Kujtdo qi i intereson ideja e trashigimisë gojore nuk ka sesi të mos vejë re poasi sesa e brishtë asht vija njerzore qi transmeton kët trashigimi. Shkëmbimet e ndryshme nëpërmes breznive, përralla, rrëfime, fjalë  të urta, ndodhitë të vërteta apo të sajueme, grima të përzgjedhuna kujtese, janë në të shumtën e kohës peng i aftësisë së rrëfyesit me mahnitë,  poasi i gadishmënisë së dëgjuesit me i ba të vetat këto rrëfime. Këto marrëdhanie, qi pandehin nji gjendje kontakti të vazhdueshëm në mes rrëfimtarit dhe dëgjuesit, bahen thellësisht të paqëndrueshme kur njana prej këtyne lidhjeve shkëputet papritun. E gjithë punishtja e trashigimisë mbështetet kryesisht tek njerëz qi nuk rreshtin me tregimet e tyne nga e kaluemja në kohë të tashme. Çdo pengesë në udhën e kësaj rrjedhe etiketohet me të drejtë si lajmtare e shterpnisë dhe e heshtjes.

Për vete m’asht dukun gjithnji mizore dhe e çrregullt ajo gjendje kur breznitë e treta dhe të para të nuk ndajnë nji përvojë të përbashkët ndëmjet tyne. Njeriu mund të gjindet faremirë në mes dashunive ma të mëdha të jetës, si dashunia për prindin në nji krah e për fëmijën në tjetrën, por për nji arsye a tjetër nuk ka mundësi të gjinden me ta të njajtën hapsinë kohore. Gjithkush e ka hasun sëpaku nji herë ate shprehjen keqardhëse për shkëputjen e parakohshme të kësaj lidhje, ‘Ah sikur gjyshi yt t’ia kish arritë me t’pa sa je rritë’, ose ‘kushedi sa përralla do t’ kish tregue gjyshja yte!’. Jo pa arsye, na duket kundërintuitive ajo rrethanë kur njerëzit kaq të afërt dhe me kaq peshë në jetën e dikujt s’ kanë ndërmjet tyne asnjifarë lidhje të drejtpërdrejtë. Edhe ma kundërintuitiv na duket  mendimi se trashëgimia jonë gojore e dendun dhe stivueme si mund të jetë për breza të tanë mund të humbet kësi lehtësisht kah mungesa e nji hallke të vetme.

Kësi s’asht zor për me dallue se vijëmsia e linjës njerzore asht e randësisë parësore, po ashtu siç s’asht zor me dallue se po e kësaj randësie asht dhe gjatësia e secilës hallkë trashigimtare, (kuptohet sa ma e gjatë ajo aq ma e begatë dhe ajo çka transmetohet). Me vend pra asht konstatimi ku thuhet se njerzit ma fatlumë janë megjithëmend ata qi mundin me njohë stërgjyshnit e tyne!  Por sado larg qi të mundohet të shkojë ndokush mbapsht në kahen e paraardhsëve do të arrijë befas në nji pikë ku do të ndalet e s’do mundet të shkojë ma tutje. Ndalesa në vetvete mund t’mos na ndihmojë gjendjen tone shpirtnore  por  mund t’ na bajë të vetëdijshëm për rolin tonë si dorëzan të përkohshëm të kësaj lande. Pavarsisht sesa të gatshëm qi mund të jemi për barrën e kësaj detyre ajo herët a vonë do t’i bjeri mbi shpinë edhe ma t’ paaftit ndër ne.

Disa prej nesh e tejkalojnë shumëfish pritshmëninë e këtij mirasi ndërsa disa të tjerë zhgënjejnë jashtë mase. Nuk kam pikë ngurimi të vendosi dhe veten time në qendër të kategorisë së mbrame. Sidomos ndihem i pashpresë po t’a krahasoj veten me rolin e përkryem të përmbushun vite ma parë nga gjyshja plakë. Ajo po, dinte si t’ kapte  përfytyrimin t’onë me përralla qi, ndyshe nga çka mund të mendohet, kishin shtresa të shumta kuptimi e kishin marrë llustrën e vjetër të përdorjes shumëfishe. Rrëfime qi na flisnin nga e shkuemja shtegtare pikërisht në ate çast të vetëm me gjuhë e shenja të fshehta. Kish në to zogj e shpezë nga tokë të largta, shtazë të çfarëdolloji, vende të prarueme  me gurra të kristalta. Kish rrugë qi hapeshin para teje e ti  duhet të zgjidhje kah t’ia mbaje, kthina pa fund e humnera të rrezikshme, të gjitha metonime e nënkuptime përkatëse.

