Gazeta e djathtë “Israel Hayom”, e përditshmja me tirazhin më të madh në Izrael, ka bërë thirrje që Gaza “të rikthehet në epokën e Gurit”. Gjatë fushatës së fundit të bombardimeve që Izraeli kreu në Gaza në vitin 2012, një ministër i qeverisë bëri thirrje që Gaza të rikthehet “në Mesjetë”. Përpara asaj fushate, ishte lufta e Gazës e viteve 2008-2009, ku gjetën vdekjen 1166 palestinezë dhe 13 izraelitë, sipas forcave izraelite të mbrojtjes.

Historia vazhdon pa fund. Gaza, një vend i vogël me 1.8 milionë banorë, nuk kthehet në Epokën e Gurit, Hekurit apo Mesjetës. Ai nuk rrafshohet, siç ka propozuar një herë djali i Ariel Sharonit. Viktimat janë në shumicë dërrmuese në krahun e palestinezëve. Hamasi, me ushtarët e vet, arsenalin dhe raketat vazhdon të kontrollojë Gazën. Të vdekurit vdesin për hiçgjë.

Izraeli mund ta çojë Gazën në cilëndo epokë që të dëshirojë. Avantazhi i tij ushtarak dhe dominimi i përgjithshëm mbi palestinezët nuk ka qenë kurrë më i madh, që nga viti 1948. Por ai zgjedh ndryshe. Fjalët e Kryeministrit Netanjahu për një pushtim nga toka janë boshe. E fundit gjë që do të donte Izraeli, përveç kataklizmosë, do të ishte që të shkonte në Gaza dhe të ngecte aty.

Ajo që dëshiron Izraeli është status quo-ja (minus raketat e Hamasit). Izraeli është fuqia par excellence e statuq quo-së në Lindjen e Mesme. Ai kërkon një Gazë të qetë nën kontrollin e Hamasit, një lëvizje palestineze të përçarë me Hatahun që kontrollon Bregun Perëndimor, një “proces paqeje” të pajetë dhe begati të vazhdueshme. Përça e sundo. Hamasi është i dobishëm për Izraelin, sa kohë që është i qetë.

Mahmoud Abbasi, presidenti i Autoritetit Palestinez, është gjithashtu një njeri i status quo-së. Në vitet e fundit të jetës, ai nuk është i përgatitur të bëjë lëshime të dhimbshëm që do të ishin të nevojshëm për arritjen e një paqeje me dy shtete, vendime që do të përfshinin edhe heqjen dorë – pa asnjë kompensim – nga “e drejta e rikthimit” për miliona refugjatë palestinezë. Ai preferon rehatinë e pozicionit të tij, si dhe paqartësinë e lëshimeve të paformalizuar.

Qeveria palestineze e unitetit e krijuar së fundmi me Hamasin nuk është asgjë më shumë se një martesë e volitshme, që është kërkuar prej Hamasit tashmë jopopullor dhe të dobësuar, me qëllimin që t’i shpëtojë izolimit dhe detyrimeve të papërmbushur të pagave në Gaza, por edhe nga Abbasi për të larguar vëmendjen prej dështimeve të tij. Nuk ka unitet të qëllimit kombëtar të palestinezëve. Nuk ka përgjegjshmëri demokratike në Palestinë: bisedimet për zgjedhjet kanë avulluar. Sa për Izraelin, ripajtimi palestinez (ose “gjethja e fikut”) ishte një dhuratë nga Perëndia për objektivin e tij të ruajtjes së status quo-së. Netanjahu ishte në qiellin e shtatë – mjedisi i tij i preferuar – për idenë qesharake të paqes me Hamasin.

