Më thanë. Unë s’doja të shkoja. Shko se është mirë, më thanë…s’besoja. Ka ndryshuar, është bërë mirë, se bëhet mirë, kur ndërhyn deputeti : Është rregulluar, sistemuar, pastruar, zbukuruar, se ndërhyri ushtria…dhe vetë deputeti, aty, prezent…me ushtrinë në plazh. Po e imagjinoja aq mirë deputetin, si « Napoleon në Berezinë » : « Forcat e xhenios…gati ? Përpara ! »…Urra, urra…C’kanë hequr dunat me fruta të kalbura, tonelata prej ç’vitesh qeskash, shishet e groposura në rërë, bishti cigares mbret…I hynë me zetorë, me lopata, me duar, me dhëmbë…Është bërë « si jashtë », ka rregull tani, se ndërhyri ushtria, ndërhyri vetë deputeti, oj të rilindur që i kanë bërë ! Mirë, më bindën, po shkoj, po si të shkoja ? Shko me autobus, se ka stacion, ka linja të rregullta, se ka orare…po këtu qënkësh bërë revolucion, do ti ?!…Aty mbrapa uzinës së autotraktorëve, aty i ke më thanë, rradhë…

Banoj në një parafabrikat, thjeshtë, një apartament modest…beton…bunker…në formë U-je…Epilog pa rëndësi. E diel. Në 7 të mëngjesit lehën qentë, duduftuja ja kishte zënë që në pesë, hoxha në katër, në tre mbaroi bilardon Rrema…Secili në hesap të vetë, të kurdisur që të gjithë për bukuri. Oh ç’flihej për qejf në pallat ! U rrova, u lava, u mbatha për plazh, u nisa…

Pas uzinës e ke stacionin, uzinës së autotraktorëve « Enver Hoxha »…Emër, jo shaka ! Qëndrova pak atypari. Uzina «Enver Hoxha »…C’uzinë ? Kombinat ! Po më shumë se emri, asokohe, ne na interesonin plumça kuzhunjetash : një plumç dy kopaca, një plumç tre tuba me kaush. Më vonë, në demokraci, një plumç 2 turbo, një plumç 3 lazera…si në komunizëm, si në demokraci, plumçi ecte dhe koha sillej rreth tij. Jeta ishte plumç ! Hidheshim nga muri uzinës…fiu, fiu, fiu…fshehtas pas punishtes…DEBATIK…Gishtërinjtë e vegjël si krehër nguleshin në graso, kërkohej në gjunj, përthyer në dysh, «hë gjete gjë ? », nëpër baltë, përmes tornove, saldimeve…paaa ç’gëzim kur prekej e ftohta e vogël sferike ! Mbushnim xhepat, kanatieret, çantat e shkollës…Eh ç’kohë ishte ! Tani uzina sikur flinte me një sy mbyllur, me një sy hapur…Të mbyllurin, në të majtë, e kishte lënë ashtu, të vdekur, gërdallë, bojëdalë, kurse tjetrin, e kishin restauruar, shkëlqente në të verdhë. Kjo gjysëm-ish-uzinë që verdhonte si ar, shte tanimë polici bashkiake…Tek porta jashtë, buçko polici roje, dhjam. Me telefon në vesh, mbahej lart « vigjilenca revolucionare ». Më kujtohet, si sot, punëtorët e uzinës dikur, ishin të thatë, të sertë, ishin muskuj…Ku shkuan punëtorët ? C’u bënë ata vallë ? Ku janë sot ? U mbyll një uzinë për të hapur një polici…Kjo thotë shumë ! Thonë po aq dhe syri i mbyllur gërmadhë i uzinës në të majtë, dhe makinat e policisë fringo të reja të parkuara njëra pas tjetrës në të djathtë…Pa të shihnit dhe motorrët e tyre sot, të bukur, amerikanë, si lodra fëmijësh…brrum grrum brrum…uniformat akull të hekurosura të bashkiakëve varavingojnë në oborr…Dikur, më kujtohet, si tani, punëtorët e uzinës, ja, mu aty, tek varavingat e sotme, pushimit pinin cigare, në heshtje katedraleje, ç’moment solemn : I tërhiqnin fort, aq sa tiparet e mprehta u çanin mollëzat në thellësi. Fytyrat e rrepta dukeshin si skulptura që thyheshin përbrenda…dhe e lëshonin tymin e cigares ngadalë, fjollë-fjollë, ngadaaalë fare, tymi jetohej, me vetullat që ngrysnin ç’brenga pafund. Tani sheshi uzinës ishte pajetë…S’kishte as punëtorë, as cigare, as blu gjithë graso, as duar me kallo, as plumça të ftohtë, as xë-xë-xë saldimesh, as fëmijë që hidheshin nga muri, as gjunj gjithë koriçka plagësh, as çjerrje të gjakosura, as gishtërinj në baltë, as erë vaji, as oxhak me tym të zi, me tym të bardhë, yhhh çfarë tymi ! Jo, jo, jo, s’kishtë më asgjë nga këto…Ajo e verdhë shkëlqyese në të djathtë, ato uniforma të bukura krrëk, motorrët amerikanë…aty, para syve të mi, kjo gjithçka ishte bosh, ishte pajetë, ishte pashije, ishte paaromë, ishte pangjyrë. Uzina kishte vdekur, Enveri kishte vdekur, punëtorët kishin vdekur, fëmijët kishin…fëmijët dhe ata…po, po, dhe ata…ah !

