Që nga viti 2001, kemi hyrë në një rreth vicioz të përplasjes së qytetërimeve. Ende nuk ia kemi parë fundin. Dhe 2014-a ka qenë një vit i keq për stabilitetin mbarëbotëror. Shikoni se çfarë ndodhi në Ukrainë. Shikoni situatën në Lindjen e Mesme, dhe sidomos fitoret e lëvizjes xhihadiste të Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë (ISIS). Shikoni edhe tensionet në Detin e jugut të Kinës. Jetojmë në një botë krize. Njerëzimi ka hyrë edhe një herë në një shteg të rrezikshëm, sepse në të dy anët e këtij shtegu të ngushtë ka shkëmbinj të thepisur.

Përplasja e fuqive

Nga njëra anë është rreziku i përplasjes së fuqive. Për dy dekada kemi jetuar në një botë me një superfuqi të vetme, Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që në mendjen e disave ishte formësuar mendimi se po hynim në një botë pa superfuqi fare. Të gjithë fuqitë e vjetra ishin fshirë nga historia. Fuqitë e botës lindore të shekullit 19, si India apo Kina pas luftërave të opiumit, perandoritë qendrore të Europës që u lanë pas në vitet 1914-1915, perandoritë koloniale si Franca dhe Britania që u shpërbënë në vitet 1960, dhe së fundi, BRSS që mori fund në vitin 1991.

Por, tani po shohim që këto fuqi deri sot të mbetura mënjanë, po rriten sërish. Kohët e fundit, po shohim Rusinë që përpiqet të lërë pas poshtërimin kombëtar që ndjeu pas shpërbërjes së BRSS në vitin 1991. Po shohim Kinën që është rritur ekonomikisht në 30 vitet e fundit dhe tashmë dëshiron të luajë një rol politik më të madh. Historia na e ka mësuar se si përfundojnë rivalitetet mes fuqive në rritje dhe superfuqive në dobësim e sipër. Në 2014-ën, ne duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë kujtesës së konflikteve dhe luftërave të të kaluarës. Një shekull më parë, në vitin 1914, Europa dhe e gjithë bota po hynin në një periudhë 30 vitesh luftë, urrejtje dhe masakra. Por megjithëkëtë, ne po shohim që gabimet e djeshëm përsëriten vazhdimisht.

Kudo shohim që zgjidhet konfrontimi. Shohim që teoritë e frenimit janë ende gjallë, si për shembull në politikën e Amerikës kundrejt Kinës në Detin e jugut të Kinës dhe në Azinë Lindore, apo kundrejt Rusisë në Europën Lindore.

Përplasje identitetesh

Në anën tjetër të shtegut tonë të ngushtë drejt të ardhmes, kemi një risk që nuk është më pak i rrezikshëm: atë të përplasjes së identiteteve. Në një botë të tranformuar thellësisht prej globalizimit të prodhimit ekonomik dhe qarkullimit të shpejtë të informacionit, po shohim që shtetet kombe kanë vështirësi në përballimin e sfidave të reja. Shohim shtete të dështuar në shumë rajone të varfër të botës. Shohim shtete të dështuar në Lindjen e Mesme, për shkak të mosbindjes civile në secilin vend. Shohim shtete të gjunjëzuar edhe në Europë dhe Amerikë, ku vendim-marrja duket gjithnjë e më e vështirë dhe e papërshtatshme në kohëra krizash dhe pasigurie.

Kur shtetet nuk u dalin për zot, kur jeta e përditshme bëhet e vështirë, njerëzit gjejnë rehati dhe stabilitet në komunitete më të vegjël, në identitete kulturorë apo fetarë.

Në Irak sot, ndjenja kombëtare pothuajse është zhdukur prapa identiteteve etnikë dhe fetarë. Por këta identitete ekzistojnë vetëm si diferenca prej njëri-tjetrit. Ata bëhen histerikë, të papajtueshëm dhe jotolerantë ndaj të gjithë diversitetit. Kulti i identitetit është një vizion egoist dhe brutal për botën, që mund të çojë drejt krimeve nga më të tmerrshmit.

Le të kujtojmë gjithashtu se 70 vjet më parë, forcat Aleate zbarkuan në Normandi për të çliruar Europën dhe botën. Ata ndërtuan një sistem diplomatik sigurie kolektive, me qëllim që luftërat e tmerrshme mes fuqive dhe për identitetet të mos ndodhnin më. Ata nisën gjithashtu edhe gjyqet e Nyrenbergut për t’i treguar të gjithë botës se mbi njerëzit, ka ligje.

E megjithatë shikoni çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme sot. Ajo që po shohim është ekzaktësisht një luftë civile e identiteteve. Shikoni problemet e Europës sot, me rritjen e populizmit kundër imigrantëve – edhe ky është një pasojë e dyshimeve ndaj identitetit të tjetrit. Sot duket se jemi të burgosur të një zgjedhjeje të tmerrshme: ose nacionalizmat e pakontrolluar të të poshtëruarve që hidhen në sulm, ose betejat e dhunshme të komuniteteve për të mbrojtur identitetet e tyre.

Mjetet e vetëm janë kultura dhe dialogu

Të vetmit mjete që ne kemi kundër përplasjes së identiteteve janë kultura dhe dialogu.

