Fatlum Sadiku

U. nga Ferizaji si çdoherë sot është zgjuar me rëndesën e zakonshme, të një ditë të stërngarkuar që e pret, por që me rutinën është e vendosur të përballet me një emfatizëm tashmë të ushtruar. Preokupimi mbi rrjedhën e ditës, provimin, mondanitetin e rrjedhat e tjera të ditës, si të shkathtë që është e bëjnë atë të përpëlitet në atë që Senett e quan 'shthurje e njeriut publik' nënkuptoi apo jo kjo edhe korrezionin e karakterit të njeriut nën përfshirjen këtu edhe të implikimeve tjera të kapitalizmit të ri, për të cilat autori flet diku tjetër, e që në Kosovë jo në pak raste po ndërtohet jo-rrallëherë nga binzesi i nëntokës/mafia politike, e krahu i fortë, e që U. dëshiron tu ikë të gjitha këtyre, përmes vetëmohimit për studime në UP, pavarësisht rangimit këtij të fundit!
U. e ndjen shpejtimin e historisë, mbipeshimin e të tanishmes, të menjëhershmërisë, të përqëndrueshmërisë, aty-për-atyshmes, dhe të kontigjentes mbi supet e saj, nga fakti i të qenurit gjithnjë në lëvizje, realitet që natyrisht i lë shumë pak kohë të mendojë mbi fëmijërinë (të hareshme apo jo), kur kishte një tjetër status social së bashku me familjen, përceptim tjetër ndaj botës dhe strukturë kognitive shumë më të ndryshme se sa që ka sot. Ajo nuk ka menduar pothuajse asnjeherë se kur njerëzit nga fshati prej nga origjinarisht vie, do të migrojnë në Ferizaj, edhe ashtu me qytetarizëm fragjil, por në ekspanzion ekonomik e social post-99. Ekspanzion që rrit hapësirën e Ferizajit, tendencë kjo e kundërt ta zëmë me Pozharevcin në përjetimet e Albin Kurtit më 1999/2000 kur ky i fundit mbahej në burg, si pak vite më i vjetër se U. sot, dhe kur si rezultat i asaj se kishte shumë pak hapësirë, e shumë më shumë kohë, thuhet se ka lexuar shumë libra. Më tepër se shumë e shumë nga gjeneratat e viteve 80 e 90, një pjesë të të cilëve kur u doli u shërbeu e u shërben si arketip. Por U. nuk lodhet aq shumë për këtë fakt. Ajo të paktën deri vonë ka pretenduar se është rugoviste një shembull ky tipik i një konzervatorizmi të përçudnuar dhe i patronazhit ligjërues prindëror mbi të. 