…Ndjesë…rikthehem…Ku ishim ? Për në stacion ! Në të majtë të uzinës, nja dyqind metra…ja, stacioni i autobuzëve…"Shoku, më fal, ku është stacioni ?" Ja, ky është stacioni ! Ku ? Stacion është ky ? Po, ky është…e kanë bërë të mirë, ka orare stacioni…Marr një kafe. Kërkoj me sy stacionin…Jo, mos kërko, është i gjithi ky…ç’të zë syri, është stacion ! Goxha ! Kafja vjen pak e hidhur, pak si llumë. Shoferët, ulur përbri, kthejnë nga një teke raki. « Im at e pinte rakinë. E donte të shkretën. Vdiq kur e la rakinë », thotë njëri. Vazhdon, « Një teke në mëngjes e kthej dhe unë, si im at ,ndjesë pastë, ma kërkon trupi. »… « Kur ta kërkon, ta kërkon », gjegjet tjetri…

« Hajde Fieri, u nisëm, Fieri, Fieri, u nisëm, ti djali, ti me kafenë, po po ti, për Fier ? »…DIVJAKË ! unë, me gjysëm zëri… « Po, hajde, hajde, se u nisëm ». Dy të huaj, me kapele kashte, u afruan me ca çanta si divanë mbi shpinë : « Vlohra, Vlohra ? »… « Po, hajde, se u nisëm »… « Vlohra, Vlohra ? », « Hipni, hipni, u nisëm »…u nisëm…"Go, go"...FIERI, FIERI…u nisëm…

I ra nga autostrada. Ndërtohej, ndërtohej, ndërtohej. S’i kishte dalë ende fundi. Tani, ndërtohej mbi ndërtime…Ja, atje tutje, njëri kishte bërë një shtëpi. Shtëpi tamam, me tulla të kuqe, me dritare të bukura, portën goxha, e blinduar dukej, me oxhak lart, me kopsht përpara, me pemë frutorë, rrethuar kopshtin me një gardh…Mirë, pse mos ta ndërtonte ? E kishte ndërtuar mbi një ndërtesë katërkatëshe ! Alo, ç’kemi ??? Ndërtesë mbi ndërtesë ! Hajde e më fol për Beratin e për një mijë e një dritaret ti po deshe ! Shih atje, një tjetër ndërtesë, moderne, e bukur, pa pa pa, hotel ky. Kishte një shtyllë elektrike gjigande në oborr…gjithë ajo shtyllë, pilon, nga ato të lajmeve, që hidhen në erë me dinamit…Emri hotelit ? « Eiffel » !…Pa lidhje me shtyllën, sigurisht, rastësi…E ç’të zënë sytë nga Tirana në Durrës : Piramida, kështjella, pallate mbretërish, perandorësh, maharaxhash, ajatollahësh, me qelq, me tulla, me beton, me mermer, me hekur, me plitharë…dhe favela pafund sa majtas, djathtas, dhe xhami pafund, sa majtas, djathtas, me një minare, me dy minare, shih shih, me katër minare atje tej, dhe universitete private, me ç’emra të bukur…

« Djali vazhdojmë çik me lekët »

« Urdho lekët! »

« Mbaje, kusuri! »

Para meje, ulur, një kokë gruaje me ca flokë të papërshkrueshëm.

« Ti motra ? « 

« N’Gos t’ vogl’ »

« 2 mijë lekë »

«Kur ash ba 2 mij b’leta ? »

« Aq është ! Aq !»

« Po un’ jam e s’mur, po vi’ nga sp’tali, kom ba kimio. »

« Dhe unë i sëmurë jam, motra.»

« Po un’ kom kancer ! »

« Edhe ça ? Unë kam diabet ! »

« M’nistri tha gjys’ çmimi p’r t’ s’murt me kancer ! Un’ jom me rreze !»

« Unë s’jam ministri, motra »

« Shiqo, shiqo, qesen me ilaçe »

« Do ta tregoj dhe unë timen ? Se e kam më të madhe se tënden !»

