E dimë që libri nuk është më i modës si celulari, playstation-i ose iPpod-i e, megjithatë, pavarësisht nga ky anakronizëm, i lypim lejë lexuesit të flasim për një dukuri mbarëbotërore që lidhet me librin dhe leximin e tij, në vend të, fjala vjen, të merrnim e të flisnim për “komplotin” panortodoks kundër shqiptarizmës, aleancën e drogës kundër drogës, grevat me ose pa bukë, si dhe për statusin e vendit kandidat që, siç duken bathët, s’kemi për ta lënë të na shpëtojë duarsh këtë herë. Amen!

Sot e gjithë ditën në një aradhë vendesh të qytetëruara lulëzon një dukuri që natyrshëm na vjen përmes verbit të anglishtes dhe quhet bookcrossing. Lista kishte për të qenë, s’do mend, tejet e gjatë, duke qenë se kjo dukuri që ka marrë përmasat e një cunami kulturor shkon e përfshin 132 vende të botës, listë në të cilën Shqipëria shkëlqen me mungesën e saj. Ngushëllues i vetëm është fakti se nuk është as lista e parë, as e fundit që jemi jashtë. Po le të themi dy fjalë se, si e qysh, funksionon mekanizmi i bookcrossing. Librit i vendoset një kod në kopertinën e pasme ose në njërën prej fletëve në brendësi për të pasur shenjën e vet të pakonfondueshme për të mos u ngatërruar me libra të tjerë. Më pas bëhet regjistrimi në site dhe dëftohet vendi ku e ke lënë, i cili mund të jetë një kafene, restorant ose një tjetër hapësirë publike. Paskëtaj teorikisht njeriu që e ka marrë dhe e ka lexuar librin duhet ta lërë në të njëjtin vend ku e ka gjetur ose një tjetër, si t’i vij për mbarë, por duke shënuar në site vendin e fundit ku ka shkuar dhe e ka lënë. Përgjatë këtij procesi presupozohet edhe që libri të ketë kaptuar kufijtë fizikë të një vendi dhe të ketë “emigruar” në një vend tjetër, madje inkurajohet qarkullimi i tij në sa shumë vende. Kësisoj një libër i Agatha Christie-t mund ta gjesh në Gjermani dhe, mos u habisni, kur pas disa kohësh ta shihni edhe në Francë ose një vend tjetër e kështu me radhë. 

Duke qenë se kjo gjë nuk është pjesë e ndonjë politike kulturore qeveritare ose ndërqeveritare, çka do të thotë se gjithsekush që e ka pasion librin mund t’i bashkohet me vullnet të lirë kësaj nisme të përbotshme, mjaft të klikojë e të regjistrohet në sitin zyrtar www.bookcrossing.com. Dhe... lexim të mbarë!

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).