeth buke
në hartë
para qenit të sëmunë,
enden me vargoj qeni në dorë
dhe era u vjen djersë qeni.

Kur kam lexuar per here te pare Camajn kam mbet pa fryme dhe fjale... isha njesoj si para nje pikture dhe filmi, si para nje opere dhe drame, njesoj sikur degjoja Moxartin dhe Bethovenin... 

Si mund te te vijne fjalet ne nje gjendje te tille?!

Faleminderit Martin Camaj qe ke shkruar poezi dhe tregime ne gjuhen shqipe!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).