Duke rrezikuar së qeni një zë më shumë në një humnerë ku zërat që shkruajnë e flasin për drejtësi humbasin e nuk dëgjohen, po ndaj disa mendime në lidhje me procesin se si po menaxhohet skandali i abuzimit kriminal në Bankën e Shqipërisë.

Shtysa për këtë shkrim është interpretimi që po i jepet takimit të ambasadorit amerikan me Guvernatorin e Bankës shqiptare si një mbështetje e heshtur për Guvernatorin Fullani, pasi ai refuzoi të prononcohej nëse Guvernatori duhet të japë dorëheqjen. Lejomëni të shtroj argumentin se problemi qëndron te fakti që ambasadorit iu bë pyetja e gabuar. Nuk është as në kompetencat e ambasadorit e as në mandatin e tij të japë opinione nëse duhet të (dorë)hiqet drejtuesi më i lartë i bankës se një shteti të huaj. Pyetja e duhur për ambasadorin amerikan do të kishte qenë se si mendon ai që do të veprohej në shtetin e tij, ku ai shërben në administratën publike, nëse do të zbulohej i njëjti skandal? Çfarë do të kishte bërë Janet Yellen, e cila kryeson Bankën Federale të Rezervave në ketë rast? Çfarë hapash do të kishte ndërmarrë bordi i saj? Për më tepër, ai duhet të pyetet në beson se Kongresi Amerikan do t’ia kishte lënë këtë çështje tërësisht Prokurorisë apo nëse do të kishte ngritur një grup special hetimi për ketë skandal? Eksperienca dikton që kryetarja e Bankës Federale do të kishte marrë të gjithë përgjegjësinë mbi vete, do të kishte dhënë dorëheqjen në mënyrë të menjëhershme, ndërkohë që Kongresi Amerikan do të kishte ngritur jo një, po disa grupe hetimore për këtë çështje.

Unë e interpretoj ndryshe takimin e Guvernatorit me ambasadorit amerikan. E shoh atë si një përpjekje të dëshpëruar të Guvernatorit për mbijetesë. Në fakt, thuajse si anekdotë, imazhet e takimit më kujtojnë presidentë e kryeministra shqiptarë të së shkuarës, të cilët duke parë pozicionin e tyre të dobët politik në vend, s’lënë gurë pa lëvizur për të pasur mundësi fotografike me figura publike amerikane, në shpresën që mund të influencojnë opinionin publik.

Duke shkuar pak më thellë se thjesht lëvizjet taktike të mbijetesës së Guvernatorit, çfarë gjej tërësisht fyese ndaj qytetarëve shqiptarë si një nënvleftësim të inteligjencës së tyre, është guximi me të cilin Guvernatori na informon se mosdorëheqja e tij është veprim përgjegjësie dhe jo e anasjella. Ky konkluzion bazohet në tezën se po të largohet ai, rrezikohet stabiliteti ynë monetar. Çfarë?! Si mundet që një individ, sado i rëndësishëm, të njësojë peshën e tij individuale si të barabartë me institucionin? Banka shqiptare është një institucion me struktura, rregulla dhe staf që ka ekzistuar dhe do të ekzistojë shumë vite pasi emri i Guvernatorit në detyrë të harrohet. Të aludosh të anasjellën do të thotë të mos besosh në sistemin ligjor e financiar shqiptar. Do të thotë të besosh që i gjithë ekipi i Bankës së Shqipërisë luan rolin e kukullës dhe gjithçka nga kërkimet e analizat e deri te politikat monetare dhe vendimmarrja të bëhen nga një individ i vetëm.

Largimi i Fullanit, qoftë dorëheqje apo largim i detyruar, vetëm e forcon stabilitetin në vend. Së pari, kthen besimin te një institucion që sot sundohet nga individë të punësuar nëpërmjet taktikave nepotiste. Ata variojnë nga familjarë të Guvernatorit e deri te ndërthurja e thellë me të afërm të ish-pushtetit, ky i fundit një mekanizëm tejet efikas për të siguruar mbijetesën e Guvernatorit. Së dyti, largimi i tij do të krijonte besimin se rregullat dhe ligjshmëria do të sundonin këtë institucion. Jo kaosi i rregullave të pashkruara e procedurave të pazbatuara. Së fundi, do të na jepte shpresën dhe BESIMIN se Banka e Shqipërisë merr përgjegjësi për problemet e saj, në vend që të çonte për dhjamë qeni punonjësit më të ulët në rëndësi e më pak të lidhur me politikën. Këto janë veprimet që na japin besim, jo uni mbretëror i Guvernatorit.

