Harta e re e territorit synon t’i japë fund “feudalizmit modern”, por ngre pikëpyetje për fuqizimin edhe më tej të kryebashkiakëve. Cilat janë superbashkitë e krijuara dhe “shkarjet” e reformës në disa qytete pa funksionalitet

Harta e re e Shqipërisë mund të shihet si fundi i një lloj “feudalizmi modern” të reflektuar në kryetarë komunash të zgjedhur nga tre deri katër herë, që sundonin krejt larg vëmendjes jetët e mijëra banorëve në zona që zbrazeshin gjithnjë e më shumë. Jo funksionale, praktikisht të pavlera, të parëndësishme dhe me duart gjithmonë në buxhetin e shtetit prej nga merrnin vetëm për të paguar rroga. Njësitë administrative të krijuara prej bashkimit të kooperativave më 1992, në pjesën më të madhe ishin braktisur dhe dy ditë më parë, u shkrinë në asgjë. Partitë politike kanë qenë praktikisht dakord që kjo duhej të merrte fund, por ndërsa shumica shpejtoi, sepse siç deklaroi nuk mund të priste pafundësisht opozitën, kjo e fundit refuzoi të merrte pjesë, duke kërkuar një reformë decentralizimi para hartës apo duke e quajtur atë, të kompromentuar që prej fillimit.

Shumica e quan reformën historike. “Sapo është votuar me shumicë dërrmuese reforma historike e riorganizimit administrativ të Shqipërisë! Një hap i madh drejt një atdheu modern”, -shkruante Rama menjëherë pas votimit.  Opozita e gjykon reformën si antikushtetuese, duke saktësuar si arsye për këtë mosmarrjen e mendimit të banorëve të zonave që bashkohen apo ndahen. Opozita po ashtu, akuzon për një ndarje pazaresh, interesash të errëta dhe beson se ka një mekanizëm elektoral në ndarje, që synon t’i japë epërsinë shumicës në testet zgjedhore. “Kjo është torta e çifligjeve të ëndërruara, që oligarkët e shumicës kanë guximin dhe paturpësinë ta shesin në publik, me etiketën false të reformës administrative-territoriale”, – tha dje kreu i PD-së Lulzim Basha, duke lënë të kuptohet se do kishte një padi në Kushtetuese për reformën. Por për të lexuar reformën, duhet parë se si kjo do të zbatohet dhe sa do të jenë në gjendje zonat funksionale, që sipas shumicës do i kursejnë vendit 3 deri në 6 miliardë lekë në vit të funksionojnë vërtet. Më shumë se kaq, si do të reflektojë reforma në zgjedhjet lokale? A është krijuar përmes hartës mundësia për një Shqipëri njëngjyrëshe politikisht?! A ka një ndarje të barabartë dhe a janë zbatuar parimet e funksionalitetit ekonomik, lidhjeve tradicionale dhe numrit të popullsisë në hartën e re politike të vendit.

Superbashkia pa Paskuqanin

Ka momente kur harta duket e habitshme; ajo ka krijuar ndarje që duken të paarsyeshme dhe ka bërë bashkime që po ashtu, duken jashtë normales. Paskuqani është i pari që bie në sy. Ndërsa superbashkia e Tiranës, tashmë edhe në territor më e madhja në vend, “gëlltit” të gjitha komunat rreth saj, përfshi edhe ato me të cilat lidhjet janë të vdekura dhe jo funksionale si Shën Gjergji i largët e i braktisur, ajo lë jashtë Paskuqanin me të cilin sipas një projekti të kreut aktual të saj dhe të miratuar nga qeveria e kaluar, do të lidhej me bulevard. Arsyet për këtë nuk duket të kenë qenë fort elektorale nëse merren parasysh zgjedhjet e fundit. Diferenca mes forcave në Tiranë është më e madhe edhe se sa e gjithë vota e Paskuqanit, e marrë së bashku. Nga ana tjetër, nëse shihet rezultati zyrtar i zgjedhjeve lokale në bashkinë e kryeqytetit rreth 1500 votat më shumë të djathta në këtë zonë do të ishin vendimtare. Kjo sigurisht kërkon një hamendësim pa LSI në koalicion me PS e po ashtu kërkon të hamendësohet edhe preferenca për kandidatin e mundshëm të njërës apo tjetrës palë. Sidoqoftë, superbashkia e madhe që duke iu referuar rezultatit të fundit shkon edhe më shumë majtas me bashkimin në të të një sërë komunash, duket se do jetë në njëfarë mënyre një “shtet” brenda shtetit. Tirana në këtë mënyrë veç numrit më të madh të banorëve do të ketë edhe territorin më të madh në vend. Kreu i ri i kësaj bashkie më 2015 do të ketë më shumë pushtet se sa kryetari aktual, falë shkrirjes së 11 minibashkive që do të funksionojnë vetëm si zyra administrative me përfaqësues të emëruar dhe shtimit të 12 njësive të tjera vendore për t’u menaxhuar. Nisur nga historia e afërt, kreu i Tiranës do të jetë kandidat i përhershëm për postin e kryeministrit, ndërsa do të ketë në dispozicion më shumë resurse dhe vota për t’ia mbërritur kësaj.

