Është kthyer tashmë në traditë mbledhja mujore e të rinjve, të cilët të hipur mbi biçikleta, kërkojnë zbatimin e standardeve perendimore të lirisë dhe të sigurisë në përdorimin e biçikletës si mjet transporti. Ata protestojnë kundër arrogancës së një pjese të drejtuesve të automjeteve, kundër injorancës së policisë ndaj këtij mjeti transporti, kundër ndotjes së ambientit, kundër indiferencës së institucioneve, të cilat përveçse nuk i ofrojnë asnjë shërbim publik të saktë qytetarëve, i pengojnë ata edhe në përdorimin e zgjidhjeve të shpejta dhe me kosto të ulët në lidhje me transportin. Pra pushteti, me dashje apo pa dashje, detyron përdorimin e zgjidhjeve të shtrenjta, të cilat, me sa duket, janë pjesë e interesave ekonomikë, të lidhura me të.

Gjatë këtyre muajve kam patur fatin të marr pjesë në dy nga protestat e përdoruesve të bicikletave. Gjëja kryesore që vura re, ishte entuziazmi i të rinjve pjesëmarrës, por edhe i qytetarëve të tjerë, të cilët e shihnin me admirim këtë protestë, mbase sepse përçonte tek ata optimizmin e ndryshimit të kësaj gjëndjeje ngërçi 23 vjeçare.

Por cila është arsyeja që këto lloj protestash po fitojnë një simpati gjithmonë e më të madhe? Besoj se nuk është vetëm ndjeshmëria ndaj ndotjes së ambientit si dhe siguria e qarkullimit me biçikleta. Rinia po i sheh këto lloj protestash si një mundësi për të shfryrë dufin e akumuluar brënda tyre për shkak të sistemit 23 vjeçar në Shqiperi. Është një protestë e drejtuar kundër arrogancës dhe abuzivitetit. Është një protestë, që i kërkon shtetit të ofrojë drejtësi dhe barazi. 
 
Në ditët e sotme shteti ofron mbështetje për më të fortin, që në rastin e Shqipërisë përfaqësohet nga persona të lidhur me pushtetin politiko-ekonomik. Shumica e atyre që sillen me arrogancë nëpër rrugët e kryeqytetit, me makinat e tyre luksoze, përfaqësojnë direkt ose indirekt shtetin. Si pasojë, këta persona janë shumë larg civilizimit perendimor, për të mos thënë që përpara se te konsumonin karburant për makinat e tyre luksoze, maksimumi që kanë konsumuar ka qënë patatja apo qepa dhe libri është një koncept shumë abstrakt për ta. Deri tani, pjesa e emancipuar e rinisë ka ndejtur e ndrydhur nga kjo klasë abuzive, e cila normalisht është shumë e vogël në numër, por që ka një pushtet të madh politiko-ekonomik. Revolucioni i biçikletave është një shkëndijë që tregon se rinia ka filluar të lëvizë. Me idealizimin që i shoqëron, ata refuzojnë të vazhdojnë të jenë të ndrydhur prej njerëzve injorantë, të cilët levizin me makina sikur të ishin pronarë të kryeqytetit, ata refuzojnë sjelljen e policisë, rrjedhojë e injorancës si pasojë e tejmbushjes me militantë dhe servilizmit të saj. Rinia kërkon të drejtën e lëvizjes dhe të drejtën e zgjedhjes. Ka ardhur koha që nuk mund të jemi të nënshtruar nga disa individë, vetëm sepse ata kanë një makinë luksoze dhe disa lidhje me pushtetarët. Nuk na intereson se çfarë je apo çfarë ke. Të gjithë jetojmë në një shoqëri dhe si pasojë secili ka të drejta të barabarta. Nuk na intereson nëse je polic dhe të ka ngarkuar shefi t’i biesh në qafë më të dobtëve, për të mbushur arkën e shtetit apo xhepin e shefit me gjoba. Si polic, në rradhë të parë duhet të bësh punën tënde, për të cilën paguhesh nga taksat tona. 

Sipas mendimit tim, revolucioni i biçikletave, është pjesë e një revolucioni rinor, që tashmë po ngjizet në Shqipëri dhe që drejtohet kundër gjithë sistemit të krijuar nga klasa politike në 23 vite. Me sa duket ka ardhur koha që kalbja të thërrmohet dhe të kthehet në pluhur. Edhe kësaj here, goditjen e parë do ta japë rinia.

http://albaniaunderground.blogspot.com/2014/04/domethenia-e-revolucionit-te-bicikletave.html

7 Komente

Jam shume dakort me ket Rilind Kelmenti me perjashtim te faktit qe i meshon deri ne absolutizem faktorit "rini". Edhe une qe nuk jam "rini" jam pro zhdukjes se makinave aty ku ka shume perqendrime frymoresh, dhe zevendesimin e tyre me mjete sa me pak ndotese qofte kimike apo vizuale. Po te isha une kryetar bashkie do te beja nje plan aftgjate me synim eleminimin total te qarkullimit te mjeteve motorike ne qytet. 

rinia duket ne shpirt, jo ne thinja. ti beje njehere planin afatgjate per vete dhe shoqerine. bashkia me gjithe kryetar nuk i nevojitet njeriu. smiley

Hajde tarallake hajde!

bulevardi duhet lene me nje korsi per makinat. Nje e vecante per autobuzat dhe nje e vecante per bicikletat - mos lejo parkimin e makinave fare ne bulevard.

robt me makina jane bezdi e modhe

Sipas mendimit tim, revolucioni i biçikletave, është pjesë e një revolucioni rinor, që tashmë po ngjizet në Shqipëri dhe që drejtohet kundër gjithë sistemit të krijuar nga klasa politike në 23 vite. Me sa duket ka ardhur koha që kalbja të thërrmohet dhe të kthehet në pluhur. Edhe kësaj here, goditjen e parë do ta japë rinia.

smiley

bicikletat e kane venin n'trotuar, pervecrasteve kur mund te ecin me 60 milje ne ore. Autobuzet duhen bo te tipit kinez, ure, qy makinat te kalojne poshte. Na u nxi jeta n'trafik, edhe merakun per bicikletat kemi mangut. 

revolucioni i bicikletave po tregon qe njerezit kane filluar te mendojne ndryshe

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).