Si e rifitoi lirinë në Shqipëri trafikanti i kokainës me 5 dënime në Itali. Cirku me drejtësinë shqiptare dhe kush janë gjyqtarët e Apelit që firmosën pezullimin e ekstradimit. Historia e Gëzim Çelës, që është njëherazi dhe dosja e zezë e drejtësisë shqip

Ligjet i ngjasojnë rrjetës së merimangave, ku “mizat” e mëdha kalojnë lehtësisht e ato të voglat ngecin në kurth. Në Shqipëri, ligjet dhe një pjesë e mirë e sistemit të drejtësisë mbahen në këmbë enkas për njerëz si Gëzim Çela. Nuk mund të thuash se “i forti” i Fushë-Kuqes, i vetmi që ia mbathi nën hundën e policisë gjatë operacionit të dy ditëve më parë, bën pjesë në atë grup njerëzish të paprekshëm nga autoritetet. Jeta e tij, të paktën në dekadën e fundit ka kaluar mes burgut dhe lirisë, po asnjëherë e shkëputur nga rrjetet e narkotrafikut. Megjithatë, ai ia ka dalë gjithherë të gjunjëzojë drejtësinë e kalbur shqiptare. Historia e tij është pak a shumë e njohur. Në vitet 1994-2000, Gëzim Çela drejtonte një rrjet prostitucioni me rrënjë të ngulura thellë në Modena dhe Udine të Italisë. Në këtë organizatë kriminale që ushqehej me biznesin e dhunshëm të seksit kishte shqiptarë, italianë, bullgarë. Të dhënat e hetimeve të kryera në Itali tregojnë se banda e tij ka kaluar nga shfrytëzimi i prostitucionit tek trafiku i drogës, aq sa në vitet 2002, gazetat më të mëdha italiane do ta cilësonin Gëzim Çelën një ndër grosistët më të njohur. Asokohe në Shqipëri, ish-polici i kthyer në bandit po përballej për herë të parë me Gjykatën e Tiranës për njërin prej hetimeve të kopsitura nga drejtësia italiane. Këtu fillon edhe dosja shqiptare e Gëzim Çelës, që është në fakt një dosje e zezë për sistemin tonë të drejtësisë.

2002-2014; si të shpëtosh pa lagur?!

Në 8 maj të vitit 2002, me kërkesë të Italisë, Gjykata e Tiranës e dënoi Gëzim Çelën me 7 vjet e 6 muaj burg për shfrytëzim prostitucioni, krijim të organizatës kriminale,  kalim të paligjshëm kufiri dhe armëmbajtje pa leje. Dënimi u reduktua në 5 vjet, por edhe kaq ishin shumë për të. I arrestuari me të madh nga RENEA filloi të ankohej për një sëmundje të rëndë, tumor në kockën e gjurit. Bileta e lirisë ishte një raport mjeko-ligjor i marrë në spitalin Ushtarak të Tiranës, e njohur nga gjykata pa kryer ende 3 vjet burg. Një kartë e tillë nuk i piu ujë para drejtësisë turke, ku u kap për trafik heroine pak kohë pas lirimit në Shqipëri. U dënua me 6 vjet burg dhe pasi i shleu në Turqi, u kthye në Rinas ku u arrestua sërish. Koha kishte ecur, e bashkë me të edhe hetimet e palës italiane. Në shtator të vitit 2012, kur u arrestua në Rinas si i kërkuar ndërkombëtar, drejtësia italiane kishte dhënë 5 dënime për Gëzim Çelën; ai i kishte borxh Italisë 19 vjet, 9 muaj dhe 29 ditë burgim. Ajme; ishte me fat që u kap në tokën shqiptare, ku gjyqësori është streha e duhur për të bërë cirk me drejtësinë. Një proces i thjeshtë ekstradimi që zakonisht zgjat 40 ditë u kthye në një liturgji të gjatë të sistemit gjyqësor. Nëse futesh në labirinthet e vendimeve gjyqësore, nuk del kurrë me një mendim të qartë në kokë. Sa për saktësi, gjyqtari i shkallës së parë, Artur Gaxhi vendosi ekstradimin e Gëzim Çelës në Itali më 23 janar 2013. Pretendimit të avokatit, se Çela nuk mund të vuante dy herë të njëjtin dënim, gjyqtari i përgjigjet: “Në kërkesën për ekstradim janë përshkuar disa vendime penale që e shpallin atë fajtor, përveç atij për të cilin është dënuar nga drejtësia shqiptare. Së dyti, në vendimet e dënimit janë përfshirë episode të tjera krimesh, që nuk janë shqyrtuar nga gjykatat shqiptare”. Dy vjet më pas, ende nuk është vendosur nëse Gëzim Çela duhet apo jo të vuajë dënimin në Itali. Shkak u bë një vendim i Gjykatës së Apelit, që pezullon ekstradimin dhe ia poston mbrapsh, si patate të nxehtë çështjen,  Gjykatës së Tiranës. Ky vendim i Apelit është marrë më 2 korrik 2013 nga kryetari i trupës, Astrit Haxhialushi, njëherazi anëtar i KLD-së, Edlira Petri dhe Shkëlqim Miri. Arsyeja: shkalla e parë nuk ka verifikuar nëse drejtësia italiane ka llogaritur apo jo burgun që Çela ka bërë në Shqipëri. I çliruar nga policët që duhej t’i kishte tek dera e shtëpisë, i forti i Fushë-Kuqes e kthen shtëpinë në një hangar të madh droge. Të vetmet kokëçarje për të janë një proces i zvarritur  dhe ndalimi për të dalë jashtë Shqipërie.

