Që në krye të herës, përsërisim të njëjtën gjë: Gjirokastra është një destinacion i rrallë turistik. Por çfarë e bën vërtetë të rrallë qytetin? Vallë është struktura arkitektonike e ngrehinave të shkuara, aftësia e banorëve për turizëm, puna e pushtetit lokal? A mos vallë historitë lokale? Apo thjesht se është vendlindja e liderit komunist Enver Hoxhës dhe e një shkrimtari me famë ndërkombëtare si Ismail Kadare? Rebus që nuk zgjidhet dot dhe që strukturat e turizmit asnjëherë s’do jenë të afta t’i venë të gjitha në funksion për rivitalizuar qytetin...

Kemi mbërritur aty nga pasditja. Siç ndodh rëndom, duhet të fiksosh së pari vendin ku do të qëndrosh. Kolegët tanë të huaj, për fat, kanë qenë dhe më parë. Nuk i bën fare përshtypje Gjirokastra e UNESCO-s, veç hotelit ku i pëlqen ushqimi i mëngjesit... dhe që ndodhet gati 200 metra nga Qafa e Pazarit. Shpërdahemi. Më pëlqen të ulem në një nga baret e vogla, përballë dyqaneve të artizanatit, ku dikush tani gdhend me sforcim një gur. Përbri, një vajzë e bukur, me flokët e qethur fare shkurt, qëndron në ballëzën e dyqanit me gjëra dore. Mu në Qafë të Pazarit në pak dhjetëra metrat katror, dy motoristë gjermanë që kanë hequr vetëm kaskat, shplodhin këmbët; dy austriakë kërkojnë një farmaci. “Apoteka kaput. 5 (shenjë me dorë) beginnen”. Qesh me gjermanishten e rrugës. Eksperti pret të sqarojë tjerë. I duket vetja poliglot. Nga pas dëgjoj dihatjen e disa turistëve nordikë. Një vajzë që qëndron free me ekspertin në Qafë Pazari i gjuan sakaq. Me një anglishte korrekte, por pak gjirokastritshe, u afron asistencë. “Dua të shkoj në banjë!”-ia pret burri gjigand, ndjekur nga vështrimi gjithë pezm i të shoqes. “Ajo më intereson”. Ka inat. “Pse jo në Kala?”, i them dikujt në bar. “I kanë prish...”.  Vajza fillon sqarimet. “Ka në hotel. Po ku po rrini? Në barin më të afërt. Po”. Çifti e shikon indiferent. Nuk e kuptojnë pse duhet të lodhet me kaq sqarime. Duan hale. Thjesht. Kamerieri, që kupton se s’jam i huaj, ma plas Coca Cola-ën dhe ikën tutje. Pas pak rikthehet dhe ia fillon një lojë domino brenda lokalit...Ia bën me sy vajzës: Ta futën, i thotë.

Turizmi i qytetit

Vajza vazhdon. Gjuetia janë të huajt. S’e kuptoj fare punën e saj. Dikur problemi më i madh i turizmit në këtë vend ishte ardhja e grupimeve të mëdha dhe pamundësia e kapaciteteve hoteliere të qytetit. Më pak fjalë, sa ishte e mundur prej një hoteli, të mbante të gjithë personelin e një autobusi. Kohët ndryshuan dhe qyteti ka lëvizur pakëz, por sërish nuk është se ka aftësi të mëdha hoteliere. Ndaj të gjithë i shërbejnë vetes. Banorët mbesin indiferentë dhe në stilin e zakonshëm karakteristik u pëlqen të zenë qoshet dhe të kullosin sytë. Kanë parë aq shumë turistë, vitet e fundit, saqë pak u bëjnë përshtypje çehret e reja. U pëlqen t’i përflasin. Kundrojnë e kundrojnë. Është e paimagjinueshme sesi nuk lëvizin për minuta dhe orë të tëra. Nuk e di, më thotë Reshat Gega, ish-drejtori i Institutit të Monumenteve, që sot banon në qytet, por mendoj se kontributi i komunitetit vendas dhe institucionet lokale e qendrore duhet të njëqindfishohet për të mos thënë më shumë.

