Intervistë me Sadedin Çeliku, ish-drejtor i Shërbimit Social Shtetëror. Tregon papunësinë në vend dhe disa nga mënyrat e përmirësimit të shifrave të papunësisë

Në një mjedis me ndryshim të shpejtë ekonomik në Europën Juglindore, ashtu sikurse edhe në Shqipëri, shumë të diplomuar në universitete, ose janë të papunë ose merren me punë që nuk kanë lidhje me shkollimin e tyre. Papunësia e ka detyruar rininë e diplomuar të ndryshojë dhe të kërkojë mënyra të tjera për krijimin e të ardhurave. Shpesh ato kthehen nga tregu i zi apo veprimtari kriminale. Pjesa tjetër bën përpjekje që ta gjejë veten jashtë vendit të vet, në emigracion dhe në kundërshtim me rregullat shpeshherë. Sadedin Çeliku, ishdrejtor i Shërbimit Social Shtetëror vjen në një intervistë për gazetën “Shekulli” dhe rrëfen shifra shumë interesante që vijnë nga Banka Botërore dhe CIA në lidhje me papunësinë në Shqipëri. Por ish-drejtori i Shërbimit Social Shtetëror nuk e lë me kaq. Ai tregon edhe mënyrat sesi t’ia dalim për të përmirësuar shifrat e papunësisë në vend. 

Shifra të reja në lidhje me papunësinë, jo vetëm në Shqipëri, por thuajse në të gjithë zonën problematike të Europës Lindore. Ç’mund të themi për këto shifra? 

Në një konferencë të Bankës Botërore thuhet se shumica e të papunëve rezulton të jetë nën moshën 30 vjeç, çka është konsideruar serioz, pasi shumica e të papunëve do të kthehen në kontingjent krimi. Në mënyrë të veçantë fenomeni i papunësisë vihej re në Kroaci, Serbi, Mal i Zi, Bosnjë, Maqedoni dhe në Shqipëri. Deri në vitet e fundit, vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian kishin mëkëmbur të gjitha nivelet e tyre. Sot, kjo krizë po shfaqet horizontalisht e vertikalisht dhe pothuajse ka prekur gjithë globin. Por, kjo është e rrezikshme për një vend, pasi këta të rinj për shkak të papunësisë mund të ngadalësojnë ritmet e rritjes ekonomike dhe ky fenomen do të çojë në rritjen e varfërisë dhe kriminalitetit në këtë rajon. 

Si ju duken premtimet për punësim si nga ana e qeveritarëve ashtu edhe ato që vijnë nga Shërbimi i Punësimit prej vitesh?  

Qeveritë historikisht në këto dy dekada kanë premtuar ulje të numrit të të papunëve. Është për të qeshur të dëgjosh ish-kryeministrin kur deklaronte se rritja ekonomike në Shqipëri është një rekord në vete dhe papunësia është ulur, pra ka pësuar rënie. Kjo deklaratë u shoqërua me prononcimin e ish-ministrit të Financave në takimin me sindikatat, i cili tha se ne duhet të nxisim punësimin e plotë. Në mbledhjen me Shërbimin Kombëtar të Punës, Z. Bode vazhdoi më tej duke thënë se edhe pse kemi pasur rritje ekonomike, kjo nuk ka çuar në gjenerimin e vendeve të reja punës dhe për këtë arsye nevojitet një model i ri ekonomik për nxitjen e punësimit për të bërë punësimin e plotë të qytetarëve. Premtimi i tij me sa duket ishte elektoral për shkak se po afroheshin zgjedhjet. Çdo vit qeveria premton hapje të vendeve të reja pune si dhe punësim edhe jashtë shtetit. Këto të dhëna u publikuan nga Shërbimi Kombëtar i Punës, por dhe kjo masë nuk e zgjidh problemin. E vërteta është që qeveritë historikisht në këto dy dekada kanë manipuluar metodologjinë dhe kriteret e llogaritjes së papunësisë. 

Si e argumentoni këtë përllogaritje të keqe? 