Sa herë paguajmë për luftën antikrim! 

Nëse drejtësia do të kishte funksionuar që me të parën, Gëzim Çela, i identifikuar si kreu i rrjetit të kokainës Shqipëri-Kosovë do të ishte në burgjet italiane. Edhe pse në botën e krimit, “një bie, mijëra ngrihen”, ca para do të ishin kursyer megjithatë në luftën e ndrojtur të autoriteteve me të njëjtët persona, që amnistohen më pas nga drejtësia. Tanimë, kreu i bandës së Fushë-Kuqes është në arrati. E askush nuk pret që të gjenden përgjegjësitë për historinë e lirimit të tij nga burgu. Të kontaktuar dje nga MAPO, zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë lanë të kuptohet se nuk ka nisur ende inspektim për vendimin e Gjykatës së Apelit, që e shtyu në kalendat greke ekstradimin e tij. Hetimi ndërkohë po nxjerr në dritë fakte të reja për trafikun e drogës. Më së pari, Gëzim Çela dhe të tijtë punonin të pashqetësuar jo vetëm brenda vilës 3-katëshe në Fushë-Kuqe, por edhe jashtë saj. Informacionet e para janë servirur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga Shërbimi Informativ, i cili kishte të dhëna që oborrin e shtëpisë buzë rruge shtrohej për t’u tharë, sasi e madhe kanabisi. Përgjimi dhe vëzhgimet në terren identifikuan “ushtarët” e rinj të Gëzim Çelës; një korrier nga Korça, një kimiste, “ustalleshë” në certifikimin e cilësisë së heroinës dhe kokainës, ndihmës të tjerë nga Laçi dhe Kosova. Andrallat me drejtësinë nuk e kishin penguar Gëzim Çelën të shtrinte tentakulat e biznesit në Amerikën Latine, prej nga importonte kokainë. Një laborator i dytë në Ferizaj do të shërbente si ndalesë e parë për drogat e rënda, të cilat mbërrinin më pas në Shqipëri përmes rrugës tokësore. Përgjimet kanë hedhur dritë mbi bashkëpunëtorët e të njëjtit rangu të botës së padukshme. Por për ta, nuk ka prova. Arjan Shanaj, një personazh mjaft i njohur në Fier u arrestua për armëmbajtje pa leje. E njëjta akuzë edhe për Astrit Bushin, kontingjent i vjetër i krimit në Shqipëri, Spanjë e Itali. Për dosjen e trashë penale për vrasjen e një punonjësi policie, rrëmbimin e një producenti të njohur spanjoll dhe grabitjen me armë të vilave në Itali e Spanjë, Astrit Bushi u dënua vetëm me 3 vjet e 4 muaj burg dhe 300 mijë lekë gjobë. E këtu kthehemi sërish, për të zezën tonë tek drejtësia!

