Ardhmëria e përbashkët kërcënohet kur jo vetëm qeveria, por krejt spektri politik (e oligarkët ekonomikë dhe ideologjiko-mediatikë) hidhen në të njëjtin kamp, kanë të njëjtat interesa dhe përkrahin haptazi a heshtazi të njëjtën gjë: Në këtë rast, projektreformën në arsimin e lartë. E sponsorizuar prej vitesh nga diplomoret kryesore private dhe e tentuar disa herë nga qeveria Berisha, reformimi i arsimit të lartë, që bazohet në kalimin e fondeve shtetërore prej universiteteve publike drejt atyre private, po sendërtohet përfundimisht nga qeveria Rama.

Projekt-reforma shpërfaq krejt arrogancën e pushteteve politiko-ekonomike ndaj jetës dhe problemeve të mirëfillta universitare. E hartuar prej një komisioni të emëruar nga kryeministri, që këto kohë më shumë ka folur me vete sesa me publikun universitar, projekt-reforma niset nga premisa vetëreferuese, të cilat në njërën anë i interesojnë qeverisë sepse pohojnë paargumentueshëm se financimet shtetërore për universitetet nuk kanë gjasë të rriten, e në anën tjetër oligarkëve të diplomoreve private pasi edhe ato fonde që akordohen deri më tash për universitetet publike do të jenë të hapura edhe për privatët. Jo vetëm kaq, por që universitetet publike të mbijetojnë në pazarin e ri universitar duhet të ristrukturohen së brendshmi si agjenci tregtare që synim kryesor kanë kërkimin e fondeve. Këto të fundit thuhet se mund të sigurohen nga bashkëveprimi me biznesin dhe nga rritja e tarifave studentore. Meqenëse alternativa e parë në kushtet tona nënkupton vetëm dhënie me qira e mjediseve universitare për reklama ose party promovuese biznesore (organizimi i ulët i kapitalit shqiptar as kërkon, as pritet të kërkojë shpikje shkencore të integrueshme në kushedi çfarë industrie prodhuese konkurruese), mbetet që rënien e pritshme të fondeve shtetërore ta kompensojë rritja e tarifave studentore. Sikur komisionerët ta kishin banuar universitetin, dhe jo thjesht vizituar atë, do të mendoheshin dy herë përpara se të kërkonin rritjen e tarifave studentore, të cilat pritet të disafishohen. Do të kishin kuptuar po ashtu se të jesh student sot në Shqipërinë e të papunëve, të keqpunësuarve e të nënpaguarve, është mikroheroizëm më vete. Edhe sot universitetet po kthehen në aparate riprodhimi klasor, çka projektreforma pritet ta përfundojë duke i përjashtuar përfundimisht të pangeshmit ekonomikisht nga shkolla.

Po ashtu një komision i krijuar me ferman, pamundësinë e dhënies së zgjidhjeve për problemet reale e mbulon duke shpikur probleme imagjinare dhe zgjidhje të botës së çudirave për to. Bie fjala, sot universitetet publike kanë probleme të fondeve të pamjaftueshme shtetërore, por komisionerët në vend që ta përdornin inteligjencën e tyre akademike për të kërkuar modele alternative zhvillimore që i mundësojnë shtetit të financojë më shumë universitetet, shpikin problemin e shpërndarjes së fondeve aktuale. Njëlloj sikur një të varfri t’i thuhej se problem nuk janë paratë e pakta që ke, por fakti se prej tyre nuk u jep ca edhe të pasurve. Dhe të mendosh se këto para mund të vijnë prej trupës studentore është po aq absurde sa t’i kërkosh të varfrit të mësipërm që për të pasur më shumë para, duhet ta paguajë veten më shumë(!) Se universiteti dhe studentët nuk janë dy trupa të huaj, ku njëri shet e tjetri blen, por bashkëpërcaktuese e bashkëformuese. Njëkohësisht hartuesit e projekt-reformës, problemit të burokratizimit aktual të universiteteve publike i japin zgjidhjen gjeniale të shtimit të strukturave burokratike, duke futur në jetën universitare mekanizma vendimmarrës realisht të pakontrollueshëm nga trupa pedagogjike dhe studentore (për këta të fundit thuhet neokolonialisht se janë të papjekur për të qenë zgjedhës), dhe gjithnjë e më të kontrollueshëm nga qeveria dhe oligarkët ekonomikë, që kushedi për ç’arsye sublime do të gjejnë frymëzim për të shpenzuar para për universitetet.

