Kujtesë Profesor Nuri Abdiut

1. Nuri - Dritë

            Si tani e mbaj mend atë moment,kur u ndamë nga njëri tjetri.Kjo ndodhi katër pesë ditë përpara se profesor Nuri Abdiu të ndahej nga jeta në moshën 85 vjeçare më 27  Prill 2014 në orën 3 të mëngjezit.”Kemi nevojë të shihemi përsëri.”Këto ishin fjalët e fundit që i thamë njëri tjetrit.Pashë për herë të fundit atë,mikun tim të mirë,që po largohej ashtu qetë qetë drejt shtëpisë së vet…N’atë çast as mund ta mendoja se ajo ishte hera e fundit që po shihesha me atë njeri fisnik

Profesor Nuri Abdiu i takon asaj plejade intelektualësh që vunë gurë themeli në arsimin kombëtar dhe luftuan pandërprerë  për ta përsosur atë – mbi 50 vjet pedagog janë një jetë e tërë në shërbim të çështjes së madhe,arsimit kombëtar.Kontributi i profesorit të nderuar është shumë i madh e shumëdimensional.Gjatë tërë jetës ai pati një nord,binomin punë dhe atdhetarizëm.Këto qenë dy busulla për të,që s’e lanë të gabonte kurrë.

Ai lindi më 1 shkurt të vitit 1930 në një familje fisnike e të shquar në krahinën e Dibrës në fshatin Sohodoll,fshat i madh i përmëndur veçanërisht për traditat e tij,rrëzë malit të Korabit.Prindërit e tij,i ati Hazizi dhe nëna Gjylja rridhnin nga familje të dëgjuara të zonës,sidomos ishin arsimdashës.Këtë bënë për djalin e tyre më të madh, Nuriun.Sikundër I shkolluan deri në fund dhe tre vëllezërit e tre motrat e tjerë që do ta pasonin atë.Jo vetëm për arsimimin e tyre por gjatë gjithë jetës Nuriu do të bëhej mbështetje e tyre.Ai do ta meritonte emrin vëlla i madh i  tyre deri në fund të jetës së vet.

Prindërit i vunë një emër të traditës,pa e ditur se ai do të bëhej,siç u bë Dritë,njeri i ndriçuar për vehten e vet,për të afërmit,për të tjerët,për të ardhmen,për brezin e ri.Tërë jetën ai rrezatoi mirësi e dituri,duke u bërë një figurë e nderuar në fushën akademike dhe shkencore,një emër i shquar në arsimin publik e jo publik në vendin tonë.Prindërit,duke i vënë emrin Nuri,një fjalë me origjinë arabe(që ka kaluar në gjuhën turke e nëpërmjet saj në gjuhën tonë dhe vazhdon dhe sot të përdoret) që dmth dritë,donin të shprehnin dëshirën që biri i tyre të bëhej i tillë.Dhe ai u bë i dobishëm jo vetëm për familjen por për Dibrën,Shkodrën,për krejt Shqipërinë e më tej, duke rrezatuar gjithandej.

Fjala NURI po të shohësh fjalorët,do të thotë ndriçim,rrezatim,shkëlqim,dritë

hyjnore,nur.Në trajta të ndryshme të saj,e kombinuar dhe me ndonjë fjalë tjetër,ajo ka kuptimin njeri shumë i dashur,person i respektuar,me pamje që të ngjall respekt,i famshëm,i bekuar,i shenjtë.Në trajtën e saj Nurejn,nënkupton Hënën bashkë me Diellin,pra njeriun që është zotërues i këtyre dritave,që është me nur, me dritë.Profesor Nuriu,që kur filloi shkollën fillore e pastaj nga klasa e pestë,pra shkolla unike,e deri sa mbaroi të lartën jashtë shtetit,bëri jetë konviktori.Për një kohë në Peshkopi qe dhe nëndrejtor konvikti.Ai e meritoi plotësisht këtë emër të familjes së tij fisnike e atdhetare.Nuriu jo vetëm në vitet e shkollimit por tërë jetën rrezatoi dritë,dritën e arsimit e të kulturës.Ai u bë “ambasador” i Dibrës në Shkodër,i Shkodrës në Tiranë,i Tiranës në trojet etnike,në Kosovë,Maqedoni etj. dhe kudo ai si një pedagog i shkëlqyer përhapi dritën e arsimit shqip.Ai u bë edukator i brezit të ri;u bë pedagog i studentëve një jetë të tërë në të katër anët e Shqipërisë.

