Jo më shumë se 500 euro është vlera e një veku (pajisje tradicionale për qëndisje) në tregun e Kosovës, por këtë shumë të hollash nuk e ka nëna, Mihrije Elshani, e cila nga të ardhurat e punës së dorës mban familjen e saj nëntë anëtarësh. Dhimbja dhe vuajtjet në fytyrën e shpirtin e saj kanë “zënë shtëpi”, nuk shkoqiten dot që aty. Rrudhat që ia kanë mbuluar ballin, tregojnë moshën e shtyrë të nënës së dy djemve të vrarë, e cila mbahet e fortë për të mbajtur familjen.

Nora e Kelmendit, Tringa e Malësisë, Shotë Galica…nuk janë femrat e vetme që na e portretizojnë femrën shqiptare; të qëndrueshme, guximshme, luftëtare, punëtore, mikpritëse… Në fshatin Dobrevë të komunës së Fushës Kosovës nënë Mihrija po e mban të kyçur dhimbjen për djemtë, po rrit fëmijët e tjerë, nipër e mbesa dhe po sfidon gjendjen e rëndë ekonomike si kryefamiljare, duke bërë punë të rralla dore për të siguruar të ardhura më të mëdha. Në një shtëpi-pronë publike e Komunës e dedikuar për ish-refugjatë serbë nga Kroacia, në të cilën ajo jeton vetë e nënta tash e sa vjet, nuk ka vek, në të cilin ajo do të punonte qilima, nga shitja e të cilëve, sidomos nëpër panaire, do të siguronte të ardhura më të mëdha.

Dy qilima (copa) të vogla, ajo i tregon që i ka punuar në copa dërrase të improvizuara me gozhda, si vek.

Motivet kombëtare, pjesë e punimeve të saj

Vekun që e ka pasur i është djegur para luftës. Ndërsa, pas luftës në vek, ka punuar në Muzeun Etnologjik, në vekun e vendosur nëpër panaire, por asnjëherë më në një vek të sajin. Ajo lidhet emocionalisht për vekun që e përdor në muze, panaire, apo shoqata...

“Është ngushëllim për mua puna në vek, aty përhumbem pak dhe ‘ndahem’ sadopak nga dhimbja e përditshme për djemtë që më kanë vdekur. Por do të siguroja dhe të ardhura më të mëdha po të kisha një vek, mirëpo një vek rreth 500 euro që kushton tash në treg, unë nuk kam mundësi ta blej”, tregon ajo.

Nënë Mihrija çdo të martë udhëton nga Dobreva me autobus për në Prishtinë në Shoqatën “Dera e hapur” ku mblidhen gratë që punojnë punëdore. Gjithçka që mendja e saj mendon, e bënë dora. Koha në këtë ditë i shkon shpejt, aty përhumbet në punë dhe në biseda me gratë e tjera. Ditëve të tjera në shtëpinë ku lagështira të shoqëron dhe kushtet për jetesë janë larg të qenit normale, ajo punon pa pushim: rruaza, çorape, këmisha, veshmbathje për fëmijë, shall...e deri tek mbështjellësit e telefonave me motive kombëtare.

E kuqja, e verdha, e gjelbra, e zeza, e bardha, janë ngjyra që dominojnë në punimet e saj si ngjyra të veshjeve tradicionale kombëtare. Motivet kombëtare, janë pjesë e punimeve të saj, ku shquhet shqiponja, madje e vendosur në punime edhe në formën artistike, të trashëguar brez pas brezi.

“Kur e mëson nuk është e vështirë puna me vek, kam dëshirë ta ushtroj këtë zanat, nga të gjitha punët e dorës që i bëj, puna me vek është më e dashura për mua”, është shprehur Elshani.

Mishërimi me dhimbjen dhe forcën për t’ia dalë

Përballë saj qëndrojnë në foto dy djemtë e vrarë në trazirat e Marsit (2004), Bajra që u vra pa mbushur ende 31 vjet dhe Kastrioti pa mbushur 21 vjet.

“E mjerë nëna e tyre”, kujton ajo të ketë pëshpëritur kur para këmbëve të saj po kalonin autoambulancat që bartnin të plagosurit dhe të vrarë nga Qagllavica dhe duke menduar vuajtjen që do të përjetonin nënat e tyre, pa ditur se në ato autoambulanca po barteshin dhe dy djemtë e saj.

“Kisha dalë të blej bukë për drekë, po prisja Bajrën të vinte nga puna, e prisja gjithmonë për drekë, nuk shtroja tavolinën pa ardhur ai, ai atë ditë po vonohej...Nuk e dija se bijtë e mi ishin atje”, thotë ajo, derisa thekson se ata nuk ishin të armatosur, u vranë pa faj, se sipas saj po kundërshtonin “pavarësinë e mbikëqyrur”.

Ajo tregon se djemtë e saj nuk kishin dalë me plan për të protestuar, por i ishin bashkangjitur turmës. Tragjedia në këtë familje do të ripërsëritet me vdekjen e bashkëshortit të saj tre vjet më parë.

