Ilirian Mici është një banor i Tiranës, i cili jeton pranë zonës së stadiumit “Selman Stërmasi”. Me profesion ish- ushtarak Iliriani nuk pret që problemet që nuk shkojnë në qytetin e tij t’i zgjidhë institucioni përgjegjës, por përpiqet vetë të përmirësojë qytetin e tij. Sipas tij është më mirë për të gjithë ne që të tentojmë të rregullojmë diçka që nuk shkon sesa të rrimë e të ankohemi pafund për institucionet që nuk e bëjnë punën e tyre. Në lulishten pranë stadiumit “Selman Stërmasi” do të shihni se në ndryshim nga shumë parqe publike në Tiranë pemët këtu janë të lyera me gërqele dhe të mirëmbajtura. Prapa kësaj pastërtie dhe pamje të bukur ndodhen duart e këtij burri, i cili punon kundrejt asnjë pagese për ta mirëmbajtur këtë park. Për “Trup dhe Shpirt” vjen historia e 52-vjeçarit Ilirian Mici, që punon ditën si roje në një parking privat dhe si pastrues në disa lokale të zonës. Me të ardhurat që ai fiton nga këto punë mban familjen, por mendon  edhe për komunitetin. Në mënyrë vullnetare ai mbjell lule në park, u ble ushqim pëllumbave që gjenden në këtë zonë dhe mirëmban pemët. Temperaturat e larta nuk e pengojnë këtë burrë të shkojë me një kovë me gërqele dhe me një furçe në dorë pemë më pemë. Ai tregon se ka pesë vjet që e kryen këtë aktivitet, dhe se këtë nismë e ka marrë duke u nisur nga modeli i shteteve europiane nëpër të cilat ka jetuar. Megjithëse punon pa pagesë dhe gjithë shpenzimet e materialeve i paguan vetë ka pasur dhe raste kur është konfliktuar me policinë bashkiake dhe me banorët e kryeqytetit. “Jo vetëm që nuk më falënderojnë, por edhe më shajnë kur shkoj para bizneseve dhe bëj pemët me gërqele. Nga ky park kam hequr ferra, shiringa si edhe mbetje urbane, por policia bashkiake më ka akuzuar se po prishja hapësirat e gjelbra publike”, - u shpreh ai. Me gjithë përkujdesjen e tij të vazhdueshme disa nga stolat e këtij parku janë dëmtuar.  Përgjegjëse për këtë Iliriani bën të gjitha partitë politike, të cilat në parqet publike nuk organizojnë aktivitete argëtuese, por mitingje pa menduar fare për dëmet që i vijnë parkut nga këto mitingje.

“Te ky park ka vite që këmba e bashkisë nuk ka shkelur. Kur nuk vijnë punonjëset e bashkisë e mirëmbaj unë parkun. Mbledh letrat çdo ditë ndonjëherë edhe pastroj trotuaret me fshesë. Spërkas me ujë gjithë hapësirën që të mos ngrihet tym”, tregon ai. Ilirian Mica thotë se në jetën e tij ka idhull figurën e Nënë Terezës. Dua të ngre një kënd sportiv. “Sikur të ishin më shumë njerëz që të punonin vullnetarë në të mirë të qytetit, Tirana do të ishte një qytet më i mirë për të jetuar. Në qoftë se merret shembull humanizmi i Nënë Terezës, Shqipëria do të ishte shumë më ndryshe sot dhe nuk do të kishte njerëz që do të vuajnë për bukë”, - shprehet Iliriani. Tregohet shumë i ndjeshëm ndaj komunitetit rom dhe kushteve në të cilat ai jeton. Me aq mundësi sa ka përpiqet që t’i përfshijë në punën e tij dhe i bën apel bashkisë se duhet të mendojë më shumë për shtresat në nevojë që të jenë në punë dhe jo t’i lërë në harresë, pasi në këtë formë ata janë më të prirur drejt veseve dhe veprave penale kryesisht vjedhjeve.

Sipas tij ata përballen me shumë paragjykime në vendin tonë. “Më ka rastisur t’i shoh edhe në kafene kur romët përzihen ose u shërbehet kafja në gota plastike, megjithëse shërbimin e paguajnë si gjithë të tjerët. Kanë edhe ata të drejtë të argëtohen, punësohen dhe të përfitojnë mundësi për t’u kualifikuar në punë të ndryshme. Shumë probleme shoqërisë shqiptare i vijnë edhe nga mossistemimi i romëve, shprehet Iliriani. Sipas tij edhe televizionet dhe media në përgjithësi duhet t’i largohen pak politikës dhe të fokusohen më shumë në çështjet sociale të vendit. “Çdo edicion lajmesh thotë ç’tha njëri apo tjetri politikan, por rrallëherë tregojnë për jetën e njerëzve të thjeshtë”, na tregon ish-ushtaraku Ilirian Mici. 

Pasioni 

Ilirian Mici ka jetuar disa vite në Greqi dhe tregon se në këtë formë organizimi një qytet i madh si Athina qëndronte gjithmonë i pastër. Ndotja në qytetin e Tiranës është një problem shumë shqetësues për banorët dhe sipas Ilirian Micës kjo situatë krijohet si pasojë e mosfunksionimit të policisë bashkiake. Parku publik ku punonte vullnetarisht Ilirian Mici ishte në kushte të mira, por nuk mund të thuash të njëjtën gjë për stadiumin “Selman Stërmasi” që ndodhet vetëm pak metra larg këtij parku. Një ndër ëndrrat e tij ka qenë të krijojë një ekip futbolli, por sa më shumë largohen vitet ai kupton se kjo do të mbetet thjesht një ëndërr. “Nuk merrem dot me stadiumin, sepse nuk më mjafton fuqia dhe koha fizike për ta bërë. Sikur të mundja gjithë Tiranën do e bëja një qytet të gjelbër, të pastër dhe estetikisht të bukur”. 

3 Komente

jo gelqele, po gelqere sikur i thone!

ama nuk tu ndenjt pa futur njecik arixhi ne mes!  e keni si bicim detyrimi

Bravo i qofte ketij personi, dhe sikur te kishte jo me shume por nja 100 te tille, kjo gje do sensibilizonte ter Shqiperine. Shoqata " Mendo Pozitiv" do ishte mire te lidhej me kete njeri dhe te benin nje aksion kombetar per te sensibilizuar ter shoqerine e fjetur shqiptare. 

"Ilirian Mici ka jetuar disa vite në Greqi dhe tregon se në këtë formë organizimi një qytet i madh si Athina qëndronte gjithmonë i pastër" 

Nuk e thote hapur, por qartazi do te ktheje kohet e kulqedres se kuqe. smiley 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).