Ajo është duke u thërrmuar, e mbushur me njolla prej lagështirës, e shkruajtur në latinishten e Mesjetës, por sido që të jetë, Magna Carta ia ka dalë mbanë që të mbetet e lidhur ngushtësisht me kauzën e të drejtave të njeriut edhe sot, më shumë se 800 vjet pasi është derdhur në një dorëshkrim dhe vulosur me vulën e dylltë të mbretit të Anglisë.

“Akti i Madh” i Anglisë që i takon vitit 1215 ka qenë i pari dokument që sfidonte autoritetin e mbretit, duke e detyruar këtë të fundit ti nënshtrohet sundimit të ligjit si dhe të mbrojë popullin e tij nga abuzimet feudale.

Ndonëse pjesa më e madhe e ideve të këtij Akti madhor janë rishikuar apo janë shfuqizuar që atëherë, parimet kryesore të Magna Carta-s ofruan konturet për demokracitë e kohëve moderne. Një prej klauzolave të saj, e cila ndodhet edhe sot e kësaj dite në librat anglezë të së drejtës, është pranuar universalisht si definicioni më i parë i habeas corpus – e drejta universale për një proces gjyqësor të drejtë.

Duke marrë sugjerime nga dokumenti më shumë se pesë shekuj më vonë, revolucionarët në Amerikë inkorporuan një pjesë të madhe të ideve bazë të Magna Carta-s në një tjetër dokument shumë të rëndësishëm – Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Feudalizmi ishte kuadri ligjor, me anë të të cilit qeverisej përgjithësisht huadhënia e pronave dhe tokave në kohërat e mesjetës.

Ajo i jepte praktikisht mbretit kontroll në të gjithë pronat e mbretërisë së tij, të cilat punoheshin nga fshatarët, që nga ana e tyre ishin të mbikëqyrur prej baronëve feudalë.

Çdokush në hierarki kishte përgjegjësi financiare dhe sociale ndaj rangut që ndodhej mbi ta, duke përfshirë baronët, të cilët jepnin llogari direkt tek mbreti.

Shumica e mbretërve të Anglisë nuk i ushtronin të gjithë të drejtat e tyre feudale, si për shembull të drejtën dhe kompetencën për të kontrolluar se me kë martoheshin ata që ndodheshin poshtë tyre. Megjithatë, kjo u ndryshua me ardhjen e Mbretit Xhon, sundimtari që është paraqitur si personazhi negativ në historinë e Robin Hudit. Abuzimet që Xhoni bënte me sistemin feudal ishin të shpeshta dhe kjo gjë i zemëroi së tepërmi baronët, të cilët po zhvateshin rregullisht prej tokave dhe fitimeve të tyre.

Pasi u kish ardhur në majë të hundës, baronët u rebeluan dhe e detyruan mbretin që të firmoste Magna Carta-n, një listë me 63 klauzola që ishin hartuar për të kufizuar pushtetin e Mbretit Xhon. Ishte hera e parë që autoriteti mbretëror i nënshtrohej zyrtarisht ligjit, në vend që të mbretëronte mbi të.

Kopje të shumëfishuara të dokumentit u vulosën me dyll në 1215, dhe më pas u lexuan në të gjithë hapësirat e mbretërisë.

E strukur diku në mes të Magna Carta-s, atje ku ndoshta vështirë se ta zë syri, ndodhet ajo çfarë historianët e konsiderojnë si një prej trashëgimive më jetëgjata të Magna Cartas.

Habeas Corpus, ose e drejta për një proces të drejtë gjyqësor dhe një gjykim nga një juri, është një koncept ligjor universal për kohët e sotme, por ajo nuk ekzistonte aspak në librat e së drejtës deri kur baronët shënuan në Magna Carta se:

“Asnjë njeri i lirë nuk do të kapet apo burgoset, apo të zhvishet nga të drejtat dhe pronat e tij, ose të nxirret jashtë ligji apo të dëbohet në mërgim – përveçse nga gjykimi i ligjshëm i të barabartëve të tij, apo nga ligji i vendit”.

Ndonëse kjo deklaratë nuk ishte një prej karakteristikave më të spikatura të Magna Carta-s në kohën kur kjo e fundit u bë publike, ajo është përmendur dhe thirrur gjithnjë e më shpesh nëpër shekuj – sidomos gjatë kohërave të vështira e të turbullta – për të mbrojtur dhe ruajtur të drejtat dhe liritë civile. Kriza e Luftës Civile Angleze e shekullit të shtatëmbëdhjetë ishte një kohë e tillë e trazuar, dhe ishte gjithashtu pikërisht gjatë kësaj periudhe që shumë anglezë u nisën drejt kolonive amerikane.

Deri në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë, kolonitë e Botës së Re ishin populluar tashmë nga një grup amerikanësh të brezit të parë, me një arsimim të admirueshëm në legjislacionin dhe të drejtën angleze, si përshembull Tomas Xheferson dhe Xhon Adams.

Në fund të Luftës Revolucionare, kur kish ardhur tashmë koha të hartohej një kushtetutë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këta njerëz përfshinë më të mirën e të drejtës angleze dhe asaj cfarë kishin mësuar më herët, duke e përshtatur me rrethanat, në kushtetutën e tokës së re, pa monark.

Ende me një domethënie dhe rëndësi shumë të madhe sot, Amendamenti i Pestë i Kushtetutës së SHBA ka një përmbajtje pothuajse identike me atë statut, të shkruajtur afro 575 vite më herët.

 

Bota.al

3 Komente

Nuk eshte e vertete, nuk ka pas asgje ne Mesjete perveçse obskurantizem dhe injorance, ere mish i djegur shkencetari ne turra drush nga "Pirati qe u be Pape".

Ne Mesjete nuk ka pas as art, as shkence dhe as kulture ne pergjithsi, atehere te digjnin ne autodafe po te lexoje nje liber (perveç librit "Pirati qe u be Pape").

Çar flisni, arti dhe kultura kane filluar ne Rilindjen italiane, jane arrire me Iluminizmin francez dhe perfunduar me Karten e Helsinkit norvegjez lopa-shenjte-njez, dava Karta Manja anglez.

 

cilen bote? perse nuk e fillon nga hamurabi?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).