Ndoshta publiku i gjerë për arsye të mungesës së vëmendjes së duhur mediatike nuk ka shumë informacion se muzika klasike e  kontemporane shqiptare, si një nga arritjet e rëndësishme të kulturës sonë kombëtare, nëpërmjet kontributeve të çmuara të të gjithë brezave të kompozitorëve e interpretëve, si dhe të institucioneve shqiptare e të huaja, ka qenë prezente prej 25 vjetësh në peizazhin sonor ndërkombëtar, në evente të tilla të mëdha, si: Biennale di Venezia, Moscow Autumn, Seatlle fest, Workshire Fest, World music days, si dhe në mjaft radio duke përmendur BBC, RAI, Deutche Welle, Radio Budapest, Radio Orfei Moskë, Radio Këln, Radio Praga, Amsterdam, Voice of Amcerica, Radio New Port, Sao Paolo, etj. Kësaj gjeografie mjaft të pasur me ngjarje të suksesshme i shtohet dhe një kryeqendër e kulturës përtej Atlantikut, në zëmër të Manhatanit; Carnegie Hall New York. 

Duke qenë se në këtë sallë, më prestigjiozen të USA, Carnegie Hall, në një koncert të 2005-s sopranoja e mirënjohur Teuta Koço në recitalin e saj ka kënduar edhe 2 romanca shqiptare të autorëve Peçi e Tole, të shoqëruara nga një pianiste amerikane, kisha kohë që e mendoja se Albanian Classical Music të ngjitej në këtë sallë, metropol të metropoleve artistike të botës. Kërkesës sime për bashkëpunim iu përgjigj i pari një personalitet diplomatik mjaft i përgatitur, një ambasador karriere, vullnetplotë për të bashkëpunuar dhe i afeksionuar pas artit e muzikës, ambasadori ynë ne New York, Ferit Hoxha, i cili në linjën e tij diplomatike vuri në lëvizje mekanizmat e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Kulturës. Por vizionet tona për një imazh të Shqipërisë në prag të statusit u gjetën të zbuluara e të pambështetura nga MPJ dhe Ministria e Kulturës, të cilat nuk kanë ngritur asnjë instrument a strukturë, për integrimin e vlerave kulturore shqiptare në hapësira ndërkombëtare, çka e bëri z. Hoxha që normalisht pa mjete të dorëzohej. Insistues nga natyra për të mbërritur një qëllim që i vë vetes, ftova në bashkëpunim mikun tim, aktorin e regjisorin e talentuar Xhevat Limani, i cili jeton në New York dhe ka ngritur aty teatrin shqiptar. Z. Limani, me miqtë e tij sponsorë, të cilët i falënderoj me shpirt, siguroi mjetet. Ai pa asnjë mbështetje nga shteti shqiptar mori përsipër detyrën tepër të vështirë të produksionit të koncertit, e cila kishte të bënte me kostot për qira salle, regjistrimin video, fotografinë, ftesat, posterat, hotelet, udhëtimet, restorantet etj.

Salla më prestigjioze e Amerikës e një nga më të rëndësishmet në botë, Carnegie Hall, e konstruktuar në 1891-shin, e cila gjatë 123 vjetëve ka pritur figurat nga më të rëndësishmet e muzikës botërore, si: Çajkovski, Prokofjev, Rahmaninov, Horoëich, Gershëin, Toscanini, Bernstein, Karajan, Pavaroti, Heifetz, Gergiev, Ratlle, Rubinstein Anne Sophie Mutter, Benny Goodman, Michelangeli, Michael Jackson, Liza Minnelli, Beatles, Ella Fitzgerald, Aznavour, Zubin Mehta, Barenboim etj., priti me entuziazëm të pazakontë këto ditë koncertin ALBANIAN CLASSICAL MUSIC. Në këtë koncert që përkoi pikërisht me kohën një javë përpara marrjes së statusit, morën pjesë anëtarë të trupit diplomatik në OKB nga të gjitha kontinentet, zyrtarë të New York-ut, muzikantë, pianistë të ardhur nga Miami, përfaqësues të fushave të ndryshme të jetës e aktivitetit të qytetit, miq e dashamirës të Shqipërisë e përfaqësues të komunitetit të artistëve shqiptarë në SHBA. Kjo premierë historike i përcolli publikut me emocion vepra nga fondi i muzikës klasike e moderne shqiptare, të interpretuara nga artistët e mrekullueshëm: baritoni Kreshnik Zhabjaku, i cili për afro 20 vjet këndon në skenën operistike amerikane, pianisti Redi Llupa, i cili erdhi nga Miami, soprano Era Hoxha dhe pianistja Nermin Daja. Ambasadori Ferit Hoxha, duke falënderuar të pranishmit, theksoi se “diplomacia kulturore është gjithnjë në përpjekje të bëjë çdo gjë të mundur për të ndikuar në imazhin që të tjerët kanë për vendin. Muzika u flet shqisave tona, unit tonë të brendshëm e është një nga mjetet më të mira të komunikimit”.  