Ndarjet dhe bashkimet

Superbashki të ngjashme me Tiranën, por më të vogla se ajo janë Durrësi, Elbasani, Fieri, Shkodra apo Lezha e Vlora, këto të fundit do të rrethohen nga bashki më të vogla dhe në disa raste fare të vogla, ndërsa në disa raste gllabërojnë bashki ekzistuese që janë më të mëdha se sa ato që krijohen diku tjetër. Në raportet për reformën thuhet se është mbajtur parasysh funksionaliteti i këtyre qendrave, por herë-herë kjo bëhet e paqartë kur sheh krijimin e bashkive si Klosi pranë Burrelit apo ndarja e Urës Vajgurore nga Berati, ndarja në dy pjesë e Skraparit, ndërkohë që Fushë Kruja i bashkohet Krujës apo Mamurrasi i bashkohet Laçit, Velipoja e Shëngjini bashkohen me Shkodrën apo Lezhën dhe Mirdita trajtohet si një zonë më vete. Zëra të opozitës e kanë parë këtë si të qëllimshme. Deputetja Jorida Tabaku vëren se numri i njësive të krijuara në Veri dhe Shqipërinë e Mesme është më i vogël se ai i atyre në Jug edhe pse në raport me numrin e deputetëve dhe popullsinë Shqipëria e Veriut dhe ajo e Mesme duhet të kishin më shumë njësi. “Por më i rëndësishmja nuk u zbatua as kriteri i përfaqësimit! Shqipëria e mesme dhe veriu që përfaqësohen në Parlament me 89 deputetë do të kenë 30 njësi të pushtetit vendor, ndërsa jugu që përfaqësohet me 59 deputete do të ketë 31 njësi të pushtetit vendor!”, shkruan Tabaku në një status të saj në “Facebook” pas miratimit të reformës.  Në këtë rast, kritika nuk merr parasysh faktin se 3 nga njësitë në Jug janë me status të veçantë të minoritetit. Nga ana tjetër, Shqipëria e Mesme që ka edhe numrin më të madh të deputetëve i “prodhon” deputetët kryesisht në Tiranë-Kamëz-Durrës-Elbasan (59 mandate) është e ndarë në 16 njësi. Elbasani ka marrë “llokmën” më të madhe të njësive, plot 8 po aq sa kanë Tirana dhe Durrësi së bashku. Kjo nga një anë vjen edhe për shkak të një ndarje të vjetër të qarkut të Elbasanit dhe një përqendrimi më të ulët të banorëve në qendër dhe gjeografisë së tij. Arsye për këtë duket se është edhe përqendrimi i banorëve në qytete Tiranë, Durrës dhe Kamëz, çka i bën këto njësi më të mëdha. Veriu (Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë)  nga ana tjetër ka 28 deputetë dhe ndahet në 15 njësi. E ndarë në këtë formë numri i njësive në Veri dhe Shqipëri të Mesme është 31dhe përfaqësohen në kuvend me 87 mandate, ndërsa në Jug 27 plus tre njësitë minoritare për 53 deputetë. Numrin më të lartë të njësive krahasimisht me deputetët që nxjerrin e kanë Berati dhe Gjirokastra, që kanë edhe njësitë më të vogla për nga numri i banorëve.

Financiarisht do të kursejmë

Reforma Territoriale, sipas komisionit që e hartoi atë pritet t’u kursejë shqiptarëve nga 3 deri në 6 miliardë lekë në vitin në vijim, ndërsa i jep fund në dukje parcelizimit në feude moderne me krerë komunash “zotër” në hapësirat ku qeverisnin për 3-4 mandate. Në raportet e komisionit thuhet se ndarja në komuna të vogla e vështirësonte jetën e banorëve po ashtu vështirësonte shërbime si ujësjellësit, kanalizimit, rrugët apo menaxhimi i mbetjeve. Po ashtu një pjesë e madhe e këtyre komunave apo bashkive të vogla harxhonin sasitë më të mëdha të buxhetit për të mbajtur në punë punonjës, ndërsa e kishin të pamundur me buxhetet e tyre të realizonin investime apo menaxhonin burimet. Reforma duket se hap mundësi të reja në këtë drejtim. Krijim i bashkive të mëdha ul në një anë shpenzimet për administratat e fryra dhe nga ana tjetër krijon mundësi investimesh lokale, mbledhje taksash dhe krijim të ardhurash nga vetë njësitë vendore.

Komisioni që ka bërë reformën vlerëson se kjo do të sjellë përmirësim në qeverisje, por po ashtu do të rrisë edhe nivelin e administratave vendore. Opozita e ka kundërshtuar këtë. Ajo pohon se shërbimet do jenë më pak të arritshme dhe se mungojnë lidhjet mes zonave. Ajo që nuk është debatuar deri tani dhe që ka gjasa të ndodhë në superbashkitë si Tirana, Durrësi apo Elbasani e Shkodra do të jetë sasia e investimeve që do të shkojë në periferitë e tyre të braktisura. Shën Gjergji i largët dhe pa rrugë lidhëse me Tiranën do ta ketë të vështirë që me 2 mijë zgjedhësit e tij gjithmonë e në rënie të ketë mundësi të tërheqë vëmendjen apo t’i bëjë presion kryebashkiakut të madh për hallet e tij. E ndërkohë që reforma u jep fund feudeve të vogla të kryekomunarëve të pashkolluar apo në mjaft raste produkt fitoresh klanore e partiake, ajo lë të hapur edhe mundësinë e krijimit të “principatave” me kryebashkiakë që do kenë gjithmonë e më shumë pushtet dhe nga ana tjetër edhe ndikim në zgjedhjet e përgjithshme.

2 Komente

Jo , ky eshte fillimi i te rinjve , me me shume leke , sidoqofte PD nuk hyn ne zgjedhje me kete ndarje .

Prap ky katnari me analiza ?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).