"Qëndrimi pas atyre që janë përfaqësuesit e vërtetë dhe të denjë të ortodoksëve shqiptarë, i Nikolla Gaxojanit, është fyerje e rëndë për çdo shqiptar".

Përurimi i një katedraleje madhështore në qendër të Tiranës ishte shansi më i mirë për hierarkinë e KOASH-it për të mbyllur të gjitha ato gojë të liga që e kishin renditur atë në një raport varësie ose flirtimi me nacionalizmin grek.

Ky ishte shansi që iu vu shqelmi me vullnet të plotë nga hierarkia e drejtuar nga kryepeshkopi Anastas.   

Teksa të gjithë sytë u përqendruan te deklarata antifetare, antishqiptare e patriarkut serb, në Katedralen Ortodokse u dha shfaqja e shqiptaro-grekësisë së KOASH. Përtej faktit që predikimi u mbajt në greqisht nga kryepeshkopi Anastasi, për të cilin do të ishte fyerje të thuhej se ishte i paaftë të mësonte shqipen përgjatë 23 viteve, ato çfarë përmbanin predikimet ishin të dhimbshme.   

Në gjysmë ore fjalë, si kryepeshkopi Anastas edhe patriarku Vartholomeu folën gjatë për “ortodoksët në Shqipëri”, por asnjëherë të vetme nuk përmendën “ortodoksët shqiptarë” apo “kombin shqiptar”. Këtu e 23 vjet, kryepeshkopi Anastas, në çdo libër e në çdo intervistë, në çdo fjalë që ka mbajtur ka theksuar se Shqipëria është një rast “i veçantë”, ku ortodoksët në vend janë të etnive të shumta; një rrenë e qëllimshme antishqiptare. Në Shqipëri, sipas të gjitha censuseve, shqiptarët përbëjnë 90% të ortodoksëve, shumë më shumë sesa përbëjnë greqishtfolësit në Greqi. Në vendin fqinj shqiptarët arbëror ose shqiptarët çamë ortodoksë, vllehët, sllavomaqedonasit dhe turqishtfolësit ortodoksë të Kapadokisë përbëjnë shumë më shumë se dhjetë përqindëshi që minoritetet janë ndër ortodoksët shqiptarë. Edhe në Patriarkanën serbe që deklaron juridiksion mbi Maqedoninë, serbët mbeten në më pak se 90 për qind të ortodoksëve. Por megjithatë, mjafton të shihni deklaratat e patriarkëve përkatës, apo edhe të vetë kryepeshkopit Anastas se si flasin për “grekët ortodoksë” dhe “serbët ortodoksë”, në një kohë ku kanë një alergji të theksuar ndaj “shqiptarëve ortodoksë”, kësaj pjese krenare dhe të ndritur të kombit tonë.   

Sikur të mjaftonte me kaq! Ata që njohin sadopak historinë e Kishës nuk mund të kenë mbetur veçse të hidhëruar kur dëgjuan nga patriarku Ekumenik të përmendte, jo një, por tri herë në fjalën e tij Kozmain e Etolisë. Kozmai, i shpallur shenjtor shekullin e fundit nga Patriarkana, ishte një greqizues në trojet shqiptare dhe mallkoi gjuhën shqipe. Në vendin ku ka predikuar Apostull Pavli, ku është martirizuar Shën Asti dhe Shën Donati, Kozmai i Etolisë ka rëndësi më të madhe vetëm për ata që u ka mbetur ora në greqizimin e Shqipërisë. Kur patriarku flet për “ortodoksët në Shqipëri” e nuk përmend asnjë moment “ortodoksët shqiptarë” dhe e trajton këtë vend si të ishte e ungjillizuar nga Kozmai i Etolisë, atëherë diçka nuk shkon. Fetarisht, kjo është e pasaktë. Politikisht, kjo është rrenë në favor të helenizmit.   Këtu lind edhe një pyetje naive. Kisha e ortodoksëve në Shqipëri dhe jo e ortodoksëve shqiptarë, me çfarë cilësie i rezervoi një karrige në radhë të tretë (pjesë e protokollit domethënë) Nikolaos Gaxojanisit, shtetasit antishqiptaro-amerikan me origjinë greke? Ai nuk plotëson asnjë kriter: nuk është as ortodoks shqiptar, as ortodoks i Shqipërisë. Ai nuk është as hierark, as një personalitet politik. Vetëm nëse ai është donator ose frymëzues shpirtëror i atyre që i rezervuan vendin e nderit pas drejtuesve të shtetit shqiptar.   

Sot Kryeministër i Shqipërisë është stërnipi i Kristaq Ramës, veprimtaria patriotike e të cilët në lëvizjen kishtare në periudhën e pavarësisë është regjistruar në analet e kohës dhe ndodhet në Arkivat e Shtetit. Sot, ndër ministrat e qeverisë janë pasardhësit e Petro Haritos, Nikollaq Peleshit e të tjerë, që secili në mënyrën e tij mundësoi që në Shqipëri të flitej për “shqiptarë ortodoksë”, që të meshohej për Themistokli Gërmenjin, Shën Astin dhe Fan Nolin, që në kisha të gjendej vatra e patriotizmit të shëndetshëm shqiptar. Sot, në radhët e opozitës militojnë pasardhësit e Josif Qiricit, priftit kombëtar që drejtoi shqiptarizimin e Kishës dhe të Stefanaq Pollos, historianit që i analizoi këto zhvillime kombëtare për të mbetur përjetë në histori.   

Qëndrimi pas atyre që janë përfaqësuesit e vërtetë dhe të denjë të ortodoksëve shqiptarë, i Nikolla Gaxojanit, është fyerje e rëndë për çdo shqiptar. Të folurit para tyre për “ortodoksë në Shqipëri” dhe Kozmain e Etolisë është një tallje e përmasave të mëdha.   

Kryepeshkopi Anastas para tri ditësh përuroi një vepër madhështore në qendër të Tiranës, një katedrale dhe kompleks kishtar që do të mbetet në kryeqytet në jetë të jetëve, si shenjë e ringjalljes së Kishës në Shqipëri. Kjo katedrale do të ishte vështirë të realizohej pa përpjekjet e tij për të siguruar fonde. Ndaj, 23 vjet pas ardhjes në krye të KOASH, ai kishte mundësinë të bënte thyerjen e madhe; ta përdorte këtë ditë si momentin kur ai do të mbetej në histori si ringjallësi i Kishës shqiptare. Këtë atribut ka tentuar t’ia japë vetes gjithnjë: Anastasi në greqisht do të thotë Ngjallje, siç rastësisht janë emrat e gazetës, radios, akademisë teologjike e së fundmi edhe Katedrales së re. Por, ajo do të jetë e pamundur, për aq sa Kisha në Shqipëri trajtohet jo si kishë shqiptare, ku flitet për helenizuesit dhe jo për martirët e krishterimit dhe atdhedashurisë dhe ku përfaqësues i ortodoksëve del Nikolla Gaxojani, Vangjel Dule dhe Vasil Bollano.    

Ky ishte shansi i humbur nga kryepeshkopi Anastas, shansi që të mbetej në histori si ringritësi i Kishës shqiptare, dhe jo si autori i Ngjalljes së një ndërthurjeje shqiptaro-greke që mban emrin e tij. Para dy ditësh Ngjallja/Anastasi i kishës shqiptare nuk erdhi!   

*Autori është pedagog në Universitetin e Tiranës. Studimet e tij doktorale janë mbi rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).