Objekt i këtij shkrimi janë emra të përveçëm. Në këtë lagjen tonë fenomeni mund të shpjegohet vetëm me emra të përveçëm. Jo thjesht për t’i akuzuar në cilësinë e personave të veçantë, por si bartës të rrënimit dhe banalitetit të institucioneve. Natyrisht që shprehem për një zonë të caktuar të jetës, por gjendja për të cilën flas mund të shërbejë për analogji me skena të tjera ku fiton banaliteti. Mbërrin një pikë ku e keqja bëhet aq banale dhe banalja aq aktive, sa nuk ka më rimëkëmbje apo “rilindje”. Rilindjen nuk e mundësojnë reformat, por vetëm një pasion intim i njerëzve me ndonjë segment jete. Përkundër kësaj, ne jemi gjithnjë në banalitetin e të bërit të gjërave jashtë gjërave, në privatizimin psiko-biologjik të shpirtit. Ndaj, në këto raste nuk mbetet gjë tjetër veçse pedagogjia e banalitetit.

Më së pari, banaliteti është injoranca e aprovuar nga ekuivoku. Shpesh banaliteti i lartë aprovohet nga një gjykim pa guxim që thotë se njeriu nuk është aq i keq. Ky gjykim pa guxim ngatërrohet. Duhet të rezistojmë në mendimin se njeriu nuk është aq i keq, por mund t’i lejojmë vetes ta mendojë njeriun të aftë për të qenë i përkryer në injorancën e vet. Këtu të paktën mos të ketë ekuivok. Për shembull, ai mund të marrë përsipër një post publik dhe ta ruajë gjendjen e tij të injorancës dhe paaftësisë përkundrejt këtij posti me një besnikëri të habitshme. Dhe në këtë lagjen tonë ka plot të këtij lloji. Banaliteti duhet t’i përngjitet termit Rilindje, ta llangosë atë që ne të mund ta kuptojmë si Rilindje. Rilindja nuk është çështje reforme. Sepse, miqtë e mi – natyrisht u flas atyre që ndiejnë nën të njëjtët terma pamundësitë e këtij lloji – nuk ka mundësi reforme në asnjë banalitet. Banaliteti ka për natyrë të pjellë banalitet. Nuk ka përkufizim të emancipuar të banalitetit. Kaq e thjeshtë është ta thuash. Është term që shpreh një gjendje të mbyllur në vetvete. Banaliteti nuk bën dallim. 

Po shkruaj nga pozicioni i pedagogut të jashtëm në departamentin e filozofisë pranë Fakultetit të Shkencave Shoqërore, ky i fundit brenda Universitetit të Tiranës. Kam një përvojë relative ashtu si çdo njeri në jetën e vet të kufizuar në hapësirë, gjeografi dhe njerëzim. Por e them pa pikën e ndrojtjes se kam një përvojë të gjerë në mjedisin e dijes dhe universitetit. Ka tre vjet që pjesa më e madhe e anëtarëve bën përpjekje të më integrojnë si mua dhe të tjerë në departamentin e filozofisë. E megjithëse në komisionin e tre vjetëve më parë, tri votat e pedagogëve të filozofisë ishin pro meje, Petraq Simo (një nga emrat e simptomës) gjeti një pretekst tipik shqiptar për të më nxjerrë jashtë konkurrimit: listën e notave. Nuk kishte rëndësi për të as mësimdhënia 4-vjeçare në një universitet francez, as alokimi i kërkimit trevjeçar akorduar nga Ministria franceze e Kërkimit, as nota me mention très bien në diplomën time, as vlerësimi i studentëve për cilësinë e leksioneve të mia, as përkthimi deri në atë kohë i gjashtë librave filozofikë. Për Petraq Simon ishte e rëndësishme të më hiqte qafe me dy vota, të vetën dhe të këshilltarit juridik të rektoratit. Përfundimisht, kisha tri votat e njerëzve më të lidhur me fushën dhe dy votat kundër të atyre që nuk e njohin e as u intereson filozofia. Dhe çuditërisht këto dy vota ishin vendimtare. Për ata që e kanë të vështirë, dhe me të drejtë, ta kuptojnë një gjë kaq banale sa banaliteti, jam pothuaj i sigurt se do t’i ndihmojë shembulli i mësipërm.

