Nga Gertrude Leutenegger (1948)

MARTIRIZIMI I PROMETEUT

Gozhduar në shkëmb
në këmbë
pa gjumë as mbështetje
thërret proteston
revoltohet ende

Çfarë mllefi ia ha shpirtin
-Prometé! –
çfarë krenarie
brinjën ia çukit me tërbimi si qift?
Kush do ta çlirojë?

E djeg padurimi i atij zjarri
që pandehu se e vodhi:

ja tek vuan e heq
               tek përgjërohet
që më në fund ta lënë të vdesë!

DURIMI I NJË KRYEËNGJËLLI

(Duke ëndërruar për Odilon Redon-in)

Nga cili qiell prej boje gjaku
zbriti në tokë Kryeengjëlli?
Hija e bardhë e flatrave të tij
e tkurrur, melankolike
ai ëndërrit
habitet dhe kapitet
te vetë shkëmbi
ku fëmija
dikur kërkonte mbështetje
Te cili qiell lëbyrës
Tani është zhdukur fëmija ?

TE THEKËT E DRITËS

Te thekët e dritës
te grunjërat te ninëza
e lulediellit
rrotullohen
kujtesa dhe ngjyrat

Por hanxhari i natës
Atë mbrëmje kishin ëndërruar
Se ndoshta
ajo nuk do të vinte

***

Nga Erika Burkart (1922)

MOLLA E HARRUAR

Ajo rron në dollapt si murgu në qelë.
Askush nuk vjen ta kërkojë, askush nuk vjen ta prekë
dhe tërë ngjyrat e saj i zë gjumi.
Ajo rron në dollap
fillikate me natën e saj që gjëllin nga kundërmimet.
Me natën e saj që kujton mëngjese të mëdha drithëruese
dhe flatra laureshash si fije kashte në erë,
dhe motrat e saj, mollët rënetë.
Ajo rron në dollap dhe askush nuk vjen ta kërkojë,
teksa gërryen në zemër të tulit të bardhë
vdekjen e vet të ngadaltë, vetmitare.

***

Nga Vahé Godel (1931)

MËSHTEKNË VERIORE

Të ndiesh sythat dimërorë
në skajet e gishtave
të tu,
të hedhësh rrënjë e të përparosh deri tek uji,
verbazi,
largpamëse, gjetheplot,
të jesh kalim drejt shndërrimit,
çurkajë degësh, runë e ngritur përpjetë
midis qiellit e tokës,
shpirt i ardhur nga larg
nëpër natë – ndalesa e tij
para një dritareje:
mështeknë, bujtësja ime!

***

Nga Jacques Chéssex (1934-2009)

JEZU KRISHTI

                Njeri nga keqbërësit e kryqëzuar iu hakërrua,
                 duke i thënë: A nuk je Krishti ti? Shpëto veten tënde
                   dhe shpëtona ne!
            
                            Shën Luka, 23, 39

Jezu Krishti vdiq në kryq,
në Golgota, bashkë me dy cuba,
thonë Shkrimet e Shenjta.
Jezu Krishti vdiq në rrotën e torturës,
ngaqë pati vjedhur një at
në Pontuazë, afër Parisit.

Jezu Krishti vdiq në shtrat,
pasi mori sakramendet e Kishës.
Jezu Krishti vdiq mbi kashtë,
prej muajsh ishte i papunë.

