Edhe pse koncepti i kitsch-kulturës është tejet i specifikuar, mënyra sesi po degjenerojnë nga dita në ditë monumentet historike urbane në kryeqytet, të bën të mendosh se ato janë fare afër kësaj kulture... Përveç se shtatorja e Nënë Terezës qëndron mbi bazamentin me pllakat gati krejt të hequra, ashtu si monumentit të Ismail Qemalit i kanë zëvendësuar shkronjat me imitime boje, kurse monumentin e Pavarësisë e vjedhin rregullisht për skrap. Sa për të tjerët, andej-këndej, gjenden thjesht për të qenë dhe për të na treguar sesa inferiorë jemi me nderimet dhe kulturën urbane...

Një gazetë, e cila jepte pak ditë më parë lajmin e vjedhjes së pllakave të monumentit të Pavarësisë në Tiranë, tek e fundit, më shumë sesa me vetë aktin, merrej me metrat që e ndanin monumentin prej zyrës së Ministrit të Brendshëm Tahiri! Një tjetër syresh i përvishej varfërisë dhe... justifikonte hajdutët. Gjithsesi, në një ditë të vrenjtur korriku (kushedi sa ka pa ndodhur kjo kapriçio e motit), gjendemi duke e fotografuar. Jemi të vetëm. Krejt. Nuk e kuptoj pse tiranasit janë kaq të distancuar. “Kjo ndodh me të gjithë banorët dhe monumentet e qyteteve të tyre”, më ka thënë një sociolog, që e gjen përgjigjen për çdo temë.  Por, ky i Pavarësisë në Tiranë, është përpos të tjerave më i pakuptimti prej të gjithëve. Anipse, shërben si vend fotografimi për kosovarët e ardhur në vizitat e tyre ditore, ndonjë të huaji rastësor dhe fëmijëve kureshtarë që i përdorin paretet e saj vertikale 6 metroshe për t’iu fshehur njëri-tjetrit. Asgjë tjetër.

Monumenti i Pavarësisë

Ashtu siç mund të ndodhte me një objekt monumental, që vendi iu gjet vetëm pasi kishte mbaruar, ashtu do ndodhte dhe me monumentin tonë me numër 2 të Pavarësisë. Iu sajua një vend, në cepin veriperëndimor të Parkut (t’vetmit bosh), atje ku janë rrafshuar pemët e kohës së kioskave. Visar Obrija dhe Kai Kiklas, autorët e tij, do kenë qenë personazhet e para të zhgënjyera me të. Anipse, nuk duket se u bezdisën kur monumenti e gjeti vendin. Dy artistët e konceptuan monumentin historik të përmbante të shkruar deklaratën e Pavarësisë, bashkë me firmat e 40 delegatëve, që u gjendën në Vlorë ditën e shpalljes së Pavarësisë. Sot, emrat janë gati të padeshifruara prej lëbyrjes që të jep monumenti i vendosur pa asnjë logjikë estetike. Kurse paretet shërbejnë edhe si vende, ku shqiptarët e sodit kanë shtuar emrat e tyre anash. Një më i begenisshëm, në ditën që po e fotografojmë, ka ngjitur dhe një letër. Përballë, mu në mes, janë rrëmbyer pllaka vertikale, por edhe horizontale. Këto të fundit as nuk shihen dhe dëmtimi prej tyre, askujt si hyn në punë. Nuk ka njeri ta ruajë monumentin, edhe pse lajmet thonë se një polic i Bashkisë, është vendosur para Drejtësisë për ngjarjen e fundit, të humbjes së pllakave. Po pse kitsch-i, do mund të pyesë dikush? Në kuptimin më urban pasi është një gjë asfare funksionale. Edhe pse po të lexosh estetët dhe historianët e artit për të do konfuzohesh, na leverdis më shumë në shpjegimin tonë Walter Benjamin. Sipas tij: kitsch është ndryshe nga arti, një objekt utilitar që i mungojnë të gjitha distancat e duhura mes objektit dhe vëzhguesit; ai “ofron një ngopje emocionale të çastit pa më të voglën përpjekje intelektuale, pa kërkuar distancën, pa fisnikërimin e vet...”. E gjej kuptimplotë për veprën në fjalë dhe justifikuese.

Një i tillë gjykim e bën veprën e realizuar në Austri me përmasa ekzakte 6.5 metra të lartë dhe rreth 5.5 metra të gjerë, gati të lexueshme sapo e sheh dhe që nuk të ngjall asnjë emocion të përtejmë. A mund të bëhej diçka ndryshe me 355 mijë eurot që u hodhën për të, ku vetëm një pllakë prej bronzi kushton 400 euro, kjo ha vend për të diskutuar. Paratë, në fakt, kanë qenë pjesë e debatit. “Ma ban një foto”,ma prish terezinë e fotove një çift turistësh lokalë? Pohoj. I them të shtyhen pak, të jenë kundruall pllakave të hequra, ose më mirë t’i zenë fare. Jo. Kanë mendimin e tyre. Nuk lëvizin që jo. Duan aty, ku thonë ata. Rëndësi kanë qe të jenë para shqiponjës...Strukturës i kanë hequr disa pllaka dhe të tjera në bazamentin horizontal. Dikush ka shkallmuar dhe pjesën e podit, ku një hekur i shkapërdredhur, të kujton një bri, që i drejtohet askundit. 