Asnjë prej këtyre nuk është lartësuese. Një pjesë e madhe e asaj që ndodh është e tmerrshme. Raketat e Hamasit kundër Izraelit, vrasjet prej Izraelit të civilëve si “dëme anësorë”. Megjithatë, fatkeqësisht nuk kam zemërim moral. Eshtë gjithçka kaq e njohur, një mallkim që përsëritet. Eshtë një luftë e rreme, e pasojë dyfish e pajustifikueshme. Hebrenjtë dhe arabët e Tokës së Shenjtë janë të udhëhequr nga njerëz shumë të vegjël për të sjellë ndryshimin. Derdh një lot, derdh një mijë lotë, pak ndryshim ka.

Sigurisht, status quo-ja është e gënjeshtërt. Siç deklaroi në Mynih Sekretari i Shtetit i SHBA, John Kerry “Ajo nuk mund të ruhet”. E vërtetë, dhuna aktuale do të vijë duke u zbehur. Gaza do i rikthehet mjerimit rutinë. Paqebërësit mund të rigjallërohen. Netanjahu mund të gjejë një tjetër “pickim”. Gjërat mund të duken të njëjta. Dhe 150 të vdekurit e ardhshëm do të jenë pjesë e kësaj njëjtësie.

Por më thellë, gjërat do të ndryshojnë. Jeta rrjedh me shpejtësi edhe në Lindjen e Mesme. Asgjë nuk ushqehet më mirë në zbrazëti, sa radikalizimi. Hamasi është rikthyer nga buza e greminës.

Pamjet e fëmijëve palestinezë të hedhur në erë dhe rritja e numrit të të vdekurve do ta dëmtojë Izraelin. Zhvendosja drejt një kulture të urrejtjes ndaj arabëve do të vazhdojë. Vrasja e Muhammad Abu Khdeirit, si hakmarrje për vrasjen e tre adoleshentëve izraelitë, si dhe rrahja brutale prej policisë e kushëririt të tij janë shenja të kësaj. Netanjahu i quajti vrasësit e adoleshentëve izraelitë “kafshë njerëzore”. E përditshmja liberale Haaretz me të drejtë vërejti: “Vrasësit e Abu Khdeir nuk janë ekstremistë hebrenj. Ata janë pasardhësit dhe ndërtuesit e një kulture të urrejtjes dhe hakmarrjes”.

Këtë kulturë e gjejmë edhe tek palestinezët, kundër hebrenjve. Muajin që kaloi, Mohammed Dajani, një profesor në Universitetin Al Quds dha dorëheqjen pasi mori shumë kërcënime me vdekje, sepse shkoi në Aushvic bashkë me një grup studentësh palestinezë. Ai mendoi se të rinjtë palestinezë duhej të mësonin për Holokaustin, një fyerje e rëndë kjo sipas atyre që kontrollojnë Bregun Perëndimor dhe Gazën. Kaq mjafton, për të kuptuar se palestinezët dobësohen – një tendencë 66-vjecare tashmë – për shkak se nuk arrijnë të shohin në sy realitetin.

Hebrenjtë duhet të studiojnë Nakba-në. Arabët duhet të studiojnë Holokaustin. Ky mund të jetë një hap i parë drejt bashkë-ekzistencës me dy shtete. Dhe të gjithë duhet të lexojnë poetin izraelit Yehuda Amichai dhe vargjet e tij për shpëtimin, që do të vijë për të gjithë popujt e Lindjes së Mesme. Vargje që të sillen në mendje kur dëgjon një udhërrëfyes tek i thotë një grupi turistësh: “E shihni atë harkun atje tej nga epoka e romakëve? Nuk ka rëndësi, por pranë tij, pak më majtas dhe më pas pak më poshtë, është një burrë që sapo ka blerë perime dhe fruta për familjen e tij”.

 

Artikulli origjinal: Israel’s Bloody Status Quo

Përshtatur në shqip nga bota.al

2 Komente

" ....Hebrenjtë duhet të studiojnë Nakba-në. Arabët duhet të studiojnë Holokaustin..." 

 

Di gje njeri çfare eshte kjo; Nakba . 

Dita e qametit per palestinezet. Dmth dita kur kujtojne c'ndodhi pas deklarates se pavaresise se Izraelt ne 1948. Diku aty nga mesi i majit me sa mbaj mend.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).