Zoti Palomar ecën përgjatë një plazhi të vetmuar, ku ndesh pushues të rrallë. Një grua e re është shtrirë në rërë dhe po merr rreze dielli me gji të zhveshur. Palomari, që është një burrë i matur, e ktheu vështrimin nga deti. E di që në raste të tilla, ardhja e ndonjë të panjohuri, bën shpesh që gratë të mbulohen me të shpejtë, dhe kjo i duket diçka jo e mirë: sepse bëhet i bezdisshëm për pushuesen që po merrte e qetë rreze dielli, sepse tabuja e lakuriqësisë ripohohet heshturazi; sepse normat e respektuara përgjysmë shkaktojnë pasiguri dhe inkoherencë në sjellje, në vend të lirshmërisë dhe çiltërsisë.

Prandaj, ai sapo shikon të përvijohet së largu hija e bronztë dhe e trëndafiltë e bustit të një femre, nxiton ta mbajë kokën në një pozicion të tillë që trajektorja e shikimit të tij të bjerë në zbrazëtinë e qiellit dhe të garantojë respektin e tij qytetar në lidhje me kufirin e padukshëm që rrethon çdo njeri.

Por, – kështu mendon duke ecur më tej dhe sapo horizonti zbrazet, rinis edhe lëvizja e lirë e bebes së syrit, – unë, duke u sjellë kështu, nxjerr në pah refuzimin për të parë, domethënë edhe unë vetë përforcoj atë normë që e konsideron të paligjshme shikimin e gjoksit, ose më mirë vendos një lloj sytjeni mendor ndërmjet syve të mi dhe atij gjoksi që, nga shkëlqimi i tij që më mbërriti në kufijtë e hapësirës sime pamore, m’u duk i freskët dhe i këndshëm për t’u parë. Me një fjalë, ky mosvështrim i imi nënkupton se unë po mendoj për atë lakuriqësi, po shqetësohem dhe ky është në fund të fundit një tjetër qëndrim i pamatur dhe prapanik.

Duke u kthyer nga shëtitja e tij, Palomari kalon përsëri para asaj pushueses dhe kësaj radhe e hedh vështrimin para vetes, në mënyrë që ai të cikë kalimthi dhe duke u ndalur njëlloj, si shkumën e valëve që përplasen, trupat e varkave që i tërheqin në cektirë, çarçafin e sfungjertë të hedhur mbi rërë, lëkurën e bardhë të gjoksit si hëna e plotë me brezoren e murrme të thumbit dhe profilin e bregut në mjegullinën gri përkundrejt qiellit.

Ja që, – tha me vete i kënaqur, duke vazhduar rrugën, – ia arrita që gjiri të shkrihej plotësisht me peisazhin dhe që edhe vështrimi im mos të rëndonte më shumë sesa vështrimi i një pulëbardhe ose i një trofte.

Po a është plotësisht e drejtë të veprosh kështu? – mendoi përsëri, – apo kjo do të thotë ta ulësh njeriun në nivelin e gjërave, ta konsiderosh atë një objekt dhe ç’është më e keqja, të konsiderosh objekt atë që tek njeriu është e veçantë për seksin femër. Mos ndoshta po përjetësoj zakonin e vjetër të superioritetit mashkullor, të transformuar me kalimin e viteve në një pafytyrësi të vazhdueshme?

Kthehet dhe nis përsëri të ecë. Tani, ndërsa hedh vështrimin përreth plazhit me një objektivitet krejtësisht të paanshëm, bën që, sapo gjiri i gruas hyn në rrezen e tij pamore, t’i dallohet një lloj pavijueshmërie,një shmangie, gati një hedhje përpjetë. Vështrimi përparon derisa cik përkitazi lëkurën e tendosur, zbrapset sikur të ishte duke vlerësuar me një lloj tronditjeje të lehtë qëndrueshmërinë e pamjes dhe vlerën e veçantë që ajo merr e që për një çast varet pezull në ajër, duke përshkuar një kurbë që shoqëron relievin e gjirit nga një farë largësie, shkarazi dhe pa rënë në sy, për të përshkuar më pas trajektoren, sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

Kështu, të paktën, besoj se pozicioni im është i qartë, mendon Palomari, – pa keqkuptime të mundshme. Po sikur ky mbikalim i vështrimit të merret si një shfaqje e një qëndrimi superior, një nënvleftësim i asaj që gjiri është dhe i asaj që ai shpreh, një mënyrë për ta lënë mënjanë, në hije, ose mes kllapash? Ja pra, që përsëri po mundohem ta vë gjirin në atë gjysmë errësirë në të cilën e kanë mbajtur gjatë shekujve të tërë të një turpi maniako-seksual dhe të epshit si një mëkat…

Një interpretim i tillë është në kundërshtim me qëllimet e mira të Palomarit që megjithëse i përket një brezi të kaluar, për të cilin lakuriqësia e gjoksit të femrës lidhet me idenë e një intimiteti dashuror, gjithsesi e përshëndet me simpati këtë ndryshim në zakone, si për atë ç’ka ai përfaqëson, si shprehje e një mentaliteti më të hapur të shoqërisë, ashtu edhe për faktin se një pamje e tillë i pëlqen. Është pikërisht ky inkurajim i ç’interesuar që ai do të donte të shprehte me vështrimin e tij.

Bën prapakthehu me hapa të vendosur, lëviz sërish drejt gruas së shtrirë në diell. Tani vështrimi i tij, duke e përkitur paqëndrueshmërisht peisazhin, do të ndalet mbi gjoksin me një kujdes të veçantë, por duke nxituar njëkohësisht që ta përziejë me atë hovin plot me mirëdashje dhe mirënjohje për gjithçka, për diellin dhe qiellin; për pishat e përkulura, dunën dhe rërën, shkëmbinjtë, retë dhe algat, për kozmosin që vërtitet rreth atyre majave të bresuara.

Kjo duhej të mjaftonte për ta qetësuar pushuesen e vetmuar dhe për ta zbrazur ambientin nga nxjerrja e përfundimeve të gabuara. Por, sapo ai bën të afrohet, ajo ngrihet me të shpejtë, mbulohet, shfryn dhe largohet duke shkundur gjithë bezdi supet sikur t’u shmangej ngacmimeve këmbëngulëse të një maniaku.

Pesha e vdekur e një zakoni të keq e pengon të shijuarin, në kuptimin e vërtetë të fjalës, të synimeve më të pastra, – e mbyll në mënyrë të hidhur arsyetimin Palomari.

 

Përktheu: Alban Bobrati

Foto: Dunes, Oceans, Edward WESTON, 1936.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).