27 vjeç, i talentuar dhe i suksesshëm në një vend i cili nuk mund të kuptohet pa artin, Parisi. Arti i tij është tashmë në rrugën e duhur dhe jo vetëm në fushën e arkitekturës, për të cilën ka kryer edhe studimet në Francë, por gjithashtu edhe në profesionin e urbanistit e fotografit. Enri Mato rikthehet në Tiranë, jo rastësisht, por me qëllimin për të sjellë një projekt tejet ambicioz siç është TIPhF (Tirana International Photo Fest), organizuar nga Dream City FEST. Një festival luksoz, që do të vijë së shpejti në përmasa ndërkombëtare, për t’u dhënë kështu hapësirën e nevojshme të gjithë artistëve shqiptarë e të huaj që aspirojnë të promovojnë punët e tyre në fotografi.

Enri, sa e vështirë ka qenë për ty që pas kaq kohësh të rikthehesh në Shqipëri me një projekt si Dream City FEST, që duhet thënë, është jo pak impenjativ?

Rikthimi ka qenë i vështirë për t’u përballur në një realitet të mendimit, ndërthurur ky me shock-un kulturor. Por nga ana tjetër, kjo e bën edhe më interesante ardhjen time në Tiranë.
Dream City FEST lindi si projekt dhe organizim i pavarur, që në vitin e parë, kur unë ende studioja arkitekturë në Paris, e çuditërisht kultura arkitekturale në Shqipëri përbën interes të veçantë tek të huajt. DCF kishte si qëllim përveç të tjerave, të krijonte një festival arkitekture për qytetin. Në kohën kur DCF u themelua, ekzistonte vetëm një festival arkitekture për qytetin, i cili quhej Goroda Fest dhe ne ishim partnerët e parë të tyre. Bordi përfaqësues i DCF ishte 70% ndërkombëtar dhe 30% vendas. Njerëzit që e mbështetën këtë aktivitet mendonin se DCF do ishte një qendër ndërkombëtare e mendimit ndryshe, për arkitekturën e qytetit, kjo është edhe arsyeja që ne po e testojmë këtë “mendim” duke krijuar TIF (Festivalin e parë mbarëbotëror të Fotografisë, me subjekt qytetin).

Pse ‘Dream City’? Ka lidhje me ndonjë përjetim a ndjesi të veçantë ky emërtim?

Idetë kanë qenë të shumta për të pasur një emër të veçantë dhe për të krijuar një identitet të ri në arkitekturë, por unë doja diçka më të prekshme, një qendër e cila të lidhte qytetin me individin dhe jo vetëm arkitektët me qytetin. Për këtë arsye u propozua ‘Dream City FEST’, meqë pra ky togfjalësh përmbledh më së miri atë që ne duam të bëjmë. Edhe pse qytetet të tilla janë joreale, qëllimi ynë ishte të përmirësonim imazhin e qytetit aktual, qoftë ky shqiptar apo ndërkombëtar.

Si është jeta artistike që pas ardhjes në Shqipëri? A ka hapësira mjaftueshëm për këtë art në vendin tonë?

Shqipëria është e mbushur me sinopse artistike të cilat i gjejmë kudo; në çdo kafene e gjithashtu në çdo rrugë. Mendoj se do të kem projekte edhe për 100 vite të tjera në Shqipëri. Blloqet e mia mbushen çdo javë me shkrime dhe ide për këtë vend. Megjithatë, mendoj se duhet të jesh shumë selektiv ndaj asaj që ka në Shqipëri. Informacioni i nevojshëm nuk mungon, thjesht duhet të dish ta gjesh.

Web-site ku ekspozohen punimet tuaja është mjaft mirë i kuruar e sigurisht, aty nuk mungojnë edhe ato më të mirat. Sa i rëndësishëm është kurimi i imazhit të një artisti në raport me punën e tij?

Web-site im është shumë i ngatërruar (qesh) sepse aty ka projekte arkitektonike, shumë pak fotografi si edhe imazhe arkitekture të vizualizuara. Ky konfuzion në fakt lidhet edhe me mënyrën sesi unë punoj. Më pëlqen rregulli vetëm 3 sekondat e para, më pas nuk është më pjesë e imja. Ne jetojmë në botën e pixels, pra blejmë dhe shesim pixels. Cilësia e tyre ka një kosto të barabartë me kohen. T’ju jap një shembull: po merresha me një projekt shtëpie për në pyjet e Brazilit. Ishte porosi e një filozofeje braziliane dhe natyrisht duhet të ishte një punim tepër i veçante në paraqitje. Atëherë zgjodha të bashkoja fotografinë 3D (si ne kinema) me imazhin e projektit. Rezultati ishte fantastik dhe ajo ngeli e mahnitur prej tij.