Banaliteti është pra i mbyllur në vetvete. Ai ka për tavan dyshemenë e tij. Si ta kuptojmë ndryshe? I njëjti Petraq Simo, kur pa reagimin tim minimal, u prek shumë. Nuk ishte mësuar i gjori. Le ta sqaroj dhe këtë pikë. Cila është diploma e vërtetë e zv.dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale, Petraq Simos? Edukimi fizik. Natyrisht, një njeri me një sukses të tillë administrativ pas një përpjekje krejt tjetër edukative, me një sukses të ngjashëm me atë të elektronit në efektin tunel – po flas për mikrobotën – nuk mund ta pranojë të ketë ndonjë reagim që mbështetet mbi aftësinë. Ai u prek kaq shumë, sa prej tri vitesh ngre e ul, kudo ku i jepet rasti, se Elvis Hoxha është një rrugaç. Kjo gjë mund të jetë e vërtetë. Të dy e kemi nga një akuzë për njëri-tjetrin: ai më quan rrugaç sepse e quajta të kotë pretekstin e tij për të shmangur një post në të cilin do të vazhdoja të punoja në fushën time. Ai nuk tha se nuk isha i aftë. Pak i interesonte një gjë e tillë. I duhej të asgjësonte mendimin e atyre që ishin pro meje sepse vinin me idenë se mund të bëja një gjë të mirë me studentët dhe veten në lidhje me disiplinën e filozofisë. Gjatë konkursit tha se nuk kisha listë notash, pas konkursit deklaroi se isha rrugaç. Ndërsa unë, nga ana ime, e quaj hajdut të atributeve institucionale dhe administrative, shkurt hajdut të aftësive publike të institucionit. Në këtë kuptim banaliteti nuk ka as tavan, as dysheme. E rëndomta e banalitetit është pezulltia e rëndë e mungesës së hapësirës. Për Petraq Simon nuk ka rëndësi as pasioni dhe as cilësia profesionale. Nuk kam si t’ia shpjegoj një gjë të tillë një njeriu pa hapje, pa hapësirë. Mes nesh dallimi është i skajshëm. Petraq Simo është tavan dhe dysheme e vetes, identik me veten: thënë ndryshe, është përdorimi privat i fakulteteve (lexo aftësive) publike. Është thjesht injorant. Ndërsa unë i nënshtrohem faktit që studimi nuk ka fund: pra jam përdorimi publik i aftësive private. Jam mediokër. 

Le të vazhdoj shkurt rrëfimin e asaj çka ndodhi më tej. Në të njëjtën kohë, si me teleportim, vjen nga Rektorati i Universitetit të Tiranës me postin e pedagoges së brendshme Majlinda Keta. Më falni që po e evitoj përdorimin e formave të etiketës në një shkrim të tillë. Ma lejo lexues i dashur që kur të flas për banalitetin të mos përdor zgjerime fisnike të tjetrit, si zotëri apo zonjë. E thashë pak më parë se banaliteti është i mbyllur. Substanca e banalit është të mos jetë person në kuptimin e tjetrit, por person në kuptimin e askujt. Është si të thuash: Petraq Simo është askush në terrenin e filozofisë ku jetoj unë, por banalisht merr në dorë gjithçka në këtë terren. Është aftësia e banalit. Duke mos pasur asnjë meritë, nuk ka asnjë aftësi ndërtimi dhe njehsimi. Kështu që i falet t’u prishë punë interesave të departamentit të filozofisë. Është çështje moskuptimi. Departamenti ku punon ai ka mbi 20 pedagogë, ndërsa filozofia ka vetëm 7. Sepse zona ku punon një banal është treg i mirë postesh dhe influencash. Me këtë lloj paaftësie për njehsim e ndërtim, institucioni është vetëm një vend privat. Banalizimi i institucionit rrjedh nga natyra banale e njeriut që i vendosim në krye për të përmbushur mbarëvajtjen e institucionit. Kështu që nga Petraq Simo mund të vinte pedagoge e brendshme – kuptohet, pa kaluar ndonjë konkurs – një person i ngjashëm me të, Majlinda Keta. Drejtoreshë arsimi, me një master në studime europiane, pa lexuar një libër filozofie ndonjëherë, ajo është saktësisht personi që i përshtatet në banalitet. 