Dhe, Ismail Qemali

Rrotullohem. Çifti duket shumë kureshtar. Pllakat e hequra i duken normale. Edhe tollovitja aty.“Po Ismail Qemali”, më pyet burri, që duhet të jetë patjetër nga Kosova. Ia shpjegoj, por shqipja standarde e lodh. Picërron sytë. “Ku? Praj he...”. Atëherë, i them -ec vetëm drejt kësaj rruge. Më hedh një vështrim nga poshtë lart. Është si një bina e madhe, por s’mundem ta fotografoj. Pastaj: “Çka po t’lyp, që shrep kto gjana?”. “Çka po t’lyp ty?” i përgjigjem në dialektin e vet dhe se kthej kokën. Gruaja ecën pak anash dhe kënaqet duke parë nga parku. 15 minuta më vonë, burri e ka parë dhe identifikuar veprën e Paskalit, por problemi është se nuk ndalë fare aty. Ka humbur në strukturën anti-diktaturë të Ardian Isufit dhe Fatos Lubonjës dhe mundohet të gjejë simbolikën. Gruaja e ndjek pa folur. Ai, kureshtar, bën të futet te bunkeri. Dy fëmijë kanë zenë derën. I shtyn. Pak më tutje, e lë kureshtarin. Mundohem ta fotografoj në kënde të ndryshme monumentin e Ismail Qemalit. Babai i Pavarësisë, që megjithë vendin në bulevardin kryesor, ende një nga më të pavlerësuarit në vend, këqyr indiferent nga Lindja. Me një bazament natyral dhe i papërshtatur me vendin, e ke të vështirë t’ia kuptosh ekuilibrin me mjedisin që e rrethon. Në këtë gjendje, që është, a mund të na shërbente sot si një simbol? Pothuaj fare. Dhe, këtë e kupton nga konkursi për figurën e tij, që u bë me vrap dhe që bitisi në një hiç. Pak rëndësi ka. Figura e tij është nga figurat më të neglizhuara në vend. Përveç monumentit gjigandoman patetik të Vlorës, që gjithsesi i kënaq ende shpresat tona të Pavarësisë. Ismaili i Paskalit ka një brishtësi, që të grish. Jo për aty. Një punonjëse e mjedisit vjen dhe i heq një fshesë sipër, kurse një vajzë e vogël, do t’më shesë me zor, kikirikë. Kosovari as nuk afrohet fare. Në kohën tonë, kësaj figure krenare shpesh i referohen në të dy krahët. E dyta s’është aq e këndshme. Megjithatë, kryevepra e Paskalit, që qëndronte shumë mirë në Muzeun Kombëtar e nxorën, për të shpëtuar programin gjigandoman, që qeveria e dy viteve më parë bëri për Pavarësinë. Anipse, me përmasat e saj dhe zgjidhjen, humbet shumë. Të mençurit, që e vendosën aty, i kanë gjetur një modifikim duke i bashkangjitur edhe platformën, që e bën të vogël dhe fare pa rëndësi, njësoj si mund të ishte çdo figurë e njohur historike në vend. Dora e prishësve, e kudondodhur në vend, na i kanë hequr disa nga shkronjat e emrit, kurse pas disa apeleve, mirëmbajtësit kanë gjetur një formë të këndshme për ta mbuluar batërdinë. Ngjyra e shkronjave të mbetura ka zëvendësuar vendet boshe duke i imituar shkronjat e hequra me bojë.

A është kitsch-i? Në formën sesi një vepër e tillë i serviret publikut, shumë shpejt ajo do të bëjë pjesë te mendimi kitsch-i. Nëse në diskutime flasim për një hierarki se ku duhej të vendosej, apo në mënyrën sesi mund të shikohej ajo me mjedisin, atëherë është një çështje tjetër, që kërkon pak talent ta afrosh me konceptet e reja të kitsch-it. Urojmë mos t’i bëjnë sakatllëqe të tjera, edhe pse fillimi s’është aspak optimist. E përsërisim, lidhet me konkursin dështak për realizimin e monumentit të Ismail Qemalit në 100-vjetor, i cili dështoi dhe vetëm ekzistenca e monumentit të realizuar nga Odhise Paskali në Muzeun Kombëtar, që u zhvendos jashtë, e shpëtoi shtetin për respektin e imazhit urban të figurës.