“Ai vdiq nga mërzia, dhimbja për djemtë na mbyti, pati infarkt”, tregon nënë Mihrija. Shtëpia, banesë njëkatëshe me dy hyrje që përdoret dhe nga një familje tjetër ishte e pamjaftueshme për të zënë dhe nusen e Bajrës së vrarë me dy vajzat.

“Tani nusja me dy vajzat jeton tek familja e saj, këtu nuk na zinte, kushtet ekonomike më të rënda”, thotë ajo derisa tregon se çmallet shumë më mbesat, trashëgimtaret e djalit të saj, kur i vijnë në vizitë. Megjithëkëtë, ajo thotë se do të donte të ishte në gjendje që të kishte shtëpinë e mirë, t’ua plotësonte kushtet dy mbesave.

“Tash jemi nëntë anëtarë dhe me dy çikat e djalit 11 bëhemi, ato rrinë atje, por dhe këtu. Vallahi me një rrogë veç të djalit që punon në Ferronikel në vend të burrit, si dhe unë me punëdore tjetër kush nuk punon, vështirë me ia dalë në krye muajit”. Në shtëpinë e refugjatëve ku ajo rri është grumbulluar dhe borxhi i rrymës nga familjet që kanë jetuar më parë dhe nuk e kanë paguar, është dëmtuar dhe muri i shtëpisë-dhomave, dhe ajo thotë se shtëpia ka dhe lagështirë.

“Ka nejt shumë kush në këto dy dhoma…sa ka qenë Habitati kemi qenë të detyruar të paguajmë edhe qira. Një herë e patëm përvjetorin e djemve dhe kishim harruar të paguanim qiranë në mëngjes erdhën ata të Habitatit dhe na nxorën jashtë në mëngjes me rroba e me krejt”, rrëfen ajo tmerrin e përjetuar pas vrasjes së djemve, kur ishte detyruar të dalë dhe nga banesa që kanë pasur në Breg të Diellit, e cila iu është marrë, sipas saj nga një punëtorë serb i Ferronikelit.

“Pasi na nxorën nga banesa ne nuk kishim vend, nusja me vajza shkoi tek nona e vet. Këtu kemi një dhomë, një kuzhinë të vogël dhe një dhomë të dëmtuar, ngushtë e kemi”.

Nëna e UÇK-së

Në një qoshe të dhomës e mbushur me orendi të vjetra, diku pas derës ajo mban dhe një sofër të vogël që e mori si dhuratë me titullin “Gatuesja më e mirë” në “Etnofest”. Gatimi i saj nuk fitoi vetëm në “Etnofest”, ai pëlqehej dhe nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, të zonës së Drenicës, të cilët jo rrallë kanë qëndruar në odën e kësaj familjeje në fshatin Baincë të Drenicës.

“Laknurët ua kojke fortë, hiq s’pritojsha kam gatu shumë bukë për djemtë e UÇK-së. Edhe lopën e rrzojsha për ta. Tanë ditën rrisha me kep në dur t’u gatu”, thotë nënë Mihrija, e cila dhe burrin dhe dy djemtë i ka pasur në UÇK.

Ringjall punën me vek

Nënë Mihrija njihet nga etnologët, shoqatat, përfaqësues të institucioneve e organizimeve të trashëgimisë kulturore. Etnologia në Muzeun Etnologjik, Erodita Qorkadiu- Haxhiu, tregon për gazetën se përveç pjesëmarrjes në festivalin “Etnofestit” në Kukaj, nënë Mihrija ka marrë pjesë edhe në Muze disa herë, sidomos në “Javën Artizanale”, e cila mbahet në Muzeun Etnologjik. Madje në Muze, nënë Mihrijes i është mundësuar që të sjellë gjërat dhe ato të ekspozohen për shitje për vizitorë.

“Këtë e kemi bërë që t’i ndihmojmë duke ia ditur situatën”, thotë Qorkadiu- Haxhiu. Edhe në Kukaj nënë Mihrija ka perfomuar punën në vek, si dhe gatimin e ushqimit tradicional.

Në shtëpinë e vjetër në Kukaj, Qorkadiu- Haxhiu thotë se u mbajt ekspozita me rrobe kombëtare, vegla të punës...

”Shpinë e vjetër e kemi ngjallë me ekspozitën, e cila ka pasqyruar të kaluarën duke filluar që nga ushqimi tradicional që ishte “Agro fest” ku dhe aty mori pjesë zonja Mihrije e deri tek kultura dhe mënyra e jetesës të popullit tonë”, thotë Qorkadiu- Haxhiu.

Gazeta Zëri

Të gjithë ju që dëshironi të ndihmoni Mihrije Elshani, telefononi në numrin e redaksisë “Zëri”, në 038 222 451, 038 249 071 si dhe në 044 951 515, ku mund të merni kontaktin e Zonjës Elshani.

2 Komente

se po pertoj me e lexu , nga se vuan Mihrija ?

Nuk vuan Brado, thjesht me duart e saja mban gjalle disa pjestare te familjes se saja. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).