Të gjithë ata që kanë pasë fatin me lexue në fëmini përkthimet nga Petro Zheji, a Klio Evangjeli, Pashk Gjeçi a Gjon Shllaku, kanë ruejtë me letërsinë artistike nji afërsi kaq të madhe, sa me e ndi halà si afërsi gjaku. Dhe kanë fitue nji respekt për gjuhën shqipe, që nuk e kanë humbë kurrë.

Emrat nuk janë të numrueshëm. Shkolla shqiptare e përkthimit ka pasë dhe në masë ma të vogël ka, mjeshtra kaq të mirë, sa në klimën e sotme të zvetënimit shpirtnor, ende janë dorëzanët e lidhnisë së njerzve me artin, dimensionin shpirtnor t’ekzistencës.

Petro Zheji ndër të gjithë kryemjeshtrat e përkthimit përban përjashtimin ma ekstravagant, për shkak se ai ka lanë nji vepër të vetën me randësi epokale, dhe kjo asht “Shqipja dhe sanskritishtja”.

Në tollovinë e botimeve të sotme në gjuhë shqipe, ku forca e verbët fizike e mbisundon sensin e masës, energjia e mrritjes e përpin energjinë e nisjes, vepra përkthimore e Zhejit, mbetet nji etalon i maturisë, duke qenë Zheji artisti i matun dhe njeriu me formim të mirëfilltë shkencor, që e ka rrokë artin si mbishkencë, por ruen të paprekun higjienën mendore të intelektualit të mbrujtun me logjikë.

Përfaqësuesi ma i njoftun i zejes së përkthimit shqip para Zhejit, asht pa diskutim Fan Noli, qoftë për arsye politike, qoftë për arsye artistike. Noli, si përkthyes (por në gjithçka) i përket popullit të vet. Por Don Kishoti i tij, pjesa e parë pra, asht nji version që nuk i len mangut asgja të thanmeve e të bameve të Nastradinit. Bukuria e gjuhës së këtij përkthimi asht e gjitha tek mjalti i traditës fshatare shqiptare, nji traditë tmerrsisht e pasun dhe e gjanë. Noli asht për gjuhën e vulgut. Asht popullor. Tjetër karakteristikë e dorës së parë e stilit nolian në përkthim, asht liçensa poetike, shkurt e shqip: përmirësimi i origjinalit. Ose ma mirë me thanë zbukurimi, se zbukurimi jo gjithmonë asht përmirësim. Dhe Noli e stilistët e tjerë të ksaj magje, e shfrytëzojnë shqipen edhe me i shtue notat komike, edhe me e thellue kumbin tragjik të veprave që përkthejnë. Kjo asht ajo çka quejmë shqipërim. Kulmin e vet ky stil, nuk e mrrin me vetë Nolin, por me Gjon Shllakun, me Iliadën e tij madhështore (versioni gegnisht), shqipërim sa gjenial aq edhe jobesnik. Por shembujt janë pafund.

Shqipërimi shihet ende sot me admirim, dhe realisht filtri i shqipes duke qenë vetë i praruem, i shton ar florinit të origjinalit. Por ka nji problem: asht ar me karaturë tjetër. Çka prun me vedi inflacionimin e produktit vendas. Në të njejtën mënyrë shkolla italiane e dublimit, për krahasim, sakrifikon aktorët dhe vokalet ma të mirë të saj, duke zbukuru veprat filmike të vendeve të tjera, çka realisht rezulton damtore për vetë filmin italian. Saherë na janë dukë dublimet italiane ma të bukra se origjinalet amerikane! E sa herë na asht dukë e gjitha kjo nji harxh i kotë! Duke intepretu interpretimin, a nuk kemi teatrin e teatrit? A nuk jemi te meta-teatri?! Interpretimi origjinal asht i shejtnuem prej vetë dimensionit historik në të cilin lindet… por kur Noli e shqipëron simbas kushteve kozmo-historike të Shqipnisë së kohës e cila ishte nji realitet në bamje e sipër, siç ka mbetë ende sot, përsos se nji shqipe, jep edhe nji interpretim tepër të pakonkurueshëm, që mbetet si totem, në të gjithë prodhimin artistik shqiptar. Dhe në fakt po len terren të minuem. Kush merret mbas Nolit me Cervantes-in o me Shakespeare-in, duhet ose me imitue Nolin dhe me hy me kambën e djathtë në mbretninë e harresës, ose me ba diçka krejtsisht idiosinkratike, duke u ba bashkëautor me Shakespeare-in, çka ka kuptim, vetëm nëse përkthyesi asht njiherit edhe vumës në skenë i pjesëve të bardit. Në tana rastet duhet me u marrë me Nolin dhe me Cervantesin e Shakespeare-in njiherit.