Dhe Majlinda Keta erdhi. Me të kam edhe një kujtim të hidhur sa dhe qesharak. Më kërkoi të bëhesha asistenti i saj në lëndën e Shkrimit akademik. Ndërkohë që për të ishte një shenjë e mirëfilltë respekti dhe ndihme, për shumë kolegë të mitë është ende një anekdotë që nuk lodh. Për ata që nuk arrijnë ta ndiejnë shkallën e qesharakes, lexues që nuk njohin në planin e aftësive as njërin, as tjetrin, pra as Majlinda Ketën dhe as autorin e këtij shkrimi, po përpiqem ta them në këtë formë: përsa më takon, kam kaluar pothuaj tetë vjet në një departament filozofie i themeluar nga Foucault, ku kanë punuar Deleuze, Lyotard dhe Chatelet, me ndjekje të gjata leksionesh të Ranciere-it dhe Badiou-së; ndërsa Keta vjen nga Drejtoria Arsimore dhe nga Face-book-u.

Banaliteti ka vetëm një dituri: relacion të paditur me dijen (injoranca institucionale specifike shqiptare). Ka ardhur pra koha t’i rezervojmë një status më të respektueshëm mediokritetit: relacion i ditur me padijen (nostalgji e injorancës sokratike). Injoranca mbledh në këtë kuptim bartësit e vet. Duke mos pasur asnjë prekje reale me idenë e bashkëkohësisë së dijes, relacioni i vetëm është ai me injorantin e afërt. “Injorantë të të gjitha viseve, bashkohuni në këtë cep administrate, do ta mbrojmë njëri-tjetrin! Ndërkohë ata pak profesionistë do të na shërbejnë si alibi ose performancë”. Dhe Majlinda Keta erdhi në territorin e filozofisë. Madje ishte e pakënaqur tek shihte paaftësinë e atyre që kishin kaluar konkursin për këto poste. Bëri dhe një shkrim të hapur kundër departamentit të filozofisë, kundër departamentit, sepse për filozofinë nuk di gjë. Është e thjeshtë të marrësh vesh se me ç’nivel mendimi ke të bësh kur sheh në shkrimin e saj disa herë të njëjtin grup fjalësh të magjepsur: “standarde të reputacionit”. Natyrisht që nuk është gjuhë filozofike. Gjuha e saj nuk ka lidhje me ndonjë terminologji filozofike, por ndoshta vetëm Face-book. E thotë vetë ky togfjalësh absurd. Pastaj, përse ta lexojë Majlinda Kantin kur nuk e ka friend në Facebook?

