Pamje të rralla të së kaluarës së Shqipërisë nga viti 1873 publikohen për herë të parë nga albanologu Robert Elsie. Këto fotografi burojnë nga 3 koleksione të ndryshme, mjaft interesante, që zbulojnë jetën e shqiptarit në ato vite.

Koleksioni i parë me veshje popullore të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor janë paraqitur në një ekspozitë botërore në Vjenë, në vitin 1873. Përmes këtyre fotove zbulohet dhe sesi visheshin shqiptarët në atë periudhë nën sundimin e Turqisë. Titulli i ekspozitës ishte “Veshje popullore të Turqisë në vitin 1873”. Ekspozita u çel nga maji deri në nëntor të vitit 1873, në parkun “Prater” të Vjenës (Austro-Hungari). Ajo tejkaloi në madhësi dhe në shkëlqim të tëra ekspozitat e mëparshme (Londër 1851, 1862 dhe Paris 1855, 1867). Ekspozitën e vizituan mbi shtatë milionë njerëz. Në kuadër të prezantimit të Perandorisë Osmane, pjesë e së cilës ishte edhe Shqipëria, në Vjenë u paraqit një koleksion fotografish të veshjeve popullore të Perandorisë shumëkombëshe. Fotografia ishte ende një dukuri e re, dhe publiku u mahnit. Ky koleksion u botua gjithashtu si libër në frëngjisht: “Les Costumes populaires de la Turquie en 1873” (Veshje popullore të Turqisë në vitin 1873), Stamboll 1873, vëllim ky i rrallë, i cili u dixhitalizua kohët e fundit nga Biblioteka e Universitetit të Harvardit, që mundësoi prezantimin e fotografive të Ballkanit Perëndimor nga viti 1873.

Ballkani Perëndimor gjatë periudhës 1876-1900 prezantohet në fotot e koleksionit privat të Sulltan Abdyl Hamitit të dytë (Shkup, Kosovë, Shkodër, dhe Ulqin në vitet 1876-1900).

Sulltani osman, Abdyl Hamiti i dytë (periudha e sundimit 1876-1909), mbretëroi mbi një perandori (përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë) e cila po shkonte drejt shpërbërjes. Në fund të sundimit të tij, sulltani u bë paranojak. Nuk udhëtoi më dhe rrallë shfaqej në publik. Për t’u informuar për gjendjen e perandorisë kishte një rrjet spiunësh, por edhe fotografë, të cilët bënin foto të shtetit të tij shumëkombësh. Kur në vitin 1909 u detyrua të jepte dorëheqjen, koleksioni i tij fotografik ngeli në Jildiz-Saraj deri sa u transferua në Bibliotekën e Universitetit të Stambollit. Aty mbeti për vite i paprekur. Është pikërisht kjo Bibliotekë që i dha mundësinë së fundmi albanologut Robert Elsie të paraqesë në faqen e tij një pjesë të fotografive nga Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor (fotot e Shkupit, Kaçanikut, Ferizajt, Prishtinës, Shkodrës, Podgoricës dhe Ulqinit). Shumica e fotografive janë pa datë, por duket se vijnë nga periudha 1876-1900.

Me shumë interes është dhe koleksioni fotografik i konsullit francez në Shkodër, Baron Aleksandër Dëgran, që paraqet Shqipërinë në vitet 1890. Diplomati dhe shkrimtari francez, baroni Zhyl Aleksandër Teodor Dëgran (Jules Alexandre Théodore Degrand, 1844-1911) lindi në Paris dhe punoi për shërbimin e jashtëm francez. Në vitin 1874 ishte kancelar i konsullatës franceze në Galati të Rumanisë. Atje bashkëpunoi vitin tjetër me konsullin dhe arkeologun amator, Sharl Shampuazo (Charles Champoiseau, 1830-1909) i cili dhjetë vjet më parë kishte zbuluar statujën e “Fitores Fluturake të Samotraqisë”, e cila ndodhet në Muzeun e Luvrit. Më 20 mars 1880, Dëgrani u transferua në legatën franceze të Bukureshtit dhe në vitin 1882 ishte zëvendëskonsull në Konstancë. Në vitet 1893-1899, baroni Dëgran ishte konsulli francez i Shkodrës. Ai ishte tepër i interesuar për historinë e rajonit, në veçanti për parahistorinë dhe kohën antike dhe vizitoi kalatë, kishat mesjetare dhe gërmime, duke shënuar çfarë pa dhe mësoi nga njerëzit që takoi. Dy vjet pas largimit të tij nga Shqipëria, botoi librin “Souvenirs de la Haute-Albanie” (Kujtime nga Shqipëria e Epërme), Paris 1901, një udhëpërshkrim i mirëdokumentuar i Veriut të Shqipërisë, me shumë fotografi të jashtëzakonshme. Objektet që gjeti në nekropolin e kalasë së Dalmacës dhe në varret ilire të Komanit ndodhen sot në Muzeun Kombëtar të Antikiteteve në San Zherman an Le (Saint Germain en Laye) pranë Parisit. Baroni Aleksandër Dëgran u varros në Karkason (Carcassonnne).