Zyrtarisht, ekspertët deklarojnë se në fshat ka papunësi vetëm 2 për qind sepse i llogarisin të vetëpunësuar, ndërsa për qytetin ka 25 vjet që raportohet vetëm një shifër nga 12 - 13,9 për qind të papunë. Pra, një gënjeshtër e hershme është kjo sepse institucionet ndërkombëtare raportojnë mbi 30 për qind të papunë. Për fshatin, “të vetëpunësuarit” nuk paguajnë sigurime. Atëherë, nga del kjo shifër? Kurse sa i takon qytetit, Instat-i dhe zyrat e punës raportojnë vetëm njerëzit që paraqiten në këto zyra. Meqenëse, zyrat e punës nuk kanë se çfarë t’u ofrojnë qytetarëve, ose nuk kanë pasur deri më tani, sepse nuk ka vende pune, atëherë edhe shifra e raportuar është fiktive dhe e pasaktë. Sepse të papunë të shumtë nuk paraqiten fare në Zyrat e Punës. 

Atëherë me çfarë jetojnë të papunët e shumtë shqiptarë? 

Sipas raportit të CIA-s, të papunët mbijetojnë me bixhoz dhe me punë informale. Raportimi ka parasysh lojërat e fatit që ende duken në çdo rrugë dhe eurollotot që gjenden kudo dhe në çdo metër në vendin tonë. Kjo është kaq e vërtetë sa që mjafton të shkosh tek Ushtari i Panjohur dhe të shikosh sesa presin për punë. 

Po premtimet dhe reformat sa ndikojnë në papunësinë e një vendi si Shqipëria? 

Me sa duket premtimet kanë qenë politike e publicistike dhe nuk kanë pasur aspak lidhje me papunësinë për shkak se në vend që të shtohen vendet e punës janë rrudhur e reduktuar si pasojë e shkurtimeve shpesh pa studim duke paraprirë edhe shfaqet klienteliste, por edhe si rrjedhojë e privatizimeve dhe reformave në tërësi. Në këtë mënyrë, në emër të reformave u shkurtuan mijëra vende pune si në Armo, Albtelekom, ÇEZ, H/C Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe 2, Hekurudhë, Albtransport etj. 

Zgjidhja 

Personalisht, mendoj se duhet model i ri që të garantojë hapjen e vendeve të reja të punës dhe të reduktojë njëherësh fondet për pagesa papunësie dhe ndihmë ekonomike. Punësimi duhet të vijë përmes investimeve dhe orientimit të tregut. Për të reduktuar papunësinë dhe vërtet politikat në këtë fushë duhet seriozitet dhe politika të qarta. Shembuj të tillë ka shumë madje në Ballkan, mjafton t’i zbatojmë si duhet dhe në kushtet tona. Vendet e zhvilluara si Gjermania, Anglia, Spanja, Franca, Italia etj., po pengojnë me të gjitha mënyrat emigracionin edhe pse popullsia e tyre është plakur e rrudhur nga ulja e dinamikës së lindjeve. Frenimi jo vetëm që do të ulë rritjet ekonomike në këto vende, por do ta thellojë krizën, impakti i së cilës do të shihet në vitet që do të pasojnë. 

Një numër i madh të papunësh, ja 10 arsyet 

Pse sot shqiptarët përballen me këto shifra papunësie. Politikat jo të mira të ndjekura gjatë dy dekadave të fundit janë disa nga arsyet kryesore. Këto na i thotë ish-drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Sadedin Çeliku. 

Cilat janë pengesat kryesore që nuk e përmirësojnë papunësinë? 