I njëjti imazh u paraqit në ‘Vogue Italy’, si një formë e miksimit të arkitekturës me teknikat e fotografisë.

Cilat janë disa prej aktiviteteve artistike më të rëndësishme në të cilat keni marrë pjesë në Paris? Po përsa i takon pjesëmarrjes në aktivitete e evente ndërkombëtare?

Kam prekur pothuajse të njëjtat disiplina, arkitekturë, fotografi dhe vizualizim imazhi. Jam munduar të profesionalizohem duke i prekur ato në forma të ndryshme, qofshin konkurse  arkitekture apo projekte të mirëfillta.

Një periudhë e gjatë ka qenë edhe mësimi i teknikës. Nuk jam i vetmi që mendoj se artist do të thotë mbi të gjitha të jesh njohës i teknikës dhe kjo e fundit ka qenë një proces shumë i gjatë, por edhe i bukur. Në Paris kam marrë pjesë në Konkursin e Parisit të madh me një studio parisiene. Projekti u vlerësua nga presidenti Sarkozy, si tepër vizionar dhe i prekshëm ndaj kujtdo. Gjatë këtij procesi kam qenë edhe asistent i një fotografi shumë të njohur francez, Dominique Delaunay. Në këtë projekt, fotografuam gjithë pjesën periferike të Parisit për t’ua vënë në dispozicion konkurrentëve në konkursin e Parisit të Madh.

Pjesëmarrja ime si ambasador i Europës Juglindore në RPS (The Royal Photographic Society) mbetet një eksperiencë e paharruar. Gjithashtu dua të përmend edhe pjesëmarrjen time në show- studion dhe Sallonin e Fotografisë në Paris.

A është Shqipëria një vend i favorshëm për ta zhvilluar e kanalizuar aty ku duhet artin e fotografisë? Po për arkitekturën?

Pa diskutim që po. E thashë edhe më lart, se kam projekte edhe për 100 vjet, pasi çdo cep i Shqipërisë është i mbushur me frymëzim. Arkitektura jonë duhet të fillojë të eksperimentojë duke u bazuar në traditë. Me arkitekturën është shumë e thjeshtë; ose bëhesh arkitekt, ose bëhesh kritik, e ne sot kemi nevojë për më pak kritikë dhe më shumë arkitektë.

Sa e rëndësishme është për një artist shpërblimi material ? Përtej pasionit dhe frymëzimit që mund të gjesh në Shqipëri, a mundet ky art të shitet mirë?

Arti nuk është sakrificë njerëzore, por rezistencë humane, dhe duhet patjetër të aplikohet kjo e fundit për të qenë artistë.
Nëse pyesni Nick Knight sa kushton një bukë në Londër, përgjigja e tij me siguri do të jetë “nuk e di!”(qesh).

Njëra nga punimet e tua më interesante është ai i realizuar në vitin 2009, me një titull paksa ekstravagant: “Rrumpallë”. (Titulli të kuriozon për të ditur se ç’fshihet pas tij) Pse ky titull?

Në verën e vitit 2009 unë ndodhesha në Tiranë pas 3 vjetësh mungese dhe projekti “Rrumpallë” ishte eksplorim i pamjeve nga dritaret e shtëpisë në lartësi të ndryshme dhe përballë kisha një imazh të ngulitur në memorie, e cila pra ishte një fasadë e transformuar nga dielli dhe moti. Ishte një inspirim i fortë kundrejt një rrëmuje arkitektonike dhe raportit që kjo krijonte me qiellin. Kështu lindi ideja e “Rrumpallë”.

Mendon ta kthesh në traditë Festivalin e Fotografisë?

Mendoj që po. Mrekullia ose mrekullitë e qytetit janë një temë që lidhet shumë mirë me Tiranën, gjithashtu edhe festivali ndërkombëtar.

Cila është “ëndrra” e radhës, në planet afatgjata të Enrit?

Janë edhe tri ëndrra të tjera që përsëri lidhin individin me qytetin dhe arkitekturën. Gjithashtu po përgatitem për një ekspozitë në fund të qershorit në Galerinë Fab. Në këtë ekspozitë do të ketë punë mjaft interesante, realizuar në një zonë në Tragjas, të cilën kam dy vjet që e studioj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).