Programin e ndërtuam duke përzgjedhur vepra të njohura nga fondi i muzikës klasike shqiptare: Zadeja, Harapi, Ibrahimi, Jakova, Dizdari, Gjon Simoni, Akil Koci, Simon Gjoni, Lola Gjoka e Aleksandër Peçi. Tri prej veprave të Peçit, si “Valle scherzante e Tiranës”, “Vajz’ e valëve” dhe “Ti Shqipëri”, u interpretuan premierë botërore. Publiku përshëndeti me një “standing ovation” të gjatë e të merituar për veprat dinjitoze të muzikës klasike e moderne shqiptare, interpretimin e shkëlqyer, i cili e mbërtheu me emocione publikun për 1 orë e gjysmë, duke shkruar në New York një faqe të re të historisë kulturore muzikore shqiptare, e duke përcjellë në këtë mbrëmje një panoramë mbresëlënëse sonore. Kreshnik Zhabjaku, i cili ka mbaruar në Akademinë e Arteve Tiranë e prej 20 vjetësh ka gjetur hapësirë në mjaft teatro operistikë amerikanë, i përcolli publikut një figurë të kompletuar, një figurë me personalitet imponues artistik, një tingull solid të fuqishëm, plot muzikalitet që zbërthente me inteligjencë emocionalisht idetë dhe karakteret e veprave. Sopranoja nga Prishtina, Era Hoxha, e cila ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve në klasën e prof. Shqipe Zani, nëpërmjet zërit brilant me nota të impostuara mirë në akutet, me një sensibilitet të admirueshëm, diksionit perfekt, kulminacionesh plot emocion, një amplitude imponuese plot personalitet e sharm, transmetoi emocione të fuqishme e përcolli gjithë repertorin e saj duke u duartrokitur gjatë, në mënyrë të veçantë te vepra e Peçit me poezinë e Naim Frashërit “Ti Shqipëri m’ep Nder, m’ep emrin shqiptar”, e cila u luajt premierë botërore. Të dy interpretët Kreshnik Zhabjaku dhe Era Hoxha u shoqëruan në piano me shumë shije e një muzikalitet për t’u admiruar, nga pianistja dhe mjeshtrja e korepitimit, e cila për 36 vite shërbeu pranë Operës dhe Baletit në Tiranë, Nermin Zhabjaku. Pianisti i shkëlqyer, Redi Llupa, i cili po ngjitet drejt majave te sigurta të një suksesi ndërkombëtar, i mahniti duke i dhënë një adrenalinë sonore të rrallë publikut. Bashkëpunimi me të mua si autor më ka dhënë një kënaqësi të jashtëzakonshme profesionale dhe më bën të them me bindje se do të vazhdojë gjatë. Llupa ka një personalitet të lindur, një logjikë të strukturuar shumë saktë në lojë, një energji e virtuozizëm të rrallë, që shkon nga fortisimot më tronditëse në një relaxt sonor që varion deri në pianisimot më variabile, të cilat i organizon me inteligjencë të rrallë në lojën e tij. Spikati në veprat “Tokata” e Ibrahimit, “Barokjare”, “Valle Schrzante e Tiranës”, “Vals i Drondafilleve”,  “Vajz’e valëve” e “Valle mbi Xham” e Peçit. Atmosfera në New York e Miami është ende me jehonën e opinioneve të shumta nga artdashës e muzikantë që asistuan në koncert.