Jezu Krishti vdiq më dyzet e tre,
jo larg Mynihut,
në një dhomë me gaz.
Jezu Krishti vdiq në azilin e pleqve.
Jezu Krishti vdiq në oborrin
e një burgu të Londrës,
për të folën gazetat,
nuk i kishte mbushur të njëzetat.
Jezu Krishti vdiq në karrigen elektrike,
diku në Shtetet e Bashkuara,
i akuzuar se kishte dhunuar një femër të bardhë.
Jezu Krishti vdiq një të diel
në Sho-dë-Foe,
ia kishte hequr vetes
një plumb kobureje në nofull.
Jezu Krishti vdiq nga murtaja e zezë
në Firence, në shekulline katërmbëdhjetë.
Jezu Krishtit i ra pika
në krahët e Gerta Flokëkuqes,
në Sankt-Pauli.
Jezu Krishti vdiq në autostradë,
në timonin e një Maserati.
Jezu Krishti vdiq në Termopile,
në Marinjan, në Stalingrad,
në Hiroshima.
Jezu Krishti vdiq në lule të moshës,
gjatë një trazire, në mes të rrugës,
i mitraluar nga forcat e rendit.
Jezu Krishti vdiq në Arvë,
në kohën e vërshimeve,
kufoma e tij ende nuk është gjetur.

***

Nga Francis Giauque (1934-1965)

NËNA

Mos qani. Unë mbetem nëna juaj.
Mbajeni veten. Do të vij prapë t’ju bëj vizitë,
Kur t’i kem sytë plot dhé.
Do të jem tretur. Më mirë një dasmë të tillë.
Ç’blatim i pazakontë! Zemra ime ushqen
Truallin tuaj të butë.
I dëgjoj hapat tuaj, motorët e volfsvagënve tuaj,
Ditët që na ndajnë, u numëroj
Si kokrrat në kallirin e misrit.
Nuk prehem asnjë çast.
Zhdukem te fustani që vishja të dielave.
Punët nuk kanë të mbaruar!
Kur i kisha në bark vocërrakët,
Teksa fryhesha, më dukej vetja aq e fortë,
Sa mund të kthehesha në kafaz të tyre.
I çimentoja muret e mia, mbrohesha.
Tani ndodh krejt e kundërta,
Përpiqem të bëhem firë,
Pasi duhet që eshtrat e mi të shtrihen
Sheshazi si bishta pirunësh,
Apo si dhëmbët e tuaj të parë që i ruaja
Në një kuti prej qelqi të kaltër.
A më zini besë?
Më pëlqen kjo shtëpi balte ku rropatem
Si një far në errësirë.
E di se ju bezdis kur më shihni në ëndërr,
Do t’ju pëlqente më shumë të mos flisnim për këtë gjë.
Dhe sa herë më përmendni emrin,
Ju e ulni zërin. Tani jam e vdekur. Kishte ardhur koha.
Mendoj për verat tona, ju shoh sërish tek lozni në pluhur,
Gjej prapë të korrat, gjakun dhe qumështin, sëmundjet:
Gjithë atë lodhje që më jepte dashuria për ju.
Më ndjeni.
Madje edhe në gollen e këtij bodrumi të thellë
E di se gjithmonë do t’ju mbaj brenda vetes.

***

Nga Alberto Nessi (1940)

IDIOTI I FSHATIT

Ai që e quanin idioti i fshatit
me sy prej gacash të ndezura
shpinëkërrusur
që mezi I hidhte hapat
me trup që nuk e urdhëronte dot
ai që shihte si kalonin trenat
duke qëndruar në këmbë përditë në sheshin e stacionit të vogël
idioti i fshatit
ëndërronte udhëtime oqean pemëtore
të zjarrta të djegura nga dielli
në trurin e tij të atrofizuar sajonte
projekte për të ikur diku
për bredhëritje ndanë plazheve me rërë të vakët
për të parë detin
për t’u zhytur në të për të dalë që andej i shndërruar
me trup kristali të mbushur me damarë delikatë
me shpirtin si një krizalidë gati për t’u hapur përpara haresë
idioti i fshatit një ditë vendosi të nisej
ta ndize vështrimin në flakët e perëndimit të diellit
ai e mbështeti kokën mbi shina
së largu dëgjohej si gjëmonte treni i shpejtë Hamburg-
Port-Bu
ai të cilin nganjëherë e gjuanin me gurë
ai me të cilin silleshin si me një qen të zgjebosur
ai që i kafshonte me dhëmbë duart për të mos ulëritur
tani do të shkonte shumë më larg se
Hamburgu shumë më larg se Port-Buja
rrotat e lokomitivës do ta shkëputnin
nga kontinenti i tij i mjerimit
ai do të arratisej përgjithmonë
në atë arkipelag qetësie dhe butësie
ku idiotët mund të ecin me breroren
e një dielli që është rezervuar vetëm për ta
ai e mbështeti kokën në shina
me shpirtin në paqe
si një foshnjë që e zë gjumi.