Në fakt, banorët dhe njerëzit kënaqen me fjalë. “Ky qytet është braktisur dhe rrënuar për vite të tëra. Ne do të fillojmë me një ndërhyrje masive në 29 rrugë të qytetit, do të vazhdojmë me lidhjen e qytetit me liqenin përmes një rrugë të re, do të krijojmë kushte të reja në gjithë parkun e liqenit, sikundër po përgatitemi për një projekt të marrjes në dorë të gjithë monumenteve të kategorisë së pare”, më kujtohen fjalët e Ramës gjatë vizitës që zhvilloi pak javë më parë në këtë qytet, shoqëruar nga ministrat Veliaj dhe Kumbaro, si edhe nga Drejtori i Fondacionit Amerikano Shqiptar të Zhvillimit Michael Granoff. Por, koha s’pret ndërsa sloganet e pushtetarëve i lënë vendin njëri-tjetrit. E për ironi, qyteti është administruar prej socialistëve. Së fundmi, një nga specialistët e monumenteve të qytetit Spartak Dërrasa e kish paralajmëruar me kohë dëmtimin e Shtëpisë së Hajdërave, por asgjë nuk ndodhi, derisa publiku mori lajmin e shembjes së banesës trekatëshe karakteristike. Sikur të mos mjaftojë kjo, tashmë ajo rrezikon edhe jetët e banorëve, si dhe banesat që ndodhet pranë objektit të shkatërruar.

E kështu, historia vijon me të gjitha. Këtë s’e kupton më pushteti. Edhe Rama. Janë vetë pronarët, që po heqin dorë. Problemi i madh i këtij qyteti, është forma që ka marrë trashëgimia e pronave, ku gjirokastritët u vjen më mirë të prishen sesa të gjejnë gjuhën mes njëri-tjetrit në fis. Mungesa e gjuhës mes kushërinjve, por më shumë indiferentizmi gjirokastrit, tani është shtuar dhe me indiferencën e kohës që po i vështirëson perceptimet e qytetit. “Këtu s’jetohet. Shiko si ecin me makinë! Uh i marrtë dreqi”. Kam 10 minuta me këtë grua, diku afër Mitropolisë dhe nuk e gjejmë gjuhën sepse vetëm ankohet. Për ujin, për pisllëkun, për bashkinë. Në fund, kur shikon fytyrat tona që e dëgjojnë në pritje të fundit të monologut, ma kthen:“Eh, njësoj jeni të gjithë. Vini dhe ikni”. Çfarë do të bëj, e pyes instinktivisht në rolin e Shvejkut. “Punë! Të vinë turistë. Të derdhet leku”. Mos të dukem gjë si Moisiu, ia kthej. “Çfarë mutin po më thua”, ma pret. E lë dhe pak më vonë futem të gjej një kënd, të marr qytetin.

Gjirokastra tjetër

Në poliklinikën e lagjes “11 Janari”, gjej një mundësi, që të kaloj disa plehra dhe të bëj disa foto tej në qytet. Befas, nga një si garazhd, një erë e ndyrë e ngre në alarm sistemin tim të nuhatjes, që është zakonisht inekzistent në jetën e zakonshme. Një gërvimë monotone më bën të afrohem. Të jetë ndonjë kafshë. Eci. Mbeturina të pafundme shfaqen. Qese të ndryshme shumëngjyrëshe janë të shpërhapura pa rregull. Përshfaqet ai. Ky Robinson Kruzo i tokës, as nuk begenis të më shohë. Çohet. Ulet. Kontrollon qeset. Nxjerr një fund shishe limonate. E këqyr me sy. Afrohet afër meje. Kthehet. Shtrihet. Ngrihet. E fotografoj. Aparati më tradhton. Fillon e pëshpërit disa fjalë. Hesht. Flet nënzë. I tmerruar. Nuk kuptoj asgjë. Gjirokastra s’besoj se është ky. Patjetër. Vetëm se ky është në një pjesë bajagi interesante të qytetit. Sa kohë ka këtu ky? “Ku e di unë. “Kush ky? Se kam parë ndonjëherë”. A banon këtu?-i them një banore. “Po. Këtu. Pse me të gjithë do merrem unë”, ma pret. Është mu ngjitur me ambulancën e Lagjes “11 Janari” mes një pisllëku të paparë, por institucionet lokale dhe komuniteti as e dinë fare. Të gjithë mjaftohen me ruajtjen dhe promovimin e thjeshtë të disa fletëpalosjeve apo punëve të mira që kanë bërë disa nga OJQ-të, më sqaron një specialist. Kur do të ndryshojë e gjitha? Vështirë, por gjërat ndryshojnë nëse në radhë të parë njerëzit do kuptojnë se ruajtja, restaurimi i çdo elementi urban në zonën historike, mbajtja pastër e ambientit, rritja e cilësisë së shërbimeve dhe plotësimi me domosdo i të gjithë infrastrukturës etj., do nxjerrin në pah ato elemente, që do i japin mundësi vizitorit ta perceptojë si një qytet historik ku mund të lexohen jo vetëm vlerat arkitektonike por edhe mënyra e jetesës, fazat historike, legjendat apo edhe gojadhanat etj., etj., elementë këto që janë pjesë integrale e vlerave në tërësi”, më sqaron Gega.

