A do të ketë një Licensë të re për AMC në fund të ciklit të parë të licensës së marrë në 1999 dhe nese PO, sa do t’i kushtojë AMC-së licensa e re? 

Në një treg i cili jo pak është diskutuar këto kohët e fundit, krahas diskutimeve në lidhje me situatën e konkurencës e të problematikës së trajtuar deri në Parlament gjatë muajit të kaluar, shtohet edhe një tematikë e re që do të duhet të trajtohet me urgjencën tipike me të cilën trajtohen në Shqiperi tema kaq të rëndësishme. 
Tashmë 15 vjet pas momentit të të dhënies së Licensës së parë për një operator privat të telefonisë mobile dhe për herë të parë në historinë e telekomunikacionit, një kompanie celulare në Shqipëri, njëri prej operatorëve që operojnë në treg ka paraqitur kërkesën për të rinovuar licencën. 
Bëhet fjalë për AMC-në, kompaninë e parë celulare, të cilës i përfundon afati i licencës ekzistuese 15 vjeçare më 19 gusht 2014.

Çuditërisht, edhe pse kjo gjë ishte lehtësisht e parashikueshme dhe e programueshme në kohë, mungon në treg një procedurë në lidhje me faktorët që do të merren parasysh në vendimin nëse kjo Licensë e re do të duhet të jepet apo jo dhe nëse kjo përgjigje është pozitive, cilat do të jenë kriteret e procedureat që do të ndiqen për përcaktimin e çmimit të licensës celulare që rinovohet për herë të parë; 

Asnjë nga autoritetet që normalisht do të duhet të përfshiheshin në një proces të tillë nuk ka një procedurë të tijën për këtë proces e as një proces të hapur ndërkaq për tu marrë me të. Ose të paktën, nuk ka një transparencë nga ana e institucioneve shtetërore për mënyrën se si po kryhet ky proces, kriteret që do të përdoren për vendimarrje dhe sa do të jetë çmimi i kësaj licence, nëse kjo do të jepet. 
Në radhë të parë, është Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i cili nuk ka bërë të ditur metodën që do të përdoret për përcaktimin e vlerës së licencës së rinovuar dhe parashikimet për këtë vlerë mbeten të vështira, përsa kohë nuk ka patur edhe ndonjë precedent në tregun shqiptar dhe duket i papërgatitur për të trajtuar një ceshtje të tillë.
I gjendur në presionin për të regulluar një treg që shfaq probleme masive për sa i përket konkurencës që evidentohen në Rezolutat e aprovuara nga Parlamenti me propozimet e Komisioneve të Ekonomisë dhe atij të Aktiviteteve Prodhuese dhe gjithashtu nën presionin e një vendimi të Autoritetit të Konkurencës për të krijuar kushte për një treg që do të lejonte që edhe operatorët e vegjël që kanë hyrë në treg vitet e fundit (Eagle e Plus) të zhvillojnë një model të qëndrueshëm në të,  do të duhet t’i japë përgjigje në radhë të parë pyetjes nëse do të ketë apo jo, një Licensë të re për Operatorin që ka ardhur në fundin e ciklit të Licensës së parë 15 vjeçare. 
Ndonëse ky është një fakt që vetë operatori nuk e ka vënë në dyshim, pasi nga informacionet që janë në treg ka plotësuar tashmë dokumentacionin për të kërkuar një Licensë të re 15 vjeçare jashtë procedurave të tenderit, AKEP do të duhet t’i japë fund dilemës nëse mbështet një treg me 3 apo me 4 operatorë, gjë që është një nga elementet që duket se e ka vonuar pafund edhe dhënien e një license të 4-rt për shërbimet 3G. Nëse do të anohet nga një treg që do të duhet të mbetet me 3 operatorë, nuk do të ishte i papritur vendimi që të mos jepej një Licensë e re për Operatorin të cilit i mbaron leja 15 vjeçare e marrë më 1999, pasi një veprim i tillë do të bënte të mundur një rishpërndarje të abonentëve aktualë të AMC në tre operatorët e tjerë. Në të kundërt, AKEP do të duhet të jetë tepër direkt në marrjen e masave që do të bënin këtë treg “të mundur” për operatorët e “rinj” në treg që kanë realizuar vetëm humbje financiare që prej vitit tëe hyrjes së tyre në treg (Eagle prej 6 vitesh tashmë dhe Plus prej tre vitesh të plota financiare që prej fillimit të operacioneve).
Ndërkaq, as Ministria e Inovacionit qe konsiderohet si Ministria e Linjës për fushën e telekomunikacioneve e as ajo e Ekonomisë nuk duken të jenë të përgatura për të trajtuar një problem të tillë, ndonëse këto kanë më shumë një rol vendimarësi se sa thjesht rol përgatitësi të procedurave në fjalë.
Një aktor tjetër i rëndësishëm që me siguri do të jetë i prononcuar për një rinovim të Licesnsës është edhe Ministria e Financave e cila me siguri pret një “thes me lek” nga ky rinovim. Edhe kjo Ministri nuk duket të ketë një proces tashmë të hapur në lidhje me cështjen dhe aq me pak të jetë nismëtare për një dicka të tillë, pasi edhe vetë roli i saj është më pasiv se sa Institucionet e përmendura më lart.

Ndërkaq, është interesante të vërehen zhvillimet përsa kohë, bëhet fjalë për rinovimin e një license, ndër më fitimprurëset në tregun shqiptar dhe për më tepër për një procedurë që do të përdoret e dhe pas një viti, kur një operator tjetër do të vijë po në të njëjtin afat. Ky proces ngre pikëpyetje të mëdha, nëse do të arrijë qeveria të nxjerrë vlerën e duhur të këtij aseti kombëtar në bazë të eksperiencave të vendeve të tjera? A do të mundet qeveria të sigurojë në favor të qytetarëve të këtij vendi vlerën më optimale për një përdorim sa më efiçent të burimeve natyrore të fundme si licensa celulare në këtë rast? 