Por shì ktu hyn në lojë Petro Zheji. Alternativa ndaj nolizmit.

Zbukurimi i origjinalit, nuk asht përmirësim. Veprat kanë pjesë të shëmtueme, që duhet të mbeten të shëmtueme, për hir të ekonomisë së veprës. Mbas çdo zbukurimi, tek përkthyesi që e realizon, fshihet artisti i dështuem.

Puna e Petro Zhejit nuk shfaq këso mbivendosjesh artistike ndaj origjinalit. Shkenca asht arti i tij. Njiherit, si njeri thellësisht shpirtnor, Zheji nuk shef kontradiktë mes shkencës dhe shpirtit. As mes arsyes dhe besimit. Puna e tij nuk ia hipotekon shqipes veprat e ardhuna.

Njohës i mirëfilltë i sistemit etimologjik e logjik të traditës indo-evropiane, Petro Zheji ka respektin dhe distancën e duhun nga gjuha popullore.

Asht thanë e përsëritet se gjuhëbamësit e mëdhej të Rilindjes evropiane, prej Dantes te Luteri, zgjodhën gjuhën e popullit si gjuhë të letrave. Por nuk duhet harrue se përtej alibisë po shkruejmë gjuhën e popullit, fshihet nji zgjedhje politike revolucionare: ata shkruejnë gjuhën e borgjezisë. Gjuha e klasës fitimtare të kohës, kje baza e gjuhës letrare të cilët ata “krijuen”. Noli e mbarë rilindasit zgjodhën mirëfilli gjuhën e popullit, për shkak se borgjezia shqiptare nuk ekzistonte si borgjezi (pra si klasë jo si individë) dhe si shqiptare njikohsisht. Ende sot nuk kemi nji shtresë të mesme. Megjithatë ata ishin diasporë, pra gjuha e tyne ruen shum shpesh nji distancë diasporike nga shqipja popullore. Noli mundohet me e kompensue kët distancë diasporike, por përfundon duke e vulgarizu shum gjuhën. Por gjuha e zgjedhun prej Petro Zhejit nuk ka frikë me qenë krejtsisht diasporike dhe krejtsisht poetike. Regjistri i Petro Zhejit ka distancën e duhun nga gjuha e popullit dhe nga ajo e pushtetit. Ky i gjuhës së mesme (mesit të artë të gjuhës) asht nji dimension shum i randsishëm që i jep mëvetsì veprës intelektuale të Petro Zhejit. Don Kishoti pjesa II asht edhe ujëndamës në zejen përkthimore të shqipes së kultivueme.

Në dukje të parë, prodhimi i pamatë zhejian, shfaq nji paradoks. Teksa përkthyesi shfaqet elegant dhe i distancuem prej shqipërimit liberal të veprave që punon, vepra e jetës së tij “Shqipja e sanskritishtja” duket sikur ia hipotekon shqipes pjesën ma të kryehershme të etimologjisë indo-evropiane. Ai që nuk shfaqet shqipërues në përkthim (e kush kishte ma shum tagër se ai, për me qenë shqipërues!?), na del shqipërues n’etimologji!!