Veçse jo e gjitha kjo botë ish e trillimit dhe e magjikes. Kujtesa e saj kish rradhitë  në rafte të përzgjedhuna e të rendituna mirë edhe ngjarjet e jetueme. Turqia i kujtohej pak ndërsa mbante mend mirë mësymjen e Serbisë në Shqipni të Mesme dhe vorrezat e mandejshme të shqiptarëve. Princ Vidin e përmende shpesh, poasi kujtonte me kandje Austria-Hungarinë, sidomos gruen e oficeri austriak qi ushtronte atypari pelën e madhnishme dhe i dhuronte gjyshes kutitë e çokollatave me stemën perandorake. E  kësi me rradhë, Noli, Zogu Italia, Gjermania, deri tek parashutat UNRRA në kohën e pasluftës; të tana ngjarjet  të veshuna me nuancash gjithnduer.

Haptasi un s’mund t’i avitem kësaj aftësie të pashoqe, megjithse në mbrojtjen time mund të them se  kjo detyrë u vjen shumë herë ma për dore femnave të linjës farefisnore. Ka shumë për t’u thanë për përcjelljen gojore të nanave e gjysheve,  e kthyemenë thurrje mjeshtnore qi nji herë e nji kohë afronte të vjetrën me të renë me lehtësi të madhe. Mjeshtria fatkeqsisht sot nuk shkëlqen ma aq fort sa dikur. Natyrisht arsyet janë kah ma të ndyshmet, megjithate s’mund të rrish pa mendue se privimi i i këtij visari kundrejt atyne qi ende s’kanë lindë, të len përshtypjen se diçka me vlerë dhe e paripërtrime mundet të humbet njiherëemirë.

Në monografinë e tij me titull ‘Albanian Folk Verse: Structure And Genre, 1978’, Arshi Pipa e ruen falenderimin e parë për nanëdajën e tij Gjyzide Jubica, njohuria e dashunia e së cilës për folklorin shqiptar, thotë ai, qenë frymëzimi kryesor në ndërmarjen e kësaj pune pioniere. Ndërsa në të ardhmen akademikët s’ do t’jenë ma në gjendje me shkuejtë ma për folklorin, mungesa e këtij brumi padyshim do t’ndikojë edhe në aftësinë themeltare të atyne qi do vine pas nesh me përfytyrue.  

Patjetër qi po e tejzgjas pikën e humbjes, sidomos në nji kohë  kur mendohet se asht e pamundun me humbë edhe grimën ma të vogël të informacionit e kur dija antollogjohet me hollësi. Gjithçka e nevojshme asht ruejtë tashma e njerzimi ka nji aftësi të mrekullueshme me rizbulue vetveten. Në fund të fundit vajzat e vogla nuk mësojnë ma përdorimin e gjergjefit se s’ka çka i duhet. Gjithsesi rapsodia e kallzimit e përvoja e përbashkët ndër-breznore nuk mund të ruhen a të arshivohen si relike të papërdoruna; vetë natyra e tyne në kërkon qi ato të tejçohen nga nji skaj i kohës në tjetrin pa ndërpremje.

Irlandezi i urtë Edmund Burke parashtroi ma shumë se dy shekuj ma parë mendimin origjinal se shoqnia asht si nji ortaksi: “ Ndërsa synimet e kësaj ortaksie nuk mund të arrihet dot në shumë brezni, kjo ortaksi kthehet në nji lidhje jo vetëm ndërmjet atyne qi janë gjallë, por dhe ndërmjet atyne qi janë gjallë, atyne qi kan vdekë, dhe atyne qi s’janë lindë ende!”.

Sikurse kjo kontratë sociale ka tharkun e saj jashtë përçastsisë e mbase jashtë vetë ekzistencës së ortaksisë, edhe trashigimia gojore duhet të shtrihet sa gjanë e gjatë në vijën kohore. Edhese analogjia asht e pagabueshme njerzit qi rrëfejnë s’mund të mbështetet verbnisht vec në virtytin e ekzistencës së folklorit.  Ai mbështetet në materialitetin e tij qi merret në dorëzim e qi dorëzohet e pëgjatë kësaj rruge pasunohet nga cildo prej nesh. Andaj për mos me humbë aq sa mbajmë mend duhet me vazhdue të kallzohet... 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).