Në fakt, plagët e Gjirokastrës janë të mëdha. Aq sa faza e reanimacionit as ka filluar fare. “Ky rrënim do të marrë fund, Gjirokastra një nga qytetet e rralla të Europës. Kjo pasuri e jashtëzakonshme  me zgjuarsi dhe investimet e duhura mund të kthehet në burim mirëqenieje. Varfëria dhe papunësia në Gjirokastër janë sot në nivele të patolerueshme, S’ka asnjë arsye që me punën e duhur dhe kohën e duhur të Gjirokastra të mos jetë një vend me punësim të plotë dhe pa asnjë të varfër”, premton Rama, që s’kursehet fare në optimizmin bosh. 

Për hir të së vërtetës, të marrë dorë e gjithë kjo punë duhet që puna të fillojë me angazhime në projekte afatshkurtra ku dora të duket menjëherë. Dhe, pastaj puna të vazhdojë dhe me projekte afatgjatë, ku duhen trajtuar urgjentisht të gjitha shtëpitë e kategorisë së parë pa harruar edhe ato të ashtuquajtura të kategorisë së dyte, me sfidën që duhet të rikuperohen sa më shumë elementë urbanë infrastrukturore të dikurshëm. Të gjithë i dinë, madje shumë më mirë se unë por kalldrëmet tashmë po lihen pas dore, ndërsa mungojnë paratë për të rivitalizuar urat, muret rrethuese, çezmat etj., apo elementë të kësaj natyre. Mungesa dhe eliminimi i tyre, një pjesë syresh janë në përshkrimet fantastike të Evilja Çelebiut, ka bërë që të humbasë një pjesë e rëndësishme e imazhit historik të qytetit. Sa bukur do ishte nëse ato do ishin realisht pjesë e atraksionit turistik. Anipse, kthjellohesh kur kujton punën e pushtetit lokal dhe institucionet përkatëse. Në Gjirokastër ka humbur ajo që quhet frymë. Vendasit ikin. Shtëpitë braktisen. Të rinjtë nuk e shohin për asfare të ardhmen e tyre këtë qytet, mbushur me dyqane me mallra të niveleve të ulëta dhe pa sqimë e jetë kulturore. Gjirokastrës i mungon tashmë krenaria e qytetarëve të saj dhe vlerat për ndërtimet, mikpritjen, historitë. Nuk mund thjesht të mbahen tashmë me historitë e Kadaresë, por duhet shumë e shumë më tepër. Përshtatje me kohën e re.

“Shtëpitë e këtij qyteti janë të gjitha me oborre të rrethuar me mure, të cilët janë të ndërtuar prej gurëve të bardhë e të prerë apostafat. Si të pasurit edhe të varfrit kanë stolisur në këtë mënyrë. Gurë të tillë të punuar me një mjeshtëri kaq të hollë nuk mund të gjenden në vend tjetër të botës, përveç se në Tire e Magnisë të Anadollit”. Janë dy mijë shtëpi të mbuluar me rrasa, e vazhdon rrëfimin e tij Evlija Çelebiu, por ky që kemi ballë syve s’mund të përcjellë as tërheqjen më të vogël veç strukturës së vet, trashëguar nga shekujt. Si e ke mbajtur, i them një gruaje. “Ja si e sheh”, ma pret hazërxhevap. Po e ke mbajtur bajagi mirë. Komplimente. “Po dimë ne”. Po si? “I bëj hyzmetin. Ç’të duhet ty?”Ma mbyll portën para fytyrës. Kujtoj Trullon dhe Paskualen e thjeshtë, që më mori në trullon e tij dhe më shpjegonte për çdo detaj. Sa larg jemi! Gjirokastritët i quajnë njerëzit në përgjithësi sikur janë të obliguar, që të mrekullohen. “Ej,e paske ngenë?”, ma pret një grua, teksa më shikon që bëj foto. Banorët të përshëndesin me zor, ose asfare, por më shumë akoma turistin e shohin sikur s’është pjesë e qytetit. Kujtoj se në të gjithë vendet turistike të fqinjëve tanë, apo kudo mirësjellja është arma, që të grishin të ndjehesh mirë.