Njiherit, shumica e pseudonjohësve të shqipes besojnë se shqipja asht gjuhë e bame me arna, me huazime e kshu me radhë. E gjithë kjo asht nji keqbesim, në fakt. Asht nji ndër mbeturinat ma toksike të mendësisë komuniste. Fakti që fjalët e hueja quhet letrare, kurse fjalët shqipe pranohen vetëm si dialektore dhe kjo ndodh te Fjalori i gjuhës së sotme shqipe. Titulli duhet të ishte në kët rast: Fjalor i mjerimit të gjuhës së sotme shqipe. Ata që nuk e njohin shqipen, nuk ia dinë e nuk ia duen randësinë asaj. Kanë vuejtë shum me msu nji gjuhë të huej, dhe ia besojnë asaj tanë dinjitetin e nji mundshëm të nji gjuhe. Shumica prej tyne, mes të cilëve nji pjesë e mirë kanë rol aktiv në shqipe, si shkrues e përkthyes, ankohen se shqipja s’e ka kët fjalë, apo s’përkthehet kjo fjala tjetër. Shqipes së tyne i mungon shumçka, e kujtojnë se kjo i ndodh mbarë shqipes. Nuk e kanë të kjartë se shqipja nuk asht thjesht arkaike, por asht arketipore. Leksikun e marrin prej kolegëve të tyne gazetarë. Nuk e kuptojnë dimensionin kryesor të gjuhës që asht tingulli. S’iu shkon në mend se nuk ka mundësi që shqipja me qenë nji enklavë në leksikun e saj, ndërkohë që në sistemin e saj tingullor asht perandori!!

Kulmi i kësaj keqnjohje të shqipes shfaqet te nji dedikim, kur shkrimtarja ia kushton veprën e saj të shkrueme në nji italishte të cilën e njef ma pak se shqipen, fjalës “përvujtni” e cila, simbas saj, nuk ekzistoka në shqip, madje nji e tillë mosekzistencë ndikoka në krejt mbarëvajtjen e nji populli.

Sidokjoftë vepra “Shqipja e sanskritishtja” nuk u pranue për botim, si na e tregon edhe Zheji te parathania. Zheji nuk i numron arsyet pse u ndalue, por s’ka dyshim se kjo ishte nji vepër me përmbajtje thelbsisht metafizike, e cila pavarësisht se censorët nuk arrijshin me e rrokë, i jep atmosferën krejt librit. Arsyeja tjetër, ma e pritshme, asht se libri ishte krejtsisht antidogmatik dhe propozonte nji përmbysje radikale ndaj mendësisë së mykun të gjuhësisë militante të kohës, simbas të cilës shqipja ishte gjuhë minore, pra gjeografia dhe historia e saj ishin njisoj të vogla. Ndërkohë që libri i Zhejit krijonte me mjete shkencore idenë se gjeografia fizike e gjuhës shqipe, ishte në raport të zhdrejtë me gjeografinë e saj metafizike.

Studimet e indo-evropianistikës patën për shum kohë e deri në ditët tona nji mbisundim prej sllavistikës. Mjafton me pa’ faqen e Gjuhës trake tek wikipedia gjermane, për me pa’ se bibliografia thelbsore asht sllave, përkatsisht pranohet si autoritet Duridanovi, i cili fjalën burr të trakishtes e lidh me emrin Boris, por jo me fjalën burrë të shqipes, që në fakt asht identike. Njikohsisht akull e trakishtes lidhet prej tij me aqua të latinishtes, por jo me akull të shqipes e me radhë. Asht e kotë edhe ndërhymja aty, se shpjegimet shqip nuk pranohen as ndër kllapa. Kur opinioni shkencor (i cili lind e vdes në nivelin e opinionit në fakt), nuk pranon evidenca si kto që radhitëm ma nalt, si mund të pranohet nji vepër si “Shqipja e sanskritishtja” që e përmbys perspektivën krejtsisht? Për ma tepër kur autori i saj, asht vetë shqiptar?!