U. nuk lodhet as për faktin se hekurudha në logon e Ferizajit, si një shenjues/imazh i atij modernizmi metonomik që Perandoria Osmane nisi të ndërtonte mbi tokën e sotme të Ferizajit (së paku jo deri në atë masë sa të ndalet në historinë e saj), pos nëse shesh ta zëmë ndonjë skenë dimri tek Doktor Zhivago, e që mund t'i reminishojë a ngjajë në ndonjë pamje të Ferizajit, në ndonjërin nga ato dimërimet e saj të përmotshme, kur hekurudha e Ferizajit, mbulohet nga dëbora. S'do mend se cilado skenë nga Doktor Zhivago miklon secilin nga gurmanët e filmit, vetëm se shtrohet pyetja sa nga shikuesit e dijnë se hekurudhat si në Stamboll, si në Ferizaj, si në udhëtimet e Solsjezinit, ishin/janë veçse metonomia (mbivendosja e pjesës mbi tërësinë, e imazhit mbi konceptin) moderniste e Perandorisë Osmane (përkatësisht ruse) ? Nuk e di a i bën përshtypje U-së, ndrrimi i mbiemrit të Rita Orës, nga Sahatçiu në Ora, anipse muzika, stili e fama e saj, mbase po. Në fakt mbiemri i vjetër i Rita Orës dhe hekurudha e Ferizajit kanë një të kaluar që i ndërlidh, të cilën do e zbërthejmë në rrjedhë, por që fillimisht po potencojmë se ndryshimi në fjalë nga protagonistja, përbën kompleksin tredimensional të talentes kosovare, për arratisje identitare nga tri shtylla: e kaluara e identifikimit me një mbiemër turk, e kaluara e identifikimit me një profesion që në fakt mund ta kenë pasur (stër)gjyshërit e saj, e që për kohën shitja apo ndreqja e sahatëve (orëve) apo më mirë thënë vetë hyrja në përdorim e tyre, përbënte një akt tjetër poaq metonomik të burokracisë shtetërore osmane, respektivisht të zanatliut a tregtarit osman, në kuadrin e politikave modernizuese e westernizuese; si dhe ikjen nga vendi ku mbiemri i ndrruar mund t'i sillte jo pakësim të komplekseve, por shtuarje në një shoqëri që është familjare me mbiemrin Sahatçiu, por asnjeherë me bukfalizma të tillë... Fakti se binaret hekurudhore në tokën e Ferizajit, dhe tashmë ish mbiemni i Ritës sot mund të duken relika të tejkaluara, ato në fakt për kohën përfaqësonin zgjimin në emër të modernizmit metonomik në të dyja rastet të shembullit osman: hekurudhës që do lidhte Bosnen/Sanxhakun me Selanikun (kujtoni rëndësinë politike të veriut të Kosovës në pazaret politike që po zhvillohen si dhe maninë me austrada edhe sot!), si dhe kalendarit të ri që vendimi osman për të ndjekur hapin e Europës në matjen e kohës, stërgjyshërve të Ritës u pati krijuar profesionin e bukës së gojës, e që Rita afro një shekull e gjysmë pas do t'a zhdukte nga leternjoftimi..

