I hodhi sytë pa dashje të shihte orën, një orë e zezë, me rryp metalik të zi, shumë elegante. Kishte qejf ta mbante dhe një e dy e shihte, edhe pse nuk kishte as ku të shkonte, as nuk priste njeri. Ajo tregonte 11:11, ( thonin që ishte fat),dhe padashje i ra ndërmend sa pafat që ishte. Edhe rrezet e diellit që përthyheshin në dallgët e detit i binin në sy duke e mërzitur. Nganjëherë të duket sikur gjithçka në botë është krijaur për të të mërzitur. Ora që nuk ecën, rëra që djeg, rrezet e diellit në ujë, kamarieri që vonohet, fëmijët që të cingrojnë mu pas veshit. Tej tutje në det shihte dikë që lahej dhe mendonte se sa kot që ishte edhe e lara në det. Gjithë ajo kripë ngjitëse që nuk durohej deri sa të vrapoje të bëje një dush e ta hiqje prej trupit. U fiksua pas atij djaloshit që lahej në det. Seç kishte krijuar një ndjesi se kishte syrin e keq, dhe po ta fiksonte diçka për shumë kohë patjetër që ajo do të prishej. Ishte kurioz të shihte nëse do të mund ta fundoste atë djalosh që notonte i lumtur dhe i dukej se kishte pushtuar gjithë botën. Patjetër që shijonte tani rrezet e diellit, shijonte edhe kohën që nuk lëvizte, edhe cicërimat e fëmijëve që loznin në barin që ishte ndërtuar përmbi det. Dhe i ngjante tmerrësisht me veten e tij, aq sa mendonte se a do te dukej realisht ashtu në moshën e tij? Apo janë gjithnjë stereotipat që na shoqërojnë, lidhur edhe me veten tonë, sa herë nisim të portretizojmë dikë?

Donte ta shihte tek fundosej dhe ishte kurioz të përjetonte ndjesitë e daloshit teksa mbytej. A do të kishte kohë të niste në një grimëherë të kujtonte të gjithë jetën e tij? Apo do të kishte një përshfaqje të jetës së ardhshme e cila po i rrëshqiste nga duart? A do të mendonte për çastin kur së pari arriti të shihte dritën apo do të mendonte për një vdekje më dinjitoze, kur do të vendoste vetë t'i mbyllte sytë dhe t'i thoshte lamtumirë dritës?! A thua do t'a bezdisnin rrezet e diellit teksa dalëngadalë nisnin e humbisnin forcë, apo krahët e këmbët e bllokuara nga ndonjë forcë e huaj do t'ia merrnin të gjithë vëmëndjen.

Po të duash të vdesësh, mbytja në ujë mund të jetë e bukur. E lëshon veten në gjirin e detit dhe me sytë drejtuar diellit nis t'u thuash lamtumirë të gjithëve. Ose nuk i thua lamtumirë askujt. Kush të ketë pengje le të mbesë me pengjet e veta. Kush të dojë ta kujtojë le t'a kujtojë si të dojë. Kush do t'a harrojë sikur të mos kishte egzistuar kurrë le ta harrojë!

Një top plastik prej plazhi i'u përplas në krahun e djathtë duke ia shkëputur mendimet. Ktheu kokën dhe pa një djalë nja tre-katër vjeç që ndihej i zënë në faj e i trembur që kërkonte me sy të merrte topin që ishte ndalur në stolin e drunjtë ku rrinte ulur. I buzëqeshi, e mori topin dhe ia zgjati duke u përpjekur që të dukej sa më i qetë e i lumtur të mundej.  I'u kujtua se dikur nuk kishte patur shumë marrëdhënie të mira me topin. Ndoshta ngaqë nuk kishte pasë kurrë top të vetin. Ose ndoshta ngaqë nuk ishte shumë i shkathët e sportiv dhe e fshihte këtë pas një pasiviteti edhe në lojën me shokët. Por, tani që po e mendonte, mundet që mungesa e një topi dhe mosmarrja pjesë në lojrat me top së bashku me shokët e tjerë mund të ishte njëra nga traumat kryesore në jetën e tij. Sepse, duam s'duam, sado të fortë të hiqemi, ne mbetemi qënie të ndërtuara për të bashkëvepruar me të tjerët. A ia vlen të jetosh një jetë në të cilën duhet të vuash gjithë jetën mungesën e një topi kur ishe fëmijë? Të rrish me frikë se po të has një top e të hap plagët e vjetra nga të cilat vërshojnë miliona mendime që të zvogëlojnë para vetes tënde aq sa nis të ulësh kokën nga pesha e turpit? Prandaj është më mirë të vdesësh. Ja të hidhesh njëherë kryehuptaz në ujë e të lëshosh veten deri në thellësitë ku nuk të sheh dot askush. A thua mundesh të fshihesh nga vetja jote atje poshtë?

A mundet djaloshi i vogël që loz me top të ishte vetja e tij fëmijë? Sikur i është ngatërruar koha në këtë ditë më diell vere dhe janë bashkuar plot ditë të jetës së tij bashkë për të bërë një akt të vetëm.

