Nëse artistët duan t'i heqin ca kokëçarje vetes, bëjnë mirë të ngrenë zërin publikisht ndaj jo-seriozitetit të jurive, ose të mos ankohen më në tavolina e kafene. Përndryshe, juria do funksionojë gjithmonë me parametrin “a ju ka kapur Mevlani?”

“Ju ka kapur juve Mevlani?” ishte pyetja e një anëtari të jurisë së filmit të Akademisë Kult, një nga juritë e shumta që përcaktojnë të nominuarit e 11 kategorive. “Mevlani” është producenti i njërit nga filmat, që më pas rezulton i nominuar. Ndër vite, meqë jam pjesë e organizimit të show-t final të çmimeve Kult dëgjoj ankesat e pafundme të artistëve, muzikantëve, aktorëve e regjisorëve për çmimet e dhëna, edhe pse nuk mbaj mend që ndonjë nga problematikat që ata ngrenë ta kem parë të artikuluar në shtyp. Pra, ose problemet nuk ekzistojnë e artistët ankohen se janë xhelozë e mistrecë, ose probleme ka po artistët janë frikacakë të ngrenë publikisht shqetësimet e tyre.

Këtë vit, Kult jepte një çmim dhe për filmin, duke mbledhur filmat më të mirë shqiptarë në 5 vjet. Meqë jam personalisht i përfshirë në fushë, e pashë më me vëmendje mënyrën e funksionimit, dhe më lindën disa shqetësime, sidomos pas shpalljes së të nominuarve, filmit “Lindje Perëndim Lindje” të Gjergj Xhuvanit, filmit “Amnistia” të Bujar Alimanit, filmit “Pharmakon” të Joni Shanajt dhe filmit “Balkan Baazar” të Edmond Budinës. Unë i kam parë të katërt filmat, dhe për 3 prej tyre kam bërë dhe shkrime në shtypin e shkruar. Për fat, këto shkrime i kam bërë kur nuk kisha filluar të bëja filma vetë, kështu që qasja ndaj tyre është krejtësisht konceptuale dhe artistike. Mendimi im atëherë e tani është që “Amnistia” është një film i mirë, që “Lindje Perëndim Lindje” është po ashtu një film i mirë (megjithë të metat a defektet që mund t'u gjenden të dyve filmave në një shqyrtim të përimët), që “Balkan Baazar” është një film i dobët dhe “Pharmakon” një film shumë i dobët (shkrimet mund t’i gjeni në blogspotin tim).

Duke gjykuar nga bisedat me shumë kolegë artistë, mendimi mbi këta 4 filma është pak a shumë i njëjtë me timin, edhe pse shumica e tyre rezervohet vetëm në biseda në kafene, dhe nuk kanë në plan të prishin marrëdhëniet me kolegët filmbërës. Pyeta një kolegun tim për “Balkan Baazar”. Më tha, “nisa ta shikoja por...” Kjo fjali, flet më shumë sesa lista e të nominuarve në Kult. 

Por, duke u nisur nga ajo që besoj e mendoj unë për këta filma, pyetja e parë që më lind, është “sa serioze është ko Juri?”

Serioziteti i jurisë

Duke qenë një njeri që merrem me kinema, mund t'ju sjell një përvojë personale. Filmi “Femrat” ku jam skenarist dhe producent, një film që theu të paktën një tabu në kinemanë shqiptare, atë që “publiku nuk e do kinemanë”, nuk ia doli dot të kalonte përtej 8-shes, le më të nominohej në 4-shen e të nominuarve të jurisë së filmit (përbërë në rend alfabetik nga Andia Xhunga, Edi Topi, Eno Milkani, Eol Çashku, Kristaq Mitro, Rovena Lule, Vasjan Lami).

