Në kohën që skena përshkruhet 
Çdo çast bëhet më e qartë 
Se skena nuk përshkruhet por fshihet 
Për shembull le të marrim fjalën zbrazëti 
Në vetvete një përgënjeshtrim i vetvetes 
( Për vetveten në vetvete një përgënjeshtrim) 
Dhe kur thonë se fjalët fluturojnë 
(Siç mbushin zogjtë një hapësirë 
Që zhduket pambarimisht) 
Me siguri kjo ndodh për të fshehur faktin 
Se fjalët nuk njëshmohen 
Me botën që përshkruajnë 
Fjalët nuk kanë flatra 
Ato nuk kanë nuk do të kenë lule 
Por ato shtien në dorë lule të mundshme 
Dhe i vënë në një kopsht 
Kur i vjen radha 
Këtë kopsht e vënë në imazhin e një kopshti 
Të cilin e vënë në një imazh etj. 
Dhe ndërsa bota zhduket 
Fjalët mbeten aty ku janë 
Kjo është një kritikë e ligjërimit që përdoret 
Sepse është një kritikë e situatës si të tillë 

Duke pasur si ligjërim vetëm një rrahje flatrash në qiell. 
Stéphane Mallarmé 

Gjithmonë shkruhet diçka tjetër 
Dhe ajo që shkruhet prapë është diçka tjetër 
Midis të dyjave ndodhet ajo që nuk është shkruar 
Që sapo ka zënë të shkruhet 
Hapet para zotërimeve të reja për t'u përshkruar 
Dhe kjo është e papërshkrueshme 
Madje edhe nëse errësira përkufizohet duke u nisur nga drita 
Dhe drita duke u nisur nga errësira 
Gjithmonë mbetet diçka 
Dhe madje nëse kjo diçka që mbetet "përkufizohet" 
Si kopshtet e lëna pas dore 
Prapa kangjellave që shtyhen 
Gjithmonë kjo gjë është logjike 
Megjithatë edhe nëse logjika nuk përkufizohet 
Por fshihet nën shtresa kopshtesh 
Të pikturuara nga kopshti në kopsht 
Aty mbetet gjithmonë një shqetësim 
Një dëshpërim 
Një rrahje flatrash pa trup 
Kjo gjë është një kritikë e trupit 
Sepse është një kritikë e jetës 

... llahtaria e lidhur me jetën si një pemë me dritën. 
George Bataille 


Në sfondin e lidhjes së pamundur 
Që ekziston midis asgjësë dhe gjithçkasë 
Ose vetëm midis asgjësë dhe diçkaje 
Po vetëm midis asgjësë dhe fjalës asgjë 
Dhe për shkak të nemitjes së plotë të ligjërimit 
Për gjithçka që nuk ka ndodhur 
Ose brenda botës ose jashtë botës 
Ky pozicion duhet të braktiset 
Ai është braktisur dhe jep 
Ose një ligjërim që është vazhdim i botës 
Ose një botë që është vazhdim i ligjërimit 
Ose një qiell kopshtesh malesh 
Ose qiej kopshtesh malesh të pikturuara 
Ose zogj që zgjohen nga vrasjet që kryhen 
Ose gurë që fluturojnë përmbi male 
Dhe për këtë gjë nuk ka shpresë 
Dhe kjo gjë është e pamundur 
Në sfondin e këtyre lidhjeve të pamundshme 
Që sundojnë midis ose… ose… 
Ose vetëm midis ose dhe gjithashtu 
Po vetëm midis ose dhe fjalës ose 
Dhe për shkak të nemitjes së përkryer të ligjërimit 
Për gjithçka që nuk ka ndodhur 
Ose meqenëse është ose, ose meqenëse nuk është ose 
Ky pozicion duhet të merret 
Atëherë ne ndodhemi në të njëjtën pikë 
Kjo është një kritikë e trillimit 
Sepse është një kritikë e nostalgjisë për botën 

Tashmë ju jeni të vdekur në botë. 
Sade 

"Unë" nuk ka më dëshirë për prapaskena 
"Unë" nuk ka më dëshirë për anekdota 
për malet e pikturuara 
"Unë" nuk do të shohë më se si ia behin universe të tjera 
në caqet e të arsyeshmes 
"Unë" nuk do të dëgjojë më se si bie kambana e kushtrimit 
sa herë që del dielli 
"Unë" nuk do që të zhduket 
"Unë" është ajo që ka shkruar atë që ndodhet para këtyre radhëve 
dhe ajo që shkruan atë që vjen pas tyre 
"Unë" nuk do që të hiqet sikur ka vdekur 
Unë kam frikë 
Kjo është një kritikë për çdo "poetikë" 
Sepse është një kritikë për ankthin përballë pafuqisë së njëmendtë 

Ndoshta shkaqet janë të panevojshme për pasojat. 
Sade 


U përpoqa të tregoja një botë që nuk ekziston 
Me qëllim që ta bëj të ekzistonte. Ajër i palëvizshëm 
Mbi fushat në rrethinat e qytetit ku nuk do të shkoj më 
Gëzim nga një largësi me të cilën njeriu është mësuar. Qetësi 
Nga një shqetësim me të cilin njeriu është mësuar: Si në kulmin e etheve 
Gëzimi të mos kesh asnjë domethënie 

U përpoqa të rrija larg botës. Ishte e lehtë 
Të rri larg botës mua më është bërë zakon. Unë jam 
E huaj. Dhe unë e ndiej veten më mirë kur jam e huaj. 
Kështu e harroj botën. Kështu nuk qaj më 
Nuk jam më e zemëruar. Kështu bota bëhet 
E bardhë mospërfillëse 

Dhe unë vete atje ku më shpien këmbët. Qëndroj krejtësisht e palëvizshme 
Kështu mësohem të jem e vdekur. 