Drejtësia; “wall of shame”

Historia e Gëzim Çelës me drejtësinë nuk është një përjashtim nga rregulli; është bash rregulli vetë. Vetëm në dy vitet e fundit, vrasës e viktima, emra të njohur të krimit i ka bashkuar në të njëjtin fat, “gjyqi” me drejtësinë. Arben Tollia në Durrës, Arben Çeta në Elbasan, Gjin Nika në Kurbin e Astrit Gjepali në Rrogozhinë u vranë brenda një viti, fill pas lirimit të parakohshëm nga gjykatat. Blenë vdekjen me para! Të tjerë “përfitues” nga vrimat ligjore në “rrjetën e merimangës”, e përdorën lirinë e shpejtë për të kryer të tjera krime. Ngjarje të tilla nuk kalojnë pa zhurmë, po punë e madhe: çudia tri ditë zgjat. “Kupola” e gjyqësorit është e zënë me punë të tjera, e askujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë për firmën që hedh në fund të një vendimi gjyqësor. Reforma në drejtësi është një “këngë” tjetër e shpërdoruar rëndshëm nga politika. Kryeministri vetë parashikon që ajo të zgjasë nja 10 vjet të mira, aq sa na duhen për t’u integruar në Europë. Sot për sot, Shqipëria e ligjeve të panumërta jeton nën thundrën e ligjit të të fortëve!

Kartela penale e Gëzim Çelës

4 nëntor 2002

Gjykata e Modenas e ka dënuar me 4 vjet burg dhe 1 mijë euro gjobë për shfrytëzim prostitucioni

12 maj 2004

Gjykata e Modenas e ka dënuar me 4.6 vjet burg dhe 1 mijë euro gjobë

11 tetor 1995

Gjykata e Modenas e ka dënuar me 1.8 vjet burg

12 nëntor 1999

Gjykata e Udines e ka dënuar me 4.4 vjet burg

8 shkurt 2010

Prokuroria e Modenas, në bashkim të dënimeve ka vendosur si dënim të përgjithshëm 11 vjet, 10 muaj e 29 ditë burgim

5 dhjetor 2008

Gjykata e Assise të Apelit të Triestes e ka dënuar me 10 vjet, 11 muaj dhe 149 mijë euro gjobë

28 gusht 2012

Prokurori i Udines, në bashkim të dënimeve ka vendosur 22 vjet, 9 muaj e 29 ditë burg. 3 vite i janë falur, duke lënë në fuqi dënimin prej 19 vjet, 9 muaj e 29 ditë burg

Gjykata e Tiranës

8 maj 2002

E ka dënuar me 7 vjet e 6 muaj burg. Përfiton uljen e 1/3 së dënimit dhe lirohet në mënyrë të parakohshme

18 Komente

Sa here ka probleme shume flagrante te drejtesise avokat i te akuzuarit kryesor eshte Maks Haxhia.

Nuk do reagoje Ber-Basha per kete sulm flagrant politik kundra opozites??????? 

O Gjib? 

Fuft kane premtu se kur te kuptojne se si funksionojne komisionet parlamentare, do te ngrene nje per kete qeshtje.  Nderkohe mustaqemuti ka premtu se e ka firmen gati per faljen e Qeles. 

gjibit i ka ron bateria radios...kshu qi s'ka mor udhzime nga Lyli akoma

osh hardwired me PLC; ne rast humbje kontakti merr direkt pozicion te barazlargum.

