Rekordi botëror për një honorar si folës në konferencë nuk i përket më Bill apo Hillary Clintonit, as Tony Blairit. Në krye të klasifikimit të më të paguarve është tashmë një ekonomist. Ben Bernanke, ish president i Bankës Qendrore Amerikane (FED), gjatë një fundjave në Gjirin Persik, për të folur në një konferencë ndërkombëtare ka fituar 200 mijë dollarë, pothuajse ekuivalenti i pagës së tij vjetore kur ishte në krye të FED. Ekonomia, të cilën historiani skocez Thomas Carlyle në Tetëqindën e kishte quajtur “shkenca e trishtë”, mund ta bëjë shumë të hareshëm atë që e praktikon. Nëse arrin të bëhet një “ekostar”, një njeri i famshëm, ekonomisti do të ketë një ushtri me fansa, një publik botëror, festivale që i kushtohen atij, si dhe ndjekës të pasur nëpër konferenca. Termi “ekonomia pop” po përdoret gjithnjë e më shpesh, pas bumit të shitjeve të “Freakonomics”, best seller-i i vitit 2005 i cili lançoi një tjetër yll, Steven Levitt, që sapo kishte mbushur 38 vjeç në kohën e “shenjtërimit” masiv. Kur po mbërrin përvjetori i dhjetë, “Freakonomics” vazhdon të shitet dhe po i afrohet pragut të dhjetë milionë kopjeve. Në ndërkohë, ka sjellë krijimin e një programi radiofonik shumë popullor si dhe dy libra që e pasojnë nëpër librari. Një Ekostar par excellence, Steven Levitt kishte qenë një enfant prodige i akademisë, në po atë Universitet, të Chicagos pra, ku kishte dhënë mësim edhe babai i neoliberizmit, Milton Friedman. Por, çelësi i suksesit duhet kërkuar jashtë universitetit: për faktin që e ka transformuar ekonominë në një metodë, një lojë intelektuale argëtuese dhe krijuese, me të cilën mund të zgjidhen dilema jashtë-ekonomike (“përse ka rënë kriminaliteti në Amerikë?”)

E krejt tjetër lloji është fama e Paul Krugmanit. Fituesi i çmimit Nobel për Ekonominë kishte tashmë një karrierë akademike të shkëlqyer, kur pranoi sfidën për të shkruajtur në New York Times të paktën një editorial në javë. Ka shkruajtur 750 tashmë, dhe që atëherë i është hapur një botë e re. Një militant neo-kejnesian, ai ka mbështetur sfidën më të vështirë të Barack Obamës, reformën shëndetësore. Ka dënuar ashpër programin europian të kursimit. Nuk heziton të përdorë polemikën e fortë për të shkatërruar ekonominë “vudu`” të të djathtës. Eshtë transformuar në një guru politik, gjithmonë i angazhuar në barrikada. Blogu i tij në internet shkakton debate kaq të zjarrtë, saqë e ka ndarë opinionin publik mes “krugmanianëve” dhe “antikrugmanianëve”. Pershtatur ne shqip nga bota.al

Martin Wolf-i tek Financial Times e ka quajtur “ekonomisti më i dashur dhe më i urryer i Amerikës”.

Kohët e fundit, në SHBA ka shpërthyer “çështja Piketty”. Nga emri i ekonomistit francez, i cili ka rindërtuar më shumë se dy shekuj histori të pabarazive në kapitalizmin modern. I ftuar nga Barack Obama për të folur me këshilltarët ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë, në konferencat e tij publike në Uashington, New York dhe Boston, njerëzit janë rregjistruar dhe vendet janë zënë që disa javë më herët. Organizatorëve u është dashur të fusin në veprim edhe teknologjinë me videostreaming, për të kënaqur ndjekësit e panumërt që duan të dëgjojnë fjalën e Pikettyt. Analiza e tij e pabarazive ka krijuar një debat të ashpër mes dy mediave të mëdha binjake të gazetarisë ekonomike anglo-saksone: Financial Times u përpoq të hedhë poshtë tezën e tij, The Economist e mbështeti, duke e quajtur librin një “blockbuster” dhe një “demonstrim mbresëlënës i kulturës dhe dijes”. Më turbulluese është prania e tij në listën e dhjetë librave më të shitur në Amerikë: një vëllim me 600 faqe, me shtojca, statistika dhe grafikë.

