Nga zgafella ashiknore e muzikës shqiptare çdo darkë, nga Velipoja në Ksamil, prej disa vitesh  shtrohet pyetja “a e keni parë ju Mihanen?”! Kaq shumë këndohet kjo këngë, sa nuk është aspak çudi në qoftë se ndonjë ditë lajmërohemi se u krijua shoqata “jaranët e Mihanes”, “të tranuarit nga Mihania” ose grupi nismëtar që e propozon atë si himn kombëtar duke gjykuar nga plagët që hap  e vlagët që mbyll. Sigurisht, nisma të tilla do të krijonin xhelozi për gjithë të përvëluarit nga “Habibe dashnorja” apo për të zalisurit nga bujaria e Lalës, i cili pa një, pa dy të thotë a “ta fal Lala qemerin?”, po kaq do brengoseshin të ndezurit nga “Mari Maria, faqet gurabija”, për të mos folur për ndjekësit e “Osman apo Asman agait”, sipas dialekteve që të muhavisin xhanin nga sherbet i sevdasë.

Në përgjithësi këto janë tekstet dhe muzika që ndezullon miletin në stinën e nxehtë. Banaliteti ka pushtuar një pjesë të së ashtuquajturës muzikë shqiptare, që në fakt nuk dihet së çfarë është. Në gjithë botën e qytetëruar tekstet e këngëve të dashurisë janë nga më të bukurat, ato krijojnë modele e shndërrohen në simbole. Në to himnizohet virtyti, përjetësia, besnikëria, madje edhe dashuria pas vdekjes, delikatesa, bukuria e gruas, ndërsa në shumë prej këngëve tona të bashkëkohësisë flitet veç për tradhti, pabesi, jaranë e isharete, gjeste perverse, emërtime organesh e pjesë të trupit. Një vërshim i orientalizmit aziatik me atë greko-sllav nuk has asnjë pengesë, përkundrazi, ka krijuar modë dhe tendencë asimiluese. Muzika është një nga elementet që përcakton fytyrën e një qytetërimi apo shoqërie si produkt shpirtëror i saj. Për shembull, sagat irlandeze më shumë se çdo gjë tjetër përkufizojnë fizionominë e atij populli. Ajo ka fuqi të madhe ndikuese. Shumë prej këngëve që këndohen me buçimë në ambiente të hapura gjatë verës në vendin tonë dëshmojnë një largim të skajshëm nga tradita e folkut shqiptar, i cili ka krijuar perla të padiskutueshme në epoka të ndryshme.

Shqiptarët, së paku në këngë kanë demonstruar gjithmonë respekt të madh për gratë, duke përdor maksima me fuqi artistike mbresëlënëse. Kush i kujton vargjet e këngës vlonjate “thëllëza që shkel mbi vesë… lërë moj lërë”, këngën çame “Vasiliko”, krijime te tipit “hanko moj, mos shko në varre, të vdekurit i ngjalle e të gjallët i vdiqe fare”, eposin e kreshnikëve kur përshkruhet bukuria e Tanushës e shumë e shumë vargje të tjera, të cilat nuk i ka arritur as letërsia e kultivuar, e kupton furinë e banalitetit që na ka vënë përfund.

Po kaq i madh është kontrasti me vallet, të cilat dikur shquheshin për dinamikë dhe sensualitet kërshëror si në Jug ashtu në Veri, ndërsa sot të ngjan se ekziston vetëm një valle e pambarim me të njëjtat lëvizje, një zvargie orientale e monotone të përcaktuara nga rima dhe përsëritja e tingullit muzikor qaraman.

Shqipërisë nuk i mungojnë poetët, kompozitorët, koreografët e këngëtarët e, mbi të gjitha, vendi ka një traditë të shkëlqyer folklorike që i ka rezistuar sulmit otoman, ndaj ky dorëzim pa kushte ndaj tallavasë dhe çingijizimit të muzikës dëshmon se komercializmi ka triumfuar mbi cilësinë. Vulgariteti dhe vlugu janë në ekspansion.<br />Komuniteti i artistëve nuk duhet ta bëjë kompromisin duke iu dorëzuar banalitetit, por duhet të kërkojë të ndikojë shijet e shoqërisë jo duke e edukuar sipas modelit socialist, por duke bërë atë që ka bërë dikur Palok Kurti, Martin Gjoka, Gjon Simoni, Çesk Zadeja, Prengë Jakova, Luk Kacaj, Tish Daia, Avni Mula, Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela e shumë të tjerë që e modernizuan muzikën shqiptare duke ia ruajtur tharmin identitar.

Do të donim të kishim një “luleborë” të kohës sonë, por nuk e kemi sepse lirizmit ia kanë zënë vendin instinktet, ëndrrave shfrimi, pasionit meteliku, ndaj tani është koha e Mihanes dhe e Habibes e Lalit xhan dhe e Lalës që të lë qemerin në dorë, zdërhallje që kaq shumë e dalldisin këtë jallane dynja. Një natë, një miku im gazetar, i cili më erdhi për vizitë ku pushoja, nuk arrinte të fliste nga gazepi muzikor që konsumohej e tha me humor: “Ngrihemi, më mirë shkojmë të kërkojmë vetë Mihanen, sesa të dëgjojmë përshkrimin e këngëtarit tamahqar”.

Ndërsa një turist çek, pasi u miqësuam goxha, më pyeti se kush ka qenë kjo Mihania për të cilën këndohet kaq shumë, një “Zhan D’Ark” shqiptare? Pak a shumë i thashë, një heroinë bashkëkohësie, një grua që na frymëzon! Më kishin thënë, tha, që shqiptarët i çmojnë shumë heronjtë e tyre dhe së ëndërr në jetë kanë të bëhen subjekt kënge.

5 Komente

Prape po i bini me perbuzje me shkelm muzikes qe knon poplli? 

Na keni ca trapin me ket pune o Peshko! 

Sa do intelektuala t'kete Shqipnia, sado t'buqasi Sibelius dhe Alban Bergi, mileti, po edhe une si diaspore prape ate do vejme ne majtofon. 

O mari marija, 

Rrofte demokracija!!!!

smiley

 

Jom me Mrokllën  sepse këto melodi kanë edhe vlera praktike . Çuditërisht ndihmojnë që të lirohesh pa u shtrënguar dike mos ndierë asgjë . Biles më kujtohet një Grua Plakë e lagjes kur dikujt i " shpëtoi " një në gup.

Plaka ndali u kthye nga Grupi dhe tha plot anthuziazëm

U lumtë . Rinisë Sot i këndon dhe b...smiley

Nota smiley për prurjen se na mbiu Xhibolja smiley

mari marija me faqet gurabija , tirona kampion, bedrane , shiki shiki java ishin kenget flagship e eksituese te dasmave smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).