Së fundi, do t’i referohem këtu eksperiencës sime direkte si drejtuese bordesh mbikëqyrëse në kompanitë ku unë investoj këtu në SHBA. Detyra e çdo anëtari në këto borde është qeverisja e institucionit në përputhje me ligjin, rregullat dhe etikën. Në raste moszbatimi të njërit të këtyre tri aspekteve, qoftë edhe në raste kur kemi të bëjmë me një shkelje të thjeshtë të etikes e jo më tej, hapi i parë që merret është largimi i drejtuesve të lartë, jo thjesht përfituesve të rëndomtë që gjetën hapësirën për të shkelur ligjin dhe e shfrytëzuan. Bordi Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk po përmbush asnjërën prej përgjegjësive të lartpërmendura. Vetëm mbledhje e deklarata shtypi me shkrim, të gjitha në funksion të mbijetesës së Guvernatorit në detyrë. Shqipëria është vërtet vendi i çudirave, por niveli kaq i lartë i papërgjegjësisë është ajo çka shtyn për mosbesim dhe mosqëndrueshmëri, jo e anasjella.

11 Komente

Për analogji, në USA para do kohësh u dënua me 14 vite burg për korrupsion (nga përgjimet u vërtetua se kishte kërkuar parà, ndonëse nuk i mori) Guvernatori i Illinois, ndërsa në Shqipëri megjithëse fakti ishte me zë e me figurë, të shpërblejnë duke të dhënë postin më të lartë të Kuvendit. (Për ironi, i njëjti person ka qënë kryeministër kur u vodh thesari, por s'pamë gjëkundi peticione për dorëheqje). Në fakt vetëm përfaqësuesit e LSI-së janë shprehur publikisht për mosdorëheqje të Fullanit, që në fakt jo vetëm që duhej të dorëhiqej, por duhej edhe t'i dorëzohej prokurorisë si shenjë e vullnetit të mirë dhe faktit që nuk u trembet hetimeve se është i ndershëm e madje edhe "kursimtar" smiley

Së fundi, do t’i referohem këtu eksperiencës sime direkte si drejtuese bordesh mbikëqyrëse në kompanitë ku unë investoj këtu në SHBA. Detyra e çdo anëtari në këto borde është qeverisja e institucionit në përputhje me ligjin, rregullat dhe etikën. Në raste moszbatimi të njërit të këtyre tri aspekteve, qoftë edhe në raste kur kemi të bëjmë me një shkelje të thjeshtë të etikes e jo më tej, hapi i parë që merret është largimi i drejtuesve të lartë, jo thjesht përfituesve të rëndomtë që gjetën hapësirën për të shkelur ligjin dhe e shfrytëzuan. Bordi Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk po përmbush asnjërën prej përgjegjësive të lartpërmendura.

 

ehuhaaaa... ku Shqiperia,  ku SHBA...  ku  standartet  dhe zhivllimi  demokratiko-politiko-shoqeror  ne SHBA,  ku ne Shqiperi.  

me duket se  edhe  ky lloj te menduari, pra  krahasimi i molleve me dardhat, eshte  qasje gabuar.   dmth e kuptoj shume mire se cfare do te thote autorja,   por nuk mund te zgjidhim problemet shqiptare me standarte amerikane,  sepse kjo nuk eshte e natyrshme..smiley

Mendoj se ka ardhur koha per ndryshim dhe seriozitet. 

Çfarë do të kishte bërë Janet Yellen, e cila kryeson Bankën Federale të Rezervave në ketë rast? Çfarë hapash do të kishte ndërmarrë bordi i saj? Për më tepër, ai duhet të pyetet në beson se Kongresi Amerikan do t’ia kishte lënë këtë çështje tërësisht Prokurorisë apo nëse do të kishte ngritur një grup special hetimi për ketë skandal? Eksperienca dikton që kryetarja e Bankës Federale do të kishte marrë të gjithë përgjegjësinë mbi vete, do të kishte dhënë dorëheqjen në mënyrë të menjëhershme, ndërkohë që Kongresi Amerikan do të kishte ngritur jo një, po disa grupe hetimore për këtë çështje.

Sipas librit te alan greenspan kryetari i rezerves  nuk merret fare me anen operacionale e cila eshte departament me vete.rezerva federale eshte nje burokraci e konsoliduar ne te cilen me ardhjen apo ikjen e titullarit nderrohen vetem nje grusht keshilltaresh te afert jo e gjithe administrata, keshtu qe pergjegjesia e titullarit nuk eshte aq direkte sa ne shqiperi .

Shume mire znj Seseri, aspak ze i humbur, perkundrazi.

Por, si ish-kandidate e partise qe sot ka 2/3 e Kuvendit e me shume akoma te pushtetit, ti po hedh valle ne heshtje rreth 'elefantit ne dhome', sic thone amerikanet. Mire Fullani s'do te terhiqet se eshte 'cun i keq' sic thua ti. Po shteti, a ka shteti struktura--dhe pergjegjsi--per ta vene Fullanin dhe te tjeret para pergjegjsise dhe per te bere drejtesi? Apo qenka shteti ne meshire te oreksit te Fullanit/fullaneve? 