Fenomeni i ekostar-ëve ka edhe faqen e vet në internet: www.superscholar.org, ku mund të gjendet klasifikimi i përditësuar i “njëzetë ekonomistëve më me influencë të momentit”. Ekostar-ët janë të ndarë sipas rrymave, popullariteti i tyre lidhet me faktin që identifikohen me një mendim militant. Figurojnë aty figura akademike vendosmërisht progresiste si dy fituesit e Nobelit, Amartya Sen (Harvard) dhe Joseph Stiglitz (Columbia), bashkë me Jeffrey Sachs. Në krahun liberist është ish kryetari tjetër i FED, Alan Greenspan, Hernando de Soto, dhe deri dy muaj më parë Gary Becker (ndërroi jetë në 3 maj). I jashtmi është Nassim Nicholas Taleb, autori i teorisë së “mjellmës së zezë” (kur ngjarje shumë të pamundura bëhen të mundshme).

Një ekonomist që është shndërruar në një sipërmarrje ndërkombëtare është Nouriel Roubini. Në moshën 56 vjeç, ekonomisti turko-amerikan ka shpërthyer si yll i fushës që prej shtatë vitesh, pasi ka parashikuar katastrofën e fluskave spekulative të financës. Që atëherë ka krijuar një kompani konsulence që mban emrin e tij, ofron analiza dhe parashikime për qeveritë e të gjithë botës. VIP i teknokracisë globale, Roubini tashmë kalon më shumë kohë në avion, se sa në shtëpinë e tij njujorkeze. Pershtatur ne shqip nga bota.al

Në skajin tjetër janë ekostar-ët “e varfër”: që nga teoricieni i jo-rritjes ekonomike Serge Latouche, tek ekonomistja indiane Vandana Shiva, kundërshtare e agrobiznesit. Ata nuk arkëtojnë shuma stratosferike, por janë në gjendje të mbushin sallat në festivale gjithnjë e më të shumtë që i përkushtohen pikërisht ekonomisë.

Fenomeni i ekonomisë pop dhe i ekostar-ëve prodhon kryqëzime të habitshëm me botën e spektaklit. Një divulgues brilant si Robert Reich (ekonomist i Berkeleyt dhe ish Ministër i Punës i Bill Clintonit) ka nisur dokumentarë kinematografikë, me sukses si në rastin e Inequality for All. Dhe mes fansave më entuziastë të Teorisë Monetare Moderne, shkolla e re monetare e cila ka tashmë festivalet dhe kongreset e vet, zbulon artistë italianë si Valeria Golino dhe Riccardo Scarmacio.

Shkencë e trishtë? Varet se si e përdor, dhe se si e rrëfen. E sigurtë është që vitet e fundit, kriza e madhe në perëndim na ka bërë më të vetëdijshëm për impaktin që kanë zgjedhjet ekonomike në kushtet e jetesës së kombeve të tërë. Muret e sallave universitare janë bërë shumë të ngushtë për të “nxënë” një shkencë që u përket të gjithëve.

 

La Repubblica

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

7 Komente

Interesante, megjithse eshte vene re keto vitet e fundit qe ekonomia po terheq gjithnje e me shume vemendjen e njerzeve, te te gjitha shtresave. 

Kush e di sa mund te kishe fituar ti Pjerin nga ndonje ligjerate ne universitetin e Cilit. VQ-ja flet qartazi per punen tende, ce do Belgjiken o shoku, paraja eshte ketu.

Nuk e njoh Cilin, pk, veç çe kam pare ne tv. Ti nese e njeh, thuaj nje fjale. 

 Not bad at all, si nje pembledhje  'e lojtareve dhe skuadrave qe luajne ne fushe'. Fenomeni qe perflitet lindi me krizen e fundit, perpjekjet per ta shpjeguar, justifikuar... Mendoj ka pas edhe periudha te tjera ku ekonomia ka perbere "trend", fundi i '80 psh. Dhe Ben Bernake e Alan Greenspan sikur s'jane lojtare te nivelit 'pop'...

Ekonomiasmiley

Ekonomia eshte shkenca me fantastike. Me duket se punen e ka prish pak fakti qe jemi ne nevoje permanente dhe si shoqeri dhe si individe.Per shkak te trysnise per te pas me shume(materialishit) dhe per ti pase TANI, ekonomia si shkence fillon e kthehet thjesht ne ca llogari plus minusi qe as ne finance nuk mund ti fusesh

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).