Dhe Kalaja

Dhe, s’mund të ndjehesh mirë, në një qytet, që të flasin me zor apo të shërbejnë si të fortë. Sa për lidhjen turistike me median, ky qytet vuan pa fund. Profesor Arben Puto ankohej se askush se dinte që edhe ai bashkë me kolegun e tij Luan Omari, ishin “Qytetarë Nderi”, dhe se media nuk e përmendte. Ashtu, si nuk u vjen mirë të thonë tërheqjen që ka shtëpia e Enverit, e më pak sokakët e personazheve të Kadaresë. Banorët dinë vetëm një gjë: Kalaja. Ajo është vërtetë krenaria e qytetit dhe vendi nga ku mund të kundrohet nga çdo pikë e Gjirokastrës. Veç soditjes prej lart, asgjë nuk ndjen dikush që sapo-mbërrin nga ishujt grekë, për të mos përmendur mrekullitë italiane. Nga mjedise të përshtatura dhe të rregulluara modele dhe shpjegimi, shikon Kalanë e pambajtur me tualetet që kanë dalë fare përdorimit. Apo muzetë e konceptuar pa asnjë vlerë moderne. “Po kjo është mrekullia, më thotë një qytetar, mu këta duan të huajt. Ke qenë ndonjëherë jashtë?”.Ndonjëherë i them me gjysmë zëri. “Pa më pyet mua, që kam dalë që më ’91”. E shikoj si i shushatur, se çfarë ka fituar vallë ky. “Asnjëherë nuk do bëhemi si ata, por ata këtë duan, që të jetë rrëmujë, të mos gjejnë gjëra, por të hanë mirë dhe të kenë një vend ku të vendosin kokën, dhe të shikojnë mrekullitë e shtëpive tona”. Se kuptoj sesi mund të jesh mirë, po s’pe një gjë që të shpjegohet mirë, e si të të mungojë deri një banjë e zakonshme. Kaosi vetëm në Shqipëri quhet mirë, por në vesh më regëtin impulsi se ky është thjesht një justifikim. Këtë quajnë turizëm bashkatdhetarët e mi në Gjirokastër, ndaj bëjnë vërtetë hapa breshke. Cili do ta bëj strategjinë e zhvillimit. Tek ne ato ngjajnë si pëlhura e Penelopës. E prishin. E ribëjnë. E prishin. Anipse Rama ka besim dhe shpura e tij, po ashtu. Një vit, më pas, e di se ndryshimet do jenë minimale. E di prej përvojës së shumë e shumë viteve.

....

Largohem. Më duhet të pushoj, pasi të bëj disa foto në një hidrocentral para. Kolegët e mi nuk i ngjall asgjë qyteti veç të ngrënës së mirë dhe një soditje të thatë. Të tillë kanë hasur dhe gjetkë. Unë shpresoj se një ditë do t’i them dikujt tjetër që zgjidhja e UNESCO-s për qytetin ishte e mirë, por a do mundem vallë? Endacaku ka nxjerrë kokën. Nuk e di më mban mënd, tani, kur rikthehem. Është ulur galiç. Me kurriz nga qyteti. Në fakt, gjirokastritët të gjithë i kanë kthyer kurrizin qytetit. Më së shumti rrinë poshtë sesa në këtë të vjetrin te Çerçizi, që i sodit me dorën pas. Të çuditshëm këta bashkëqytetarët e vet, që kursyen dhe pak para, që mos t’ia bënin dorën tamam, dhe akoma më të habitshëm, janë këta të sotmit, që jetojnë ende me zulmën e shekujve të shkuar. Verë 2014.

1 Komente

Bukur. Shqiptaret brenda mesa kam vene re, iu mungon kultura e turizmit, atraksionet qe duhet te krijojne, pershendetja dhe mirsjellja miqesore qe duhet te kene, krijimi i wc publike prane qendrave kulturore per grupet e turisteve etj, etj.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).