Kultura ndërton ura. Ajo u ofron një shans artistëve që të fitojnë eksperienca të reja dhe të ndikojnë për të hapur rrugë të reja për krijimin e tërheqjeve të reja. Sot mund të mendojmë për shumë artistë që i kanë hyrë kësaj rruge shpesh herë të vështirë dhe që po na e zgjerojnë horizontin të gjithëve. Do të përmend vetëm një, që është nga Shangai dhe që punon edhe në Francë. Yan Pei-ming ka vendosur artin e tij ndërmjet kulturës franceze dhe kineze, dhe tashmë është shndërruar në një prej artistëve tanë me të vërtetë globalë. Ai lloj urash që ndërtojnë artistë si ai janë në fakt më shumë kanale ujësjellës. Pasi i ndërton, ke krijuar një qarkullim të ri të ideve, imazheve, mundësive. I jep gjak të ri organizmit të njerëzimit. Eshtë detyra e artistëve që të na mësojmë si të bëhemi universalë, ndërkohë që mbetemi të vërtetë me vetveten.

Kulturë do të thotë diversitet. Për një krizë, ka gjithmonë më shumë se sa një pikëvështrim. Duhet të dëgjosh të gjithë përpara se të ndash mendjen dhe duhet të veprosh, sikur nuk ka të vërtetë definitive. Prandaj është e rëndësishme të kesh një kulturë të gjallërishme që respekton të gjithë pikëvështrimet.

Dhe kulturë do të thotë vetëbesim, do të thotë aftësi të ndryshosh dhe rinovosh. Një identitet nuk mund ta përcaktosh asnjëherë në mënyrë reflektive, por vetëm aktive. Përmes reflektimit ti do të përjashtosh, do të ndash, do të thjeshtësosh dhe në fund, do të zbulosh që nuk ka qendër në një identitet, por vetëm një rrjet pikëvështrimesh. Përmes veprimit, përmes krijimit ti do ta bësh identitetin e përbashkët që të rritet dhe forcohet gjithnjë e më shumë. Do të krijosh lidhje të reja përmes ideve të reja.

Rishikimi i dialogut të kulturave

Ne duhet ta rishikojmë dialogun e kulturave. Duhet ta përqëndrojmë tek sfidat e të ardhmes sonë të përbashkët. Cfarë solli Marko Polo në shtëpi, pas udhëtimeve të tij në perandorinë kineze? Sigurisht, disa mallra për të tregtuar. Por kjo nuk i solli shumë fat, ai përfundoi në burg nga gjenovezët.

Më e rëndësishmja që ai solli ishte një rrëfim dhe kujtime që janë gjallë edhe sot. Ai solli shumë iluzione, disa të vërteta, por mbi të gjitha solli kuriozitetin e ndryshimit dhe diversitetit. Ai solli aftësinë për të kërkuar pyetje që nuk do i bënim duke qëndruar në kolltukët tanë të rehatshëm.

Ne duhet të krijojmë kushtet për një kulturë mbarëbotërore që një ditë nuk do të zëvendësojë kulturat e ndryshme, por do i lidhë mes tyre. Kjo gjë po ndodh sot përmes mundësive që ofron interneti. Kjo po ndodh përmes zhvillimit të turizmit, kudo dhe për këdo.

Në këto kohë Rrugësh të reja të Mëndafshit, ne kemi nevojë për Marko Polo të rinj. Ne kemi nevojë për vende të rinj për të diskutuar, shkëmbyer, rrëfyer dhe dëgjuar histori. Prandaj është shumë e rëndësishme të ndërtohet një mirëkuptim mes vlerave të ndryshme.

Krijimi i një fryme mbarëbotërore nuk mund të jetë detyrë vetëm e atyre që merren me ekonominë. Ne duhet të mbështesim artistë që mund të jenë ura mes kulturave. Duhet të mbështesim shpërndarjen e ideve dhe të ndërtojmë një histori të përbashkët. Vetëm atëherë do të shmangim rënien në humnerën e përplasjes së identiteteve, apo fundosjen në pasionet e nacionalizmit.

 

De Villepin ka qenë Kryeministër i Francës nga viti 2005 deri në 2007

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Artikulli origjinal: Will the clash of identities consume us?

5 Komente

ai qe ka identitet kombetar te forte,do mbijetoje. kete thote praktika boterore. ata pa identitet kombetar si siria,iraku,libani ,ish-jugosllavia,sudani,ukraikina e me radhe do shperbehen.

shqiptaret qe per shkak te rrjedhes se historise duhet te kishin nje shtet-komb te forte, por sot jane ne rrezik per shkak te hapesires qe i kane lejuar identiteteve te huaja fetare dhe krahinore.  nese ne te ardhmen e afert ,partite shqiptare nuk rrezatojne identitet kombetar,dhe nese nuk kombetarizohen bashkesite fetare,libani dhe iraku eshte shume afer.

kush nuk e sheh eshte qorr,kush e sheh dhe ''rri ne autobus'' eshte mucnanistsmiley

Marko Polo thote shtroni b... ne pune si cinezi.

Marko Polot e botes se sotme, ekzistojne ne çdo vend, por e keqja qendron tek mediat, shtypi qe nuk iu japin hapsire. 

Ata qe s'kan identitet dhe budallenjte patjeter qe do ti konsumoje. Ata qe kan identitet, besim dhe principe patjeter qe nuk lekunden.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).