I ngjan një gërmadhe ky ‘haur’ i madh. Anët prej xhami mbahen me shkopinj. Muret janë të lagështa, harta-harta prej ujërave të rëna kohë pas kohe e tek-tuk duken si të kafshuara keqazi, skeletet e hekurta diku-diku janë ndryshkur, kolonat herë duken e herë kanë humbur, nga tavanet dalin si zgërdalla tuba plastikë, pllakat që rreshtoheshin në dysheme nuk kanë lënë gjurmë. Lart në majë, aty ku duket se bashkohen të gjitha anët në një pikë, rrezet verbuese të diellit, hyjnë pothuajse dhunshëm. 

Ndërtesa mitike, në fillim e adhuruar, më pas e anatemuar, mandej strehuese e artit, pastaj (kur u rikujtuam) e mallkuar si varri i diktatorit, është kthyer në një ngrehinë të ligsht gjatë kohës që u la në harresë. Nuk njihet më, asgjë s’ka ngelur nga milionat e investimeve dhënë për të ndër vite, e të mendosh se ditët e fundit është ndërhyrë ndjeshëm për t’i dhënë tjetër funksion. Megjithatë, dje Piramida, mauzoleu i Enver Hoxhës, i rihapi dyert. Nuk mund të kishte strehë më të mirë për një ngjarje si kjo, një përthyerje: në objektin e së shkuarës zënë njerëzit e së ardhmes. 

Punët e 25 artistëve shqiptarë, italianë (nga Pulia e Venecia), malazezë e kroatë shfaqen për 24 ditë tek “Piramida” në qendër të Tiranës. Ekspozita, etapa e parë prej pesë syresh, është pjesë e projektit të artit bashkëkohor “ART IN PORT - Coexistence: for a new Adriatic koinè”. I nisur dje, projekti zgjat deri në marsin e 2015-ës. Ekspozita vjen nën kujdesin e kritikut dhe kuratorit artistik Roberto Lacarbonara, ndërsa për të kanë bashkëpunuar Universiteti i Arteve në Tiranë me profesorët Vladimir Myrtezai Grosha dhe Pjetër Guralumi. Ministria e Kulturës përfaqësohet nga kuratori Ardian Isufi. Artistët në punët e tyre, kanë sjellë përplasjet me realitetin, historinë, traditën, legjendat, migrimin, nomadizmin, kanë ironizuar ekonominë e më gjerë. Ekspozita është pjesë e projektit “arTVision. A live art Channel”, i financuar nga Programi Evropian IPA Adriatic. Sipas konceptit kuratorial, “Coexistence: for a new Adriatic Koinè” është një ekspozitë në pesë “përthyerje” në vende e territore të ndryshme, për të pohuar konceptin e një Koinè-je artistike, një gjuhë të përbashkët e cila synon të kthejë identitetet territoriale në dinamika të marrëdhënieve, të hapjeve dhe ballafaqimeve artistike. 

Ideja shtysë e kësaj ekspozite përpiqet të strukturojë një dialog të ngushtë mes kombeve ndërkufitare përmes një operacioni kulturor, me qëllim gjetjen artistike të elementëve që bashkojnë dhe dallojnë popujt që ndajnë pjesën adriatike e të ashtuquajturit “mare nostrum”, siç e cilësonin Mesdheun autorët klasikë. 

Takimi 

Para se ekspozita të çelej, në Ministrinë e Kulturës u mbajt një takim me organizatorët e kësaj ngjarjeje artistike. Në të morën pjesë: Pjetër Guralumi dhe Vladimir Myrtezai nga Universiteti i Arteve, Roberto Lacarbonara e Ardian Isufi si bashkëkuratorë të ekspozitës së Tiranës. Drejtoresha e muzeut “Pino Pascali” në Itali, Rosalba Brana, qëkurse mori fjalën, e vuri theksin tek vendi i ekspozimit. Ndërsa la të kuptohej se për të është një gjetje, vuri në dukje se është bërë një punë kolosale. “Kur krahasoj fotografitë e realizuara në fillim dhe shoh sot ambientin, e vërej ndryshimin. Piramida mund të jetë një vend i shkëlqyer për të mbajtur edhe biennale”, - u shpreh Brana. I së njëjtës ide ishte edhe kuratori italian Lacarbonara, ndërsa kuratori shqiptar Ardian Isufi, duke e cilësuar sfidë punën e bërë, e cilësoi Piramidën një objekte tejet intrigues. Në fund (por jo për nga rëndësia), fjalën e mori ministrja Kumbaro. Duke mos i marrë vetë meritat, ministrja tha se projekti ka nisur tri vite më herët dhe se është e lumtur që po e finalizon fazën e parë. Mbasi foli për epitetet dhe mbiemrat e pafundmë që ka marrë Piramida ndër vite, Kumbaro deklaroi se për të ardhmen e saj, nuk ka ende një vendim. “Edhe për shkak të debateve të shumta që ka ngjallur ekzistenca ose mosekzistenca e saj, nuk mund të ketë një përgjigje të shpejtë për të. Piramida është pjesë e historisë së Shqipërisë, është pjesë e monumenteve të një periudhe të caktuar. Ne, nuk kemi marrë ende një vendim për të, pasi duhet të jetë një mendim i pjekur. Ndërkaq, ne jemi duke e përkthyer atë hapësirë në një hapësirë komunikimi për artin bashkëkohor”, - u shpreh ministrja.

Për Kumbaron, vendosja e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore të artit bashkëkohor brenda kësaj hapësire, është mënyra se si kjo ministri po e përkthen hapësirën historike, monumentale, politike, në një mënyrë të shprehjes së artit. Duket se, ajo çfarë është bërë më herët në shtetet europiane, me ruajtjen e godinës së kampit Mathausen, apo atij të Aushvicit, por qoftë edhe interesi që ngjall Piramida për të huaj e shqiptarë, nuk mjafton për ta shpëtuar përfundimisht, godinën që ka fundosur vetëm në këto 20 vite miliona euro. 

11 Komente

 nuk mjafton për ta shpëtuar përfundimisht, godinën që ka fundosur vetëm në këto 20 vite miliona euro. 

700.14 milion $ i qethi Fullani & co per kater vjet. hahahaah smiley

Ne kohen e veres, edhe kendej ne perendim, organizohen shum ekspozita dhe evenimente kulturore. 

Ne syte e Rilindjes kjo germadhe quhet Art .

po te mirembahej do te ishte veper e bukur, nje nga city's landmarks.me sa di une nuk u ndertua me paret e enverit po tonat si rrjedhoje demtimi i saj nuk ka demtuar aspak familjen e tij por ne.

Piramida duhej shembur,mos flisni kot tani.

Atje duhet te ndertohet parlamenti i ri.

Skemi nevoje me per nje piramide shkatarraqe,qe  shemton tere bulevardin.

Mirembajtja e saj thjesht do te shpenzonte para kot,sepse nje shemtire nuk mund ta fshehesh sado qe te lyhet dhe te perdore edhe mjeket me te mire te operacioneve plastike.

Thjesht bijte e eterve,justifikojne kete shemtire vetem qe te mos u prishin qefin eterve te tyre se edhe vete e dinte qe duhet te zhduket nje ore e me pare.

 

adriatic koine

smiley

Seriozisht gjynah qe eshte katandisur ne kete gjendje.
 

Kjo dhe hotel dajti...dhurate nga barbaret

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).