Pse ky shtypi i lidh gjithnjë bandat, banditët, llumrat e këtij vendi dhe çdo plehër tjetër me rrezikshmëri shoqërore, me Parinë Demokratike? Ka ndonjë studim nga institucionet shklencore apo akademia, për të na treguar shkaqet që çuan këto shtresa të shoqerisë te kjo parti?

Po gazetaret e ketij vendi ku jane,,pse sna servirin nje histori te tilla pasi te arrestohen nga policia e pa ndodhur zullumet. Ai Astrit Bushi kekohet ne Spanja, po gjykata jone nuk e ekstradon se gruaja e vet nuk e rit dot femijen. Ja keto jane gjykatat shqiptare

Ka ardh koha qe poplli te marre ceshtjet ne duart e veta.sa here qe nje kriminel ashiqare lirohet nga gjykatesit e korruptuar.njesiti guerril te marre nje kopje te vendimit te gjykates dhe kedo gjykates qe ka hedhur firmen ne ate vendim te shkoje e ta palosi.Keshtu poplli u jep nje mesazh gjykatesve:nese vendosni te merrni anen e krimineleve do te ndani bashke me ta fatin e tyre.

Sec eshte dhe nje film me kete skenarin tend.

Ky skenar duhet te vihet ne jete.mjaft eshte mjaft .nje grup te korruptuarish po mbajne peng vendin , po abuzojne sistemin , besimin qe iu eshte dhene atyre .

sa here i kap antena kshu lajmesh, "revoltohen" shoket e majte. Harrojne qe kane deputete mren ne parlament qe jane akuzu per krime ordinere jashte shqiprise. U harrun ca thane fillimisht per Frrokun qe vrau ate komisarin e policise. U shkau gau demek se masanej u mur kthesa 180 grade

Si vend me popullsi te vogel, ure lidhese mes dy kulturave te medhaja, e kemi fatin ti perjetojme te gjitha te mirat dhe te keqiat e kesaj bote.Pa nje tradite demokracie funksionale me institucione, kerkojme te kemi nje drejtesi ku cdo gje te gjeje vendin.Brenda dites, ke ne merren vesh rrenjet, lidhjet gjaksore te seicilit autoritet juridik dhe pastaj nuk eshte me e veshtire nderhyrja, korruptimi.....!
Ky mentalitet funksionon ne cdo qelize te jetes

Ne amerike gjykatesit e distrikteve zgjidhen me vota nga populli.nese nje gjykates liron kriminele nga burgu oponennti ia nxjerr ne fushate elektorale.

Po ne kemi Spartak Brahon sa per 100 qe ja marrsha te keqen!
Ja se nuk di ku ka lene canten e zeze. Sa ta gjeje dhe ka marre fund cdo gje. Per mire, sigurisht.
Linja te ju, Shqarri!

tashti....district attorney nuk osht gjykates mi lyle, pse bo kshu gafash. osht prokurori ne shqip...

 

Selection of State Court Judges How state court judges are selected varies by state. States choose judges in any of the following ways: Appointment: The state's governor or legislature will choose their judges. Merit Selection: Judges are chosen by a legislative committee based on each potential judge's past performance. Some states hold "retention elections" to determine if the judge should continue to serve. Partisan Elections: Judges selected through partisan elections are voted in by the electorate, and often run as part of a political party's slate of candidates. Non-Partisan Elections: Potential judges that run for a judicial position in states with non-partisan elections put their names on the ballot, but do not list their party affiliates. Terms for judges in non-partisan elections can range between 6 and 10 years - See more at: http://litigation.findlaw.com/legal-syst...

leje mo tashti, prano gabimin se kjo krenaria kot te tregon ashiqarre qe je shqiptare (pervec faktit qe vje ke peshku 24 ore ne dite)

Cfare gabimi te pranoj une po te tregoj fakte plus pankartat qe shoh vete rrugeve :elect judge so and so for district court.

ok, mbase ne ca shtete...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).