Sa pa lidhje këto mendime që i kalojnë nëpër kokë. Është më mirë ta kthejë me fund birrën e të porosisë një tjetër birrë akull të ftohtë se mos freskohet pak. E ka shumë të nevojshme të freskohet pak. Ndoshta edhe nis të humbasë paksa mendjen nga vetja e tij fëmijë pa top apo djalosh që ka ëndërr dhe tmerr notin.

A thua mundet njeriu të kujtojë ndonjëherë përshtypjen e parë të ardhjes në jetë? Daljen nga ngrohtësia konstante në një botë plot rrengje e me temperatura aq të variueshme? A thua mundet njeriu të fiksojë çastin e fundit të tij? Bash atë momentin final kur ndahen botët? A ka një çast final, apo është një proçes? Si i janë ngatërruar mendimet në kokë e ka të vështirë të kthjellohet përsëri. E ka shumë të nevojshme birrën tjetër. E ka të nevojshme edhe një ndryshim temperature sepse ky dielli i verës sikur e ka goditur në kokë.  Sikur nuk është në lokal po në gjumë. Në të vërtetë a mundet ta dimë ndonjëherë se kur jemi në gjumë e kur jemi të zgjuar? Cila është ëndrra e cila zhgjëndrra? A duhet të kridhemi në ujë, të hidhemi nga lartësitë, në mënyrë që të zgjohemi apo që të mësojmë të fluturojmë? A do të fluturojmë ndonjëherë?

Pastaj, nuk po e kuptonte realisht, pse duhej që pikërisht sot të mendonte për vdekjen, kur ishte një ditë kaq fantastike. Duhej thjeshtë të ishte i lumtur. Ta harronte veten e tij dhe blanat e vrragat e hershme e të shijonte një birrë në lokalin e rrethuar nga katër anët me det. Djaloshi i vogël me top ishte zhdukur. E kërkoi me sy nëpër lokal, edhe nëpër çadrat e plazhit por nuk e shihte dot më. Ishte i bindur se duhej të ishte zhdukur edhe djaloshi në det, por nuk e ktheu kokën ta shihte. Nuk donte të zhgënjente veten. Është më mirë kur vazhdon të jetosh në iluzionin tënd. Dhe më mirë që ia kishte shqitur sytë se, duke qenë se besonte me shpirt se e kishte syrin e keq, mund të bënte edhe ndonjë hata.

Ishte më mirë që ta lëshonte veten në krahët e ndjesisë që të jep birra e ftohtë ndërsa të përhapet ngado nëpër trupin e zhuritur nga vapa. Por birra nuk ishte edhe aq e ftohtë sa priste. A ia vlente njeriu të krijonte pritshmëri të tilla që të zhgënjejnë kaq lehtë? Po nëse ne nuk krijojmë pritshmëritë tona për gjithçka atëherë përse jetojmë? A mundet të lexohet një tregim në të cilin nuk ndodh asgjë veç zhgënjimit të një personazhi i cili nuk është as personazh?

Një milion pyetje i sillen në kokë. Është i bindur se nuk duhet të rrijë vetëm për asnjë çast. Duhet se s'bën të gjejë njerëz për të pirë birrat me to dhe të humbet në biseda të nxehta futbollistike më mirë se sa të rrijë vetëm në shpresën e freskisë dhe zhgënjimit nga një birrë e ftohtë. I duhen njerëz, sepse pa to është i vetëm. Ndoshta po të kishte dikë pranë mund t'i kishtë bërë të gjitha këto pyetjet dhe prapë vetë të kish gjetur dhjetra zgjidhje, por kur je vetëm, nuk debaton dot. Iku edhe fëmija i vogël me top që të mund ta humbte sadopak vëmendjen duke lozur me të. Edhe lajmet në televizor kishte disa orë që përsëriteshin me një përpikmëri rutinë të mërzitshme që nuk ta tërhiqnin aspak vëmëndjen. Nëse djaloshi në det mbytej atëherë mundet të bëhej lajm në televizor, mundet që t'ia tërhiqte sadopak vëmëndjen.

Klithmat e ndihmës dhe përplasja e ujit e shkëputi nga mendimet, dhe pa patur kohë të mendonte, pa patur kohë as t'i përgjigjej vetes se a thua ishte vetë ai që e dëshiroi këtë gjë, ai u hodh nga lokali përposh në det. Notoi me sa fuqi kishte për te djaloshi që po mbytej, por nuk po e gjente dot. Sikur e kishte përpirë deti. A thua kaq shpejt mbytej njeriu? Po këtu deti nuk është as i thellë! A thua e mbyti me dëshirat e tij të marra për të thyer monotoninë e orës së tij të vetmisë? Pa orën. Ishte 11:11 minuta. Thoshin se ishte fat.  

Uji i detit sikur ia freskoi mendimet dhe u nis për të çadra e tij. Kishte nevojë të merrte një sy gjumë. Paratë e birrës i paguante pastaj, te e fundit ishte klient i rregullt i lokalit, sepse kishte frike se po të kthehej në lokal do të shihte në televizor lajmin e një mbytje në det. Sepse diçka ishte mbytur në det, e jepnin apo jo televizorët sot. Ose ai vetë, ose manitë e vogëlisë së tij. 

1 Komente

Tregimi ishte pak mbytes, kish nevoje per me shum peisazh, hapsire, pershkrime karakteresh plazhistesh, dhe per ndonje dialog apo edhe monolog te heroit te birres smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).