Monumenti i Nënë Terezës

Kosovari tashmë i është futur në thellësi lulishtes të residencës qeveritare dhe fotografon. Nisemi drejt monumentit të Nënë Terezës. Është në vijë ajrore, gati 400 metra më tutje. Por të duhet të përshkosh tre semaforë. Vetë figura e Nënë Terezës është kitsch-i në Shqipëri. Ajo është përdorur dhe përflitet aq shumë, saqë menjëherë i je nënshtruar një qerthulli të kitsch-it.  Kanë dalë aq shumë personazhe që e kanë ndihmuar, që u ka folur në intimitet, që kanë qëndruar duke ua dëgjuar fjalën apo duke u besuar fjalitë e saj, saqë të kujton historinë, kur në qytetin e Bajram Currit kërkohej një objekt filxhan, që pretendohej se e përdorte plaku luftëtar. Thuhet, nëse është e vërtetë, se pas thirrjes së muzeut, iu dhuruan dhjetëra të tillë. Nënë Tereza është shembulli më i qartë sesi njerëzit e transformojnë kitsch-in në një stereotip. Pasi u shtrydh si imazh dhe u vendos si një nga simbolet tona, pas vdekjes së Enver Hoxhës, figura e saj është shpërdoruar dhe deformuar shëmtuar. Të kujtojmë se deri në 1989, shqiptarët e anatemonin dhe nuk e pranonim në vend, atëherë e justifikon sepse e plasën në këtë cep të bulevardit, mbi shkallaret e Universitetit, ku mbërrijmë pas 15 minutash dhe nuk kujtohen më. Me emrin e saj kemi spital, aeroport, por ende muze!!! Një i tillë, u tha se do bëhej te kolonat, por fast-food iu duk më e përshtatshme zyrtarëve shqiptarë, që proklamojnë figurën e saj. Prej kohës, i kanë hequr pllakat e poshtme dhe vepra e Thoma Thomajt, të mbush me një trishtim të pafund kur e sodit. Nënë Tereza me lutjen e saj drejt Perëndimit në një vendosje të paarsyeshme edhe pse janë bërë me dhjetëra apele, të sjell sesa kitschi është vetë jeta jonë. Një zvarranik i vogël futet dhe del që andej. Më ka arritur sërish kosovari, por tashmë me aparatin e tij, është flamuri që mundohet ta kapë me kënd me Nënë Terezën. Një grup të rinjsh, na shikojnë me indiferencë, ndërsa ne i rrotullohemi pa i folur njëri-tjetrit shtatores së Nënë Terezës.

Pas pak ulem. Mrekullohem me strukturën përreth të Bossios. Të rinjtë kanë ikur. Afrohet dhe kosovari. Këtë herë ndërroj disa fjalë. Ka qenë në Durrës, po ka sjellë nusen me e këqyr Tiranën. “S’ka qenë kurrë”, më thotë. Është i ngazëllyer me qytetin dhe i pëlqen gjigandomania e Tiranës. E sqaroj se këtë që sheh e kanë bërë italianët. Pak i hyn në punë. “Asht jona”, ma pret.

...

E përshëndes. Teksa largohem se kitsch-i është gjithçka, por ne një drejtim tjetër në qytetin tim. Imitimi i shëmtuar i monumenteve dhe vendosja sa për sy e faqe na bën edhe qesharakë. Kujton, në skaj monumentin e Kazazit, antikomunistit, që u zhvendos pas Tirana Hotel në një zgëqe, në vendin më të papërshtatshëm në qytet. Epigrami mbi të e zbeh edhe më shumë nderimin që kanë bashkëqytetarët e tij, pasi me vogëlinë e vet, në atë cep trotuari, ai është më shumë si objekt-sinjalizimi ose platformë çezme, sesa një vend nderimi. Nuk e kuptoj te vetja pse duhet ta them se është kitsch-i, por edhe për këtë më ndih zgjatimi i konceptit të kitsch-it. Hermann Broch argumenton se esenca e kitsch-it është imitimi i keq: lidhja e monumentit me paraardhësin e vet direkt pa e marrë parasysh fare etikën, ku ai synon të kopjojë të mrekullueshmen jo të mirën. Këtë e përsias, derisa afrohem pak qindra metra më tutje, tek një pllakë përkujtimore që prej vitesh, kujton shtëpinë ku qëndruan njerëzit e Nënë Terezës. Është prej vitesh e shkruar gabim dhe Ministria e Kulturës (300 metra tutje) dhe Bashkia që flasin për projekte masive, nuk kujtohen për këtë çikërrimë të bën të qeshësh me të folurën kitsch-i të zyrtarëve tanë.

...

Mbarova. Duhet të jemi në protestën e tregtarëve të ish-uzinës Dinamo dhe udhën e vazhdojmë drejt një paradoksi të ri. Tregtarët e vegjël që paradoksalisht shajnë dhe ofendojnë Ministrin e Bujqësisë, shkaktarin e të gjithë katastrofës së tyre brohorasin në kor emrin e Edi Ramës, si shpëtimtar. Por, ky nuk i dëgjon, sepse është në udhëtimet e tij të suksesit 300-ditor. Këtu mbaron udhëtimi në qytetin tonë mbushur me monumente kitsch-i, të papunë dhe kaos total urban. Verë e vitit 2014.

1 Komente

po tamon, duhet bo me pllaka majolike...monumenti pavarsis smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).