Reforma e nisur në Teatrin e Operës dhe Baletit ka thelluar pakënaqësitë e artistëve të këtij institucioni. Futja e sistemit të kontratave, një iniciativë kjo e Ministrisë së Kulturës dhe e quajtur si një reformë e domosdoshme për sistemin e funksionimit të punësimeve në institucionet artistike, duket se “nuk do të përqafohet lehtë” nga artistët, që pas protestave të zhvilluara një muaj më parë, dje kanë firmosur një peticion ku, ndër të tjera, kërkojnë largimin e drejtorit të TKOB, Ilir Kerni. Peticioni është firmosur nga 91 artistë, mes të cilëve emra të njohur të skenës.

Reagimi i artistëve ka ardhur pas mosfirmosjes së urdhrit nga ana e drejtorit Kerni, për pagat e muajit qershor. “Pas përpjekjeve të vazhdueshme që nga dita e enjte, datë 3.7.2014 për të kontaktuar dhe për të marrë një informacion për kalimin e pagave, sot konstatojmë se nuk është urdhëruar kalimi i tyre nga ana e drejtorisë. Mbasi u konfirmua nga zyra ekonomike që është kryer gjithë procedura ligjore për kalimin e pagave, refuzimi nga ana juaj për firmosjen e urdhrit ju ngarkon me përgjegjësi morale, civile dhe penale. Për këtë arsye, kërkojmë: Firmosjen e menjëhershme të urdhrit për kalimin e pagave të muajit qershor dhe largimin e menjëhershëm të drejtorit të Teatrit të Operës dhe Baletit”, – thuhet në peticionin e Sindikatës së Pavarur të Artistëve, i cili vijon më pas me emrat dhe firmat e artistëve.

Pak kohë më parë, në një letër propozimi që Ministria e Kulturës i dërgonte drejtorit të TKOB dhe Sindikatës së Artistëve jepte një model të kontratave të punës mbi të cilat do të operonte ky institucion. Bashkë me propozimin për kontratat, Ministrja përsëriste qëndrimin e saj se “çelja e reformës në institucionet e artit, synon krijimin e një sistemi të qëndrueshëm e transparent punësimi, rritjen e konkurrencës dhe të cilësisë artistike si një zhvillim i natyrshëm e profesional të karrierës për të gjithë artistët” dhe se “kjo reformë, garanton dhe dinjitetin e artistit, duke u nisur nga gjendja në të cilën është ky institucion”. Në letër theksohej se situata në të cilën ndodhet TKOB, është me një mungesë të plotë të kontratave të vlefshme të punës, moszbatim të ligjit mbi artin dhe kulturën. “Arbitraritet në kategorizimin profesional të artistëve. Moszbatim të parashikimeve të kontratës kolektive, e cila presupozon ekzistencën e kontratës individuale, si garanci e marrëdhënieve personale të punës mes punëmarrësit e punëdhënësit”, thuhet në letrën e ministres Kumbaro drejtuar TKOB. Forma e kontratës fillonte nga tre muaj provë, deri në ato 5-vjeçare, të cilën e përfitonin vetëm artistët që kishin 25 vjet punë të pandërprerë në TKOB. Ndërsa kontratë me afat të papërcaktuar do të jetë për të gjitha kategoritë e artistëve që në datën 1 mars 2014, plotësojnë 30 vjet pune të pandërprera brenda TKOBAP. 

Duket se vënia në jetë e sistemit të kontratave do të jetë një mision i vështirë nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe drejtorit të TKOBV, Kerni, pasi pjesa më e madhe e artistëve të këtij institucioni refuzojnë të nënshkruajnë kontrata, duke sjellë dhe paralizimin e punës, në prag të mbylljes së sezonit artistik.

2 Komente

Rama duhet ta shkarkoje pa pasur asnje dyshim dhe hezitim Ministren e Kultures Mirela Kumbaro.

Delirante dhe e papergjegjeshme. 

Si mund te luaje nje balerin ne nje premiere kur i kane refuzuar marrjen e pages mujore?

Ca i di artistet kjo?

Te shkarkohet !

reforma eshte mese e domosdoshme. Nese nuk duan te firmosin kontratat e reja duhet te largohen. Pse prone e baballareve te artisteve eshte TOB-i? 

ps. nese doni ti takoni keta artiste qe nuk duan te firmosin kontratat e punes i gjen fare kollaj se gjithe diten rine tek kafja ne ane te TOB-it. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).