Historia e freskët e shpërbërjes me urdhër të tregut të fruta-perimeve “Dinamo” në Tiranë të shton besimin se në Shqipërinë e sotme politikën e bind lehtësisht vetëm interesi i “oligarkëve”. Mbi 400 biznese e kanë humbur mjedisin e tyre të investuar dhe të përshtatur për disa vite rresht, për shkak të një urdhri që formalisht është i firmosur prej prefektit të Tiranës. Janë disa miliona euro që mbi 500 biznesmenë i kanë humbur për shkak të këtij urdhri. Janë disa mijëra njerëz që, pas përzënies forcërisht nga mjedisi i këtij tregu, kanë humbur burimin e vetëm të të ardhurave financiare.

Por më e keqja është se vendosmëria e disa strukturave të shtetit për të zbatuar një urdhër, i cili është goditur juridikisht në gjykatë është më shumë se befasuese. Kujt i shërben zhbërja e tregut “Dinamo”? Kush përfiton dhe sa përfiton prej transferimit të 400 bizneseve në tregun e sapondërtuar në autostradën Tiranë-Durrës? Kush i bindi dhe si ia doli që në këtë vendim të unifikohej edhe “dëshira” e bashkisë edhe ajo e qeverisë? Cili grup interesi u godit dhe cili u përkrah? Kush përfiton dhe sa nga qiratë në tregun e ri, të cilat kanë nisur të jenë më të larta se edhe qiraja e lokaleve në qendër të Tiranës? Sa të vërteta lidhen me emrat që përmenden dhe poseduesit realë të tregut të ri?

Të gjitha këto pyetje retorike janë pjesë e një realiteti që ngjet kohët e fundit. Beteja është zhvilluar mes dy grupeve të ndryshme. Njëri më masiv se tjetri, por tjetri, mesa duket, më i fuqishëm financiarisht se “i munduri”.

Prej gati një muaji, tregtarë të magazinave të shumicës dhe tregut me pakicë në zonën e “Dinamos” zhvilluan një cikël protestash e tubimesh në mbrojtje të tregut, investimeve dhe së drejtës së tyre. Mirëpo, urdhri administrativ i Prefektit triumfoi, duke i përzënë ata dhe duke shkaktuar një “mister të përkohshëm” për mbylljen e një tregu dhe çeljen e një të riu.

Ditët e këtij bllokimi të bujshëm janë edhe ditë të lloj-lloj thashethemeve që ngjiten gjer te Kryeministri, te kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe sidomos te grupi i “oligarkëve” që luajnë me fijet e forta të rotacionit, pa humbur monopolet apo influencat shumëmilionëshe. Në kësi rastesh, Shqipëria dëshmon aktin e vetëm të “konsensusit ideal” mes palëve politike. Kryeministri Rama është në konsensus të plotë me kryebashkiakun Lulzim Basha për mbylljen e tregut “Dinamo” dhe hapjen e tregut të ri. Askush prej institucioneve publike të deritanishme nuk ka një deklaratë apo komunikatë sqaruese për pronësinë e tregut të ri, për kushtet dhe investimet e realizuara në këtë treg, se ku dhe si argumentohet interesi i qytetarëve dhe i kryeqytetit për një kalim të tillë dhe se cilat janë politikat fiskale që favorizojnë ose jo buxhetin publik prej këtij transferimi të tregut më të rëndësishëm të Tiranës në këta 24 vjet të fundit.

Nga ana tjetër, tregtarët e ndëshkuar dhe, pse jo, edhe të goditur prej kësaj mbylljeje, a janë të mbrojtur në pikëpamjen sociale dhe atë të respektimit të parimeve të barazisë dhe konkurrencës? A është e mbrojtur e drejta e tyre pronësore dhe kush do e mbajë përgjegjësinë ligjore për bllokimin e pronës së tyre nga Policia e Shtetit? Cili është plani pas mbylljes dhe cilat janë interesat për këtë treg që zë sipërfaqen më të madhe të kësaj zone të kryeqytetit të vendit? Cili është plani urbanistik dhe ç’interesa fshihen në të, nëse ekziston? A janë sqaruar pronarët legjitimë për këtë plan dhe për humbjen që ju është shkaktuar prej urdhrit dhe vendimit të menjëhershëm i cili e mbylli dhe e mban të bllokuar tregun ku hynin e dilnin çdo ditë mbi 100 mijë qytetarë?

Të gjitha këto janë dilema, që përderisa mbesin pa përgjigje po shkaktojnë një kosto që rritet progresivisht si rënie besueshmërie ndaj qeverisë, ndaj politikave administruese dhe kontrolluese të mjedisit dhe territorit urban në vend.