Kjo lloj injorance është vetëm forma e shprehur e dijes natyrore brenda dijeve disiplinore. Dijes natyrore nuk i lipset asnjë raport me bashkëkohësi dijesh apo ligjëratë krijimtare: ju mbetet të mendoni vetëm thellësinë banale në terminologjinë “standard reputacioni”. Mjaft të ndiqni çdo shkrim të saj dhe do kuptoni sjelljen cinike që prodhon natyrshëm banaliteti mbi gjuhën. Nëse dikush zbavitet ende me injorancën, le të lexojë ç’shkruan ajo në gazetën “Koha jonë” të datës 11 mars 2014. Ky person, që jep lëndën e Shkrimit akademik, nuk njeh as me ndjesi përdorimin e parafjalëve. Gjithnjë shprehet gabim. Ka një relacion me gjuhën shqipe sikur të ishte gjuhë e huaj për të. Ju e vini re që nuk kam asnjë vërejtje me temë filozofike. Personi në fjalë nuk ma lejon një këndellje të tillë; edhe tezën e doktoratës, në filozofi, e bën nën drejtimin e ekonomistit Dhori Kule. Më vjen keq që ajo përmend në shkrimin e saj Artan Fugën si ta kishte të llojit të vet. Sado dhe sido të prezantohet në terrenin shqiptar ky i fundit, Fuga s’mund t’ia shpjegojë dot Majlinda Ketës se në ç’ujëra dijesh ka notuar. Është si t’i shpjegosh mjelëses se nga gjinjtë e lopës u frymëzua edhe Kepleri për të gjetur optimumin mes formës dhe lëndës. Ju do më thoni se nuk ekziston ndonjë anekdotë e tillë lidhur me Keplerin. Ndërsa më mbetet t’u përgjigjem se derisa Majlinda Keta hyri si anekdotë në zonën e filozofisë, çdo anekdotë e mëtejshme bëhet vetvetiu e mundshme. Kësisoj, pedagogjia filozofike puqet me të pamundshmen dhe gjeneron banalitetin.

E di pastaj që do më thoni për sa e sa deputetë se plotësojnë të njëjtat “standarde reputacioni”. Përsëri e kam përgjigjen: nuk kam studiuar për deputet, shqetësohem vetëm për lëndën e filozofisë. Një injoranti i falet të jetë deputet. Fajin e kanë ata që e kanë zgjedhur. Ndërsa Majlinda Ketën e kanë emëruar. Natyrisht, rektori Kule. Shkurt, ata janë shumë. 

Në provimin e fundit Majlinda Keta kishte vlerësuar rreth 40 studentë me dhjeta (diku 60 studentë në total). Dihet që ne pedagogët disponojmë një sasi të pakufizuar dhjetash. Ndaj dhe Majlinda Keta, me aftësinë për të mos përcaktuar ndonjë aftësi, bashkë me dijen e mjeruar që u ka transmetuar, u dha dhe nga “një flamur të shkymë e të dalun bese”. Sa prindër ka bërë të lumtur atë natë! Asnjë prej tyre nuk pyeti mbi statusin e dhjetës. Paqja e trullosur dhe e paravendosur mes prindërve dhe Ketës është konformiteti mes ekuivokut dhe banalitetit. Është harmonia cinike e banalitetit. Banaliteti është harmoni pa frekuencë.

Dhe Majlinda Keta erdhi në filozofi për t’u shprehur mbi standardet e reputacionit. Pikërisht këtë semestër nuk dha gjashtë javë as leksion, as seminar. Departamenti nuk kishte asnjë justifikim për mungesën e saj. Pas gjashtë javësh ajo shkoi e mblodhi raportet mjekësore. Ajo vazhdoi të japë “mësim”, atë mësim që vlerësohet prej një kolegu të saj – kuptohet administrativisht koleg – si leksioni ku shpjegohet metafizika e fërgesës. Ndërkohë u pezullua drejtuesja e departamentit të filozofisë, sepse guxoi t’i gjente zëvendësues për dy lëndët e patrajtuara. Përgjegjësia e drejtueses së departamentit për të mos lënë studentët pa mësim si duket u ndëshkua me pezullimin e drejtueses. Të ndëshkohesh sepse bën atë që duhet të bësh dhe të vlerësohesh kur bën atë që nuk duhet të bësh, ja ç’do t’i japë banalitetit kurajë. Dhe nuk ju thashë gjithçka. Ka shumë për të thënë mbi banalitetin në këtë paradhomë akademie. Nëse ngacmohem të vazhdoj, ju siguroj se do të rafinohem më tej në lëndën e shkrimit të banalitetit. Në një shoqëri vërtet të hapur do të duhej të gjithë ta shndërronim banalitetin në objekt arti.