Era, motra e Norës

Për ata që nuk e dijnë ende, Era është motra e këngëtares Nora Istrefi. 
Personi i Erës, tashmë na ka ofruar pesë shembuj të afirmimit: shembullin e pasimit të motrës, anipse ngritja e saj mund të mos jetë krejtësisht butaforike si e Norës, shembullin e boemes, shembullin e të talentuarës në muzikë, shembullin e të guximshmes për të provokuar bastionin politik dhe tradicional serb Kishën, si dhe shembullin e kontigjentes në të kuptuarit se marrja me muzikë është kthyer në një prej profesioneve më profitabile në Kosovë. Është e qartë se Era para se të mbushte të tetëmbëdhjetat e të shpërthente në skenë e ekran, brenda familjes ka pasur para syve shembullin e ngritjes butaforike e kitch në karrierë të Norës së shastisur të duket si Beyonce. Me një zë boemeje e gati si të përmbytur nga overdoza, ajo në një paraqitje na kujton se 'nuk po i rrihet'. Kjo pjesë kohë më parë u shkoqit nga një i prirur për imitime, dhe që me të marrë dhenë në median sociale, i ka ndihmuar edhe atij në popullaritet. Megjithëse nuk jam kompotent për ndonjë vlerësim të kualitetit muzikal të Erës, shoh se u pëlqen të rinjëve megjithëse si tek krejt rastet tjera të artisteve femra, para rëndësisë se ka apo s'ka talent vijnë paraqitja-dukja (sipërfaqësorja), nudizmi, seksbiliteti. Era ka provokuar siç u tha edhe Kishën Ortodokse Serbe, ne apo pa vetëdije duke realizuar këngë me spot brenda enterierit të kishës ortodokse afër Biblotekës Kombëtare në Prishtinë. Se sa herë është ndodhur Era brenda biblotekës, me gjasë është rudimentare karshi imediales realizimit të spotit brenda kishës. Me gjasë si Era si realizuesit e këngës spotit/ kanë konsideruar se i’a vlenë barra qiranë të durohen kundërmimet e rënda në kishën e braktisur tashmë një dekade e gjysmë, ose së paku të largohen disa nga mbeturinat kundërmuese vetëm e vetëm që plani të mos dështojë. Nëse në paslanin e ndërrmarësisë në fjalë ka konsistuar dëshira për tu dukur ‘more gothic’ siç bënin shumë anëtare të së kahershmes rocksonte me fotografi e avatarë, apo frekuentueset e Hard Rockut, këtu kemi një problem në esencë historik, sepse gothizmi qoftë si fe, qoftë si shprehje arkitektonike qe krejt pak i lidhur me kulturën bizantine, përkatësisht kishat serbe në Ballkan. Apo mbase në kokën e Erës, po gëlon inspirimi në lëvizjen FEMEN që jorrallëherë pushtojnë kisha pa problem, kushedi… 
Dhe krejt në fund Era duket se tashmë ka kuletën e saj, dhe me gjasë më nuk do t’i dëgjojë qortimet tonlarta të Norës, për të mos u ndalur në ankëndet kozmetike të airoportit ‘Ataturk’ të Stambollit, kur dihet se turqit mashtrojnë..
Butaforizmi dhe kitchi i Norës, me gjasë kanë përfituar nga dallesa e ballkanizmit me orientalizmin: me aq sa kam parë asaj akoma nuk i ka shkuar ndër mend që të kthehet në arketip të motrës së saj, duke u dalldisur në stil arab si ndonjëra nga ato dansozet e Njëmijë e Një Netëve, apo ndonjëra nga vajzat e princërve të Katarit (kënga ‘Një djalë në Orient’ mbase bën përjashtim në këtë drejtim)
Në terma të Todorovës europianët nuk prodhuan imazhin e femrës ballkanike (megjithëse Jezernik disi e demanton me shembullin e femrës morrlake), prej nga edhe mundësitë e pakta të Norës për yrnek..