Mungesa e transparencës dhe memecëria institucionale për perspektivën e një vendimi dhe zhbërje të tillë tregu godasin drejtpërdrejt qeverinë e Kryeministrit Rama. Në muajt e fushatës zgjedhore të vitit 2013, deputetë të PS-së zhvillonin konferenca shtypi dhe deklaroheshin në mbrojtje të interesave të qytetarëve të tregut “Dinamo”, përkundër tentativës së kundërshtarëve politikë të tyre, qeverisësve demokratë që ishin deklaruar për mbylljen dhe transferimin e tij. Tashmë PS jo vetëm që e ka tradhtuar atë avokati, por është bërë ekzekutore e vendimit të ish-kundërshtarëve qeverisës. Sot, zërat dhe një pjesë e medias që ka kurajën të shprehet për këtë çështje akuzon dhe aludon për një aleancë pragmatiste mes dy pushteteve, atij qendrorit dhe vendorit në Tiranë, për llogari të kësaj historie. Po cila është e vërteta?

Me kohë qeveria duhej të shprehej për këtë interes dhe sidomos për transparencën rreth përfituesve dhe pronësisë së tregut të ri, si dhe administratorëve të tij. Sikundër duhet urgjentisht të sqarojë se çdo të bëhet me pronarët e mbetur dhe mjedisin e bllokuar të tregut “Dinamo”. Vonesat dhe heshtja për këtë çështje shton e shumëfishon skenarët e intrigat, sajesat dhe subjektet e hamendësuara vrulltazi, duke rritur perceptimin për një korrupsion apo abuzivizëm përfitues mes qeverisësve të të tri ngjyrave dhe “oligarkëve” që jetojnë nëpër tranzicion e bëjnë rotacione si “delfinët mbi çdo gjendje deti”. Tregu i mbyllur “Dinamo”, është një ndër më të mirinvestuarit sidomos në dhjetë vitet e fundit. Aty gjenden disa establishmente që kushtojnë miliona euro dhe që për mirëmbajtjen dhe përshtatjen e mjediseve konform kërkesave higjienosanitare të kërkuara nga institucionet dhe entet tona publike është dashur të shtohen edhe miliona euro investime të tjera. Mirëpo ky investim tashmë është shembur. Magazinat e mbyllura dhe tregtarët e bllokuar, nuk janë më pjesë e ilaritetit apo anarkisë ditore të një tregu masiv, por prej tij, këto ditë që policia ka bllokuar hyrjet dhe rrugët, po del një “erë e keqe” e cila i adresohet qeverisë. Për këtë “erë të keqe” flitet mes deputetëve dhe grupeve të interesit, mes mediave të censuruara dhe autocensuruara si dhe më së shumti në publikun e gjerë. Kjo “erë e keqe” largohet vetëm përmes një sqarimi dhe reagimi për transparencë publike të përfituesve realë dhe përmes sqarimit të vetë pësuesve. Këta të fundit, janë tashmë më shumë në hallin se “çdo të bëhet me pronën e zënë me policë” sesa në atë të humbjes së vendeve të punës dhe bizneseve të tilla. Ndërkohë që në rrugët dhe qoshet e Tiranës tezgat dhe stoqet e mallrave të derdhura mbi trotuare janë më të shumta dhe më të shtuara se kurrë. Pamjet e tregjeve pranë Unazës së Re, pranë Stacionit të zhbërë të Trenit, si dhe në qoshe të tjera të kryeqytetit, janë imazhet e plota të një mjedisi që përkeqësohet dhe nuk ka lidhje me pretendime përmirësimi si te Tregu i Ri në autostradë, i cili shton vetëm kostot për furnizim klientele.

Një realitet të tillë e gjeneron vetëm një administratë që kapet. Shpresojmë të mos jetë e ngjarë diçka e tillë!

3 Komente

Por nese tregtaret e kane hedhur çeshtjen ne gjykate, policia, qeveria, bashkia, nuk ka te drejte ti levizi deri sa te jepet verdikti i gjykates. 

Dua ta bejne pallate ate zone, tregun Dinamo dmth, ndaj dhe i perzune. Do e lene te qelbet ca kohe qe t'u ngjaje njerezve zone e shemtuar, do ta shembin, dhe do ta leshojne per pallate me nje emertim te tille si kualifikim urban qe do shtoje hapesirat e gjelbra. Edhe ndertuesi eshte percaktuar qe tani.

Akoma nuk e takuan Liken keta ?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).