Duhet të kemi parasysh se evropianët mjaftohen me identikitin tonë, dhe nuk kanë shum kohë as vullnet me njoftë identitetin tonë. Por që edhe ne të mjaftohemi me identikitin, e të vazhdojmë mos me e njoftë identitetit tonë, kjo asht, për ne, e pafalshme.

Tek kjo vepër e rinisë së vet, Petro Zheji, studion në mënyrë të kristaltë, marrdhaniet e lidhnitë e shqipes me gjuhët kryesore të antikitetit klasik. Rezultati asht mahnitës. Shqipja asht gjuha arketipore, ose gjuha motër, pra nji motër e madhe që muer rolin e nanës (mother).

Mund të pohojmë se sanskritishtja asht gjuha e parë letrare e indo-evropianve ose indo-gjermanve, por, e vetmja gjuhë e gjallë që na lejon me kuptue diçka prej gjuhës së folun që ekzistonte para kodifikimit të shkruem të sanskritishtes, asht shqipja.

Gjuha asht në dimensionin e saj parak, arketipor dhe metafizik, fonî. Kjo fonia, për të cilën flet Saussure, përkthehet simbas helenishtes, herë si tingull, por ma saktësisht si zhurmë. Pra zhurmë, pra onomatope. Por shqipja asht e vetmja që ka foljen me folë, e cila jep veprimin e të bamunit foni. Gjuha asht folnî. Tridhetë e gjashtë folnitë e shqipes, na lejojnë ne shqiptarëve me kenë poliglotët ma të natyrshëm në botë. Kjo nuk vjen prej faktit se jemi ma të meçëm se të tjerët, çka nuk ka si me qenë e vërtetë, por për faktin e thjeshtë se gjuha jonë amtare ka nji shtrimje fonike prej 360 gradë.

Te “Shqipja e sanskritishtja” përpos raporteve të shqipes me gjuhët e kryehershme të indo-evropianve, hidhet edhe teza se sanskritishtja asht gjuhë e ndërtueme, vepër inxhenierike. Kshtu shpjegimet onomatopeike kalojnë me të drejtë në plan të dytë.

Pjesa ma gjeniale e ksaj vepre asht zbulimi i visarit gnostik të shqipes, dhe tezat e Zhejit – njohës i vërtetë ndo i mistikës ndo i arritjeve të mendimit racional të shekullit të XX – e vendosin atë ndër herojtë e mendimit shqiptar. 

Penda e gjuhëve simbas Luigi Cavalli-Sforza

Me kët vepër Zheji hedh përfundimisht bazat për nji fjalor të mirëfilltë etimologjik të shqipes, duke i ba nji shërbim madhor programit kulturor të shqiptarisë. Raporti që gegnishtja ka te ky libër me tosknishten nuk ka qenë kurrë ma i natyrshëm. Kisha e gjuhës shqipe nuk ka qenë kurrë ma e bashkueme, se te vepra e ktij intelektuali të kulluem, që përfaqëson njiherit ortodoksinë shqiptare dhe autoqefalinë e mendimit shqiptar.

“Shqipja dhe sanskritishtja” asht nji libër që do t’i kishte pëlqye Borgesit; dhe vërejtja se tana gjuhët me shum fjalë nji rrokshe lejojnë këso arti kombinatorik, bie poshtë prej faktit se anglishtja apo kantonishtja nuk mundson të tilla. Asht nji libër gjithashtu që do i kishte pëlqye prof. Luigit Cavalli-Sforza, i cili me rrugë të tjera mrriti me e vu shqipen në vend të parë te penda e gjuhëve, te libri i tij “Geni, popoli e lingue”.

