Vila romake në Diaporit është një prej shembujve më flagrantë se si trajtohet në Shqipëri trashëgimia kulturore.

Rrënojat e një banjoje romake në Diaporit, të një manastiri dhe gjurmët helenistike të këtij vendbanimi janë lënë të mbulohen nga shkurre, ferra dhe mbeturina. Kjo qendër arkeologjike të cilën arkeologët anglezë e kanë përdorur gjatë edhe për ngritje fondesh (duke e lidhur atë me Ciceronin dhe me një vizitë të tij, gjë që nuk u dokumentua dot) nuk ka as edhe një rrethim minimal që ta mbrojë atë nga kafshët apo nga banorë të zonave përreth. Më e rrezikuar është sidomos pjesa e mbetjeve helenistike si për shembull një fragment muri që përfundon në liqen e që ka filluar që tani të shkatërrohet siç mund ta shikoni në foton e dytë poshtë.  

Pasi kanë mbijetuar për më shumë se 2000 vjet këto gjurmë të jashtëzakonshme të kulturës rrezikojnë të shkatërrohen nga indiferenca e shtetit e sigurisht dhe nga pakujdesia e banorëve përreth.

Arkeologët kanë dokumentuar të paktën tre periudha kryesore në Diaporit. Periudha helenistike lidhet me epokën e sundimit të Pirros, kryeqendra e të cilit nuk ishte fort larg prej aty. Ndryshe nga vende të tjera të kësaj periudhe vërejmë se në Diaporit kushdo që banonte aty nuk kishte nevojë për fortifikime gjë që tregon se si banorët kishin krijuar një lloj sigurie për shkak të prosperitetit nën Pirron.

Më tej në shekujt e parë pas Krishtit arkeologët tregojnë se vendbanimi i hershëm helenistik u shndërrua në një vilë romake të tipit rustica (një vilë fshatare e thënë me pak fjalë). Me kalimin e viteve ajo u zgjerua, në ambiente të veçanta pati dhe mozaikë, në të edhe sot mund të shikosh rrënojat e një banjoje romake (si pjesa e ngritur që shikoni në foton e parë, e cila ishte dhe objekti i parë që pa vetë Ugolini).

Zgjedhja për të përdorur Diaporitin ishte shumë e mençur, aq sa e bënte atë një vendbanim luksoz: përballë ka një pamje mahnitëse të liqenit të Butrintit dhe vetë Butrintin, ndërsa për shkak të gjeografisë vendi aty është natyralisht i mbrojtur.

Ndërsa rreth shekullit të 5-të u ndërtua një bazilikë që shërbeu si një vend peligrinazhi dhe u ndërtuan edhe ambiente ndihmëse që e bëjnë atë bazilikë të ketë format e para të një manastiri, ndoshta manastiri i parë i dokumentuar. Tre varre të vendosura Brenda bazilikës i përkasin tre martirëve lokalë. Kjo tregon dhe lidhjen e fortë të banorëve me kishën e parë. Vetëm në njërin prej atyre varrëve (që sot është i mbuluar me dhe, shkurre e mbeturina), u gjet fragmenti i një femuri njeriu.

Shumë religjoze është e gjithë kjo zonë, po të mendosh për gjurmët fetare brenda në Butrint si pagëzimorja madheshtore, por edhe sinagoga e zbuluar në qendër të Sarandës.

Por kujdes! Që të shkoni sot në Diaporit duhet të paguani një varkë e cila nuk të ofron asnjë lloj sigurie. “Ku janë komardaret e shpëtimit”, pyet pothuajse në panik Dona, një pjesëmarrëse nga Kosova në shkollën verore të multimedias që “Historia Ime” zhvilloi këtë javë në Ksamil. Udhëtimi nga Butrinti në Diaporit zgjat rreth 15-20 minuta por ndonëse është një përvojë jashtëzakonisht e bukur një guidë e tillë nuk figuron të jetë e rregullt. Madje dhe punonjës të parkut të Butrintit rezulton të mos kenë qenë atje asnjëherë në jetën e tyre!

I pari që shkeli në Diaporit ishte Ugolini në fund të viteve 20-të të shekullit të 20-të. Më pas, në vitet 90-të një ekspeditë arkeologjike angleze dhe shqiptare mundësoi gërmimet më të plota të vendbanimit në Diaporit. Pas përfundimit të atyre gërmimeve, siç e shikoni dhe në foto Diaporiti u braktis përfundimisht.

Historia Ime

Shkruan nga Ksamili Kristi Pinderi*, Fotot Eriona Cami dhe Naim Ajger

Autori i ketij shkrimi ka qene pjesemarres ne ekspeditat arkeologjike ne Diaporit ne fillim te viteve 2000

13 Komente

periudha ''helenistike''  dhe sundimi i pirros nuk jane e njejta gje!   pirrua ishte mbret i epirit  dhe greqia e lashte nuk arrinte deri te gjiri i artes.

beni edhe per kuturen dhe trashegimine kombetare ndonje proteste ! jo vetem per pinketsmiley

E megjithate Pirro ishte aty pak kilometra me larg smiley nese u krijonte siguri vetem banoreve ne kryeqendren e tij apo edhe kesaj banoreve ne Diaporit kjo eshte e dokumentuar: mungon fortifikimi tipik ne Diaporit qe kishin vendbanimet helenistike. 

Robt skan te hane ju merreni me butrintin

kur shkatrrun tiranen sdo lejne gjo pa shkatrru kto plera.

Tironen e qiten ne selamet. Qe mbush me kioska e zhul. 

" Shkruan nga Ksamili Kristi Pinderi "

Ahhh sikur ta kishte shkrujt Xheni , do e kisha ftu per nje kafe ketu ne Ksamil smiley

aq me teper qe robt spo kane as te hajne tashti

Ky artikull interesant, tregon se sa pak e njohim Shqiperine tone. 

Pjer, ti ishe gati nje muaj ne Shqiperi ne mos gaboj. Ku jane shkrimet? Vec ne Tirane-Durres-Elbasan shkove kete here perseri?

Duro Gjembo, me jep pak kohe smiley

Pjer, Gjembi qenka merzitur me klubistet bythesheshta te Elbasanit, dashka histori malimegropse nga Saranda dhe Divjaka.

Xhibo, pershtypjet e kesaj radhe kane shum material, politiko-ekonomik, por me duhet ti hedh ketu ne kompjuter. Material sensual smiley kam nga ketu ne Antwerpen, dhe do ulem noi dit ta shkruaj, me titull; Nje te shtune neper supermarkete. Shpresoj te mos ta zhgenjej Gjembin. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).