Logjika jote me vend per ceshtjet brenda bankes dhe strukturat e pergjegjesite e saj tradhetohet kaq lehtesisht nga heshtja jote per heshtjen e shtetit te Rilindur me kryetarin e (ish)partise tende ne krye.

Rudina dakort me argumentet se pse ai, Fullani duhej te jepte dorreheqjen dhe po ashtu dakort edhe me analizen qe i ben institucionit vs individit qe ne kete rast eshte z. Fullani. Por nuk bie dakort me kete paragraf:

Unë e interpretoj ndryshe takimin e Guvernatorit me ambasadorit amerikan. E shoh atë si një përpjekje të dëshpëruar të Guvernatorit për mbijetesë. Në fakt, thuajse si anekdotë, imazhet e takimit më kujtojnë presidentë e kryeministra shqiptarë të së shkuarës, të cilët duke parë pozicionin e tyre të dobët politik në vend, s’lënë gurë pa lëvizur për të pasur mundësi fotografike me figura publike amerikane, në shpresën që mund të influencojnë opinionin publik.

Sipas jush, Arvizu eshte paguar nen dore nga Fullani perderisa i shkoi ne takim. Une nuk e mendoj keshtu. Si edhe here te tjera Arviziu ka zbatuar porosite e qendres dhe qe eshte te beje perpjekje maksimale per mos destabilizimin e vendit. Me nje fjale, edhe per kete rast, Amerika ka frike se mos shqipetaret destabilizojne rendin publik ndaj i dalin ne krah Fullanit, ashtu sic i doli ne krah birishes ne Janar te 2011 kur i tha burre shteti te nesermen mbasi kishte palosur 4 vete ne bulevard. Dicka e peshtire ne fakt kur behet nga nje shtet qe propagandon demokracine si gjeja primare ne jete, por kur mendoj se ti jeton ne ate vend vertet ndej keqardhje sesi ka mundesi te jetosh me keta njerez kaq te shtirur.

Artikulli mban aromë kulture dhe shpërndan një opinion që mbështetet në një frymë të shëndetshme. Nëse autorja e nderuar, Seseri, merr si shembull dhe tregon rrjedha të përvojës 200 vjeçare amerikane, bën mirë sepse na shërbejnë për të nxjerrë mësime praktike, sepse strukturat organizative pothuaj nuk ndryshojnë, ndërsa kuptohet se administrimi është edhe çështje individësh. Edhe Rezervës Federale Amerikane nuk i kanë munguar raste kur mbi thesar është vënë dorë, siç ishte rasti i vjedhjes në vitet '30-të të një dore monedhash ari, "Shqiponja 20 dollarshe". Në atë rast Administratori me gjithë shtetin amerikan, pas vitesh këmbëngulëse pune ja bëri të mundur që të kthente në thesar edhe monedhën e fundit dhe ta inventarizonte. Ndryshimi me shtetin tonë qëndron në faktin se shteti ynë i dobët nuk do i gjejë kurrë 713 milion lekët, ashtu siç nuk gjeti dot 316 kg.ar. të vjedhura në vitin 1997.

jo vetem doreheqja duhet kerkuar cdo dite atij laroje, por duhet pyetur dhe ky syleshi vullnetar me emrin Llalla "si ka mundesi prokurori i ceshtjes kerkon te marr deshmine e turí krapit dhe turí krapi thote kur te vij nga pushimet" ? ka byth ndonje qytetar i thjesht i Rep. se Bananeve te Shqiperise ti thote ndonje prokurori nuk vij tani per deshmine se jam me pushime !!! po keta 140 krye bythq...t qe ulen ne ate palo kuvend pse nuk ngriten nje komision parlamentar? prokuroria te hetoje veprat penale kuvendi te hetoje shkallen e pergjegjesises. Keta nuk lane komisione pa ngritur qe nga ai i veshit, ai i stilolapsave pistoleta etj etj ndersa per vjedhjen e 7 M $ ne institucionin (virtualisht) dhe vendin (fizikisht) me te sigurte te Shqp u bene si dhjaksa, u iku goja dhe ia krisen ne pushime...Plehrat. Shushunja. Kanibale qe ushqehen me gjakun dhe jeten e shqiptareve te thjeshte.

Kanibale qe ushqehen me gjakun dhe jeten e shqiptareve te thjeshte.

nc, nc, nc. ore te ushqeheshin, hajde, po ua bejme hallall se duhet te jetojne edhe ata. po keta te lene te vdesesh rrugeve per lluksin e vet dhe kete e quajne sukses dhe stabilitet. 

+1

Paska fol dhe Erjon Brace per nje komision hetimor ne shtator.
Shpresoj te arrij diçka me kete nisme pavaresisht se llogjika thote te kunderten.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).