Asht po ashtu nji libër që mundet me e plotsue në shum gjana dhe me e ndryshue perspektivën e kryeveprës së Benveniste-it “Fjalori i institucioneve indo-evropiane”, vepër tek e cila shqipja lihet gjatë gjithë kohës jashtë loje, duke u përmendë vetëm njiherë për fjalën “besa”, e cila nuk analizohet as si fjalë as si institucion, e pra asht logu par excellence i mbarë institucioneve indo-evropiane të shoqnive parashtetnore.

Raporti që shqipja ka me gjuhët e tjera të sotme e të kryehershme, asht prova se jemi evropianë në spikamë dhe se gjuhsisht nuk kemi pse të vjedhim. Se kemi identitet, jo identikit.

Kjo asht shum e randsishme me përcaktue gjeografinë shpirtnore të gjuhës dhe shpirtërimit shqiptar.

Në kohën tonë kur edhe programin kulturor mundohen ta bajnë hajnat me pushtet, asht e kjartë se hajnia ka me qenë pikë kyçe e atij programi. Por pjesët ma të shëndetshme të programit kulturor real të shqiptarisë bahen në heshtje prej individësh me sistem nervor prej Petro Zheji, me nji nevrastë të krahasueshme me atë të nji Solxhenjicini e nji Trebeshine, dhe dikur, kur të jetë ora e njimendsisë e shqiptarët ta mbledhin programin e tyne të vërtetë kulturor për me qenë nji kulturë e vërtetë, kta kanë me qenë gjeneratorët kryesorë të rrymës së kohezionit mbarëshqiptar.

I thirrun me tërhekë çmimin Asturias, shkrimtari jonë ma i famshëm, deklaroi në prani të parisë së Spanjës se diktatori jonë ishte nji don kishot. Në kët mënyrë, vërtetoi se nuk përfaqësonte frymën e romanit dhe se e kishte keqkuptue thelbsisht shejtninë e Don Kishotit, duke i dhanë figurës së don kishotit të njejtit konotacion negativ që i pat dhanë intepretimi komunist, pra jo kuptimin që i jep fryma e romanit. Duke na tregue se simbioza e tij me diktaturën, nuk ka sosë kurrë si e tillë.

Diktatori nuk ishte don kishot, Petro Zheji ishte don kishot (sikurse vetë Cervantes). Dhe ne shqiptarët jemi evropianë pikërisht pse nxjerrim don kishot si Petro Zheji. Kur t’i duem don kishotët tanë, at’her kemi me e kuptue se kush janë herojtë tanë e kush janë gjanat e shejta që na kanë lanë sakrificat e tyne.

Jeta e vepra e Petro Zhejit mbesin nji dritare drite në qiellin shpirtnor të shqiptarisë. Petro Zheji i kthen shqipes metafizikën e saj, dhe nuk ka shërbim ma të madh që nji shpirt mundet me i ba shpirtit.

Dhe shqiptarët kanë me e kuptue se vetëm duke gjetë dashninë për gjuhën, kanë me e gjetë ma në fund gjuhën e dashnisë.

2 Komente

Dhe shqiptarët kanë me e kuptue se vetëm duke gjetë dashninë për gjuhën, kanë me e gjetë ma në fund gjuhën e dashnisë.

eh, mor te mjere. dashnia flet gjithmone gjuhen e saj. n'dac shqip, n'dac hic. do pysim shkencetaret, shkrimtaret, perkthyesit apo Astrit Canin tani me fol dashnine.

_______________________________________________

a do shpetoje femija?

Altarnative e nolizmit...? U ftofsh or shoku i Tur zhejit ! Nuk ka lindur akoma alternative per Nolin.Ai do te mbetet perjetesisht kollosi i shqiperimeve te kryeveprave te letersis botrore...!
Morra te nje bashkepunimi mjeran, ne capitjen e introduktave te kollosit Noli.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).