Ju do thoni, “aaaa, ja ku flika lepuri”, por në fakt, unë dua vetëm të nxjerr një të vërtetë të jurisë. Juria NUK e ka parë filmin “Femrat”. Ose më saktë, jo të gjithë e kanë parë. “Femrat” është shfaqur vetëm në kinema për disa javë, dhe nuk ekziston as në DVD, as në TV, as në Internet e (ende) as në Digitalb. Nëse një nga anëtarët e jurisë ka qenë jashtë shtetit (siç dhe është e vërtetë), ai nuk e ka parë dot filmin. Po ashtu, kam konstatuar që shumë kolegë artistë nuk e kanë parë filmin në kinema, sepse kanë qenë të zënë, se u ka mbetur hatri që nuk i kemi ftuar në premierë, se nuk para shkojnë për të parë punët e të tjerëve, për përtesë, injorim, xhelozi, apo për shumë arsye. Nëse një ose më shumë anëtarë të jurisë nuk kanë mundur ta shohin filmin, sa kredibilitet ka kjo juri?

Përveç filmit “Femrat”, sa filma të tjerë kanë arritur të shohin, të GJITHË anëtarët e jurisë?

Kredibiliteti i jurisë, bie edhe për faktin që ka anëtarë jurie që kanë “marrë pjesë” në mbledhje me anë të e-maileve, çka ngre pikëpyetje të rënda mbi seriozitetin e debatit artistik që ka pasur gjatë punës së saj.

Në bisedë informale me një nga anëtarët e jurisë, ai mbështet të tëra opinionet e mia për 4 të nominuarit. Madje, për njërin nga filmat, thotë edhe se “Nuk e mbaj mend, se është aq i dobët sa e kam fshirë nga memorja”. Përveç faktorit “a ju ka kapur Mevlani”, kjo më bën të mendoj që shumica nga anëtarët gjykojnë për filmat pa i ri-parë ata. Mirëpo, sa vlerë ka gjykimi për një film që e ke parë në 2011-n (dhe janë aq të dobët, sa asnjë anëtar jurie nuk vret më 2 orë e gjysëm të tjera për t'i ri-parë) dhe që do e krahasosh me një film që e ke parë në 2013?

Dhe, a është e njëvershme që një film që sheh në kinema ta krahasosh me një që sheh në youtube apo në DVD? I gjithë procesi është i pandershëm dhe i padrejtë, por, ja ku janë të nominuarit, ndër ta edhe 2 filma që janë shumë të dobët. Ndaj pyetja e dytë që më lind, është, cilat janë kriteret që është bazuar juria e filmit për të përzgjedhur të nominuarit? 

Kriteret e jurisë

Festivalet e mëdha, le të themi Kana apo Berlini, Toronto apo dhe Oskarët, kanë politikat e tyre të përzgjedhjes së filmit. Një film mund të jetë “një film për Berlin” por jo “një film për Kanë”. Ato janë festivale që përzgjedhin atë produkt që u rri më shumë në filozofinë e vet. Por, Kult nuk është një festival, është një vlerësim i tërë produktit kombëtar në fushën e filmit. Atëherë, cilat janë kriteret?

Jam i sigurt që asnjë nga anëtarët e jurisë nuk do dinte të jepte një përgjigje të qartë e as të njëllojtë me tjetrin. Sepse nëse kriteret do ishin artistike, prania e gjysmës së filmave në 4-shen e nominuar është pa sens. Nëse kriteri do të ishte “të jetë produkt i QKK dhe jo indipendent” është ta kthesh Kult-in në një derivat shtetëror. Unë besoj se asnjë nga juria nuk do merrte guximin të mbronte publikisht të nominuarit. Ata e dinë vlerën e vërtetë të atyre që kanë nominuar, dhe besoj se kanë aq cipë artistike sa të mos i dalin mburojë mediokritetit, as duke e justifikuar me kriterin: “është shije personale”. Megjithatë, le të flasim për shijen.

Vlerat dhe vetë-çertifikimi

Në botë ka vetëm 2 vlerësime të një filmi, ai i publikut dhe ai i kritikës. Vlerësim të publikut, deri tani ka marrë vetëm një film. Vlerësim të kritikës nuk ka. Kritika e filmit te ne, thjesht, nuk ekziston. Ka vetëm ca gazetarë pa lidhje me filmin që bëjnë qoka lart e poshtë, por, kritikë të mirëfilltë nuk ka.