Sepse duhet t’ia mbërrish të shpikësh një shkrim që ta japë bukur banalitetin, pra ta nxjerrë në shëmtinë e vet të mirëfilltë. Është arti më i vështirë, por dhe më emergjent. Mund të nisesh nga akuza, por kjo nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të gjallërojë aleancën mes injorantëve. Është sigurisht më e drejtë t’i shtysh injorantët të ndiejnë dëmin që sjellin. Është ndoshta e pamundur për shkak të relacionit të tyre të paditur me dijen. Por është e mundur të bësh të kthejnë udhë mediokrit që u shërbejnë vetëm sepse janë gjetur nën varësinë e injorantëve në një moment të vështirë të jetës së tyre. Mbijetesa e vetme mbetet të jesh injorant e të prodhosh studentë injorantë që nuk hapin punë. Të prodhohen dita-ditës “lypësit e të marrët që mbushin rrugët tona”. Ndaj, në lëndën e leximit kritik do t’i nxisja studentët mos ta shihnin mjerimin për të cilin shkruan Migjeni si një fenomen me shkakësi objektive, por si rezultati i një rrënimi psikologjik. Migjeni e ka shkruar poemën e banalitetit, por që prej atëherë ne kemi prodhuar shumë, shumë mjerim.

7 Komente

Si shume e gjate per nje kronike banaliteti .

O Brado ca do me thone " Banalitet i specializuar" se pertoj te lexoj shkrimin po nuk kuptova titullin.

ky papagall kushton 1000 lek se di 10 fjale.

ky kushton 2000 lek se di 20 fjale.

ky kushton 5000 lek se eshte shefi i dy te pareve.

pak a shume, sinteza e shkrimit. 

Ketu jepet pak a shume ideja e gjithe shkrimit:

Injoranca mbledh në këtë kuptim bartësit e vet. Duke mos pasur asnjë prekje reale me idenë e bashkëkohësisë së dijes, relacioni i vetëm është ai me injorantin e afërt. “Injorantë të të gjitha viseve, bashkohuni në këtë cep administrate, do ta mbrojmë njëri-tjetrin! Ndërkohë ata pak profesionistë do të na shërbejnë si alibi ose performancë”.

Titulli mund te kete shume kend-veshtrime dhe kuptime, por nje nder shpjegimet me te peraferta sipas meje eshte qe ne Shqiperi, e vecanerisht ne administraten publike, Banaliteti / Injoranca eshte ne "mode". Mendoj qe fjalen banalitet e ka vendosur per t'i dhene nje nivel me te ulet fjales injorance.

 

 

Banalitet i specializuar do te thote " Taulant Balla " .

E di pastaj që do më thoni për sa e sa deputetë se plotësojnë të njëjtat “standarde reputacioni”. Përsëri e kam përgjigjen: nuk kam studiuar për deputet, shqetësohem vetëm për lëndën e filozofisë. Një injoranti i falet të jetë deputet. Fajin e kanë ata që e kanë zgjedhur.

keshtu i bie t'a kesh fajin vete, qe zgjodhe universitetin dhe filozofine.

nese do m'a degjoje nje keshille: varja te menduarit me gjithe filozofi dhe universitet.

apo do cosh deri ne fund banalitetin e Foucault, Deleuze, Lyotard, Chatelet, Ranciere-it dhe Badiou-së? edhe pse eshte shume me i specializuar se i Ketes, Kules, Fuges e cdo mendimtari tjeter te rregjur e te parregjur qe mund te lexosh ne shqip a te takosh ne shqiperi, prape banalitet mbetet. ashtu sic mbetet banalitet edhe cdo keshtjelle me tavane te larte, hapesira marramendese e piktura shume afer origjinalitetit.

ne fund, vetem origjinaliteti (ne gjuhen qe perdor une: shpirti i paperlyer me mendime) permbledh gjithcka. smiley

"Yll i prurjeve te blogut" - po te banalizojme si Majlinda Keta.

Perndryshe.... pa fjale!

(tragjike)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).