Larisa Soboleva, pianiste e cila fluturoi nga Miami për New York posaçërisht për këtë koncert: “Kam pasur kënaqësinë e veçantë të jem e pranishme në koncertin e muzikës shqiptare të mbajtur në Carnegie Hall më 15 qershor. Ishte një eksperiencë e veçantë për mua, që më pasuroi imazhin për muzikën klasike e kontemporane shqiptare. Erdha nga Miami për të dëgjuar këtë muzikë të bukur që transmeton shpirtin shqiptar, duke përfshirë ne thelb të saj elemente popullore, klasike dhe disa nga aspektet kulturore që ishin të reja për mua nga kjo muzikë. Koncerti varionte nga imazhet lirike drejt veprave virtuoze dhe afektive”. 

Pëllumb Kulla shkrimtar: “Nga ajo natë vlerësova përpjekjet e mundimshme dhe natyrisht të kushtueshme për të dalë në atë vitrinë prestigjioze të artit muzikor, siç është Carnegie Hall. Vlerësimi i dytë prekës ishte salla e mbushur për të asistuar në një veprimtari dinjitoze, por jo edhe aq popullore të shfaqjes dhe interpretimit të muzikës sonë klasike. Në përfytyrimet e mbetura kanë qenë dhe janë takimet e emigrantëve tanë me artistët nga atdheu, kryesisht të rrafshit të muzikës së lehtë dhe asaj popullore në hapësirat e sallave klubeve e restoranteve, natyrisht të pëlqyeshme dhe ato, por me një komunikim reciprok më të lehtë për shume arsye, që nuk po ndalem. Me sa mbaj mend unë, prej 20 vjetësh në Nju Jork kjo është shfaqja më serioze që na ka impresionuar dhe na ka dhënë shpresa se do të pasohet nga të tjera të llojit. Artistët interpretues ishin zgjedhur mjaft mirë. Kreshniku me zërin e tij të ngrohtë baritonal, Era Hoxha, që unë takohesha për herë të parë dhe Neri, artistja e paperëndueshme që i shoqëronte. Lashë për në fund jo për rëndësinë, por për theksimin e vlerave të një pianisti të ri virtuoz, siç ishte Redi Llupa për të cilin kisha dëgjuar, por e shijova mjaft në shkathtësinë, temperamentin dhe forcën goditëse të interpretimit.

Natyrisht atij i jepnin dorë edhe konkurronin bukur me artin e ekzekutimit të pianistit, krijimet e Peçit më të fundit, krijime që mua më befasuan me bukurinë tyre, si “Vallja mbi xham”, përpunimi i valles së gëzueshme tiranase dhe variacioni i “Vajzës se Valëve”. Ishte një nga rastet e mrekullueshme, mjerisht jo shumë të shpeshta, kur autorët gjejnë interpretuesit që patën ëndërruar”.

Dr. Julian Kwok, profesor Kantojr dhe pianist, NYC: “Një moment historik për Shqipërinë, si shtet që përgatiti një ngjarje kombëtare muzikore në New York City dhe në Carnegie Hall, një vend unikal për muzikën klasike. Programi ishte një vitrinë e shprehjeve nacionale, tradicionale dhe bashkëkohore.

Profesor Kristofor Xhokaxhi: mbrëmja në Carnegie Hall ishte një natë e veçantë, e mbushur plot emocione dhe nostalgji. Muzika e kompozitorëve shqiptarë ndër vite, që po dëgjoja, ishte kaq e ëmbël për mua, pasi e njoh shumë mirë këtë repertor. Ndihem krenar që edhe muzika jonë klasike u vu në skenën më të dëgjuar koncertale të botës. Kreshnikun nuk e kam dëgjuar qysh se ishte në Akademinë e Arteve të Tiranës, kështu që për mua ishte një surprizë e këndshme ta kem përpara mbas 18 vitesh në skenë. Një ndër gjërat që më spikati direkt, ishte zëri tashmë i plotësuar i një baritoni të kompletuar dhe plot rezonancë. 

Pranvera Çoba, pedagoge muzike: “Ishte një mbrëmje e mrekullueshme, që do të qëndrojë në kujtesën time për një kohë shumë të gjatë. Më duket sikur isha në shkretëtirë dhe isha shumë e etur. Mbas këtij koncerti jam përsëri e freskuar. Ishte vërtet kënaqësi të dëgjosh fjalën dhe muzikën shqiptare në Carnegie Hall”. 

