Ernest Perdoda

SUBKONSH

Ëndrrat më rrokullisin
Ndër këmbë të Trogloditit
Që m’kqyr e më përqesh;
Atje ku nisëm shtegun
E nëpër shekuj rryeshëm
Shtrijmë krah’t për t’rrokur yjet…
E diellin që më zgjon,
Por gazi i njeriut t’shpellës
Ende m’ushton ndër veshë
E më trondit!

PRELUD

Ketë natë,
(ndërsa përreth
gjithçka përngjan
me flokun tand që lmoj)
yjet e qiellit tim
unë pa u kujtue zbuloj
kur ti çel e mbyll sytë.

TË DIGJEN LIBRAT !

Ngado që shkoj, më ndjek me hije të saj
Kjo Kullë e gurtë që m’josh e më largon!

N’rrënojat e kujtesës
Ende luhatën flakët
(që deshe më tepër se mue)
nuk m’bien ndër mend tashma.

Me hijet e asaj nate, një tjetër Omar Khattab*
Rendi mbas ditëve tona
Të zymta,
Të ftohta
Si gurët e kësaj Kulle,
Ku nga frëngjitë
Ajo pak dritë që hyn
Veç larva mendimi sajon!

Ndoshta këtë mbramje prilli
Krrokatja e korbit mbi Kullë
T’kujton dhe ty
Çka humbëm përgjithmonë!

• Në vitin 640, Omar I (Abu Hafsa Ibn Al Khattab) dogj bibliotekën e Aleksandrisë ( një nga më të mëdhatë e asaj kohe). Trembëdhjetë shekuj ma vonë me urdhen të diktatorit E. H. u grumbulluen tek Kulla e Inglizit fondet e të gjitha bibliotekave të qytetit të Shkodrës dhe pësuen të njajtin fat.

Primo Shllaku

MESHË MORTORE PËR VARGJET E MIA

Jetuet midis dy zjarmesh.
I pari, i lindjes. Mitra ju ftoh.
I dyti i djegies.
Kujtesa ime s’ju pranon.
Pa za, paloseni.
Flaka ju lëpin. Pa vorr, pa gur,
Nën nji muranë hini jeni shtri.
Edhe këtë kangë jua këndova.
Edhe këtë gjamë jua bana,
O të lindunit e mi të vdekun,
O bij të harresës ma të nxehtë,
Nata ju thërret si hyj
Dita ju vret si hyj.

HYMNI I JETËS

Kam nji zemër
Që rreh dëshira të forta
Te dyert e fytit.
Shtrihem mandej
Që të rrjedhë nëpër mue
Ma i pasionuemi lum,
Ma i pastri, sepse ma i ftohti lum,
Ma i lumi lum.
Mbi buzën time veç
Etja asht prap e verdhë…

DASHUNIA PËR TY

Me të dashtë ty
Domethanë me pasë një plagë gojëhapun në gjoks,
Një plagë që duhet rritë, që s’duhet ta shëroj,
Një plagë që më duhet ta mbaj të thartë e të dhimbshme
Për t’i pjellorue kështu gjithë fluturimet
Gjithë vullnetin që kam nevojë
Sa herë që më duhet të vorros
Të kaluemen tande
Që merr fund me ardhjen time.

Anton Çefa

TRAKLLIM NË REZE DYERSH

Hana sonte po erret si qyqe vetëm.

Me rreze t’ zverdhame e të trembuna
Trakllon në reze dyersh të mbylluna
Dhe lmon tinzisht
Shpinën e butë të borës
E të zogut të natës
Qi kukzatë mbi çati.

Reze dyersh e shpirtnash
Mos u hapni n’kukzatje rrezesh të rreme
E korbash !

HESHTJA KA TINGULL GURI

Me buzë të gurta
Heshtja na i puthi orët
E ditët / e netët.

Nji jetë qi po ndigjoj
Meloditë e heshtjes
Në gojët memece të gurit.

Heshtja ka tingull guri
Kur fjala bahet gur
E koha gur.

DIMEN

Dheun e mbulon
Bardhësia e mendimeve të borës.

E flokët e saj
Mbi shpirtin e qelqtë të dimnit
Me mija forma
Lulet i çelin të ngrita.

Andrra të dridhshme, të ftohta
Puçrrizën mbi gishtat e degëve
Që presin pranverën.

*Dielli Arkiv

 

1 Komente

Sa e bukur kjo e fundit

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).