Pengesat kryesore ndaj investimeve dhe rrjedhimisht edhe krijimit të vendeve të reja të punës, janë rregullat e tepërta të tregut, pengesat administrative dhe taksat e larta që nuk i lejon hapësira të rinjve të hapin aktivitete biznesi. Deri në vitin 1996 për zbutjen e kësaj skeme, u aplikuan punësimi përmes punëve publike që jo vetëm nuk dha asnjë rezultat, por nuk dihet se ku shkuan fondet. Më pas, kjo skemë u zëvendësua (e cila vazhdon edhe sot) me politikat e nxitjes së punësimit, duke stimuluar firma private për pagesat e sigurimeve dhe pjesërisht fond page. Kjo skemë është thjesht një piramidë ku abuzohet shumë me këto fonde pa bërë asgjë për kurrgjë. Sigurisht nuk pretendojmë që të kapim shifrat ideale, por në këtë aspekt ne nuk kemi bërë asgjë, madje as edhe një përpjekje, ose kemi bërë eksperimente duke harxhuar dhe keqadministruar fondet publike. Ka shumë arsye. Unë po ju rendis disa prej tyre:

• Roli i politikave publike të punësimit paraqitet i dobët. Kjo shpjegohet me vetë nivelin e zhvillimit të prodhimit dhe aftësinë që ka ekonomia për të gjeneruar fonde për realizimin e politikave të tilla sociale.

• Për Shqipërinë, problem i rëndësishëm paraqitet përballimi i konkurrencës në tregun ndërkombëtar.

• Mungon strategjia për zhvillimin e sektorëve të ekonomisë që shpeshherë, shoqërohet nga anarkia.

• Ndërmarrjet e privatizuara, të cilat zënë një vend të madh në ekonominë shqiptare, nuk kanë arritur ende të japin efektet e pritura në fushën e prodhimit.

• Stimulimi i firmave që merren me eksportin është burim i rëndësishëm për zënien në punë të njerëzve. Është faktor bazë në zbutjen e defiçitit tregtar.

• Politikat agrare nuk janë efektive dhe askush nuk di cila do të jetë e ardhmja e këtij sektori.

• Nuk ka një skemë për ndalimin e importeve të këtyre prodhimeve që vijnë nga sektori agrar.

• Për zbutjen e papunësisë kërkohet rishikimi i kodit punës, i cili favorizon punëdhënësit për të nxjerrë të papunë njerëzit sa herë ju do qejfi.

• Të luftohen dhe të merren masa të rrepta ligjore për kompanitë që ushqejnë punën informale e të zezë në kurriz të kësaj shtrese. Inspektorati i punës duhet të tregojë se po punon dhe të zbatojë ligjin.

• Të hiqet dorë nga përqendrimi dhe monopolet, të cilët kanë sjellë mjaft probleme sociale pse jo dhe varfëri.

7 Komente

CIA ku hyn ketu!!!   apo per te patur nje titull bombastik,sipas standarteve shqiptare duhet nje emer i huaj?

kjo e te papuneve qe mbijetojne me bixhoz, po na ben skeptike dhe neve te punesuarve qe mbijetojme pa bixhoz. une kujtoja se ne bixhoz humbet, qenka komplet ndryshe. te punosh a te luash bixhoz, kjo eshte ceshtja tani nen driten e lajmeve te reja

Prandaj i mbaka shtrenguar vizat Amerika, se te papunet albaneze nxirrkan me kepuce te kuqe dhe Las Vegasin. smiley

Bixhoz eshte edhe tregtia e droges. 

Punesimi eshte çeshtje qe rregullon shum gjera, e kemi thene me kohe, ndersa ajo qe thote CIA budallaqe, duhet korrigjuar, njerzit shtyjne kohen me bixhoz, se per te fituar, fiton nje pjesez e vogel. Ose aty fitojne e aty humbin. 

Tashti e tha CIA apo Dine Celiku, s`e mora vesh, Cia permendet vetem ne nje fjali dhe pjesa tjeter eshte referim i ish filanit e ish fistekut..Gjepura, kjo prurje eshte fare e pavlere.

sa shume i fut hundet kjo CIA  ne punet e te tjerve, mor burre...  te mendosh,  paguhen njerez nga taksapaguesit amerikane qe te bejne raporte per te papunet e Shqiperise.  e mire, dhe ku eshte vlera e shtuar  nga ky raport per amerikanet  ketu?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).