Argumenti më i përdorur nga mbrojtësit e projekt-reformës (që kur nuk janë vetë hartuesit, i gjen rëndom në fondin e pagave të diplomoreve private) është se shteti nuk ka pse të mbajë me hatër universitetet publike duke ua akorduar atyre të gjitha fondet, por duhet t’i shpërndajë ato në bazë “merite” edhe për privatët duke jetësuar kësisoj një “parim të vërtetë barazie”. Barazia nuk është ndarje e barabartë përkujdesjeje financiare shtetërore për të gjithë ata që u teket të mos shfrytëzojnë institucionet publike si universitetet, as të përpiqen t’i transformojnë ato nga brenda, dhe zgjedhin të hapin biznese të quajtura universitete apo të arsimohen brenda tyre. Përndryshe shtetit do t’i duhej të financonte si studentët që studiojnë jashtë Shqipërisë, ashtu edhe, në fusha të tjera, policitë private apo televizionet private. Në u realizoftë reforma në fjalë, s’është për t’u çuditur që nesër të paguajmë edhe për badigardët e diskove dhe telenovelat e fundit.

10 Komente

Me vjen cudi nga rilindja, kjo nuk eshte rilindje per universitetet. Ne kete menyre po bllokohet e ardhmja e shqiperise, ndoshta rama i do shqiptaret pa shkolle keshtu mund te qeverisi ne perjetesi e te predikoj rilindje sa here kerkon votat.

Me kete anti-reforme qe po ben kjo qeveri, po i jep goditjen perfundimtare arsimit. Plus qe kjo eshte vjedhje e hapur qe i behet taksave tona!

Personalisht, kur ika nga shqiperia per te studiuar ne itali, isha i indinjuar sepse shikoja mijera studente shqiptar qe po iknin jashte dhe kush e di nese do te ktheheshin prap pas diplomimit... Si po vene punet tani, u them maturanteve qe nese kane mundesi, le te ikin te studiojne jashte se ne universitetet tona me duket humbje kohe e tallje b... nga te gjitha anet.

Martin, pse Rama esht i perjetshem ?

Po ja shiko berishen, vajti cerek shekulli... Asnjeri nuk eshte i perjetshem, po me kete popull rrezikon te behet.

Si ka mundesi qe dikush merr persiper te shkruaje per universitetet dhe te perdore kaq shume struktura te gabuara ne ndertimin e fjalive?

Deri tashti kemi degjuar vetem kritika ideologjike ndaj kesaj projekt reforme. Dhe me kryesorja keta kritikuesit, perfshire autorin e ketij shkrimi, sa kompetence kane per kete pune, sa eksperienca te vendeve te tjera kane studiuar? Apo si gjithmone fanar ndricues? 

Nje gje eshte e qarte, universitetet publike jane kalbur, ato privatet ne shumicen e rasteve sa printojne diploma. 

Pika reformes se arsimit te larte, dje po I degjoja keta tipat qe po bejne reformen dhe ne mes miliona llafeve pa buke edhe vete ata kishin te qarte vetem nje gje "arsimi I larte duhet rregulluar se eshte cope-cope". Te gjitha te tjerat ose ishin menyra si te kanalizohen fondet e shtetit te privatet, ose ishin kufinj qe I viheshin te thana universitetit publik te tipit "x meter katror per student" qe universiteti publik qe s'ka fonde per investime ne godina te katandiset ne kioske. Aa po, ndersa shume gjera ja linin ne dore tregut, deget e studimeve qe duhet te kete cdo universitet donin ti benin me te caktuar. Universsitetet do menaxhohen nga dy struktura sipas atyre qe e kane marre kete pune ne dore, struktura akademike dhe struktura menaxheriale, dhe keyo do qenkan te pavarura. Nuk pashe asnje krahasim modelesh, te tipit modeli gjerman kshu e ashtu, modeli zviceran keshtu e ashtu e modeli anglez keshtu e ashtu. Qe te pakten te merrnim vesh ca arsyetimi ka per modelin qe kane zgjedh pervec atij qe neim cili dhe besnik aliaj te kene akses ne fondet publike.

Gjithashtu nqs qeveria s'ka plan te hapi qesen per universitetet ... Se dhe Nastradin efendiu sikur nuk ia pa hajrin agjirimit te gomarit te tij.

Rama e ka pranu qe eshte thirdwayist, pajtoi dhe toni blairin si konsellor; model anglosakson nearsim, shendetsi etj, qe nuk eshte tjeter vec model neoliberal i kamuflu si i pranueshe. pastaj rama gjithashtu e ka thene se i intereson me shume privati sesa studenti. shif parlamentin i mbush plot me biznesmene, pse jo dhe me interesa univ; bejne gam gam per rrota avionesh dhe kalojne me urgjence reforma te rendesishme pa u kushtu piken e rendesise.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).