            Dikur  për Hasan Tahsinin,rilindas me të cilin u muar edhe prof.Nuri Abdiu,nxënësit e tij në Universitetin e Stambollit apo në shkollat e tjera të  larta,ku Tahsini dha mësim, thoshin me krenari:”Kam qënë nxënës i Hoxha Tahsinit”.Këdo që kam takuar gjatë jetës time,që ka mbaruar Institutin Pedagogjik të Shkodrës,sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”,sa herë ka rënë fjala për prof.dr. Nuri Abdiun me kënaqësi e me krenari të ligjshme kanë thënë:” Kam qënë student i profesor Nuriut”.Ai jo vetëm i donte,i mësonte por kur duhej në raste të veçanta dinte dhe t’i mbronte ata.Prandaj ata përgjëroheshin për mësuesin e tyre të nderuar.Për Nuriun, jo vetëm miqtë e dashamirët por sidomos masa e kuadrove që ai ka nxjerrë nga duart e tij e kanë konsideruar si Mësuesi i mijra mësuesve si Pedagogu ipedagogëve .Mbi tre dekada në krye të Institutit të Shkodrës,më i rëndësishmi midis institutevet pedagogjike si Normales së Elbasanit,Pedagogjikes së Korçës,Pedagogjikes së Tiranës etj. nga duart e tij ka dalë një armatë e tërë pedagogësh që e kujton me respekt,krenari e nostalgji,Mësuesin e vet,Profesor Nuriun.

 

2.Shkencëtari

Në 83 vjetorin e lindjes së Prof.Dr.Nuri Abdiut u tha me të drejtë në kremtimin që u bë në kuadrin e 7 Marsit se “Profesori i papërsëritshëm i psikologjisë Nuri Abdiu me punën e kontributin e tij është e do të jetë një institucion shkencor e pikë reference për të gjithë studiuesit në fushën e psikologjisë brenda e jashtë vendit”.Profesor Nuri Abdiu duhet vlerësuar si një nga misionarët e parë që i takoi detyra që ta fillonin çdo gjë nga e para,si hartimin e programeve e leksioneve,të teksteve të psikologjisë e pedagogjisë për shkollat e mesme e të larta si dhe për kualifikimin e mësuesve dhe specializimet pasuniversitare në Universitetin e Shkodrës e Universitetin e Tiranës.Në këtë mision fisnik Prof.Nuriu e plejada e tij u bënë të parët që ngritën nga e para katedrën e pedagogji-psikologjisë dhe të Institutit Pedagogjik në Shkodër si dhe zhvillimit të procesit të arsimimit,specializimit e kualifikimit pasuniversitar të qindra e qindra specialistëve në fushat e psikologjisë.

Penës së Nuri Abdiut si shkencëtar i takojnë një mori veprash,një pjesë të madhe të të cilave e kemi sot në dorë të botuar e të ribotuar.Ndër to mund të permëndim “Historinë e psikologjisë shqiptare”,(2002,2010),”Bibliografinë e punimeve shqiptare të fushës së psikologjisë” (1986,2011). Po ta kish vazhduar”Historinë e psikologjisë shqiptare” më tej,duhet të hynin patjetër emra që vijnë deri në ditët tona si akademikët Bedri Dedja në Shqipëri,Pajazit Nushi në Kosovë dhe padyshim ai vetë,Prof.Dr.Nuri Abdiu.Me krijimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave të Edukimit (A.Sh.Sh.E.)në vitin 2011,Profesor Nuriu u bë antar i saj.Jemi të bindur se vazhduesit e punës së tij në të ardhmen do ta bëjnë këtë gjë.Në projekt Nuriu,miku im, pati dhe veprën “Punime për psikologjinë në përgjithësi në vite”,dosjen e së cilës e kish bërë gati me kohë dhe për botimin kish biseduar diku.Këtë ma tha në takimin tonë të fundit .Është e domosdoshme botimi in memoriam i kësaj vepre që ne mendojmë se do të jetë mjaft voluminoze.Lista e punimeve shkencore, studimeve, kumtimeve  dhe artikujve shkencorë i kalon të 170 zërat.Të paktën gjysma e tyre duhet të jetë e kësaj fushe.Për më tepër profesor Nuri Abdiu është me veprën e tij ai që u ka hapur horizont për dekada të tëra apo ka shërbyer si themel për kërkime në fushën e psikologjisë për studjuesit e rinj të këtij drejtimi.

Ai ka bërë një punë pionieri,ka hapur rrugën veçanërisht në fushën e psikologjisë shqiptare,të historisë së saj,indirekt ka kontribuar dhe për historinë e filozofisë shqiptare. Gjithashtu ka dhënë ndihmesën e vet për studimin e veprave të rilindasit Hasan Tahsini.Me punimin e tij “Psikologjia e Hasan Tahsinit” ai jep një model,si të veprohet për të nxjerrë e vlerësuar veprat e tjera të Tahsinit.Ndërsa bibliografia për psikologjinë është një pikëmbështetje për kërkime të reja në fushën e psikologjisë.Me veprën e vet “Historia e Psikologjisë Shqiptare”,ai e ka ngritur vehten në një pjedestal,duke u rradhitur krahas homologëve të vet të fushës së psikologjisë nacionale edhe në hapësirat e Ballkanit,të vëndeve mesdhetare,të Lindjes së Mesme,të Europës e më gjërë.Pra emri i tij qëndron krahas parsonaliteteve,që kanë shkruar historinë e mendimit psikologjik të vëndeve përkatëse.