Koleksioni me 700 fotografi, tani online

Pamje të rralla të së kaluarës së Shqipërisë: shtatëqind fotografi të reja të Shqipërisë nga viti 1873-1952 publikohen për herë të parë nga albanologu Robert Elsie në faqen http://www.albanianphotography.net/al/index.html. Këto fotografi burojnë nga 13 koleksione të ndryshme.

(1) veshje popullore të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, të paraqitura në ekspozitën botërore të Vjenës në vitin 1873;
(2) fotot nga koleksioni privat i Sulltan Abdyl Hamitit të dytë (Shkup, Kosovë, Shkodër, dhe Ulqin në vitet 1876-1900);
(3) koleksioni fotografik i konsullit francez në Shkodër, Baron Aleksandër Dëgran (vitet 1890);
(4) fotot e Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë në vitet 1902-1912 nga shkrimtari gjerman Hugo Grote;
(5) fotot e një udhëtimi të rrallë në Kosovë dhe në veriun e Shqipërisë (Lumë, Mirditë, Shkodër) të ndërmarrë nga shkrimtari francez, Gabriel Lui-Zhare, në vitin 1909,
(6) fotot e gazetarit dhe publicistit gjerman Ernst Jek, i cili shoqëroi gjeneralin turk famëkeq, Shefqet Turgut Pashë, në Kosovë dhe nëpërmjet Mirditës dhe Gostivarit në vitin 1910;
(7) fotot e Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Sanxhakut nga nënkoloneli austro-hungarez, Oto fon Gerstner (viti 1912);
(8) koleksioni fotografik i ministrit italian të Punëve të Jashtme, Markeze di San Xhuliano, i cili e dokumenton kohën e Princ Vidit pas pavarësisë së Shqipërisë (Durrës dhe Shkodër në vitin 1914);
(9) koleksioni i fotografit shqiptar, Thimi Raci, nga Dardha e Korçës (1918-1952);
(10) koleksioni fotografik i etnologut dhe udhëpërshkruesit austriak, Hugo Adolf Bernacik (Shqipëria në vitin 1929);
(11) koleksioni fotografik i shkrimtarit austriak, Fridrih Valish (Shqipëria në vitin 1931);
(12) pjesa e koleksionit fotografik të publicistes gjermane, Kontesha Marion Dënhof (Shqipëria në vitin 1936);
(13) koleksioni fotografik i ambasadorit gjerman (nazist) në Tiranë, Erih fon Lukvald (Shqipëria në vitet 1936-1941).

 

Për disa nga fotot klikoni këtu.

9 Komente

lum si ne per ket histori kaq te larmishme

Nuk e dija keto, te shek tete, por di mire nje gje tjeter, qe kur ne Iliri priteshin monedha dhe i faleshin Zojsit Ilir, nga e moren edhe greqerit ...zeusin kurvar.Pikerisht ahere ...ne vendin e anglo- saksoneve, visheshin me lekura kafshesh te egra, mishin e te cilave nuk kishin mesuar ....ta zienin !

jam krenar qe jam ilir

.Pikerisht ahere ...ne vendin e anglo- saksoneve, visheshin me lekura kafshesh te egra, mishin e te cilave nuk kishin mesuar ....ta zienin

Ashtu eshte megjithese bota te pyet si je jo si ke pas qene.Per kete punen e veshjeve nje historian grek e pranonte se fustanella eshte veshje shqiptare.kacaket shqiptare me metodat e tyre inovative te grabitjes u bene burim frymezimi per gjithe hajdutet e ballkanitsmiley

Alba, ketu... na tregojne ...si kemi qene.Luftrat iliro-romake nisen prej ...piraterise anijeve ilire.Ndersa greket nuk spjegojne dot asnje gje, pa shqipen e pashkruar.fustanella eshte veshja tipike ilire, e lehte, e thjeshte ne veshje e c'veshje e ngrohte dhe mbrojtese ...per pjeset " delikate " por shum te perdorshme ...

Nosh, po bejne te huajt sikur nuk e dine historine e tyre dhe te ilireve! Jo larg ne histori por vetem te lexojne ate te betejave 254 vjecare iliro- romake dhe te studjojne Perandorine e Lindjes ....per te mos harruar te paret e ketij vendi , te ketyre trojeve
Vend kaq i vogel, qe nxorri perandore dhe disa Pape ...Keta na cajne kaptinen si visheshim ne vitin 800!

Ne 1870 Shqiperia doli ne gjys finale ne boteror. Ky eshte nje fakt historik qe fare pak veta e dine.

Titulli te ngaterron, se kujton se behet fjale per shekullin e 7-8 , nderkoh qe flitet per shekujt 18-19. Puna e Robertit, eshte per tu falenderuar.  

Interesante nje nga fotot e Szkely, kishes i kishin vendos minarene dhe e kishin shendrruar ne xhami

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).