Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA për Trafikimin e Personave e cilëson vendin tonë si një vend burimi dhe destinacioni për burra, gra, dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe për punë të detyruar. Megjithatë raporti vlerëson përpjekjet e qeverise Rama, pasi krahasuar me raportin e kaluar,  Shqipëria ka përmirësuar lehtë performancën e saj, duke u ngjitur në renditjen e ‘Grupit 2’ dhe duke dalë nga lista e vendeve ne vëzhgim.

Në raport thuhet se femra dhe fëmijë shqiptarë i nënshtrohen në radhë të parë trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual brenda Shqipërisë dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Grupe kriminale,  thekson raporti, rekrutojnë me anë të mashtrimit femra me oferta për punësim si kamariere, banakiere, kërcimtare, apo këngëtare në vendet fqinje, specifikisht në Kosovë, Greqi dhe Maqedoni dhe i nënshtrojnë ato ndaj trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual.

Një problem që raporti e cilëson në rritje, ëstë ai i fëmijëve romë që i nënshtrohen lypjes së detyruar dhe formave të tjera të punës në Greqi, Kosovë dhe brenda Shqipërisë. Raporti vlerëson se qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, ajo është duke bërë përpjekje domethënëse për ta bërë këtë.  Vetë kryeministri Rama ishte zotuar më parë që do ta nxirrte Shqipërinë që në raportin e vitit 2014-të nga lista e vendeve “nën vëzhgim”. 

“Kështu që, besojmë shumë dhe po punojmë intensivisht që raporti që do të publikohet për vitin 2014 të shënojë daljen e Shqipërisë nga lista e vendeve në vëzhgim dhe normalizimin e pozicionit të vendit tonë në këtë panoramë të përgjithshme të luftës trafikut të qenieve njerëzore.”- ishte shprehur Rama, gjatë një aktiviteti të pak ditëve më parë.

RAPORTI I PLOTE PER SHQIPERINE

SHQIPËRIA – Grupi 2 

Shqipëria është një vend burimi dhe destinacioni për burra, gra, dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe për punë të detyruar. Femra dhe fëmijë shqiptarë i nënshtrohen në radhë të parë trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual brenda Shqipërisë dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Grupe kriminale rekrutojnë me anë të mashtrimit femra me oferta për punësim si kamariere, banakiere, kërcimtare, apo këngëtare në vendet fqinje, specifikisht në Kosovë, Greqi dhe Maqedoni dhe i nënshtrojnë ato ndaj trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual. Viktima nga Filipinet dhe Shqipëria iu nënshtruan punës së detyruar në Shqipëri. Ka një problem në rritje me fëmijët shqiptarë, shpesh të etnisë rome, që i nënshtrohen lypjes së detyruar dhe forma të tjera pune në Greqi, Kosovë dhe brenda Shqipërisë. Disa vajza shqiptare i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual apo pune të detyruar pas martesave me ujdi. 

Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, është duke bërë përpjekje domethënëse për ta bërë këtë. Në tetor 2013, qeveria emëroi një koordinatore të re kombëtare anti-trafikim, e cila në dhjetor mori nismën për ngritjen e një taskforce të posaçme për të përmirësuar koordinimin midis policisë, prokurorëve dhe gjykatësve. Agjencitë ligjzbatuese shqiptare përmirësuan të kuptuarit e një përqasjeje ndaj trafikimit njerëzor me viktimën në qendër, ndonëse nevojitet më shumë trajnim për të përmirësuar efiçiencën e tyre operative në identifikimin e rasteve dhe çuarjen e tyre drejt ndjekjes penale. Qeveria rriti numrin e viktimave të identifikuara, por një numër i vogël autorësh trafikimi u ndoqën penalisht dhe dënuan. Viktimat merrnin shërbime të pamjaftueshme të shëndetit mendor në strehën e administruar nga shteti dhe personeli i kujdesit shëndetësor kishte nevojë për trajnim. 

Rekomandimet për Shqipërinë:

Të hetojë dhe ndjekë penalisht në mënyrë energjike kundravajtjet e trafikimit dhe të dënojë dhe ndëshkojë autorët e kundravajtjeve të trafikimit; të sigurojë që viktimat të kenë akses tek ndihma, mbështetja dhe mbrojtja specifike për viktimat, përfshi shërbimet e riintegrimit, të tilla si trajnimi profesionaldhe kujdes falas të shëndetit publik; të ofrojë financim për OJQ-të për strehat dhe shërbimet e ndihmës për viktimat, përfshi nëpërmjet Fondit të Posaçëm për Parandalimin e Krimeve; të zgjerojë njësitë e përbashkëta të lëvizshme që administrohen nga grupet e shoqërisë civile dhe agjencive ligjzbatuese për të rritur identifikimin e viktimave;të trajnojë prokurorë dhe gjykatës mbi amendamentet ligjore të fundit lidhur me trafikimin; të trajnojë personelin mjekësor të strehave që administrohen nga shteti mbi mbështetjen me viktimën në qendër; të trajnojë më tej policinëdhe zyrtarë në nivel vendor për të rritur numrin e viktimave të identifikuara dhe të ndihmuara; të vazhdojë të trajnojë inspektorët e punës dhe të tjerë zyrtarë mbi identifikimin e viktimave; të trajnojë zyrtarët në njësitë për mbrojtjen e fëmijëve për të rritur identifikimin e treguesve të trafikimit dhe për të referuar viktimat në shërbimet e përshtatshme; të sigurojë efektshmërinë dhe mbështetjen për koordinatoren kombëtare anti-trafikim; dhe të vazhdojë të zgjerojë përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin për trafikimin anekënd Shqipërisë, përfshi nëpërmjet përdorimit të njësive rajonale për anti-trafikimin.

Për më shumë "Raporti i plotë"

4 Komente

smiley

Të hetojë dhe ndjekë penalisht në mënyrë energjike kundravajtjet e trafikimit dhe të dënojë dhe ndëshkojë autorët e kundravajtjeve të trafikimit;

Keta dashkan te  lene pa PD-hi fare pa burime financimi  smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).