« Na lekët, ilaç tu bofshin. »

« Hajt, se të gjithë te ai veni do shkojmë, motra. »

« Ti ishalla, un’ po shkoj ke goca n’Gos’ t’vogl’. »

Po i bie shkurt : Nga Tirana në kthesën e Plugut, betoni përzgjatet si një jargë e bezdisshme. Inkuizicion vizual. Pasioni i pasagjerit. Unë zbrita në kthesën e Plugut. Ishte freskët, mëngjes. Në ajër vërtitej një erë misër i pjekur, erë fshati, erë bagël… 

« Divjakë çuni ? »

« Po. »

« Hajt, shpejt, u nisëm. »

« Po ju çuna ? »

« Vlohra ? Vlohra ? », dy kapelet e kashtës.

« Hajt se u nisëm, hipni, hipni », hop-hop, brenda ata.

Për Divjakë…Po pse për Divjakë ? Po pse jo ? Të tjerat i kisha parë, nga veriu në jug, kurse Divjakën jo ! Plus, unë shkova të shihja plazhin, të prekja detin, të mbulohesha me rërë…se kishte ndërhyrë vetë deputeti…ushtria brenda…me zetorë, kamionë, lopata, me thonj ore, ç’thua ? Natoja brenda në Divjakë. Imagjinoja, aty për aty, një Apash të Natos duke ngritur përpjetë një bullicë të ngordhur. Operacioni « Bullica », he he he. Përkrah shoferit, ulur një punëtor, emigrant në Itali, me familjen. Tek të tridhjetat, burrë e grua, me një beb’ ulur në prehër :

« Po shkoni në Divjakë, ë ? » pyet shoferi.

« Unë du’ pyll. », ja pret punëtori.

« Po pse s’shkuat andej poshtë, në Dhërmi ? »

« Unë du’ pyll’.»

« Është bërë bukur në Dhërmi ! Ka vënë dorë shteti! »

« Pyll, pyll. Ku ka pyll në Dhërmi ?  Unë po vij nga Italia për pyll.»

Dy kapelet e kashtës, të buzëqeshur, lexonin me nge një guidë turistike të Shqipërisë. E kishin hapur diku nga mesi. Kapitulli i kaltër titullohej « Vlora ».

« Po në Ksamil ? », vazhdonte me të vetën shoferi.

 « Unë du’ pyll »…

Për mua ishte pak herët për pyll. Madje, po të mos kishte qenë për portën e hapur të furgonit, do ti kisha propozuar të gjithëve ti këpusnim një sy gjumë. Edhe kapeleve prej kashte, edhe emigrantit me gruan, edhe bebit, edhe shoferit, edhe Dhërmiut, edhe Ksamilit, edhe pyllit. Një gjumë të vogël, ashtu brenda në furgon, poshtë një fiku të lashtë, në Shën-e-Premte. Një gjumth në atë freskinë e mëngjesit. Por shoferi s’ishte kthyer nga ajo anë. Ai ishte nëpër kthesa dhe ne, nga pas, ishim shtrënguar me ç’të mundnim nëpër rraqet e sedileve që të mos fluturonim nga porta e hapur.

Në kurorën e gjelbër të Divjakës, sa hyn, pahhh, dehesh nga aroma e pishës…

Mbërritëm. « Era pyll nuse ! » tha punëtori që vinte nga Italia. 

« Vlohra ! Vlohra ! Come out man, it’s beautiful !», dy kapelet e kashtës vrapuan të lumtur drejt plazhit…

 

(vazhdon)

 

10 Komente

Po më shumë se emri, asokohe, ne na interesonin plumça kuzhunjetash :...

smiley

presim vazhdimin

Plumç? Hera e pare qe e degjoj. Mu me kujtohet zar kushinetash.

 

Ke shume te drejte, "zar" ishte heretik, perdora nje sinonim per efekt stili. Pastaj "zar", filloi te perdorej dhe per te shenjuar disa kategori individesh. 

"Plumç" nuk eshte sinonim, sepse ka kuptimin e pothuajsferes prej plumbi te varur ne spango te muratorit per te mbajtur drejt murin vertikalisht, dhe te copes se plumbit qe rendon grepin ose rrjeten e peshkimit. 

Mire. 

Tiku, keshtu sic e ka perdorur autori/ja, ka te drejte! keshtu i kemi pas thene femije atyre topthave te vogla qe nxirrnim nga kuzhinetat.. plumçe.smiley. pra ne kete rast nuk behet fjale per "plumbçen e muratorit".smiley

I paskeni thene ju ne Vlore, por jo ne tironsit.

Dhe pastaj ankoheni kur akuzoheni per standard imperializmi gjuhesor.

 

zari zarin s'e ngatrron

Nuk bohet shqipria me shqiptar...

Tu nous as manqué smiley.  Me shume qejf vazhdimin.

PS: Tym e flake kashta e kapeles atyre qe ngaterruan Divjaken me Vlohren. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).