***

Nga François Debluë (1950)

LITANIA E BARIT

Bari që mbin
midis zhubrave të bitumit
bari që mjekon plagët
bari i zakonshëm që del
rrëzë shpateve
folezë hijeje në verë

bari rreth gardhit
ku rrëshqet hardhuca
bari i majit
bari midis rrugëve
dhe traversave
bari i hekurudharit
bari që lind
nga brerimat e nëntorit
bari i përgjithmonshëm
bari i hidhur
nën galloshet e plakës
bari i mjerimit
bari i qershorit që fishkëllen
në buzët e fëmijës
bari që dridhet
bari i fortë i rrëzuar
nga era
bari i argjendtë
bari anonim
bari me mijë emra
kredhur në kujtesën time
bari i orëve pa fund
bari që nuk vdes kurrë

***

Nga Claude Aubert (1917-1972)

LINJA TELEFONIKE

Ju e shihni atë linjë telefonike në fund të luginës
Rava e saj vijëdrejtë pret pyllin te mali përballë
Të gjitha shtyllat e saj janë prej hekuri
Kur e shtrinë atë linjë shtyllat qenë prej druri
Krye tre muajsh ato nxorën degë
Atëherë i shkulën i kthyen kokëposhtë dhe i ngulën
                     me rrënjë përpjetë
Krye tre muajsh u dolën prapë degë të reja
                      hodhën rrënjë prapë e nisën të jetonin
U desh t’i shkulnin të gjitha dhe për të shtrirë
                     një linjë të re sollën me shpenzime të mëdha
                      shtylla hekuri nga Pitsburgu

 

Marrë nga Botime Shqiptare

3 Komente

Te zakonshme, ,

I lexova qysh dje. Papleka perkthen shume rehatshem. Kam ca dyshime per perzgjedhjen e poezive, por Molla dhe Linja me pelqyen. Fundja dy poezi te mira ne nje cikel s'jane keq, per mua gjithnje.

Nemesis, meqe edhe ti e ke ngrene telin e ndryshk si obskurantist fetar si puna ime, plus edhe merresh me artikuj gazetash, shiko si nxirren nga kontesti gjerat duke mos i thene te plota.

Nga Jacques Chéssex (1934-2009)

JEZU KRISHTI

                Njeri nga keqbërësit e kryqëzuar iu hakërrua,
                duke i thënë: A nuk je Krishti ti? Shpëto veten tënde
                dhe shpëtona ne!
            
                            Shën Luka, 23, 39

e ne vazhdim bla bla bla ..... poetike.

 

Ndersa citimi i plote eshte:

39 Then one of the criminals who were hanged blasphemed Him, saying, “If You are the Christ, save Yourself and us.”

 

40 But the other, answering, rebuked him, saying, “Do you not even fear God, seeing you are under the same condemnation? 41 And we indeed justly, for we receive the due reward of our deeds; but this Man has done nothing wrong".

                                                                Luke 23:39-45 (New King James Version)

Dhe e gjithe kjo behet qe te merret liçenca per te shkruajtur ne vazhdim maskaralleqe gjasme poetike, qe Krishti eshte kudo dhe ne çdo person, ne çfardo lloj palaçoje, maskarai dhe perversi. Dmth qe Krishti jam une, dora vete.

Ose sipas te super te nderuarit Oidriz:

Jom ne un ktuna!

I modh je Idriz, gjenial fare, te jane falur te gjitha mekatet (me nderhyrjen time).

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).