Duke marrë parasysh transaksione të ngjashme në vende të ndryshme të botës, disa nga elementët që janë marrë në konsideratë në përllogaritjen e vlerës së rinovimit të një license përfshijnë përfitueshmërinë nga investimi i realizuar nga kompania në vitet e licencës së parë; përfitueshmërinë potenciale nga investimi që do të mund të realizonte kompania etj. Elemente këto që e bëjnë këtë çështje mjaft “të nxehtë” duke patur parasysh normat e jashtëzakonshme të fitimit të kësaj kompanie sidomos në fillimet e saj kur ishte monopol dhe më vonë në periudhën e oligopolit së bashku me Vodafone. 

Historiku i një prej licensave me fitimprurëse në tregun shqiptar 

Në gusht të vitit 2000 grupi me pronësi greke Cosmote bleu nëpërmjet ankandit, 85% të aksioneve të kompanisë shtetërore të telefonisë celulare AMC me një çmim prej 85.6 milionë dollarësh. Kompania shtetërore AMC kishte në këtë kohë një mbulim të kufizuar me sinjal të territorit si dhe një numër të vogël klientësh. 

Në 2009 Cosmote i bleu pjesën tjetër të aksioneve Shtetit Shqiptar prej 12.5% të aksioneve të AMC me një vlerë prej 48.2 milionë euro, duke e vlerësuar kompaninë me një vlerë prej rreth 400 milionë euro. Kjo përqindje u rrit sërish në 14.76% përgjatë vitit 2010, pasi Cosmote bleu edhe 2.8% të aksioneve nga punonjësit (nuk disponohen të dhëna në lidhje me çmimin e përdorur në këtë transaksion). Me këtë blerje, Cosmote e çoi pjesëmarrjen në AMC në masën 99.76% të totalit të aksioneve, duke paguar në total rreth 140 milionë euro për blerjen e 99.76% të aksioneve të AMC. 
 
AMC shënoi një rritje rekord të të ardhurave brenda vitit të parë të privatizimit nga 23 milion euro në vitin 2000, në 90 milion euro në vitin 2001, sipas të dhënave të tatimeve më një normë fitimi pas taksave prej gati 40%. 

Rritja ishte mjaft e dukshme, deri në vitin 2008, kur arriti në të ardhura prej 191 milionë eurosh dhe normë rekord fitimi pas taksave prej rreth 50%, ndërkohë që prej vitit 2003, në treg kishte hyrë dhe operatori tjetër, Vodafone.

Vetëm pas vitit 2008, kur konkurrenca në treg u shtua, fillimisht me hyrjen e një operatori të tretë (Eagle Mobile) dhe më pas të katërtit (Plus Communication), AMC pa një rënie të të ardhurave dhe të normave të fitimit, që gjithsesi mbetën të larta, midis 20 dhe 30%.
Sot në vitin e fundit të Licensës, mund të thuhet me gojën plot se ky investim për grekët e Cosmote ka qenë një investim tepër fitimprurës (fitimi neto pas taksave i realizuar ka qenë në rendin e rreth 700 mln Eur) dhe sigurisht investimi më fitimprures i grupit në të gjithë historinë e tij si për tregun grek ashtu edhe për tregun rajonal.

Sfida e autoriteteve për çmimin e kësaj license

Sidomos në kushtet e shtrëngesës financiare në të cilën vendi është zyrtarisht tashmë, me futjen e Shqiperisë në program me FMN, sigurimi i të ardhurave mbetet një sfidë komplekse për Qeverinë. Në këto kushte do të ishte krejt normale që edhe licensa të tilla që shërbejnë si aseti kryesor për realizimin e aktiviteteve me normë të lartë fitimi do të shërbenin si burim i konsiderueshëm të ardhurash për buxhetin tonë ende të varfër të shtetit. Qartazi, kjo do të duhet të marrë parasysh edhe pritshmëritë e investitorit dhe situatën e tregut në të cilin investohet. 
Në situatën kur kemi të bëjmë me një cikël të dytë të licensimit të një subjekti dhe aq më tepër kur opsioni i rinovimit merr parasysh një vijueshmëri të biznesit aktual të tij, ekziston një bazë tepër e plotë informacioni e elementesh për të bërë një vlerësim të vlerës së Licensës. Për më tepër, në kushtet kur investimi për të mbajtur nivelin aktual të biznesit që gjenerohet me anë të kësaj License është totalisht i amortizuar, siç është rasti konkret, kjo bëhet edhe më e thjeshtë.
Për autoritetet, por sidomos për Ministrine e Financave gjetja e zgjidhjes më të drejtë, midis nevojës për të ardhura suplementare dhe pritshmërisë së investitorit për një kthim të drejtë mbi kapitalin e investuar për blerjen e Licesnës do të mbetet një sfidë për t’u zgjidhur gjatë këtyre javeve të mbetura deri në datën e skadimit të 15 vjetëve të AMC, që është data 19 Gusht 2014. 

2 Komente

eshte gabim qe shitja e amc-se te quhet privatizim.    thjesht nje rishtetezim,sepse shoqeria blerese eshte nje shoqeri shteterore greke.  drejtuesit e saj caktohen nga shteti grek.

Sigurisht qe licensa do rinovohet duke ditur marredhenjet teper te mira te dy qeverive. Mjerisht kjo kompani dhe te tjerat i kane rrjepur shqiptaret deri ne fillim te ketij viti...Me ne fitojne te gjithe smiley

Cudi me keta me nick te diteve te fundit, sapo regjistrohen bejne goditje te medha..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).