Prof.Dr.Nuri Abdiu me veprën e vet “Bibliografia e punimeve shqiptare në fushën e psikologjisë” me ribotimin e saj të dytë,i shtoi dhe 15 vjet,pra e shtriu deri në vitin 2000.Kjo është një lloj ftese për studjuesit e rinj,për t’i shpurë përgjithësimet e autorit për historinë e psikologjisë shqiptare,për t’i shtrirë ato nga 1939,deri ku ai i çoi vetë,deri më 2014,dmth edhe për 75 vjet të tjera.Pra ajo është një çelës për përgjithësime të reja,për ta sjellë deri në ditët tona.

Është detyrë e Lidhjes së Intelektualëve Dibranë,që profesor Nuri Abdiu e kryesoi sa qe gjallë me nder e dinjitet,t’i botojë veprat e tij të plota në katër-pesë vëllime si botimet psikologjike në përgjithësi,bibliografia,historia e psikologjisë shqiptare dhe në fund “Psikologjia”e Hasan Tahsinit.Mund të botohen edhe në dy vëllime në format të madh;dy tre të parat për psikologjinë në  përgjithësi në një vëllim dhe ato për psikologjinë shqiptare në vëllimin e dytë.Gjithësesi është një punë që duhet bërë sa më parë e me përgjegjësi…Veprat e Prof.Dr.Nuri Abdiut kanë rëndësi e janë një pikënisje për psikologët e ardhshëm.Profesori është autor edhe i disa monografive me përmasa më të vogla,të botuara në revista e përmbledhje shkencore.

Zëri i shkencëtarit N.Abdiu apo kumtesat e tij janë dëgjuar në forume shkencore kombëtare e ndërkombëtare si në Kongresin e VI Europian të Psikologjisë(Romë 1999) apo janë lexuar në kongrese të tjerë të rradhës për psikologjinë si në Stokholm të Suedisë apo matanë oqeanit deri në Montreal të Kanadasë etj.;ku ai ka paraqitur e mbrojtur denjësisht me arritjet e tij,vëndin tonë,Shqipërinë e shqiptarët.Standartet e tij shkencore e kanë çuar në nivele të tilla si Nënkryetar i Shoqatës mbarëshqiptare të Psikologëve,konsulent botues në revistën shkencore “European Psychologist” që del në Hamburg të Gjermanisë etj.

Ai është bashkëautor i shtatë teksteve të psikologjisë,midis të cilëve dhe i manualit “Psikologjia e Personalitetit” për kursin pasuniversitar të Psikologjisë dhe të Pedagogjisë të Universitetit të Tiranës(1988).

Sa qe gjallë ai qëndroi në majat e psikologjisë dhe sytë i mbajti nga e ardhmja.Mbas vizitës që bëri në Moskë, pas vitit 2000 në Universitetin Pedagogjik, ku kish kryer studimet që më 1958, ai   bleu një enciklopedi voluminoze në dy vëllime për psikologjinë me arritjet më të fundit në Rusi e në botë, botim i akademikëve rusë.Dikush pa takt i bëri pyetjen se ç’i duhej ajo tani në moshë të shkuar.Përgjigja e tij ishte kuptimplote:

”Dua të jem në korent me ecurinë,me të rejat më të fundit të shkencës sime që i kushtova jetën.Edhe po vdiqa,deri sa të kem frymë,për aq sa të rroj,të mësoj sa të mësoj!”

                Kur flasim për personalitetin e Nuri Abdiut si shkencëtar,nuk duhet harruar edhe ndihmesa e tij në lëmin e pedagogjisë dhe lidhjeve të saj me fushën e psikologjisë.Prej penës së tij kanë dalë dhe artikuj shkencorë që mbulojnë këtë fushë.Ai sikurse kolegët e vet të nderuar,Bedri Dedja e Hamit Beqja,mbaruan të njëjtën shkollë në Moskë dhe të njëjtën degë për Psikologji-Pedagogji dhe kanë kontribute të vyera në të dyja fushat.

 

3.Atdhetari vizionar

          Prof.dr Nuri Abdiu ,po ta shprehim me një fjalë,është “një mal pune” të bërë në mbi 5-6 dekada.Në sajë të saj,ai që më 1973 ka marrë titullin shkencor “Docent”,më 1991 gradën “Doktor i Shkencave”dhe më 1999 titullin shkencor “Profesor”. Gjithashtu në linjën zyrtare puna e tij si personalitet jo vetëm shkencor por dhe në pikpamje profesionale si dhe si veprimtar shoqëror është çmuar. Është dekoruar me “Medaljen e Punës” më 1968,me urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë më 1980, me titujt e lartë “Mësues i Merituar”më 1987 dhe “Mësues i Popullit”më 1989.