Sh. nga Mitrovica me banim në Prishtinë

Tashmë shefe administrative mjaft e shkathtë Sh., ka ndarë pjesën me të bukur të fëmijërisë së saj të përshkuar me jo pak mundime, me autorin e këtyre rreshtave, përfshirë edhe ndarjen e pjatës së njejtë, si dhe të një pjese të kohës kur Mitrovica qe bërë pika më e rrezikshme në Europë. Ikja në horror nga pjesa veriore e qytetit pati bërë autorin e këtyre rreshtave të mos e takojë për vite me rradhë, megjithëse i ndanin vetëm 11 km distancë. Atë e kisha parë për të parën herë më 2006, akoma jo të gjallë, por vetëm vizuelisht: në një kënd revisteje, tashmë si gjimnaziste. Sh., kishte krijuar arketipat e saj si fanarë në rrugën e saj ambicioze: megjithë kushteve të vagëta ekonomike, ajo si 17 vjeçare eskivonte futbollistin Shevçenko si personin ideal, përfshirë ëndrrimin e një darke me të. Takimi me Sh. para disa viteve qe i trishtë: edhe për kah reminishencat e të së kaluarës së përbashkët, edhe për faktin se megjithëse po më gostiste në një shtëpi ku jetonte vetëm me të emën dhe paguanin qira, ajo tashmë kishte krijuar një traditë të kujdesit ndaj fashionit. Takimet e para qenë ndarje e pashmangshme reminishencash për veriun, për tipologjinë edhe karakterin homo docilis të asaj pjese, që qysh para luftës qe shndrruar në kryeqytet të serbëve të Kosovës në mos jo demografikisht ateherë permes hegjemonisë kulturore gjithsesi, për (pa)djallëzitë fëmijërore, për dashurinë ndaj maceve, për yjet e basketbollit jugosllav/serb, për yjet e pop, rock e folk muzikës jugosllave e serbe (Bregën, Ballasheviqin, Çarolijan etj.,) për turqishten e përçudnuar të nënave tona e për identitetet partikulare, për Shasivarin si konsumues i pakontrollë i çajit, për gegnishten, për jetën mondane të shqiptarit të të 90’tave, për allaturkizmin dhe konzvervatorizmin e Vushtrrisë, për komshillëkun e vjetër..
Sh., me një vetëmohim të paparë për t’ia dalur në jetë në afat rekord çau rrugët. Edhe shkollare edhe profesionale edhe ato të rëndësisë jetësore. Diplomoi, u punësua, krijoi lidhje/u fejua, kurseu dhe siguroi banesë në Prishtinë. Me një fjalë më kaloi. Ridimensionoi shumë nga qëndrimet e saj paraprake, shumë nga sjelljet. Sakrifikoi në njëfarë forme kozmpolitizmin e saj, pandanët e përzgjedhur kryesisht të huaj, për të qenë e gatshme të pëlqejë madje edhe vargje të Fishtës në facebook. Vrau të kaluarën si anëtarja me e re e ORA-s në Mitrovicë, harroi pandanin Surroi si mishërim snobizmi e qytetarie, për ta votuar Agim Bahtirin vetëm e vetëm në emër të një ideali tjetër që kishin shumë mitrovicas: çlirimin e së paku jugut të Mitrovicës nga bandat e krimi. Vizitoi sivjet me nënën e saj Stambollin dhe u takuam. S’do mend se u impresionua nga madhështitë e tij, pavarësisht se mund të jenë zhgënjyer kaosi urbanistik e ai i transportit. Rezononte shumë racionalisht. As që denjoi të stisej si ndokush nga snobët kosovarë për figurën e Ataturkut (ta zëmë si Vlora Çitaku për shembull që i’a mbanë fotografinë në zyre). U pajtua me shpjegimin tim se reforma gjuhësore turke, qe një katastrofë mendësie për njeriun turk që sot s’mund t’i kuptojë as epitafet e gjyshit në varre. Dje më priti me të dashurën në atë që tradicionalisht për një muaj Ramazani në Islam njihet si iftar. Tregoi se qe agjërueshëm njejtë si Shukrija, nëna e saj. Tek po i afroheshim banjos t’i lanim duart dëgjoheshin edhe ligjeratat e fundit të hoxhës në televizion. Para se t’i afrohesha lavabosë e ngacmova duke i thënë se as nëna ime e as nëna e yte edhe për një kohë të shkurtër nuk do i’a ulin zërin ligjerimeve të hoxhallarëve. Reagimi qe një e qeshur gazmore në formë konfirmimi. Sh. nuk shihte as që groteske tek kjo. S’do mend se ky qe konfirmimi më i mirë i insistimit të Voegelinit, që tradita e re, shumë vështirë shlyen gjurmët e traditës së vjetër. E natyrshme që e kishte penguar edhe debati mbytës për Çoliqin dhe po me aq komoditet më konfirmoi se ka marrë pjesë në koncertin e tij të fundit. U pajtuam se Çole s'pati të bënte asnjeherë me politikën për dallim nga Brega e Ballasheviqi. Me një fjalë për dallim prej shumë snobëve që s’janë njohur akoma me popullin ajo nuk kishte asnjë nga këto komplekse. Fliste për pronarin e bllokut të ndërtesave si për një fshatar tejet të suksesshëm. 
Na tregoi se pjesa e ndërtesave të reja në Emshir, po shtohet me ndërtime të reja. Emshiri me ndërtesat e reja e me ato në ndërtim e sipër i kishte dhënë Prishtinës fytyrën e një adoleshenteje që i rriten aknet, kurse Sh.-së, kurorëzimin dhe shkëlqimin e përpëlitjeve ambicioze të fëmijërisë. 

(vijon)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).