Në këtë vakuum, dalin të vetë-çetifikuarit. Artistë, filmat e të cilëve nuk vlejnë, por në mungesë të kritikës vetë-çertifikojnë filmat e tyre, të shokëve. Në tavolina çfarë nuk thonë, por, publikisht, dalin dhe i krehin bishtin njëri-tjetrit. Mbrojnë dhe fondet e dhëna në mënyra të dyshimta. Jo më larg se para ca muajsh dëgjova nga një aktor konceptin që paska ca artistë që “luajtkan në Wembley”. Medemek, që qenkan ajka e kinemasë e na bënkan çudira ndërkombëtare. Kjo, në rastin më të thjeshtë është një rrjedhje, dhe është një tallje me komunitetin.

Në rrafsh ndërkombëtar, në 20 vjet, Shqipëria mezi ka arritur të ketë jo më shumë se 5 filma në rrethin e festivaleve të mëdhenj. JO në Konkurim! Por, thjesht të shfaqen bashkë me disa qindra nga e tërë bota në kuadrin e një festivali të madh. I vetmi film që ka hyrë në konkurim në Berlin, “Falja e gjakut”, nuk është produksion shqiptar. Atëherë, për çfarë Wembley flasin megalomanët? Gënjejnë veten dhe të tjerët, sikur po bëjnë artin e madh.

Shumë mirë mund ta kisha injoruar listën e të nominuarve në KULT, si një tjetër mediokritet të rradhës, sikur, të mos dalloja aty 2 dëme të mëdha. Një ndaj publikut, e një ndaj Kult-it.

Dëmi i madh

Kult është përpjekja e vetme në Shqipëri (private) për të vlerësuar artistët. Ata që e organizojnë, u japin çmime artistëve fitues, jo një trofe çeliku por shpërblim monetar gjë të cilën nuk e bën as shteti. Shumë lehtë, unë mund të ngre gishtin ndaj Drejtorit Ekzekutiv të Kultit, e t'i them, ç'janë këto nominime mediokër?! Dhe ai do më thotë, “Ja ku është juria. Juri nga jashtë shtetit nuk sjellim dot”. Ndaj, i takon jurisë të japë llogari për zgjedhjet e veta dhe të mbrojë integritetin e vet. Juritë si kjo e filmit, hedhin poshtë gjithë punën 10 vjeçare të Kultit, duke e bërë aq joserioz seleksionimin deri te nominimet. Kult është vërtetë një inisiativë private, por vlerat artistike që nominohen aty janë publike, ndaj, juria duhet të mbajë përgjegjësi para komunitetit artistik dhe publikut, si kur dëmtojnë imazhin a artistëve e produkteve të mira ashtu dhe kur promovojnë vlera mediokre. Por, dëmi më i madh i vjen publikut. Duke ngritur në Kult mediokritetin, ata prishin shijen e publikut dhe rrafshojnë çdo sistem vlerash e vlerësimi.

Të tjerët 

Këto që po them, jo vetëm për filmin, por dhe për teatrin, muzikën a librin, i mendojnë shumë vetë. Ata nuk flasin, sepse nuk duan të mërzisin autorët, shpesh dhe miq. Edhe unë e di që autorët e këtyre dy filmave do mërziten. Por, duhet t'u them, që filmat e tyre të mërzitshëm kanë mërzitur shumë të tjerë, më kanë mërzitur edhe mua. Ndaj, le ta ndajmë pak mërzinë mes nesh. Nuk është krim të bësh një film të keq. Jetojmë në një vend ku hidhen në erë makina, njerëz e deri dhe fshatra. Ndaj, një film i keq është një gjë shumë e vogël. Por, tjetër gjë është të bësh një film të keq, e tjetër ta promovosh atë me zor, me miq, qoka e konjuktura, si të ishte një “kryevepër” që ne nuk e paskëshim kuptuar.

Lista e të nominuarve do harrohet, sepse vlerat e vërteta i qendrojnë kohës, mediokritetet zhduken. Por, nëse artistët duan t'i heqin ca kokëçarje vetes, bëjnë mirë të ngrenë zërin publikisht ndaj jo-seriozitetit të jurive, ose të mos ankohen më në tavolina e kafene. Përndryshe, juria do funksionojë gjithmonë me parametrin “a ju ka kapur Mevlani?”

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).