            Nga këto lartësi të mbritura ai është përpjekur vazhdimisht t’I shërbejë atdheut.Latinët e vjetër thoshin se “E ke bërë detyrën ndaj atdheut po të kesh rritur e edukuar një qytetar romak”.Prof.Nuriu me të shoqen zonjën Fitnete,kanë rritur e shkolluar dy vajzat e tyre Ermirën e Arditën, që u bënë siç thotë populli “goca të hajrit”,jo vetëm për vehte por dhe për prindërit e tyre.Sot ato kanë familjet e tyre por prindërit i kanë parë në dritë të syrit.Ermira,vajza më e madhe,mbaroi për fizikë bërthamore dhe sot është me detyrë në Kenia për  llogari të PNUD-it (organizatës së OKB për zhvillimin).Ajo nuk harron të ftojë çdo verë prindërit e saj të kalojnë pushimet në Nairobi të Kenias.Ndërsa Ardita u bë juriste dhe sot punon në Gjykatën e Strasburgut.Ajo i mundësoi të jatit,Nuriut,të vizitonte ish shkollën,ku kreu studimet e larta në Moskë,në ish Bashkimin Sovjetik.Pas vitit 2000 Nuriu me zonjën e vet shkoi në Universitetin Pedagogjik,u takua me akademikë e profesorë të shkollës së vet.Të gjithëve u bëri përshtypje rusishtja perfekte e profesorit.Ai la përshtypjet më të mira aty dhe u kthye me mbresa të thella e të pashlyera prej andej.

            Me këtë rast po përmëndim se profesor Nuriu ka punuar si Referent Konsullor në Ministrinë  e jashtme të Shqipërisë në fillim të viteve ’50 dhe më pas në kurset e gjuhëve të huaja pranë Ministrisë së jashtme të ish Bashkimit Sovjetik. Mund të zgjidhte të ishte diplomat i shkëlqyer por pas mbarimit të studimeve në Moskë, por karriera e tij vazhdoi në fushën e psikologji-pedagogjisë, për të cilën kreu shkollën e lartë. Profesor Nuriu përgatiti dy fëmijët e tij si dy kuadro të lartë, tepër të kualifikuar, që i shërbejnë atdheut, me të cilët do të krenohej çdo familje. Ato u bënë pasardhëse të denja të babait intelektual.

            Nuri Abdiu nga viti 1996-2005 dha mësim për rreth një dekadë në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Aty ka patur detyrën si kryetar i komisionit për pranimin e pedagogëve të psikologjisë në Degën e Psikologjisë të këtij Universiteti. Ai ka formuar studentë nga trevat etnike shqipfolëse jashtë Shqipërisë,të cilët e kujtojnë vazhdimisht profesorin e tyre elokuent dhe të mençur. Pushimet ndër vite ai i kalonte familisht në Strugë,ku bëri shumë miq e shokë dhe ku rrezatoi si atdhetar.

Profesor Nuriu ka qënë dhe shumë i lidhur me vendlindjen e tij ,Dibrën. Dihet, Dibra e dibranët kanë luftuar për çdo krahinë të Shqipërisë, sikurse kanë punuar kudo në çdo cep të atdheut si muratorë tepër të aftë.Ustallarët dibranë janë me famë. Profesor Nuriut i takon merita e krijimit të Shoqatës të Intelektualëve Dibranë,kryetar i së cilës u zgjodh njëzëri dhe në krye të saj  shpaloi vlerat e asaj krahine.

            Profesori mishëroi në vetvehte njeriun e virtytshëm dhe sistematik, një model për të afërmit, për shokët , për miqtë e tij të shumtë. Jetëshkrimi i tij është ai  njeriut që njohu vetëm ngjitje me gjithë sfidat e shumta në jetë. Në Shkodër e donin dhe e respektonin dhe të ashtuquajturit të “deklasuar”.”Ti, Nuri Abdiu s’je si të tjerët.Lum, nana që të ka ba.”i thoshin.”Ti je fisnik!”

2 Komente

Kush eshte arsim-dashes dhe lexim-dashes, eshte edhe i kulturuar e fisnik. 

" Fjala NURI po te shohesh fjaloret, do te thote ndricim , rrezatim , shkelqim , drite "

se besoj , eshte " NUR " , ate " i " ne ja kane shtuar .

Se kush po me thoshte nje dite qe fjala " BARI "  do te thote hashash .

Se kam ca kohe qe menohem , po fjala " QANI" ca do te thote ?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).