ITALI - Pas një frike të madhe në orët e pasdites, mesnata është shumë më e bukur për Napolin e Rafael Benitezit, që mundin 3-1 Fiorentinën dhe fitojnë Kupën e Italisë. Dhe të mendosh që pikërisht ultrasit e të kaltërve kishin hezituar që kjo ndeshje të luhej, duke e shtyrë fillimin e sfidës me 45 minuta, por në fund ia vlejti, sepse idhujt e tyre i shpërblyen me një fitore, aspak të lehtë, por të merituar. 

Teksa të gjithë prisnin një mbrëmje feste, kjo e fundit është dhunuar, është gjakosur për disa orë me radhë përpara se të fillonte takimi. Të paktën 10 persona janë plagosur dje, me njërin prej tyre në rrezik për jetën. Ngjarja më e rëndë ka ndodhur dy-tre orë përpara fillimit të sfidës, kur dy tifozë të Napolit, që udhëtonin në një makinë, papritur janë rrethuar nga ultras të Romës në dukje. 

Grindja ka qenë e ashpër, aq sa nga pamjet është parë një punonjës, ose pronari i një qendre tregtare që ka dalë dhe ka qëlluar me pistoletë në drejtim të dy napolitanëve, për rrethana që mbeten ende për t’u sqaruar. Alfonso Espozito, është plagosur në dorën e djathtë dhe është dërguar në spital, ndërsa tjetri, Çiro Espozito (30-vjeçar) është goditur me plumb në gjoks dhe gjendja e tij është në rrezik serioz për jetën. Burimet spitalore theksojnë se plumbi i ka depërtuar në shtyllën kurrizore, ndaj kurimi i tij duket mjaft i vështirë. 

Ndërkohë, në një tjetër zonë të qytetit, një tjetër napolitan, Xhenaro Fioreti (31- vjeçar) është plagosur me armë zjarri në krahë dhe në puls dhe ashtu si dy të tjerët është shtruar me urgjencë në spital. Ndërkaq, edhe 7 të tjerë të plagosur janë mjekuar në urgjencat e ndryshme të qytetit, viktima të dhunës së ushtruar nga policia, e cila e ka parë veten në rrezik të madh, aq sa të paktën njëri prej këtyre efektivëve është shtruar me urgjencë në spital, ndonëse nuk rrezikon jetën. Por, sikur të mos mjaftonte dhuna jashtë stadiumit, një tjetër i plagosur, një zjarrfikës që ushtronte profesionin e tij, është plagosur brenda stadiumit.

Ultrasit e Napolit kërkuan fillimisht anulimin e ndeshjes dhe donin të flisnin për Hamshikun. Por, teksa mesfushori slloven po shoqërohej drejt tribunës së ultrasve, disa dhjetëra bomba artizanale dhe fishekzjarrë të kalibrit të rëndë janë hedhur në drejtim të këtyre efektivëve, duke plagosur njërin prej tyre, që është shoqëruar me urgjencë në spitalin më të afërt. 

NDESHJA 
Heroi i mbrëmjes ishte Lorenco Insinje, ai që me dy gola të shpejtë, thuajse fotokopje të njëri-tjetrit, trondit vjollcët. Në minutën e 11-të, një e djathtë “alla Del Piero” në hyrje të zonës, pas një asisti fantastik të Hamshik dërgohet në rrjetë nga numri 24. Kalojnë vetëm gjashtë minuta dhe sulmuesi shërbehet këtë herë nga Higuain, duke djegur sërish Neton. Kur të gjithë dukeshin se ndeshja ishte mbyllur, një kundërsulm gjithashtu perfekt nga ana e Fiorentinës ngushton diferencën në të 28-tën, me Vargasin që godet fort dhe saktë me të djathtë, duke e mbyllur pjesën e parë në 2-1. 45 minutat e dyta bien në ritëm, me të dyja ekipet që mundohen ta qarkullojnë topin, por sfida ndizet në 10 minutat e fundit, kur pasi Iliçiç gabon në mënyrë flagrante për të barazuar shifrat në minutën e 84-t, tetë minuta më pas mendon Mertens që të blindojë fitoren, duke goditur saktë me të djathtë në zonë. Dhe pas gjakut të derdhur në pasditen kryeqytetase, në mbrëmje u derdh shampanjë. 

(Balkanweb)

2 Komente

Kjo ka qe dje mer lal. Edhe neshja filloji i ore me vonese. Po ajo tjetra ne Brazil. E vrane njonin duke i hudh nga shkallet e siperme ... nji nevojtore komplet - toilet bowl- Perleshje midis tifozave dhe kur policia boni inspektimin mbas neshjes doli qe ne WC-te e stadiumit mungonin tre te tilla... It's comic because it's tragic ...

Tani i bie qe te themi ( te pakten keshtu e kuptova une nga rrjedha e shkrimit te ketij trapit qe e ka shkruajtur ) vari lesht atyre qe vdiqen dhe u plagosen rendesi ka qe Napoli mori kupen .

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).