Kjo është një kritikë e pushtetit të njeriut mbi ligjërimin 
Sepse është një kritikë e pushtetit të ligjërimit mbi njeriun 

Botës mund t'i themi "njerëzore" vetëm për aq sa ajo nënkupton diçka. 
A.-J. Greimas 

Pikë së pari për mua 
Bota nënkupton diçka 
Nisem nga ideja se ka qenie të tjera 
Për të cilat bota nënkupton diçka 
Pikë së pari për ata 
Bota nënkupton diçka 
Kushdo do të mund ta shkruante këtë gjë 
Por unë çuditem kur shoh se të tjerët 
Përjetojnë diçka të ngjashme 
Dhe se disa domethënie që këtu ia vesh botës 
Aty-këtu ia kanë veshur të tjerët 
Në një mënyrë të ngjashme 
Dhe se domethënie të shumta 
Lindin një shumësi domethëniesh kaq të thjeshta 
Sa madje dhe bota mbetet po ajo 
Madje dhe bota që nuk ka të fshehta 
Para se unë të trazohem me të 
Madje dhe bota që nuk ka diçka të vërtetë 
Para se unë të trazohem me të 
Madje dhe bota që është brenda meje 
Si lënda që e ndajmë me njëri-tjetrin 
Madje dhe bota është po ajo 
Po ajo lëndë e vjetër 
Që e ndajmë me njëri-tjetrin: 

Në vetvete nga vetvetja për vetveten 
Pa domethënie 
Por jashtë vetvetes 
Për shembull këtu ku paraqitem 
Si dikush që shkruan për botën 
Për shembull aty-këtu kur paraqitet dikush 
Si dikush që lexon për botën 
Aty-këtu dhe kudo në botë 
Është diçka tjetër dhe ca më tepër 
Nga ç'është një ngatërresë që ka domethënie 

Oqean i vjetër, o beqar i madh kur ti përshkon vetminë solemne të mbretërive të tua flegmatike… 
Lautéamont 


Nuk shpëton lehtë nga këso farë gjërash 
Jo se ka një perspektivë të botës 
Jo se ka ndonjë mënyrë për ta parë botën 
Jo se ka ndonjë kuptim të botës 
Por sepse nuk ka ndonjë kuptim të botës 
Por sepse bota është e pakuptueshme moskokëçarëse e jashtme 
Ndërsa unë jam fillikate 
E kritikoj veten 
E trajtoj veten 
Si një ngatërresë midis vetes sime dhe 
Një bote të pakuptueshme moskokëçarëse të jashtme 
Unë vetë jam e pakuptueshme moskokëçarëse e jashtme 
Por unë nuk jam në brendësi 
Nuk jam kur jam fillikate 
Dhe le ta themi midis nesh se unë nuk jam këtu dhe tashti 
Kur ti lexon 
Se unë shkruaj 
Që unë nuk jam 
Dhe kur ti lexon 
Se unë shkruaj 
Që ti nuk je 
Përkundrazi 
Ti vetë mund të jesh oqean i vjetër 
Ti vetë mund të jesh mbretëri flegmatike 
Ti vetë mund të përshkosh vetminë tënde solemne 
Nuk është oqeani që bëhet i kuptueshëm 
Nuk është mbretëria që bëhet e vlefshme 
Nuk është vetmia që vjen në brendësi 
Je ti Jam unë Janë ngatërresat tona 
Kjo gjë mund të jetë në vetvete një imazh i poemës politike 

...realiteti i plotë: Unë përfytyroj fillimin e një libri. 
Philippe Sollers 


Lumturia është shndërrimi që pësoj 
Kur e përshkoj botën 
Bota e pëson 
Lumturia është shndërrimi që pësoj 
Kur kam frikë 
Bota e pëson 
Për shembull unë mund të kem frikë nga bota 
Frikë sepse midis të tjerash bota përbëhet 
Nga unë që jam jetëshkurtër 
Lumturia është ky shndërrim 
Lumturia është që pësoj 
Këtë gërryerje këtë zi të ngadaltë 
Këtë siguri 
Në të unë jam kryekëput e shqetësuar 
Në të unë jam e pakapshme kryekëput memece 
Në të unë jam e shurdhër unë jam e verbër unë jam kafshë e pandjeshme 
Në të unë përfytyroj botën. 

Milosao

Përktheu: Anton Papleka

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).