Çështja është se integrimi në hapësira ndërkombëtare e kulturës shqiptare nuk është një çështje personale, por pjesë integrale e politikave të Ministrisë së Kulturës, MPJ, Ministrisë së Integrimit dhe qeverisë shqiptare. Nuk është e drejtë që Ministria e Kulturës t’i japë 3 milionë e gjysmë lekë një anonimi për një koncert në Kombinat dhe nuk mbështet Redi Llupën, për një koncert në Carnegie Hall, sepse kanë vënë një kriter, qe është pikërisht antiintegrim, ku për projekte jashtë Shqipërisë ndalohet mbështetja. Vende shumë më të vogla se Shqipëria e Tirana, rrotull nesh si Podgorica, Ohri, Prishtina, investojnë shumë e shumë më tepër për kulturën e integrimin e saj kur kualitetet artistike e kreative këtu janë shumë të larta. Uroj që fjalët për investime në kulturë, thënë nga Kryeministri i Shqipërisë në Bienalen e Venecias, të konvertohen në instrumente konkrete, që mbështesin aksionet tona kulturore jashtë Shqipërisë. 

Ka ardhur momenti që Ministria e Kulturës dhe TKOB të bëjnë disa bilance: Ç’kemi bërë? Ku kemi mbërritur? Ç’duhet bërë më tej, për të zhvilluar kompozicionin e veprave të gjinive të mëdha në përmbushje të vizioneve strategjike të këtyre institucioneve? Unë jam i bindur se Ministria e Kulturës dhe TKOB e dinë shumë mirë se Shqipëria ka një stanjacion prej afro 30 vjetësh, që nga koha kur ka vdekur Enver Hoxha (pak kohë më vonë pas vdekjes së tij u realizua premiera e baletit Gjergj Elez Alia i Feim Ibrahimi), pra një kohë prej 30 vjetësh pa një balet kombëtar, premierë botërore. Një boshllëk shumë i madh, i cili ndihet së tepërmi sot, kur nuk janë më mes nesh as 2 koreografët e mëdhenj, Kanaçi e Aliaj. Kjo situatë Saharaje e premierave të baletit shqiptar më bën të shtroj pyetjet: Si do të ishte panorama e letërsisë shqiptare pa botuar për një kohë prej 30 vjetësh asnjë roman?! Si do të ishte kinematografia shqiptare pa prodhuar për një kohë kaq të gjatë asnjë film?! Si do të ishte arti pamor pa prodhuar prej 30 vjetësh asgjë?! Drejtori i TKOB, z.Ilir Kerni, i cili në profesion është balerin e koreograf, i ka gjithë mundësitë që së paku për 2015-n në këtë Sahara të mbjellë një pemë të re pas 30 vjetësh dhe TKOB të sjellë premierën botërore të një  baleti shqiptar. M.K. po riharton ligjet për artin e kulturën. Është nevojë jetike e zhvillimit të kompozicionit, që ligjin për cilësinë ta përcaktojnë saktë, duke përcaktuar në ligj cilësi edhe për krijimtarinë. Ligji për sponsorizimet duhet të zhbëhet dhe të ribëhet nga fillimi. Ky ligj në thelb duhet të shprehë vendosmërinë e shtetit për përqindjen që ligji i jep të drejtë sponsorit të sponsorizojë artin, shteti t’ia zbresë nga tatimet.

Pas këtyre problemeve që presin zgjidhje institucionale, mendoj se Albanian Classical Music shfaqur në Carnegie Hall, mbetet një nga shembujt më të mrekullueshëm se atë që bën arti për imazhin e Shqipërisë dhe integrimin kulturor, duke i lënë historisë vepra që jetojnë gjatë, s’ka politikë që mund ta bëjë. E vetmja gjë që mund të bëjë politika dhe qeveria, është që për artin, vetë, të investojë.

3 Komente

Te gjithe duan para, qe te gjithe, po ku gjenden keto te uruara...?

Shkrim i gjate per arsye se merret me disa gjera njeheresh, dhe per vete e kam problem kete aspekt praktik. Do e kisha me te lehte nese nje event si ky te vinte ne nje kend te vetin me rubrika te vecuara per secilin aspekt qe trajton. Sdq, sh. flm per prurjen, ngjarje e rralle sh. pozitive Koncerti.

ps. peshku eshte anonim, por nuk e di si mund te perdorej per kontribute per ndermarrje si kjo.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).